Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E PËRDORIMIT TË MJETEVE PËR UDHËTIM

Vëllezër të dashur,

Nuk ka dyshim se të gjithë ne kemi nevojë për mjete udhëtimi me anë të të cilave do të transferoheshim nga një vend në tjetrin. Dikush ka nevojë të shkojë në shkollë apo fakultet, dikush në punë, dikush tjetër në vizitë, e kështu me radhë.

Prandaj e kemi për detyrë t’i mësojmë rregullat që duhet pasur parasysh gjatë përdorimit të atyre mjeteve të udhëtimit, qofshin kafshë apo automjete moderne.

Në vazhdim po përmedim ato rregulla.

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

 Kjo do të thotë që kur të vendosësh të përdorësh ndonjë kafshë apo automjet për udhëtim, këtë ta bësh për hirin e All-llahut të Madhërishëm, si p.sh. të bësh nijet që të shkosh për kërkim diturie, vizitë të afërmve apo vëllezërve që i do për hirin e All-llahut, e kështu me radhë. Po ashtu duhet të kesh nijetin që gjatë udhëtimit të mos e shqetësosh a mundosh atë kafshë të cilës i ke hipur, të manovrosh mirë me atë mjet modern udhëtimi duke mos e dëmtuar dhe duke pasur nijetin ta ruash atë që edhe dikush tjetër ta përdorë në të ardhmen.

 

  1. Zgjedhja e mjetit të përshtatshëm për udhëtim

Njeriu kur merr ndonjë udhëtim, atëherë duhet zgjedhur mjetin e përshtatshëm për atë udhëtim… Ka mundësi që një udhëtim i caktuar të mos mund të bëhet përveç se me aeroplan, apo ndonjë tjetër udhëtim nuk bëhet dot veçse me anije apo veturë, ose një udhëtim i tretë nuk bëhet dot vetëmse me kuaj apo deve, e kështu me radhë. Që këtej, për të arritur në ndonjë vend të caktuar, duhet zgjedhur mjetin e përshtatshëm për të realizuar atë udhëtim.

 

 

  1. Ta falënderosh All-llahun që të ka mundësuar atë mjet udhëtimi

 Myslimani duhet falënderuar All-llahun e Madhërishëm për atë që i ka mundësuar të ketë në dispozicion atë mjet udhëtimi, qoftë aeroplan, veturë apo kafshë, si dhe të jetë mirënjohës për atë që All-llahu nëpërmjet këtyre mjeteve të udhëtimit i ka mundësuar të bartë gjërat e tij nga një vend në tjetrin, të kursejë kohën dhe të arrijë në vendin e dëshiruar sa më lehtë dhe sa më shpejtë. Po ashtu duhet kujtuar fjalët e All-llahut: All-llahu është Ai që për ju i krijoi kafshët që disave t’u hipni e prej disave të ushqeheni. Ju prej tyre keni edhe dobi të tjera dhe që përmes tyre t’i plotësoni nevojat tuaja, duke hipur në to dhe me anë të anijeve barteni (udhëtoni). Dhe Ai është që ju mundësoi t’i shihni argumentet e Tij; e cilin, pra prej argumenteve të All-llahut e mohoni?”[1] “A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, u krijuam atyre kafshët që ata i kanë. Dhe ua bëmë ato që t’u binden atyre, e disave prej tyre u hipin, ndërsa prej disave ushqehen. Ata kanë edhe dobi të tjera në to, e edhe pinë (qumësht) prej tyre. A nuk duhet të falënderojnë?”[2] “Edhe kafshët Ai i krijoi dhe në saje të këtyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe prej tyre hani. Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi (idili) kur në mbrëmje ato i ktheni (nga kullosa) dhe kur në mëngjes i lëshoni (për në kullosë). Ato bartin barrën tuaj (të rëndë) në ndonjë vend (të largët) që ju do të arrinit atje me shumë vështirësi (me gjysmë shpirti). Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe shumë Mëshirues. Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomerët, për t’ju hipur atyre dhe si stoli, e Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.”[3]

Myslimani duhet të mendojë rreth asaj se si All-llahu ia ka nënshtruar atij kafshët dhe mjetet e tjera të udhëtimit me anë të të cilave lëviz bashkë me gjërat e tij nga një vend në tjetrin duke mos iu ekspozuar direkt nxehtësisë së verës dhe ftohtësisë së dimrit.

