Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË ECJES

Vëllezër të dashur,

Nuk ka mundësi të imagjinojmë një njeri i cili e ka mundësinë e ecjes por nuk ecë. Kjo, ngase ai medoemos të dalë dhe të ecë për t’i kryer nevojat e tij, për të shkuar në mësim apo për t’i vizituar të afërmit etj. Prandaj duhet t’i mësojmë rregullat të cilat myslimani duhet t’i ketë parasysh gjatë ecjes.

Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

Kjo do të thotë që myslimani, p.sh., kur ecë për në shkollë, atë ta bëjë me qëllim që t’i sjellë dobi fesë dhe vendit të tij… Ose kur ecë për t’i vizituar të afërmit, këtë ta bëjë me qëllim të adhurimit të All-llahut të Madhërishëm. Dhe kështu, kjo vlen në të gjitha rastet.

 

  1. Të ecurit me modesti

 All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar robërit e All-llahut të cilët ecin në tokë me modesti dhe ka thënë: E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!”[1]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush është modest për hirin e All-llahut, All-llahu do ta ngritë.”[2] Po ashtu ka thënë: “All-llahu më ka shpallur mua që të jeni modestë dhe askush të mos mburret para tjetrit, si dhe askush të mos armiqësohet ndaj tjetrit.”[3]

All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ecjen me medjemadhësi dhe na i tregon porositë e Lukman Hakimit drejtuar të birit të tij duke thënë: “Mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet. Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.”[4]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Derisa një njeri po ecte me një pallto në të cilën po i pëlqente vetja, me flokë të krehura, kur ja, All-llahu e shembi tokën së bashku me të, ndërsa ai gjëmon në të deri në ditën e kiametit.”[5]

Po ashtu ka thënë: Çdo njeri që bëhet mendjemadh me veten e tij dhe mburret në ecjen e tij, do ta takojë All-llahun e Madhërishëm të hidhëruar me të.”[6]

Na përcillet se Mutarrif ibën Abdullah ibën Shehiri njëherë e pa Muhel-leb ibën Ebi Sufren duke ecur me një xhup duke e tërhequr zvarrë për toke me mendjemadhësi, dhe i tha: “O Ebu Abdullah, ç’është kjo ecje të cilën All-llahu dhe i dërguari i Tij e urrejnë?”

Muhel-lebi tha: “A nuk më njeh mua?!

“Po, po, të njoh shumë mirë” – ia ktheu Mutarrifi. “Fillimi yt është spermë e dobët, fundi yt është ngordhësirë e qelbur, ndërsa brendësia yte nga fillimi yt e deri te fundi është urinë e jashtëqitje.”

All-llahu i Madhërishëm i ka qortuar dhe nënçmuar ata të cilët ecin me mendjemadhësi e kapardisje, siç na përcillet nga Busr ibën Xhehhash El-Kureshiu radijAll-llahu anhu, i cili thotë se një ditë i dërguari i All-llahut derisa po rrinte me sahabët e tij, pështyu në dorën e tij, e vuri gishtin në të dhe tha: “All-llahu i Madhërishëm ka thënë: O biri i Ademit! Si mund të ma kalosh Mua kur Unë të krijova nga diçka si kjo dhe me të të zbukurova e të dhashë formë, ndërsa ti ecën me dy petka (veshje) e toka rënkon nga ecja jote. Ti mbledh dhe nuk shpenzon derisa ankthi i vdekjes të vijë në fytin tënd, e pastaj thua: ‘Dua të jap sadeka’, por atëherë është shumë vonë për sadeka.”[7]

 

  1. Përshëndetja me selam

 Prej rregullave dhe sjelljes që myslimani duhet pasur gjatë ecjes është përshëndetja e atij që është ulur. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I vogli le të përshëndesë të madhin, ai që ecë le të përshëndesë atë që është ulur dhe grupi i vogël le të përshëndesë grupin e madh.”

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ai që është hipur le të përshëndesë atë që është duke ecur.”[8]

  1. Largimi i pengesës nga rruga

 Nëse myslimani sheh në rrugë ndonjë shishe të thyer, ndonjë gur në mes të rrugës apo çfarëdo gjëje që u pengon njerëzve, duhet ta largojë dhe ta vendosë në skaj të rrugës.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Një njeri duke ecur, gjeti një degë të ferrësrrugë dhe e largoi. All-llahu për shkak të këtij veprimi e falënderoi atë dhe ia fali mëkatet.”[9]

 

  1. Dhënia përparësi njerëzve të çmuar

Nëse ecën bashkë me prindërit, ndonjë nga mësuesit e tu apo me dikë më të moshuar ose më me autoritet se ti, atëherë prej edukatës është që t’i lësh të ecin para teje ose ti t’u qëndrosh nga ana e djathtë e tyre sikur xhemati ndaj imamit. Kjo vlen nëse je duke ecur me ta gjatë ditës. E nëse je duke ecur bashkë me ta gjatë natës, atëherë prej edukatës është të ecësh para tyre që t’i mbrosh ata nga çfarëdo lloj pengese që mund të haset gjatë ecjes.

