Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Shpërblimi i shpeshtimit të leximit të Kur’anit dhe nxënies së tij përmendësh

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Leximi dhe përsëritja e Librit të Allahut natën dhe ditën, i jep lexuesit nderin e shoqërimit të Librit të Allahut. Ai i cili e lexon vazhdimisht Kur’anin është përgëzuar me shpërblime të madha.

 

  • Arritja ndërmjetësimit nga Kur’ani për lexuesin e tij në Ditën e Gjykimit

Transmeton Ebu Umame Bahiliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Lexojeni Kuranin, ngase ai vjen në Ditën e Gjykimit ndërmjetësues për ata që e lexojnë vazhdimisht. Lexojini dy dritat: Bekaren dhe Ali Imranin, sepse ato dyja do të vijnë Ditën e Gjykimit sikurse dy re, apo sikurse dy vranësira, apo sikur dy grumbuj me zogj të renditur; ato dy sure do t’i mbrojnë lexuesit e tyre. Lexojeni suren Bekare ngase angazhimi me të është bereqet, ndërsa lënia e saj është humbje. Madje, asaj nuk mund t’i afrohen dot batallët. Muslimi (804).

Ka thënë Muavie ibn Selami[1]: Jam informuar se me “batallët” janë për qëllim magjistarët.

Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot im! Unë e kam ndaluar atë nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, andaj më lejo që të ndërmjetësoj për të. Kur’ani do të thotë e kam ndaluar atë nga gjumi i natës, andaj ma lejo të ndërmjetësoj për të. Atëherë Allahu i bën ndërmjetësues për të. Ahmedi (216/9); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (3882).

 

  • Shtimi i shpërblimeve dhe rëndimi i peshores së veprave të mira

Lexuesi i Kur’anit privilegjohet në shpërblimin e leximit të një shkronje me dhjetë shpërblime. Ai i cili lexon sa më shumë Kur’an përfiton mijëra shpërblime, aq sa lexon nga ai.

Transmeton Ibn Mesudi Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai që lexon një shkronjë nga Libri i Allahut ka një shpërblim, shpërblimi është i barabartë me dhjetëfish. Nuk them që elif, lam, mim, janë një shkronjë e vetme, por elifi është shkronjë, lami është shkronjë dhe mimi është shkronjë. Tirmidhiu (2910); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih (1614).

Për shembull, nëse e llogarisim suren më të shkurtër të Kuranit e cila është surja Keuther, i bie të ketë afro 47 shkronja të cilat janë të barabarta me 470 sevape.

 

  • Ngritja në gradat e Xhenetit

Transmeton Abdullah ibn Amr, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili ka thënë: Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: Lexo dhe ngrihu (shkallëve të xhenetit), lexo drejt dhe bukur, siç ke lexuar në dynja, se vendi yt është në ajetin e fundit që lexon. Tirmidhiu (2914); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (8122).

 

  • Vendosja e kurorave në kokat e bartësve të Fjalës së Allahut

Njerëzit sot vendosin kurora të ndryshme për zbukurim. Mbretërit në të kaluarën kanë vendosur kurora të dallohen për madhështinë e mbretërisë. Gratë në kohën e sotme i vendosin ato nëpër ahnegje. Njeriut mund t’i vendoset kurora apo ta fitojë atë kur dallohet apo triumfon diku. I Gjithëmëshirshmi do t’i vendosë kurora bartësve të Fjalës së Tij në Ditën e Gjykimit, duke i dalluar ata.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Në Ditën e Gjykimit do të vijë lexuesi i Kuranit, dhe Kurani do të thotë: O Zot, dekoroje! Pas kësaj, do t’i vendoset në kokë kurora e nderit. Pastaj Kurani do të thotë: O Zot, shtoja dekorimin dhe nderin! O Zot, ji i kënaqur me të! Allahu do të jetë i kënaqur me të. Pastaj do t’i thuhet lexuesit të Kur’anit: Lexo dhe ngrihu, dhe në çdo ajet i shtohet një e mirë. Hakimi (2029); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi hasen (8030).

 

[1] Muavie  ibn Selami është njëri prej transmetuesve të këtij hadithi.

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

Comments are closed.