Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË RRUGË

Nuk ka mundësi që njeriu t’i shmanget ecjes në rrugë. Prandaj çdo mysliman duhet mësuar rregullat e sjelljes në rrugë ngase islami i ka kushtuar rëndësi të posaçme rrugës saqë largimin e pengesës nga rruga e ka llogaritur pjesë prej pjesëve të imanit.

I dërguari i All-llahut ka thënë: Imani është shtatëdhjetë e ca – ose gjashtëdhjetë e ca – pjesë. Më e larta është fjala La Ilahe il-lAll-llah, ndërsa me e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është pjesë e Imanit.”[1]

Në vazhdim, do t’i përmendim disa prej rregullave që kanë të bëjnë me sjelljen në rrugë.

 

  1. Të mos dalim në rrugë përveç me nevojë

 Dalja e shumtë në rrugë e ekspozon myslimanin në shumë fitne, prandaj myslimani del vetëm kur ka nevojë, si shkuarja në shkollë, universitet, punë, për vizita të të afërmve, vizitë të ndonjë të sëmuri, bërja e ndonjë bamirësie, blerja e gjërave të nevojshme për në shtëpi, e gjëra të tjera që lidhen me fenë dhe këtë jetë.

I dërguari i All-llahut, njeriut që e pyeti se si ta gjejë shpëtimin, i tha: “Ruaje gjuhën, le të të mjaftojë shtëpia jote (mos u merr me të tjerët) dhe qaj për mëkatet e tua.”[2]

 

  1. Ulja e shikimit

 Myslimani duhet ulur shikimin e tij nga harami. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[3]

Nga Ebu Seid el-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: Kini kujdes dhe mos u ulni nëpër rrugë.” Thanë: “O i Dërguari i All-llahut e kemi patjetër të ulemi në rrugë për të biseduar.” Tha: “Nëse e keni patjeter të uleni në rrugë, atëherë jepjani rrugës hakun e vet.” Thanë: “E cili është haku i rrugës, o i dërguari i All-llahut?” Tha: “Ulja e shikimit, mos-shqetësimi i të tjerëve, kthimi i selamit (përshëndetjes), urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”[4]

 

  1. Largimi i gjërave që u pengojnë njerëzve

 Prej rregullave dhe sjelljeve në rrugë është edhe largimi i gjërave që u pengojnë njerëzve.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mysliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit myslimanët janë të qetë.”[5]

Madje prej gjërave të bukura të kësaj feje është se nëse njeriu përmbahet nga sherri dhe pengimi i tij ndaj njerëzve, kjo llogaritet sikur të ketë dhënë sadeka. Këtë e shohim në hadithin që na e përcjellë Ebu Dherri radijAll-llahu anhu i cili thotë: “E pyeta Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Cila është vepra më e vlefshme? Ai tha: Të besosh në All-llahun dhe të luftosh në rrugën e Tij. E pyeta përsëri: Cili është çlirimi më i mirë për skllevërit? Ai tha: Çlirimi i skllavit më të shtrenjtë dhe më të dashur për pronarin e tij. I thashë: Po në qoftë se nuk mundem ta bëj këtë? Ai më tha: Ndihmoje të dobëtin ose bëji mirë një njeriu që nuk mundet të punojë vetë. I thashë: Po në qoftë se nuk mundem (as për këtë)? Ai më tha: Lëri njerëzit të qetë dhe mos u bëj atyre keq, sepse kjo të llogaritet si sadeka për të mirën e vetes tënde.”[6]

 

  1. Kthimi i selamit (përshëndetjes)

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Myslimani ndaj myslimanit ka pesë obligime: Kthimi i selamit (përshëndetjes), të thënit ‘jerhamukellah’ atij që teshtinë (dhe thotë ‘el-hamdu lil-lah), përgjigjia ndaj ftesës së tij, vizitimi i të sëmurit dhe pasimi i xhenazes (deri në varr).”[7]

Pra, myslimani kur të përshëndetet nga një mysliman tjetër, duhet t’ia kthejë përshëndetjen akoma më të mirë apo të njëjtë

  1. Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja

 Prej rregullave të rrugës është edhe ajo se kur myslimani sheh ndonjë mysliman tjetër duke bërë vepër të keqe, duhet ndaluar atë nga ajo me butësinë dhe mëshirën më të madhe.

