Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Shpeshtimi i istigfarit

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut! Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Istigfari (الاستغفار) është akti i të shprehurit pendesë apo të kërkuar falje Allahut.

Allahu na ka treguar në Kur’an më shumë se njëqind e pesëshjetë herë se Ai (Allahu) është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë. Gjithashtu na ka nxitur neve në kërkim falje (tek Allahu) për mëkatet në më shumë se njëzetë ajete. Pra, muslimani duhet të jetë gjithmonë kërkues faljeje (tek Allahu) për mëkatet e tij.

Lum për atë i cili në librin e veprave të tij gjenë shumë istigfar (kërkim faljeje tek Allahu).

Transmeton Zubejr ibn Avami, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai i cili dëshiron që të kënaqet me librin e veprave të tij (kur ta shoh atë në Ditën e Gjykimit), le të bëjë sa më shumë istigfar. Bejhakiu (639); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi hasen (1619).

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka veçuar gratë, duke kërkuar nga ato që ta shpeshtojnë istifarin. Transmeton Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: O ju gra! Jepni lëmoshë dhe shpeshtojeni istigfarin, sepse (natën që jam ngritur në qiell) kam parë që ju jeni më të shumta ndër banorët e Zjarrit. Njëra nga gratë fisnike e pyeti: Përse, o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u tha: Ngaqë mallkoni shpesh dhe e përbuzni mirësinë (e bashkëshortit). Nuk kam parë të mangëta në mendje dhe fe që ia turbullojnë mendjen burrit të urtë më shumë se ju. E pyetën: O i Dërguari i Allahut, e çfarë mangësie ka në mendjen dhe fenë tonë? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, iu përgjigj: Mangësia në mendje është fakti se dëshmia e dy grave barazohet me dëshminë e një burri, gjë që është mangësi në mendje. Pastaj, ajo qëndron ditë dhe netë të tëra pa u falur dhe e lë agjërimin në Ramazan (në periudhën e ciklit), kjo është mangësia në fe. (Muslimi 810).

Istigfari është nga adhurimet më të rëndësishme i cili kërkohet nga çdo musliman. Pra, ai është adhurim i veçantë i kërkuar nga ne në çdo kohë, qoftë pas bërjes së ndonjë mëkati, vepre të lejuar apo edhe pas kryerjes së ndonjë adhurimi.

Disa njerëz nuk e shtojnë istigfarin për njërën prej dy arsyeve:

E para: Besojnë se istigfari iu duhet vetëm mëkatarëve

Nëse e këshillon ndokënd që të bëjë sa më shumë istigfar, ai të thotë: Pse të bëj istigfar apo nga çka të bëj istigfar? Unë nuk kam bërë ndonjë mëkat që të bëj istigfar. Apo të thotë ndonjë fjalë tjetër që sillet rreth kësaj domethënie të shmangies nga istigfari, apo edhe për shkak të injorancës që e ka për këtë adhurim.

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, bënte istigfar më shumë se shtatëdhjetë herë brenda ditës edhe pse Allahu ia kishte falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.
Po ti çfarë mendon, sa kërkohet nga ne që të bëjmë istigfar?

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: Pasha Allahun unë bëjë istigfar (kërkoj falje nga Allahu) dhe i drejtohem Atij me pendim më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë. Buhariu (6307).

E dyta: Besojnë se veprat tjera të mira mjaftojnë për faljen e mëkateve

Disa thonë: nuk kemi nevojë që të kërkojmë shumë falje me gjuhë përderisa Allahu na ka dhuruar neve shumë punë tjera të mira për faljen e mëkateve, siç është abdesi, pesë kohët e namazit, e xhumaja, ramazani, umreja, haxhi, disa dhikre dhe punë tjera të mira. Pra, këto punë të mira i shlyejnë mëkatet.

Ska dyshim se këto punë të mira nuk mjaftohen ndaj këtij adhurimi madhështor (istigfarit). Argument për këtë është se ne jemi urdhëruar që të bëjmë istigfar gjatë apo pas disa adhurimeve apo punëve të mira.

 

Rastet ku duhet të bëhet istigfar

Allahu na ka treguar se kur të bëjmë mëkat duhet të pendohemi dhe të bëjmë istigfar. Thotë Allahu në Kur’an:

Ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë (punë të mira)! [Ali Imran: 135-136]

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka nxitur që në gjatë disa adhurimeve apo punëve të mira që të bëjmë istigfar, e si është puna nëse bëjmë ndonjë mëkat apo jemi të mangët kundrejt Zotit tonë?

1) Istigfari pas abdesit:

Transmeton Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai i cili merr abdes dhe thotë: (Subhaneke Allahumme ue bihamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente estagfiruke ue etubu ilejke) I Lartësuar, i pa të meta je Ti o Allahu im, Ty të takon Falënderimi, dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje, kërkoj falje nga Ti dhe tek Ti pendohem. Kjo shkruhet në një pllakë, pastaj vuloset, e nuk hapet deri në Ditën e Gjykimit. Hakimi(2072); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (6170).

Ka thënë Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e fjalëve ‘… e nuk hapet deri në Ditën e Gjykimit’: domethënë se nuk e kërcënon atë prishja e as shkatërrimi, por në Ditën e Gjykimit mbetet argument për personin që e thotë.

2) Istigfari gjatë namazit:

Namazi është i mbushur me istigfare nga fillimi e deri në përfundim të tij. Duke filluar nga lutja hapëse e namazit, pastaj në ruku, në sexhde, në mes të dy sexhdeve dhe pas teshehudit të fundit. Me lejen e Allahut për këto do të zgjërohemi në temën e fundit rreth istigfarit.

3) Istigfari pas namazit

Transmeton Thevbani, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, pasi e përfundonte namazin, bënte istigfar tri herë, pastaj thoshte: (Allahume ente es-Selam ue minkes selam, tebarekte ja Dhel xhelali uel ikram) O Allah, Ti je es-Selam (Shpëtuesi) dhe prej Teje vjen shpëtimi. I pastër qofsh o Poseduesi i madhështisë dhe fisnikërisë! Muslimi (591).

 

Vazhdon…

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.