Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË SHAKASË

Vëllezër të dashur,

Njeriu nuk mund të jetojë dot pa e argëtuar zemrën dhe prandaj nganjëherë ka nevojë për qeshje, argëtim dhe dëfrim të lejuar për ta larguar monotoninë, lodhjen dhe përtacinë ndaj ibadeteve. Ky argëtim i lejuar ndikon që ai të jetë i kthjellët për ibadet ndaj All-llahut.

Që këtej, myslimani duhet mësuar rregullat dhe sjelljen gjatë shakasë. Prej tyre po përmendim:

 

  1. Nijeti i mirë

Pra, duhet që me shakanë e tij të ketë për qëllim heqjen e mërzisë, mënjanimin e monotonisë dhe plogështisë dhe rehatimin e shpirtit, në mënyrë që ta kthjellojë atë përsëri dhe të arrijë dobi në këtë dhe botën tjetër, pra të kalojë prej ibadetit në çështjet e pashmangshme të kësaj bote, por duke e pasuar Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Gjithsesi nuk duhet harruar se veprat vlerësohen sipas nijetit, andaj çdo mysliman e ka për detyrë që në çdo fjalë dhe vepër të tij të ketë nijet të mirë.

  1. Mosteprimi në shaka

Disa njerëz e teprojnë në shakatë e tyre dhe kështu i tejkalojnë kufijtë e asaj që është e pranueshme. Pra, këtu nuk mund të themi se ky njeri ka nijet të mirë në shakanë e tij, dhe si i tillë zakonisht e humb autoritetin te njerëzit, kështu që nuk e respektojnë, bile e marrin guximin që ta kundërshtojnë dhe mospërfillin, madje edhe të paturpshmit. E gjithë kjo për shkak se ai vetë ia ka humbur vetes autoritetin dhe nuk e ka ruajtur njerëzinë dhe seriozitetin e tij. Andaj, ai i cili e tepron në shaka, i bie poshtë burrëria dhe i humb dinjiteti.

  1. Mosbërja e shakasë me ata që nuk e pranojnë atë

Njeriu ka mundësi që të bëjë shaka me njerëz që nuk e kanë për qejfi shakanë, apo çdo fjalë a punë e marrin seriozisht, apo nuk e duan shakanë e këtij personi, e kështu me radhë, kështu që rezultati i kësaj shakaje nuk del i mirë saqë ka mundësi që të shohë prej tyre diçka që e urren. Prandaj, njeriu nuk duhet bërë shaka përveç me ata të cilët i pranojnë shakatë e tij.

  1. Mosbërja e shakasë në momentin kur duhet seriozitet

Ekzistojnë momente në të cilat nuk ka vend për shaka, siç janë ndeja e udhëheqësit, ndeja e diturisë, ndeja e gjykatësit, ndeja e dëshmisë, ndeja e shkurorëzimit, e kështu me radhë. Pra, shakaja në këso raste është e papranueshme, dhe mund ta ulë autoritetin e njeriut, bile mund të rezultojë edhe me diçka të urryer.

5.Largimi nga haramet gjatë shakasë

Kjo, ngase shakaja me diçka që All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar, nuk lejohet. Nga ato po veçojmë:

 

a) Frikësimi i myslimanit me shaka

Disa njerëz nganjëherë mund të bëjnë shaka me ndonjë shok të tij duke bërë një vepër me të cilën e frikëson, si p.sh. vendosë ndonjë maskë frikësuese në fytyrë, apo i bërtet me zë të lartë në errësirë, apo i fsheh atij diçka personale të tij, etj. Këto gjëra dhe të ngjashmet me to, nuk lejohen. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mos marrë dikush prej jush gjënë personale të shokut të tij, as me lojë e as seriozisht.”[1]

Një ditë prej ditësh, disa shokë të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem fjetën, ndërsa një tjetër erdhi, e mori litarin e njërit prej tyre dhe e fshehu, kështu që pronari i litarit u frikësua se mos ndoshta i humbi litari. Me këtë rast Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Nuk lejohet që myslimani ta frikësojë myslimanin.”[2] Pra, frikësimi i myslimanit nuk lejohet në asnjë rast, qoftë me shaka apo seriozisht.