Kur hip në aeroplan, muslimani duhet menduar rreth fuqisë së mahnitshme të All-llahut të Madhërishëm, I Cili i ka mësuar njeriut atë që nuk dinte dhe ia ka nënshtruar atij këto aeroplanë me madhësi dhe peshë enorme të cilët ngjiten në lartësi të mëdha mbi mjegulla, duke e bartur atë bashkë me gjërat e tij dhe duke e transferuar në vendet më të skajshme të botës vetëm për disa orë, udhëtime të cilat në të kaluarën kanë zgjatur me muaj të tërë. Veç kësaj, këto mjete udhëtimi për njeriun janë shpëtim nga vapa mbytëse dhe ftohtësia e acartë. Pastaj, All-llahu i Madhërishëm është Ai I Cili i mban këto mjete në hapësirën qiellore të mos bien, dhe sikur All-llahu i Madhërishëm të mos ishte, nuk do të kishin mundësinë të ngjiteshin në hapësirë dhe do të binin bashkë me udhëtarët dhe bagazhin.

All-llahu i Madhërishëm thotë: A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç All-llahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.”[4]

E kur hip në anije, le të mendojë rreth madhështisë së krijimit të All-llahut dhe begative të mëdha të Tij se si ia nënshtroi njeriut këto mjete udhëtimi me madhësi dhe peshë enorme, në dërrasat e të cilave barten me mijëra udhëtarë dhe me miliona tonë mallra të ndryshme, e pastaj lundron mbi ujë duke e çarë atë. E si e mban uji atë anije, e nga ana tjetër nuk mund të mbajë as një gozhdë të vogël?! Ky është një argument madhështor nga argumentet e All-llahut të Madhërishëm. Sikur All-llahu i Madhërishëm të dojë, e përmbyt anijen me gjithçka që ka në të… All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe nga argumentet (që dokumentojnë fuqinë) e Tij, janë anijet lundruese nëpër det si të ishin kodra. Nëse do Ai, e ndal erën dhe ato ngelin të palëvizshme mbi sipërfaqen e ujit. S’ka dyshim se këto fakte ekzistojnë për secilin durimtar e mirënjohës. Ose i përmbyt ata për shkak të asaj që vepruan, e për shumë të tjera Ai i falë.”[5]

Dhe kështu, myslimani duhet menduar rreth krijimit të All-llahut, duhet pasur parasysh begatitë e mëdha të Tij dhe duhet falënderuar All-llahun për to. Pastaj duhet shikuar veten për sa i përket falënderimit të tij ndaj All-llahut për ato begati, kështu që zemra e tij i nështrohet All-llahut dhe e vëren mangësinë e tij në falënderim ndaj Tij.

 

  1. Të sigurohet për rregullsinë dhe sigurinë e mjetit të udhëtimit

 Nëse mendon të udhëtosh me deve apo kalë, atëherë duhet të sigurohesh për rregullsinë e tyre si dhe mundësinë e tyre për të të bartur ty dhe bagazhin që ke me vete, si dhe me vete të marrësh ushqim dhe pije të mjaftueshme për kafshën gjatë udhëtimit.

E nëse mendon të udhëtosh me veturë, atëherë duhet të sigurohesh për rregullsinë e motorit, vajit, benzinës a naftës, gomave, si dhe me vete duhet të kesh pjesë rezervë në rast të nevojës së ndërrimit të ndonjë pjese të veturës apo të prishjes së ndonjë pjese.

