Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Rastet ku duhet të bëhet istigfar

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut! Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në shkrimin e kaluar kemi folur rreth shpeshtimit të istigfarit si dhe kemi filluar të flasim për rastet ku duhet të bëjmë istigfar, siç kemi përmendur: 1) Istigfari pas abdesit, 2) Istigfari gjatë namazit dhe 3) Istigfari pas namazit

Për më shumë këtij shkrimi kliko linkun më poshtë:

https://www.thirrjaislame.com/shpeshtimi-i-istigfarit/

 

Rastet ku duhet të bëhet istigfar (vazhdim)

4) Istigfari pas kryerjes së ritualeve të haxhit

Thotë Allahu në Kur’an:

Nuk është mëkat të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregëti gjatë haxhit). Kur të ktheheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vendet e shenjëta! Përmendeni Atë, i Cili ju ka udhëzuar, se ju më parë ishit të humbur. Pastaj largohuni ashtu siç largohen të gjithë njerëzit dhe kërkojini falje Allahut. Pa dyshim, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. [Bekare: 198-199]

Pra, pavarësisht se haxhi është nga shtyllat më të mëdha të Islamit, pas së cilës njeriu kthehet sikurse në ditën që e ka lindur nëna e tij, pa mëkate, megjithatë Allahu kërkoi nga ata të cilët janë duke e kryer haxhin që ta shtojnë istigfarin apo kërkim faljen gjatë përfundimit të ritualeve të haxhit. Posaqërisht pas largimit nga Arafati, ku Allahu i falë të gjitha mëkatet.

Si mendon ti për atë i cili nuk është duke e kryer haxhin, që ka mëkate të hapura e të fshehura. Sa duhet të bëjë ai istigfar?

5) Istigfari pas namazit të natës

Duke përshkruar shpërblimin e të devotëshmëve dhe veprat e tyre të mrekullueshme, të cilat u bënë shkak për të fituar këtë shpërblim, Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

Vërtetë, të devotshmit janë mes kopshteve e burimeve. Duke marrë (me kënaqësi) atë që u jep Zoti i tyre. Në fakt, ata ishin vepërmirë edhe më parë. Ata flinin pak natën ndërsa në agim (në çastet pak para hyrjes së kohës së sabahut), ata kërkonin falje. [Dharijat: 17-18]

Ka thënë Enes ibn Maliki, Allahu qoftë i kënaqur me të: Jemi urdhëruar që kur të falim namaz nate të bëjmë istigfar shtatëdhjetë herë në çastet pak para hyrjes së kohës së sabahut[1], çfarë mendon ti për atë i cili nuk falë namaz nate, sa duhet të bëjë ai istigfar?

6) Istigfari pas hipjes në mjet të udhëtimit

Transmeton Ali ibn Rabia: E kam parë Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilit ia sollën një kafshë për t’i hipur dhe kur e vendosi këmbën tek shala tha: Bismilah (Me Emrin e Allahut) tre herë dhe kur qëndroi mbi kurrizin e kafshës tha: Elhamdulilah (Falënderimi i takon vetëm Allahut), pastaj lexoi: I Lavdëruar qoftë Ai, që i nënshtroi këto për ne, sepse përndryshe, vetë nuk do të kishim mundësi ta bënim! Ne, te Zoti ynë do të kthehemi! [Zuhruf: 13-14], pastaj tha: Elhamdulilah (Falënderimi i takon vetëm Allahut) tre herë, Allahu ekber (Allahu është më i Madhi) tre herë, qofsh i lavdëruar, unë i bëra të padrejtë vetes, andaj më fal, ngase mëkatet nuk i falë askush tjetër përveç Teje. Më pas qeshi. Vazhdon Ali ibn Rabia, i thashë Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të: Çfarë të bëri të qeshësh o prijës i besimtarëve? Ai më tha: E kam parë të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke vepruar ashtu siç veprova unë, pastaj qeshi dhe unë e pyeta atë ashtu siç më pyete ti mua: Çfarë të bëri të qeshësh o i Dërguari i Allahut? I Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha: Me të vërtetë, Zoti yt çuditet me robin e Tij kur ai thotë: O Zot më fal mëkatet e mia, ngase mëkatet nuk i falë askush tjetër përveç Teje. Tirmidhiu (3446); Shejh Albani në Sahih Et-Tirmidhi e cilësoi sahih (2742).

7) Istigfari pas daljes nga tualeti

Tranesmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur dilte nga tualeti thoshte: Gufraneke (Të kërkoj falje Ty o Zot). Ebu Davudi (30); Shejh Albani në Sahih Ebi Davud e cilësoi sahih (23).

Muslimani me hyrjen e tij në tualet nuk bën ndonjë mëkat, megjithatë pëlqehet që kur të del nga tualeti, ai të bëjë istigfar. Allahu e di më së miri, mirëpo urtësia e kësaj mund të jetë se njeriu në tualet e kalon një pjesë të kohës ku nuk lejohet që të përmendet Allahu. Çfarë mendon ti për atë i cili shumicën e kohës së tij e kalon duke i bërë mëkat Allahut, sa duhet të bëjë ai istigfar?

8) Istigfari pas përfundimit të tubimit

Transmeton Xhubejr ibn Mutim, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai i cili thotë: SubhanAllahi ue bi hamdihi, Subhaneke Allahume ue bi hamdike eshhedu en la Ilahe il-la Ente estegfiruke ue etubu ilejke (I Lartësuar qofsh Ti, o Allahu im, Ty të takon falënderimi dhe lavdërimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje. Kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem). Nëse është në një ndejë të mirë, atëherë ajo duaja është sikurse vulë e atij tubimi të mirë. E në qoftë se është një ndejë ku ka edhe gjëra jo të mira, atëherë ajo është shpagim për të. Tabarani (1586); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih (1519).

 

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

[1] Shuab El-Iman Li El-Bejhaki (173/3).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.