Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË PËRDORIMIN E KËPUCËVE

Vëllezër të dashur,

Dihet se nuk ka mysliman që nuk ka nevojë të dalë nga shtëpia për të shkuar në xhami, në punë apo për vizitë te farefisi, e kështu me radhë.

Nëse ai ecë këmbëzbathur mund t’i ndodhë ndonjë gjë e pakëndshme, kështu që medoemos të veshë këpucë për t’i mbrojtur këmbët e tij.

Prandaj duhet mësuar rregullat që kanë të bëjnë me veshjen e këpucëve. Prej tyre po përmendim:

 

  1. Nijeti i sinqertë

 Kjo do të thotë që veshjen e këpucëve ta bësh me nijet t’i mbrosh këmbët dhe t’i përdorësh në vepra të hairit, si shkuarja në xhami apo për vizitë të farefisit, si dhe vepra të tjera të mira.

 

  1. Ta falënderosh All-llahun për begatitë e Tij

 Këtë duhet bërë për arsye se All-llahu të ka furnizuar me ato këpucë të cilat i vesh dhe me të cilat i mbron këmbët e tua, duke e ditur se ka njerëz të cilëve All-llahu nuk ua ka mundësuar këtë gjë ngase nuk ka të holla për t’i blerë ato.

Pra, secili mysliman e ka për detyrë ta falënderojë All-llahun e Madhërishëm për të gjitha begatitë të cilat ia ka dhënë.

 

  1. Shmangia e këpucëve në të cilat figuron emri i All-llahut

 Domosdo duhet të kesh kujdes të shmangësh këpucët në të cilat figuron emri i lartësuar “All-llah”. Ka ca kompani jomyslimane të cilat prodhojnë këpucë në të cilat e shkruajnë emrin “All-llah” apo e vizatojnë figurën e Ka’besë. Prandaj nuk lejohet veshja e këpucëve të tilla ngase kjo është nëpërkëmbje e emrit të lartësuar të All-llahut.

 

  1. Mosngjasimi i burrave me gratë dhe anasjelltas

 Burrave nuk u lejohet të veshin këpucë që u përngjajnë atyre të grave, si dhe grave nuk u lejohet të veshin këpucë që u përngjajnë atyre të burrave. Kjo, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar një gjë të tillë dhe ka thënë: “Të mallkuar janë burrat që u përngjajnë grave dhe gratë që u përngjajnë burrave.”[1]

 

  1. Mosngjasimi me mushrikët (idhujtarët)

 Ekzistojnë ca lloje të këpucëve në të cilat figurojnë emra të disa zotave të cilët adhurohen nga mushrikët. Po ashtu ekzistojnë këpucë ku janë të vizatuara kryqe. Prandaj nuk na lejohet veshja e këpucëve të tilla që të mos ngjasojmë me mushrikët. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i ngjason një populli, është prej tyre.”[2]

 

  1. Pasja e disa palë këpucëve

 Kjo do të thotë që të kesh disa palë këpucësh nëse ke mundësi, por pa e tepruar në shpenzime dhe pa mendjemadhësi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pajisuni me më shumë palë këpucësh, ngase njeriu vazhdon të jetë udhëtar derisa ka këpucë.”[3]

Me këtë hadith Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka pasur për qëllim se ai që ka disa palë këpucë i ngjan udhëtarit i cili ka hipur në një mjet udhëtimi ngase pasja e disa palë këpucëve ndikon në zvogëlimin e vështirësisë, lodhjen më të paktë, shpëtimin e këmbëve të tij nga ekspozimi i pengesave në rrugë si vrazhdësia e tokës, ferrat e ndryshme, nxehtësia e madhe, balta, e kështu me radhë.

 

  1. Mos-shpenzimi i tepërt për këpucë

 Kjo do të thotë që të blejmë këpucë me çmim mesatar, pra as tepër të shtrenjta por as tepër të lira. Feja jonë është fe e mesatares.

Disa njerëz shpenzojnë shuma të majme parash për të blerë një lloj këpucësh të markave botërore me pretekstin se ato janë në modë dhe duke dashur t’ua bëjnë me dije njerëzve se ai është njeri “style”… Pa dyshim, kjo është në kundërshtim me sheriatin, i cili thërret në modesti dhe mos-shpenzim të tepërt.