Po ashtu nëse e sheh vëllanë e vet se është i shkujdesur nga adhurimi ndaj All-llahut, duhet urdhëruar në të mirë.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.”[8] Po ashtu thotë: “Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.”[9]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorë. Nëse nuk mundet me dorë, le ta ndryshojë me gjuhë, e nëse nuk mundet as me gjuhë, atëherë le ta urrejë me zemër, por ky është imani më i dobët.”[10]

Nga Hudhejfeja radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Ose do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose All-llahu do t’ju dërgojë ndonjë dënim prej Tij, e pastaj do të luteni, por lutja nuk ju pranohet.”[11]

I dërguari i All-llahut po ashtu ka thënë: “Vepra më e dashur tek All-llahu është imani në All-llahun, më pas vizita e të afërmve e më pas urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Ndërsa vepra më e urryer tek All-llahu është shirku ndaj All-llahut, e më pas shkëputja e lidhjeve me të afërmit.”[12]

 

  1. Ecja me modesti

 All-llahu i Madhërishëm thotë: “Mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.”[13]

 

  1. Udhëzimi në rrugë

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Vërtet dyert e mirësisë janë të shumta: tesbihu, tahmidi, tekbiri, tehlili, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja, largimi i pengesës në rrugë, mësimi i të shurdhëtit, udhëzimi i të verbrit, plotësimi i nevojës së nevojtarit, të ngushëlluarit e të pikëlluarit dhe mbështetja e fortë e të shtypurit. Të gjitha këto janë sadaka prej teje për ty.”[14]

Kur dikush sheh dikë që e ka humbur rrugën apo nuk e gjen dot destinacionin e dëshiruar, atëherë duhet udhëzuar dhe orientuar atë, ngase kjo është prej mirësisë, është virtyt i myslimanit dhe është hak i rrugës, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “E nëse insistoni të uleni në rrugë, atëherë udhëzoni (të humburin), kthejeni selamin dhe ndihmojeni të dëmtuarin.”[15]

Ka njerëz që e çorientojnë dikë që ka humbur drejtimin duke e gënjyer me qëllim që të tallen me të, ndërsa të çorientosh të humburin në rrugë është haram, e sidomos kur njeriu që pyet për rrugën është i verbër. Ajo që duhet bërë është kapja e tij për dore dhe shpierja deri në vendin që dëshiron të arrijë.[16]

 

  1. Largimi i pengesës nga rruga

 Kjo është pjesë prej pjesëve të imanit, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Imani është shtatëdhjetë e ca – ose gjashtëdhjetë e ca – pjesë. Më e larta është fjala La Ilahe il-lAll-llah, ndërsa me e ulëta është largimi i një pengese nga rruga…”[17] Largimi i pengesës nga rruga është sadeka, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Në çdo ditë që lind dielli njerëzit e kanë obligim të japin lëmoshë (sadeka) për çdo nyje të trupit të tyre… dhe të largosh një pengesë nga rruga është sadeka.”[18] Me një rast, dikush i tha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Më mëso një gjë prej të cilës do të kem dobi. Ai tha: “Largoje pengesën nga rruga ku kalojnë njerëzit.”[19] Në një hadith sqarohet shpërblimi i atij që heq pengesën nga rruga që të mos shqetësohen myslimanët. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: Një njeri duke ecur, kaloi pranë një dege peme rrugë dhe tha: Vallahi do ta largoj këtë që të mos u pengojë myslimanëve. Për shkak të kësaj e fitoi xhennetin.”[20] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: Kam parë një njeri që kënaqej në xhennet, për shkak se e largoi nga rruga një degë peme që i pengonte njerëzit.”[21]

Myslimanit nuk i lejohet të hedhë në rrugë gjëra që u pengojnë njerëzve, si lëvore bananesh, xham i thyer, ndyrësira, mbeturina, ferra, etj.[22]

 

  1. Përkujdesja për pastërtinë e rrugës

 Kjo bëhet duke mos hedhur mbeturina dhe ndyrësira në rrugën ku kalojnë dhe në vendet ku rrinë njerëzit, si dhe nuk duhet kryer nevojën fiziologjike nëpër rrugë dhe në vende publike.

Gjithashtu duhet hequr ushqimet e mbetura dhe thërmijat e bukës nga rruga ku kalojnë njerëzit, si dhe duhet hequr letrat ku ka të shkruara emra të vlefshëm apo ajete kur’anore. Nuk prish punë nëse ato digjen për t’i shmangur nga keqpërdorimi.

  1. Moskryerja e nevojës fiziologjike në rrugën e njerëzve

 Kryerja e nevojës fiziologjike në rrugën e njerëzve shkakton mallkimin e njeriut që e bën këtë gjë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ruajuni nga dy gjëra të mallkuara (që nëse njeriu i bën ato është i mallkuar)”. Të pranishmit i thanë: “Cilat janë ato dy gjëra, o i dërguari i All-llahut?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Ai i cili kryen nevojën në ndonjë rrugë të njerëzve apo në ndonjë hije të tyre (nën të cilën pushojnë njerëzit).”[23]

Ky hadith argumenton ndalimin e kryerjes së nevojës fiziologjike në rrugën ku kalojnë njerëzit apo në hijen ku pushojnë, për shkak të shqetësimit të njerëzve, aromës së keqe dhe pamjes neveritëse.

Nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: Kini drojë nga tri gjërat që mallkojnë: jashtëqitja në burime, në rrugë dhe në hije.”[24]

 

  1. Shmangia e të ushqyerit në rrugë

 Të ngrënit nëpër rrugë bie në kundërshtim me edukatën dhe burrërinë. Myslimani nuk duhet ngrënë askund tjetër veçse në shtëpi apo objekte të mbyllura, si restorantet etj.

 

  1. Heqja e ushqimit nga skajet e rrugës

 Ushqimet e mbetura dhe thërmijat e bukës, si dhe letrat ku ka të shkruara emra të vlefshëm apo ajete kur’anore duhet hequr nga rruga ku kalojnë njerëzit. Po ashtu nuk prish punë nëse ato digjen për t’i shmangur nga keqpërdorimi apo për ta madhëruar emrin dhe fjalët e All-llahut të Madhërishëm.

 

  1. Mosngritja e zërit në rrugë

 Ngritja e zërit në shitblerje, në trafik, apo vendosja e altoparlantëve nëpër ahengje etj, janë gjëra nga të cilat natyra e shëndoshë e njeriut nuk i pranon dhe prandaj duhet shmangur prej tyre.

 

  1. Të mos mbajë në dorë diçka që i shqetëson njerëzit

 Nuk lejohet që myslimani të qarkullojë në mesin e njerëzve duke mbajtur në dorë ndonjë armë të çfarëdolloji qoftë në mënyrë të frikshme, si p.sh të mbajë shpatën jashtë këllëfit, të mbajë bajonetën duke shfaqur majën e saj në mesin e njerëzve, të mbajë pistoletë, mitraloz, pushkë automatike etj, gjëra të cila fusin frikë e tmerr te njerëzit dhe që mund të shkaktojnë shkrepjen e ndonjë plumbi pa dashje. Derisa dëmi është potencial, atëherë ndalimi i tyre dhe i shkaqeve që çojnë deri te dëmi është obligim. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që nëse dikush kalon nëpër xhami, treg apo vende ku ka turmë njerëzish, ta kapë me dorë majën e armës në mënyrë që të parandalojë lëndimin e tyre. Nga Ebu Musa radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nëse dikush kalon nëpër xhaminë apo tregun tonë dhe në dorë mban shigjetë, le ta kapë majën e saj me dorë, le ta kapë majën e saj me dorë, le ta kapë majën e saj me dorë.”[25]

 

  1. Respektimi i rregullave të ecjes

 Kjo nënkupton që të ecësh me modesti, nëse je duke ecur, përshëndesësh atë që është ulur, nuk duhet kthyer kokën herë andej e herë këndej dhe nuk duhet ecur me ecje të shëmtuar, si dhe gruaja të mos ecë në mes të rrugës por në skaj.

Nga Ebu Seid El-Ensariu radijAll-llahu anhu na përcillet se derisa po dilnin nga xhamia, burrat u përzien në rrugë me gratë, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u tha grave: “Rrini mbrapa, sepse juve nuk ju takon mesi i rrugës. Juve ju takojnë skajet e rrugës.”, saqë gratë filluan të shkojnë rreth murit aq sa teshat e tyre u ngjiteshin në mur.[26] Ecja e grave në skaje të rrugës është më e ndershme dhe më afër turpit, ndërsa ecja e tyre në mes të rrugës barabar me burrat duke u futur mes tyre shkakton fitne te to dhe të tjerët.

 

  1. Ndihma ndaj njerëzve duke i ndihmuar të ngjiten nëpër kafshët e tyre apo duke ua mbajtur gjërat

 Prej rregullave të preferuara në rrugë është që kur të shohësh dikë që dëshiron të ngjitet mbi kafshën e tij, t’i ndihmosh të ngjitet dhe t’i ndihmosh në bartjen e gjërave të tij. Këtë gjë mund ta bëjmë edhe në kohën e sodit, duke pasur parasysh që disa njerëz të moshuar e kanë të vështirë hipjen në veturë apo ndonjë mjet tjetër modern të udhëtimit.