 

  1. Ndjekja e udhëzimeve të sigurisë

 Kjo nënkupton lidhjen e rripit të sigurisë në veturë apo aeroplan, mostejkalimi i shpejtësisë së caktuar në rrugë, pasja e pajisjes për fikjen e zjarrit në veturë, mosshkelja e rregullave të trafikut, e kështu me radhë

 

  1. Duaja me rastin e hipjes në mjetin e udhëtimit

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka mësuar duanë me rastin e hipjes në mjetin e udhëtimit, e cila thuhet me rastin e hipjes në veturë, anije, aeroplan apo kafshë.

Myslimani kur e ngritë këmbën për të hipur në mjetin e udhëtimit, thotë: ‘Bismil-lah’, e pastaj kur të marrë pozicionin dhe të ulet, thotë: El hamdu lil-lah. Subhanel-ledhi sehhare lena hadha ve ma kunna lehu mukrinin, ve inna ila Rabbina le munkalibun. El hamdu lil-lah, el hamdu lil-lah, el hamdu lil-lah. All-llahu ekber, All-llahu ekber, All-llahu ekber. Rabbi inni dhalemtu nefsi fegfir li, fe innehu la jegfirudh-dhunube il-la Ente.”, që do të thotë: “Me emrin e All-llahut, falënderimi i takon All-llahut. I Lartëmadhëruar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë; ne me të vërtetë te Zoti ynë do të kthehemi. Falënderimi i qoftë All-llahut, falënderimi i qoftë All-llahut, falënderimi i qoftë All-llahut, All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi. O Zoti im, unë i kam bërë dëm (zullum) vetes, prandaj më fal, sepse askush përveç Teje nuk mund t’i falë mëkatet.”[6]

 

  1. Duaja e udhëtimit

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se ç’duhet thënë gjatë udhëtimit.

Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur pozicionohej në devenë e tij për ndonjë udhëtim, thoshte tri herë: All-llahu ekber, All-llahu ekber, All-llahu ekber, e pastaj thoshte: Subhanel-ledhi sehhare lena hadha ve ma kunna lehu mukrinin, ve inna ila Rabbina le munkalibun. All-llahumme inna nes’eluke fi seferina hadha el birre vet-tekva ve minel ameli ma terda. All-llahumme hevvin alejna seferina hadha vetvi anna bu’deh. All-llahumme Entes-sahibu fis-seferi vel halifetu fil ehli. All-llahumme inni eudhu bike min veathais-seferi, ve keabetil mendhari ve suilmunkalebi fil mali vel ehli.”, që do të thotë: “All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi. (I Lartëmadhëruar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë, ne me të vërtetë te Zoti ynë do të kthehemi). O All-llah, të lutemi që në udhëtimin tonë të na mundësosh të bëjmë mirësi dhe të jemi të devotshëm, të bëjmë vepra me të cilat Ti je i kënaqur. O All-llah, na e lehtëso neve udhëtimin tonë dhe na e shkurto rrugën. O All-llah, Ti je shoqërues në udhëtim dhe mbrojtës i familjes sonë. O All-llah, kërkoj që të më mbrosh nga vështirësitë e udhëtimit dhe pamjet prekëse, dhe nga shndërrimi i keq i pasurisë dhe familjes).[7]

 

  1. Të mos e ngarkosh kafshën përtej mundësive të saj

 Nga Sehl ibën Handhale radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kaloi pranë një deveje të cilës i ishte ngjitur shpina me barkun (nga uria e madhe) dhe tha: Kini frikë All-llahun ndaj këtyre kafshëve që nuk flasin. Shaloni ato në mënyrë të mirë dhe hajini në mënyrë të mirë.”[8]

Nëse hip në deve, mos e ngarko atë përtej mundësive të saj. Po ashtu kur hip në veturë, mos e ngarko atë me njerëz apo mallra tepër kapacitetit të saj që të mos vijë deri te ndonjë defekt e të mos arrish dot në vendin e dëshiruar.