 

  1. Dhënia përparësi të djathtës

 Kjo do të thotë që gjatë mbathjes së këpucëve, duhet filluar nga e djathta, ndërsa gjatë zbathjes, nga e majta.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të mbatheni, filloni me të djathtën, ndërsa kur të zbatheni, filloni me të majtën, dhe mbathini që të dyjat apo zbathini që të dyjat.”[4] Po ashtu këtë e bazojmë edhe në dispozitën e përgjithshme për sa i përket përparësisë së të djathtës në punët e mira dhe pasimit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i pëlqente përdorimi i pjesëve të djathta të trupit në të gjitha çështjet e tij: në pastërti, ecje si dhe në mbathje.”[5]

  1. Shmangia e këpucëve që dëmtojnë shëndetin

 Ka disa lloje këpucësh që i dëmtojnë këmbët dhe shëndetin në përgjithësi, si këpucët e ngushta. Sheriati jonë na ka ndaluar nga çdo gjë që na sjell dëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka dëm (ndaj vetes) e as të dëmtuar.”[6]

  

  1. Shmangia e këpucëve me taka të larta

 Takat e larta e dëmtojnë shëndetin e njeriut, si dhe e tërheqin shikimin e burrave ndaj grave, ngase kur gratë veshin këpucë me taka, atëherë ecin me naze. Po ashtu grave nuk u lejohet të veshin taka të zhurmshme apo këpucë me ngjyra joshëse që të mos tërheqin vëmendjen e burrave.

 

  1. Shkundja e këpucëve para veshjes

 Para se t’i mbathësh këpucët, duhet t’i shkundësh mirë, ngase ka mundësi që brenda tyre të ketë hyrë ndonjë insekt që mund të të dëmtojë, apo ndonjë insekt që nuk dëmton por që ti ndjen neveri prej tij. Po ashtu brenda këpucëve mund të jenë futur mbeturina rëre nëse ke ecur në një vend me rërë, e kështu me radhë.

Në vitin 1999, media televizive CNN ka raportuar se një njeri në Australi kishte vdekur si pasojë e kafshimit në këmbë nga një merimangë helmuese që kishte qenë brenda këpucës së tij në momentin kur ai kishte mbathur këpucën. Prandaj, para se të veshë këpucët, njeriu duhet vërtetuar se brenda tyre nuk ka diçka të tillë.

 

  1. Të vërtetohesh për pastërtinë e këpucëve

 Kjo do të thotë të vërtetohesh se këpucët nuk kanë asnjë lloj papastërtie, qoftë nga pjesa e poshtme apo nga anash.

 

  1. Mirëmbjatja e këpucëve

 Kjo do të thotë që të kujdesesh për pastërtinë dhe lustrimin e këpucëve me brushë që të duken të bukura si dhe t’i ndreqësh nëse ato shqyhen, nëse e ke mundësinë për diçka të tillë. E nëse jo, atëherë fshiji ato me ndonjë copë pëlhure apo pecetë që të jenë të pastra, ngase pastërtia është pjesë e imanit.

 

 

  1. T’i veshësh këpucët duke qenë ulur

 Këpucët duhet veshur duke qenë ulur e jo duke qenë në këmbë, sepse veshja e këpucëve ulur është më lehtë. Po ashtu veshja e këpucëve duke qenë në këmbë mund të shkaktojë këputjen e ndonjë muskuli të shpinës ose mund të zbulojë apo përshkruajë ndonjë pjesë të turpshme të trupit, sidomos nëse ke veshur tesha të tejdukshme apo të holla. Prandaj, veshja e këpucëve ulur është më e mirë.

 

  1. Ose mbathi të dyja këpucët ose zbathi të dyja

Nuk duhet ecur duke mbathur vetëm njërën këpucë, por ose duhet mbathur të dyjat, ose duhet zbathur të dyjat, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Le t’i mbathë të dyjat apo le t’i zbathë të dyjat.”[7]

Kjo vlen edhe nëse i shqyhet njëra këpucë, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush i këputet rripi i sandales, mos të ecë me një sandale derisa ta rregullojë rripin. Po ashtu të mos ecë me një meste…”[8]

 

[1] Sahih: shënon Buhariu (5885).

[2] Sahih: shënon Ebu Davudi (4031). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6149) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënon Muslimi (2096). Këtë hadith Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka thënë me rastin e një beteje mes myslimanëve dhe mushrikëve, ku mjetet e udhëtimit ishin në numër të vogël, prandaj ai u sugjeroi sahabëve të merrnin me vete më tepër këpucë që të mund të vazhdonin luftën në rast se u prishen këpucët, e të mos mbeten ushtarë pasivë. (shën. përkth.)

[4] Sahih: shënon Muslimi (2097).

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (168) dhe Muslimi (268).

[6] Sahih: shënojnë Ibën Maxhe (2340) dhe Ahmedi (1/313). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (250) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënon Muslimi (2097).

[8] Sahih: shënon Muslimi (2098).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.