b) Rrena në shaka

Shumë njerëz nuk kanë kujdes gjatë shakave të tyre, kështu që e përdorin rrenën duke e arsyetuar se ajo është vetëm një shaka, ndërsa rrena nuk lejohet në asnjë rast. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në pjesën e poshtme të xhennetit atij njeriu që e braktis polemikën edhe nëse është në të drejtë; unë i garantoj një shtëpi në mes të xhennetit atij njeriu që e braktis gënjeshtrën edhe nëse është shaka; unë i garantoj një shtëpi në pjesën më të lartë të xhennetit atij njeriu që ka moral të mirë.”[3]

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e thoshte të vërtetën, qoftë në shaka apo në seriozitet. Ai thoshte: “Unë bëj shaka, por nuk them asgjë përveç të vërtetës.”[4] Andaj rrena në shaka nuk lejohet në asnjë mënyrë. Por, ka shumë prej njerëzve që rrejnë duke bërë shaka për t’i bërë njerëzit të qeshen, e sidomos me anë të anekdotave dhe gjërave të tjera të ngjashme. Por, kjo gjë nuk lejohet assesi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mjerë për atë që rrenë gjatë të folurit për t’i bërë njerëzit të qeshen, mjerë për të, mjerë për të!”[5] Pra, ajo është rrenë, por përveç kësaj, në vete ngërthen edhe të metat dhe përgojimet ndaj njerëzve.

c) Përgojimi i një grupi të caktuar njerëzish

Ai që e përgojon një grup të caktuar njerëzish, apo banorët e një vendi të caktuar, apo njerëzit e ndonjë profesioni të caktuar, por këtë nuk e bën vetëm se duke dashur të bëjë shaka dhe për t’i bërë njerëzit të qeshen, ai nuk ka bërë asgjë tjetër përveç një harami të madh.

d) Akuza dhe shpifja ndaj njerëzve

Kjo gjë po ashtu është e pranishme. Ndonjë njeri tallet me shokun e tij, kështu që e fyen, e shpif apo e akuzon me ndonjë gjë të fëlliqur, si p.sh. duke i thënë: ‘O bir lavireje’, e kështu me radhë. Kjo gjë për fat të keq është e pranishme dhe evidente në mesin e disa rrugaçëve dhe njerëzve të poshtër. E kjo gjë nuk lejohet, madje një shpifje e këtillë e obligon hadd-in (dënimin, ndëshkimin sipas rregullores islame), edhe nëse është në formë shakaje. Andaj, punët e këtilla dhe të tjerat që All-llahu i Madhërishëm i ka ndaluar, gjithsesi duhet shmangur.

 

  1. Largimi nga shakaja me dorë dhe me fjalë të këqija

Shumica e njerëzve këtë gjë nuk e dëshirojnë, madje kjo mund të shkaktojë probleme mes shokëve, kur shakaja mund të marrë drejtim tjetër dhe të kalojë në grindje dhe përleshje. Kemi dëgjuar shumë raste që kanë ndodhur për shkak të këtij lloji të shakasë. Pra, nuk duhet bërë shaka me duar, përveç atyre që janë adaptuar me këtë gjë dhe e pranojnë atë mes njëri-tjetrit, ashtu siç “shokët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e gjuanin njëri-tjetrin me lëvoret e shalqirit pasi e hanin atë.”[6]

Ndërsa, shakaja me fjalë të këqija nuk lejohet në asnjë rast. All-llahu i Madhërishëm thotë: E ti robërve të Mi thuaju: Le ta thonë atë që është më e mira, pse shejtani ndërsen mes tyre, e është e ditur se shejtani është armik i hapët i njeriut.[7] E myslimani nuk mund të jetë i keq dhe i ndyrë asnjëherë.