 

  1. Mosecja për në mëkat

Kur njeriu ecë për në diçka që është hallall, për çdo hap të cilin e bën fiton një shpërblim. Ndërsa kur ecë për në diçka që është haram, për çdo hap të cilin e bën i shkruhet nga një mëkat.

Ecje e cila shpërblehet është ajo ecje në të cilën shkohet në xhami për të marrë pjesë në ndonjë ligjëratë apo dhikër, për të falur namazin me xhemat, për të falur namazin e xhumasë, për të vizituar të afërmit, për të kryer nevojat e myslimanëve, për luftë në rrugën e All-llahut, për të vizituar prindërit, për të pajtuar hasmit, e kështu me radhë. Për sa i përket ecjes për në xhami, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në shtëpi e pastaj shkon në njërën nga shtëpitë e All-llahut për të kryer një nga farzet ndaj Tij, në çdo dy hapa që bën, njëri i shlyen një mëkat ndërsa tjetri i ngrit një shkallë.”[10]

Ndërsa nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur robi mysliman merr avdes mirë, dhe pastaj niset në xhami vetëm për të falur namazin, në çdo dy hapa që bën, njëri i shlyen një mëkat ndërsa tjetri i ngrit një shkallë.”[11]

Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Shtëpitë tona ishin larg xhamisë, kështu që ne deshëm t’i shisnim shtëpitë e të afrohemi me xhaminë, por i dërguari i All-llahut na ndaloi nga kjo duke na thënë: “Për çdo hap që e bëni për në xhami keni nga një shpërblim.”[12]

Nga Burejdeja radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ata që shkojnë në xhami në errësirë, përgëzojini me dritë të plotë në ditën e kiametit.”[13]

Këto hadithe e vërtetojnë se ecja për në xhami për namaz dhe pjesëmarrja në xhemat është faktor për shlyerjen e mëkateve dhe ngritjen e shkallëve në ditën kur nuk ka dobi as nga pasuria e as nga fëmijët, por ajo që sjellë dobi është zemra e pastër.

Ndërsa për sa i përket ecjes për në namazin e xhumasë, i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush pastrohet në ditën e xhuma, shkon herët në xhami në këmbë, i shkon afër imamit, heshtë dhe e dëgjon me vëmendje, nuk flet fjalë të kota, për çdo hap që e bën nga shtëpia e tij deri në xhami do të shpërblehet me ibadet njëvjeçar, shpërblim agjërimi dhe namazi.”[14]

Ndërsa për sa i përket ecjes për kryerjen e nevojave të myslimanëve, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:Njeriu më i dashur tek All-llahu i Madhërishëm është ai që është më i dobishmi për njerëzit… Tek unë më e dashur është ecja me një vëlla kur ai ka nevojë sesa të bëj i’tikaf në xhami për një periudhë njëmujore…”[15]

Një herë Hasen El-Basriu dërgoi ca shokë të tij për të kryer një nevojë të një vëlla mysliman dhe u tha: “Kaloni nga Thabit El-Bunaniu dhe merreni edhe atë me vete.” Ata kaluan nga Thabiti, ndërsa ky i fundit u tha: “Unë jam në i’tikaf.” Kështu, ata u kthyen te Hasen El-Basriu dhe i treguan lajmin. Ai u tha: “Shkoni dhe thoni atij: O Thabit, a nuk e di se të ecësh me vëllanë tënd kur ai ka ndonjë nevojë është më mirë për ty se sa të bësh haxhin?!” Ata shkuan sërish te Thabiti dhe ia përcollën fjalët e Hasen El-Basriut, ndërsa Thabiti menjëherë e braktisi i’tikafin dhe doli bashkë me ta.”[16]

 

  1. Myslimani duhet shmangur ecjet e papëlqyeshme e të shëmtuara

 Prej tyre:

  1. Ecja me krekosje dhe kapardisje, që është ecje e medjemëdhenjve dhe të vetëpëlqyerve.
  2. Ecja sikur ajo e njeriut të shqetësuar, i cili kthehet andej-këtej, e që duket sikur ecje e një psikopati.
  3. Ecja duke u shtirur si i sëmurë, e që është ecje e shëmtuar.
  4. Ecja me anime, sikur e atyre të “gjinisë së tretë”.
  5. Nxitimi i madh pa ndonjë nevojë a shkak.
  6. Ecja me kërcim, etj.

