Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në nxënien e Kur’anit përmendësh dhe përsëritjen e tij

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka nxitur në nxënien e Kur’anit përmendësh dhe në përsëritjen e tij. Përsa i përket nxitjes së tij në nxënien e Kur’anit përmendësh mund ta kuptojmë nga hadithi të cilin e transmeton Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë: Të vrarët në Uhud Pejgamberi paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i bënte bashkë nga dy veta në një rrobë (qefin), pastaj thoshte: Cili prej tyre ka ditur Kuran më shumë? Kur i tregonin për ndonjërin prej tyre, e fuste të parin në varr (lahd)[1] dhe thoshte: Unë jam dëshmitar i tyre Ditën e Kiametit. Urdhëroi të varroseshin të përgjakur, pa i pastruar e pa ua falur xhenazen. Buhariu (1343).

Gjithashtu Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka treguar (sqaruar) se ai i cili di më shumë Kur’an përmendësh ka përparësi që të dal Imam në faljen e namazit. Amr Ibn Seleme Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga babai i tij i cili nxitoi ta pranoj Islamin para fisit të tij pasi që u çlirua Meka dhe shkoi tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Pasi që u kthye tek fisi i tij u tha atyre: Pasha Allahun, jam kthyer tek ju nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili më tha: Faleni këtë e atë namaz, në këtë e në atë kohë. Kur të hyjë koha e namazit, atëherë njëri nga ju le të thërrasë ezanin dhe le t’ju prijë në namaz ai që di më shumë Kur’an nga ju. Buhariu (4302).

Kurse përsa i përket nxitjes nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në përsëritjen e Kur’anit në vazhdimësi, është hadithi të cilin transmeton Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Sa keq është kur dikush thotë: E kam harruar këtë ose atë ajet! Përkundrazi, i është marrë nga kujtesa. Andaj, përsëriteni Kuranin, sepse ai ikën nga gjoksi i njerëzve më shpejt sesa deveja kur zgjidhet nga litari. Muslimi (790).

Transmeton Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai që e di Kur’anin përmendsh shëmbëllen me devenë e lidhur: nëse kujdeset për ruajtjen e saj, ajo rri, e, nëse e lëshon, ikën. Nëse personi që e di Kur’anin përmendësh, falet duke e lexuar atë, gjatë natës dhe ditës, do ta mbajë në mend atë, e nëse nuk vepron kështu, e harron. Muslimi (789).

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Nuk lejohet zilia, përveç në dy raste: Ndaj njeriut që Allahu ia ka mësuar Kuranin dhe e lexon atë shumë gjatë natës dhe gjatë ditës, ndërsa fqinji i tij e dëgjon dhe thotë: Do të doja të më ishte dhënë çfarë i është dhënë filanit, që të mund të bëja çfarë bën ai, dhe ndaj njeriut… Buhariu (5026).

Sot i shohim disa njerëz, të cilët i mësojnë strofat e këngëve të ndryshme e të gjata, e që janë nga fjalët e njerëzve, mirëpo ata nuk i mësojnë ajetet e Kur’anit të cilat janë fjalët e Allahut. Ata nuk e dijnë se çdo ajet të cilin e mësojnë nga Kur’ani, i ngritë ata një shkallë në Xhenet.

Ai i cili nuk posedon në zemrën e tij asgjë nga Kur’ani, është si shtëpia e prishur.

 

 

[1] Lahd (اللَّحْدِ) – Formë e hapjes së varrit të cilën e praktikonte Pejgamberi  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ku në bazament të varrit hapet edhe një zgavër për së gjati nga ana e kibles, për të futur aty xhenazen.

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.