 

  1. Largimi nga qeshja e tepërt

Shumë njerëz gjatë shakave të tyre e teprojnë në të qeshur, e kjo është në kundërshtim me sunnetin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka tërhequr vërejtjen nga qeshja e tepërt dhe ka thënë: “Mos e teproni në qeshje, sepse qeshja e tepërt e vdes zemrën.”[8] Po ashtu na përcillet se “Qeshja e tij ishte buzëqeshje.”[9]

Ndërsa përsa i përket qeshjes së tepërt, ajo e bën zemrën e fortë si guri dhe e vdes atë. Ndërsa qeshja e mekur me potere, po ashtu e bën zemrën e fortë si guri dhe ia humb personit autoritetin dhe pozitën.

 

  1. Shakaja kryesisht duhet bërë me ata që kanë nevojë për të

Kjo vlen zakonisht për gratë dhe fëmijët. Kjo ka qenë gjendja e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, siç do ta cekim në vijim:

 

Raste të shakasë së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem:

 

1) Nga Enes ibn Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i kishte thënë atij: “O veshgjatë!”[10] duke bërë shaka me të.

2) Nga Enes ibn Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Çdoherë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjendej në mesin tonë, i thoshte një vëllait tim të vogël: “O Ebu Umejr, ç’u bë me zogun?”[11] Ky zog kishte qenë i këtij fëmije dhe thuhet se i kishte ngordhur, andaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem bënte shaka me të duke pasur për qëllim ta argëtonte atë.

3) Nga Enes ibn Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “O i dërguari i All-llahut!  Më hip në ndonjë kafshë (më merr me vete).” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Do të të hipim në fëmijën e devesë.” Njeriu tha: “E ç’të bëj me fëmijën e devesë?” Ai i tha: “E a lindin devetë gjë tjetër veç deveve?”[12]

4) Nga Enes ibn Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem shkoi deri te njëri nga shokët e tij, e shtrëngoi nga mbrapa, ndërsa ai nuk e shihte. Lëshomë, kush je ti? – tha njeriu. Pastaj u kthye, dhe kur e pa se kush ishte, filloi ta fërkojë shpinën e tij për gjoksin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.[13] Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem filloi të thoshte: “A ka kush që e blen këtë rob?” Ai tha: “O i dërguari i All-llahut!  Atëherë vallahi do të shohësh se unë jam i lirë.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me këtë rast i tha: “Por tek All-llahu nuk je i lirë”. Apo tha: “Ti tek All-llahu je i shtrenjtë.”[14]

 

[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5003) dhe Tirmidhiu (2161) nga Abdullah ibn Saib ibn Jezidi nga babai i tij, e ai nga gjyshi i tij. Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud (4183) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënon Ebu Davudi (5004). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud (4184) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënon Ebu Davudi (480). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir (12/13443). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2494) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih: shënojnë Ahmedi (5/5), Ebu Davudi (4990), Tirmidhiu (2315) i cili ka thënë se hadithi është hasen, dhe të tjerë, nga hadithi i Muavije ibn Hajdeh. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7136) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (fq.41). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (436) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Kaptina El-Isra’, ajeti 53.

[8] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4193). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (506) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3642) dhe Ahmedi (5/97). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4861) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5002), Tirmidhiu (1992) dhe Ahmedi (3/117). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7909) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6129) dhe Muslimi (2150).

[12] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4998), Tirmidhiu (1991) dhe Ahmedi (3/267). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith sahih.

[13] Këtë e ka bërë duke shprehur dashurinë që e kishte për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem sikurse edhe çdo sahabe tjetër, si dhe duke kërkuar bereqetin e All-llahut që ia kishte dhënë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Emri i këtij sahabiu të nderuar ishte Zahir ibën Haram radijAll-llahu anhu. (shën. përkth.)

[14] Shënojnë Ahmedi (3/161), Tirmidhiu në Esh-shemailul-Muhammedijjeh (229), Begaviu në Sherhus-Sunneh (3604) nga Enesi. Arnauti ka thënë: “Senedi i këtij hadithi është sahih.” Ibën Haxheri në librin e tij El-Isabe ka thënë se hadithi është sahih. Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (766/771). Autor: Abdul-Aziz Neda.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.