 

Që të githa këto janë të papëlqyeshme. Ndërsa ecja më e mirë është ajo që na transmetohet në hadithet që përshkruajnë ecjen e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.[17]

 

  1. Mesatarja dhe maturia

 Kjo do të thotë që myslimani duhet ecur me një ecje as të shpejtë e as të ngadalshme.

All-llahu i Madhërishëm në lidhje me këtë ka shpallur porositë e Lukman Hakimit kur e këshilloi të birin e vet, duke thënë: Të jesh i matur në ecjen tënde.”[18]

Ibën Kethiri thotë: “Me këtë ka dashur të thotë: Ec me një ecje as të ngadalshme e me ngecje, e as të shpejtë sikur duke vrapuar, por ec me ecje mesatare mes këtyre dyjave.”[19]

 

  1. Ecja me fuqi

 Myslimani nuk duhet ecur me plogështi por me fuqi ngase kjo ka qenë tradita e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “Kur ecte, ecte fuqishëm.”[20], që do të thotë se gjatë ecjes këmbët i ngrinte nga toka nga fuqia dhe vendosmëria që kishte gjatë ecjes.

 

  1. Moskthimi i shikimit mbrapa gjatë ecjes

 “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë ecjes nuk e kthente kokën mbrapa.”[21] Dihet që nëse myslimani e kthen kokën gjatë ecjes, kjo bën që njerëzit të dyshojnë tek ai. Madje kjo mund të shkaktojë që atij t’i ndodhë ndonjë gjë e padëshirueshme, si përplasja në ndonjë mur, automjet etj. Por nëse kthimi i kokës bëhet për ndonjë shkak të domosdoshëm, atëherë nuk ka gjë të keqe në këtë.

 

  1. Mosecja vetëm me një këpucë

 Muslimani nuk duhet ecur vetëm me njërën këpucë, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar një gjë të tillë dhe ka thënë: “Kur të mbatheni, filloni me të djathtën, ndërsa kur të zbatheni, filloni me të majtën, dhe mbathini që të dyja apo zbathini që të dyja.”[22] Po ashtu ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush i këputet rripi i sandales, mos të ecë me një sandale derisa ta rregullojë rripin. Po ashtu të mos ecë me një meste…”[23]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Mos ec me një këpucë.”[24] Myslimani nuk duhet ecur duke pasur njërën këmbë të mbathur e tjetrën të zbathur, ngase kjo nuk i ka hije myslimanit. Kjo po ashtu është ecje e shejtanit, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Vërtet shejtani ecë me një këpucë.”[25] Andaj, ose le t’i mbathë të dyja këpucët, ose le t’i zbathë të dyja. Nga këtu buron edhe një çështje tjetër, e ajo është që të dyja këpucët duhet të jenë të njëjta. Pra, nuk duhet të mbathë një këpucë të një lloji, e tjetrën nga lloji tjetër, apo ngjyre tjetër, por duhet plotësisht të jenë të njëjta.[26]

 

  1. Mosecja me plogështi

 Myslimani nuk ecën me plogështi sikur që ecë i sëmuri, që me këtë të paraqesë para njerëzve kinse është i devotshëm dhe i nënshtruar fetarisht. Kjo gjë asnjëherë nuk duhet qenë stil i myslimanit, por myslimani duhet ecur me vendosmëri, qetësi dhe maturi.

Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu një herë e pa një djalosh duke ecur me plogështi sikur të ishte i sëmurë, dhe e pyeti: A mos je i sëmurë? Jo – ia ktheu djaloshi. Atëherë Omeri radijAll-llahu anhu i mëshoi kamxhik dhe e urdhëroi të ecë me vendosmëri.