  1. Mosqëndrimi mbi kafshë

Sheriati islam e ka lejuar hipjen në kafshë dhe bartjen e mallrave të ndryshme me anë të tyre aq sa kafsha ka mundësi të bartë. Por e ka ndaluar që të qëndrojmë mbi to e të bisedojmë mes vete, duke i shndërruar ato në kolltuqe.

Qëndrimi mbi to lejohet derisa jemi duke lëvizur, e kur të ndalemi për pushim, atëherë duhet zbritur nga to që të mos ua vështirësojmë ngase kjo është mbingarkesë për to.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet i se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i shndërroni shpinat e kafshëve tuaja në kolltuqe, ngase All-llahu i ka vënë ato në dispozicionin tuaj për t’ju bartur në vendе në të cilat ju do të arrinit atje me vështirësi të madhe. All-llahu ka krijuar tokën për juve, prandaj uluni në to për nevojat tuaja.”[9]

Ndërsa nëse njeriu bisedon me shokun e tij gjatë lëvizjes, kjo nuk prish punë.

 

  1. Dhikri i ngjitjes dhe i lëshimit

 Kur njeriu hip në ndonjë mjet udhëtimi dhe drejtohet përpjetë, si p.sh. aeroplani fillon të ngjitet përpjetë, vetura ose kafsha kalon nëpër ndonjë përpjetëse, apo anija kalon mbi ndonjë dallgë, prej sunnetit është që udhëtari të thotë: ‘All-llahu Ekber’, ndërsa kur aeroplani lëshohet teposhtë, vetura apo kafsha kalon nëpër ndonjë teposhtë, prej sunnetit është që udhëtari të thotë: ‘SubhanAll-llah’.

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur ngjiteshim përpjetë thonim ‘All-llahu Ekber’, ndërsa kur lëshoheshim teposhtë thonim ‘SubhanAll-llah’.”[10]

Këtë dhikër nuk duhet anashkaluar, ngase kjo është argument për lidhjen e vazhdueshme me All-llahun e Madhërishëm.

 

  1. Pushimi i kafshëve gjatë udhëtimit

 Kjo vlen posaçërisht kur udhëtimi është i gjatë. Kafshës duhet dhënë haku i saj për pushim kur njeriu ka në dorë një gjë të tillë.

Kështu, ai duhet pushuar kafshën sa herë që vëren se kafsha është lodhur, duhet dhënë asaj ujë dhe ushqim dhe duhet ta lërë nën hije, ngase kështu ajo forcohet për të vazhduar rrugën e saj dhe i ndihmon njeriut për të arritur në destinacionin e dëshiruar.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të udhëtoni nëpër fusha të blerta, jipjuni deveve mundësinë të hanë nga fusha aq sa kanë nevojë…”[11] Prandaj, këtë sjellje duhet pasur parasysh, që mjeti i udhëtimit të jetë i fuqishëm për të përballuar vështirësitë e udhëtimit.

Madje edhe vetura ka nevojë për pushim në çdo disa orë për t’i shtuar asaj derivate, për të shikuar se a ka ujë të mjaftueshëm dhe për ta ftohur motorin në ditët me vapë, e kështu me radhë. Përndryshe, nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë rrugëtimin dhe ta transferojë njeriun në destinacionin e dëshiruar.[12]

 

 

[1] Kaptina Gafir, ajetet 79-81.

[2] Kaptina Jasin, ajetet 71-73.

[3] Kaptina En-Nahl, ajetet 5-8.

[4] Kaptina En-Nahl, ajeti 79.

[5] Kaptina Esh-Shura, ajetet 32-34.

[6] Sahih: shënon Tirmidhiu (3447). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen et-Tirmidhi e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënon Muslimi (1342).

[8] Sahih: shënon Ebu Davudi (2548). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (23) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënon Ebu Davudi (2567). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (22) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënon Buhariu (2993).

[11] Sahih: shënon Muslimi (1926).

[12] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/412-413).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.