Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Suret dhe ajetet të cilat pëlqehet të shpeshtohet leximi i tyre

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ka nga suret për të cilat Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka nxitur që t’i lexojmë brenda javës, siç është sureja Kehf. Gjithashtu ka nga suret dhe ajetet për të cilat na ka nxitur Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që t’i lexojmë njëherë brenda ditës, si dhe ka nga ato për të cilat na ka nxitur që t’i lexojmë disa herë brenda ditës, përveç sures Fatiha. Kjo është për shkak të rëndësisë së madhe që e kanë ato dhe mbrotjes se tij (njeriut). Ai i cili i vepron këto, shpresojmë që të jetë prej atyre që e lexon shumë Librin e Allahut.

  • Suret dhe ajetet për të cilat pëlqehet të lexohen një herë brenda ditës

1) Surja Sexhde dhe surja Mulk

Transmeton Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk flinte pa i lexuar suren Sexhde dhe suren Mulk. Tirmidhiu (3404); Shejh Albani në Sahih Et-Tirmidhi e cilësoi sahih (2710).

Nëse ti e lexon suren Mulk çdo ditë do të të ndihmojë ty që ta mësosh këtë sure përmendësh, nëse e vepron ti këtë, ajo gjithashtu do të jetë pengesë për ty nga denimi i varrit. Transmetohet se Abdullah ibn Musudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Ai i cili e lexon suren Mulk çdo natë, Allahu e mbron atë nga denimi i varrit. Në kohën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, suren Mulk e quanim “Penguesja” (nga dënimi i varrit). Ajo në Librin e Allahut është një sure të cilën ai që e lexon çdo natë ka fituar shpërblime të mëdha dhe ka bërë vepër të mirë. Nesaiu (10547); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi hasen (1589).

Gjithashtu kjo sure do të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Vërtetë në Kur’an është një sure që ka 30 ajete, e cila do të ndërmjetësojë për lexuesin e saj, derisa atij do t’i falen mëkatet, ajo është Tebarekel-ledhij bijedihil-mulk (surja Mulk). Tirmidhiu (2891); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi hasen (2091).

2) Surja Isra dhe surja Zumer

Transmetohet se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk flinte pa i lexuar suren Zumer dhe Beni Israil (Isra). Tirmidhiu (2405); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (4874).

3) Suret “el-Musebbihat”

Transmeton El-Irbad ibn Sarije, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk flinte pa i lexuar el-Musebbihat. Tirmidhiu (3406); Shejh Albani në Sahih Et-Tirmidhi e cilësoi sahih (2712).

El-Mubarakfuri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: El-Musebbihat është për qëllim suret të cilat fillojnë me ‘Subhane’, ‘Sebbeha’, ‘Jusebbihu’ dhe ‘Sebbih’. Këto janë shtatë sure: Surja el-Isra, surja el-Hadid, surja el-Hashr, surja es-Saff, surja el-Xhumuah, surja et-Tegabun dhe surja el-E’ëla.

4) Dy ajetet e fundit të sures Bekare

Transmeton Ebu Mesud Ensariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: Ai që i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare, i mjaftojnë (mburojë nga çdo e keqe). Muslimi (808).

Me këtë e vërtetojmë se shumë herë me vepra të vogla, arrijmë mbrojtje të mëdha, shpërblime të shumta e afrim tek Allahu.

5) Ajeti 136 i sures Bekare dhe ajetet 52 dhe 64 i sures Ali Imran në dy rekatet sunet të sabahut

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i lexonte shpesh në dy rekatet sunet të sabahut ajetin 136 të sures Bekare në rekatin e parë, kurse në rekatin e dytë ndonjëherë e lexonte ajetin 52, e ndonjëherë ajetin 64 nga surja Ali Imran.

Abdullah ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të,  ka thënë: Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, lexonte në dy rekatet sunet të sabahut: në të parin: Ju (o besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij i jemi bindur. (el- Bekare: 136), kurse në rekatin e fundit ndonjëherë lexonte: Kur Isai e hetoi mohimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Allahut?” Havarijunët u përgjigjën: “Ne jemi ndihmëtarët e fesë së Allahut, ne besojmë Allahun. E ti Isa bëhu dëshmitar se ne jemi muslimanë. (Ali Imran: 52) dhe ndonjëherë Thuaju: “O ithtarë të librit, ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zot pos Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë! (Ali Imran: 64). Muslimi (727).

 

  • Suret dhe ajetet për të cilat pëlqehet të lexohen më shumë se një herë brenda ditës

1) Surja Kafirun

Surja Kafirun është nga suret Mekase, ajo e ka vlerën sa 1/4 e Kur’anit. Transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Surja ‘Kul huvallahu ehad ka vlerën e 1/3 së Kur’anit, kurse surja ‘Kul ja ejjuhel kafirun’ ka vlerën e 1/4 së Kur’anit. Tabarani (13493); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih li gajrihi (583).

Ajo është nga suret për të cilat na ka nxitur Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që ta lexojmë në disa raste. Me të ta fillojmë ditën dhe me të ta mbarojmë, që të jemi prej atyre të cilët e lexojnë shumë atë. Rastet më të rëndësishme në të cilat lexohet kjo sure janë:

E para: Në sunetin e sabahut

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i lexoi në dy rekatet sunet të sabahut suret: Kafirun dhe Ihlas. Muslimi (726).

E dyta: Në sunetin e akshamit

Transmeton Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Prjgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i lexoi në dy rekatet sunet të akshamit suret: Kafirun dhe Ihlas. Ibn Maxhe (1166); Shejh Albani në Sahih Ibn Maxhe e cilësoi sahih li gajrihi (957).

E treta: Në namazin e vitrit

Transmeton Ubej ibn Keab, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, lexonte në namazin e vitrit: (në rekatin e parë) suren E’ëla, në rekatin e dytë suren Kafirun dhe në rekatin e tretë suren Ihlas. Ai nuk jepte selam veçse në fund të tre rekatëve. Pasi jepte selam thoshte tre herë: Subhane el-Meliki-l-Kuddus (I Madhëruar qoftë Allahu, Sunduesi i Pastër nga çdo e metë). Nesaiu (1701); Shejh Albani në Sahih En-Nesaij e cilësoi sahih (1606).

E katërta: Para gjumit

Transmeton Fervete ibn Neufel nga babai i tij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka shkuar tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke i thënë: O i Dërguari i Allahut, më mëso çka të them kur të shkoj të fle! Prjgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: Thuaje suren el-Kafirun, sepse ajo është mbrojte nga shirku. Tirmidhiu (3403); Shejh Albani në Sahih Et-Tirmidhi e cilësoi sahih.

E pesta: Në dy rekatet e tavafit

Nga suneti i Pejgamberit është falja e dy rekateve pas kryerjes së tavafit rreth Qabes për atë të cilin është duke e kryer haxhin apo umren.

Transmeton Xhabir ibn Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i falte dy rekate pas tavafit lexonte suren Kafirun dhe suren Ihlas. Muslimi 1218.

 

Vazhdon…

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.