 

  1. Gratë nuk duhet ecur në mes të rrugës

 Prej rregullave të ecjes është që gruaja nuk duhet ecur në mes të rrugës por në skaj, që të mos bie në sytë e burrave e ta tërheqë syrin e tyre nga ajo. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mesi i rrugës nuk është për gra.”[27] Ndërsa grave u ka thënë: “Rrini mbrapa, sepse juve nuk ju takon mesi i rrugës. Juve ju takojnë skajet e rrugës.”[28]

 

  1. Gruaja të mos kërcasë me këmbë për t’i zbuluar stolitë e saj

 All-llahu i Madhërishëm thotë: “Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre.”[29]

Ibën Kethiri thotë: “Në kohën e xhahilijetit, gruaja që mbante byzylyk në këmbën e saj por që nuk dëgjohej, i binte tokës me këmbë (ecte me hapa të fuqishëm duke shkundur këmbët) që burrat ta dëgjojnë zërin e byzylykut, gjë të cilën All-llahu e ndaloi.

 

Dhe më në fund: Si ka qenë ecja e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem?

 

Nuk ka dyshim se i dërguari më i madh, Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është model për çdo besimtar dhe nuk ka besimtar me iman të thellë që nuk dëshiron të pasojë imamin e tij, të dërguarin e All-llahut, e që është imami më i madh dhe mësuesi më i vlefshëm në historinë e njerëzimit. A thua si ka qenë ecja e tij?

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kurrë nuk kam parë diçka më të bukur se i dërguari i All-llahut në fytyrën e të cilit dukej sikur shndërriste dielli. Nuk kam parë asnjë më të shpejtë në të ecur sesa i dërguari i All-llahut, pasi kur ai ecte, dukej sikur vet toka rrotullohej për të. Kur ecnim me të, e mundonim veten për të mbajtur hapin e tij, ndërsa ai ishte fare i relaksuar.”[30]

Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, e ka përshkruar ecjen e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me këto fjalë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ecte me vendosmëri të plotë, ecja e tij ishte e bukur dhe e qetë…”, e pastaj e përmend hadithin e Ebu Hurejrës radijAll-llahu anhu që u cek më sipër. Ndërsa Ali ibën Ebi Talibi radijAll-llahu anhu thotë: “I dërguari i All-llahut ecte me një vendosmëri të plotë, sikur të ecte në një teposhtë.”

Njeriu që më së tepërmi i ngjante në ecje të dërguarit të All-llahut ka qenë e bija e tij, Fatimeja radijAll-llahu anha. Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: Një ditë, ne, gratë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ishim tek ai, kur papritmas u duk Fatimeja radijAll-llahu anha që ecte plotësisht si Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.”[31]

 

 

[1] Kaptina El-Furkan, ajeti 63.

[2] Sahih: shënon Muslimi (2588).

[3] Sahih: shënon Muslimi (2586).

[4] Kaptina Lukman, ajetet 18-19.

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5789) dhe Muslimi (2088).

[6] Sahih: shënojnë Ahmedi (2/118), Buhariu në Edebul-Mufred (1/193) dhe Hakimi (1/128). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5711) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënojnë Ahmedi (4/210) dhe Ibën Maxhe (2707). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1099) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6232) dhe Muslimi (2160).

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (654) dhe Muslimi (1914).

[10] Sahih: shënon Muslimi (666).

[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (647) dhe Muslimi (649).

[12] Sahih: shënon Muslimi (664).

[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4832) dhe Tirmidhiu (223). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2823) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087) dhe Ahmedi (4/104). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (373) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënojnë Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir (3/209/2) dhe Ibën Asakiri në Et-Tarih (18/1/2). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (906) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[16] Ky transmetim gjendet në librin Hiljetul-Evlija’ të Ebu Nuajmit dhe në librin Xhamiul-Ulumi vel-Hikem të Ibën Rexhebit (fq. 452). Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 400-401.

[17] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/782-783).

[18] Kaptina Lukman, ajeti 19.

[19] Shkëputur nga Tefsiri i Ibën Kethirit (3/711).

[20] Sahih: shënon Muslimi (2330).

[21] Sahih: shënojnë Hakimi (4/292) dhe Ibën Sa’di (1/379). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2086) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[22] Sahih: shënon Muslimi (2097).

[23] Sahih: shënon Muslimi (2099).

[24] Sahih: shënon Muslimi (2099).

[25] Shënon Tahaviu në Mushkilul-Athar (2/142). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (348) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, (2/783-784). Autor: Abdul-Aziz Neda.

[27] Sahih: shënojnë Ibën Hibbani (1969), Ibën Adiu (1/192) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/475/2). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (856) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[28] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (5272), Taberaniu (19/261) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (6/173). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (856) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[29] Kaptina En-Nur, ajeti 31.

[30] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3648) dhe Ahmedi (2/350). Shejh Albani në librin e tij Hidajeturr-Rruvah (5732) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[31] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6285) Muslimi (2450). Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 396.

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.