Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit gjatë muajit të Ramazanit

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë! 

Falënderimi i takon vetëm Allahut! Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij. 

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. 

Kurani Fisnik është fjala e Allahut e zbritur për këtë umet. 

 Allahu deshi që Kur’ani dhe librat e tjerë të zbresin në muajin Ramazan. 

Të gjithë librat qiellorë kanë zbritur në pjesën e parë dhe të mesme të Ramazanit, përveç Kur’anit i cili ka zbritur në pjesën e fundit të Ramazanit. 

Transmeton Vathil ibn el-Eska, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Fletushkat e Ibrahimit u zbritën në natën e parë të muajit Ramazan, Teurati u zbrit pasi kanë kaluar gjashtë netë nga Ramazani, Inxhili ka zbritur pasi kanë kaluar trembëdhjetë netë nga Ramazani, Zeburi ka zbritur pasi kanë kaluar tetëmbëdhjetë netë nga Ramazani dhe ka zbritur Kur’ani pasi kanë kaluar njëzetë e katër netë nga Ramazani. Tabarani (3740); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi hasen (1497). 

Pra, Kur’ani zbriti në ditën e njëzetë e katërt apo në natën e njëzetë e pestë të Ramazanit. 

Allahu e përmendi në Librin e Tij muajin në të cilin ka zbritur Kur’ani e ai është muaji Ramazan, duke thënë: Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur’ani. [Bekare: 185]. Pastaj e përcaktoi kohën e zbritjes së tij e cila ishte natën, duke thënë: Ne e zbritëm atë në një Natë të bekuar. [Duhan:3]. Gjithashtu e përcaktoi edhe emrin e kësaj nate të bereqetshme si nata e Kadrit, duke thënë: Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. [Kadr:1]. 

Suneti profetik e ka nxjerrë në pah kujdesin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit në muajin Ramazan. 

Transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ishte njeriu më bujar, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur atë e takonte Xhibrili. E takonte atë çdo natë Ramazani dhe e mësonte Kuranin me të. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në vepra të mira, ka qenë më bujar sesa era që fryen (plot mirësi). Buhariu (6). 

Nga format e leximit të shumtë të Kur’anit në Ramazan është namazi i teravisë dhe nxitja në faljen e tij. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai që falet gjatë Ramazanit (namaz nate apo teravi), duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës. Buhariu (37). 

Për këtë nuk quditemi kur e shohim se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka bashkuar leximin e Kur’anit dhe agjërimin në një hadith të vetëm, duke na qartësuar se ata të dy do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zoti im, unë e kam penguar atë prej ushqimit dhe epsheve gjatë ditës. Andaj, më bëj ndërmjetësues për të! Ndërsa, Kur’ani thotë: O Zoti im, unë e kam penguar atë nga gjumi i natës. Andaj, më bëj ndërmjetës për të! Atëherë Allahu i bën ndërmjetës për të. Ahmedi (216/9); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih (984). 

Librat e historisë e bartin tek ne gjendjen e mahnitëshme të të parëve tanë me Kur’anin gjatë muajit të Ramazanit, ku ditët e tij i bënë ditë të leximit, kurse netët e tij i ndriçonin me namaz duke e lexuar atë. 

Imam Ez-Zuhri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Me të vërtetë ky muaj është për leximin e Kuranit dhe për ushqim të të varfërve. Lataif El-Mearif Li Ibn Rexheb (201). 

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, kur hynte Ramazani ndërpriste mësimin e tij të Hadithit në xhaminë e Pejgamberit dhe i përkushtohej tërësisht Librit të Allahut. Lataif El-Mearif Li Ibn Rexheb (201). 

Sufjan Eth-Theuri, Allahu e mëshiroftë, kur hynte Ramazani e linte anash çdo ibadet dhe i kushtohej leximit të Kuranit. Lataif El-Mearif Li Ibn Rexheb (201). 

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti 

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”) 

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.