Të gjitha këto gjëra janë sadeka për të cilat myslimani shpërbëlehet.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për çdo nyje (në trupin) e njeriut ka sadeka për çdo ditë që lind dielli. T’i ndihmosh (dikujt që të ngjitet) në kafshën e tij ose ta ngarkojë barrën mbi të është sadeka…“[27]

 

  1. Të sillesh ndaj njerëzve me maturi e jo me arrogancë

 Kur njerëzit sillen keq me ty, ti sillu me maturi ndaj tyre e jo me arrogancë, fali ata dhe duro sa të kesh mundësi.

 

  1. Mos-shkelja e rregullave të trafikut

 Njeriu nuk duhet me veturë të ecë në drejtim të kundërt në rrugë, nuk duhet t’i shpërfillë shenjat e komunikacionit, nuk duhet të ecë në një rrugë të ndaluar për ecje, nuk duhet përdorur sirenën pa nevojë, dhe gjëra të ngjashme të cilat i shqetësojnë njerëzit. Këto gjëra mund të shkaktojnë dëme të rënda ndaj vetes dhe të tjerëve dhe nuk janë në përputhje me atë që islami e thotë.[28]

 

  1. Ndihma ndaj të dëmtuarit

 Ndihma ndaj të dëmtuarit është obligim për myslimanin në përgjithësi dhe hak që myslimani ia ka vëllait të tij mysliman.

Po ashtu ndihma ndaj të dëmtuarit është edhe prej rregullave dhe sjelljeve në rrugë. Prandaj, nëse dikush sheh në rrugë dikë që dëmtohet, i bëhet padrejtësi, i ekspozohet ndonjë rreziku apo i merret e drejta, atëherë duhet ndërhyrë për ta ndihmuar dhe për t’i qëndruar pranë. Si shembull po përmendim nëse njeriu sheh disa persona duke i rrëmbyer dikujt pasurinë, duke e kidnapuar, duka ia kidnapuar bashkëshorten, etj. Sikur çdokush të shikonte veten dhe të qëndronte indiferent ndaj të tjerëve, atëherë do të përhapej çregullimi dhe kaosi, të cilit asnjë nga njerëzit në shoqëri nuk do t’i shpëtonin.[29]

 

  1. Shfrytëzimi i kohës së lirë

 Kjo nënkupton angazhimin me përmendjen e All-llahut, madhërimin dhe falënderimin ndaj Tij, dërgimin e salavateve dhe selameve ndaj të dërguarit të All-llahut, apo përsëritjen e ajeteve dhe sureve që ke mësuar përmendësh nga kur’ani famëmadh, etj.

E lusim All-llahun e Madhërishëm të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të shpëtimit, të na i largojë të këqijat e zullumqarëve dhe të na udhëzojë drejt asaj që Ai e do dhe është I Kënaqur.

Po ashtu e lusim All-llahun e Madhërishëm të na i zbukurojë punët tona duke shkuar pas rrugës së Tij dhe të na i falë mëkatet dhe gabimet.[30]

 

 

[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (9) dhe Muslimi (33).

[2] Sahih: shënon Tirmidhiu (2406). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen et-Tirmidhi e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Kaptina En-Nur, ajeti 30.

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2465) dhe Muslimi (1211).

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (10) dhe Muslimi (40).

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2518) dhe Muslimi (84).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1240) dhe Muslimi (2162).

[8] Kaptina Alu Imran, ajeti 110.

[9] Kaptina Alu Imran, ajeti 104.

[10] Sahih: shënon Muslimi (49).

[11] Hasen: shënon Tirmidhiu (2169). Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah (5140) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[12] Sahih li-gajrihi: shënon Ibën Hibbani (8/171). Shejh Albani në librin e tij Sahihut-Tergibi vet-Terhib (2970) e ka klasifikuar si hadith sahih li-gajrihi.

[13] Kaptina Lukman, ajeti 18.

[14] Sahih: shënon Ibën Hibbani (8/171). Shejh Albani në librin e tij Sahihut-Tergibi vet-Terhib (2970) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2716) dhe Ahmedi (18015). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1561) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 3/568. Autor: Abdul-Aziz Neda.

[17] Sahih: shënon Muslimi (35).

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2989) dhe Muslimi (1009).

[19] Sahih: shënon Muslimi (2618).

[20] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (654) dhe Muslimi (1914).

[21] Sahih: shënon Muslimi (1914).

[22] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 1/565-566.

[23] Sahih: shënon Muslimi (269).

[24] Hasen: shënon Ebu Davudi (26) dhe Ibën Maxhe (328). Shejh Albani në librin e tij Irvaul-Galil (62) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[25] Sahih: shënon Muslimi (2615).

[26] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (5272), Taberaniu (19/261) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (6/173). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (856) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[27] Sahih: shënon Buhariu (2891).

[28] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/570).

[29] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/568-569).

[30] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 410. Autor: Pr. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.