Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË SELAMIT (PËRSHËNDETJES)

Selami është siguri dhe qetësim, e këto janë gjëra që njeriu më së shumti i dëshiron. Islami që para katërmbëdhjetë shekujsh e ka vlerësuar dhe çmuar selamin dhe e ka mbjellë në zemrat e pasuesve të tij derisa ai shfaqet në të folurit e tyre dhe në të gjitha veprimet e tyre.

Selami (shpëtimi) është ai që Zoti i botëve e ka mbivlerësuar dhe e ka përvetësuar si njërin prej emrave të Tij të bukur. All-llahu i Madhërishëm thotë: Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i mvishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë)…”[1] Po ashtu, njërin prej xhenneteve e ka emërtuar me emrin “Darus-Selam (Vend i shëptimit)”, që është vendi i të devotshëmve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata e kanë vendin e shpëtimit (xhennetin) te Zoti i tyre.”[2] Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në një hadith thotë: “ES-Selam është një prej emrave të All-llahut. Prandaj përhapeni atë mes jush.”[3]

Zoti i botëve, fjalën ‘Selam’ e ka bërë që të jetë përshëndetje e Ademit alejhis-selam, babait të njerëzimit, ndërsa melaiket ishin ata që e informuan Ademin alejhis-selam për këtë, dhe kështu u bë pëshëndetje për pasardhësit e tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu pasi e krijoi Ademin alejhis-selam, i tha: Shko dhe përshëndeti (ato melaike) dhe dëgjo se me çka do të të përshëndesin. Ajo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu. Ai (Ademi) u tha: ‘Esselamu alejkum’, e ata i thanë: ‘Ve alejkumus-selam ve rahmetullah’. Shtuan “ve rahmetullah.”[4]

All-llahu i Madhërishëm, madje, këtë e ka bërë përshëndetje të banorëve të xhennetit, dhe ka thënë: Përshëndetja e tyre është: “Selam!”[5] Po ashtu melaiket i përshëndesin njerëzit me selam. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.”[6] Po ashtu thotë: “Roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.”[7]

Po ashtu, kur melaiket erdhën me myzhde te Ibrahimi alejhis-selam, e përshëndetën me selam. All-llahu i Madhërishëm thotë: “A ke arritur të dëgjosh ti për rrëfimin e musafirëve të ndershëm të Ibrahimit? Kur patën hyrë te Ai dhe thanë: Të përshendesim me selam (paqë)!”[8]

All-llahu i Madhërishëm, po ashtu, natën më të madhe, më të vlefshme dhe më të ndershme, natën e Kadrit e ka emrëtuar me emrin ‘Selam’, dhe ka thënë: “Ajo (që përcakton Zoti) është selam (paqe) deri në agim të mëngjesit.”[9]

All-llahu i Madhërishëm për t’i nderuar pejgamberët dhe të dërguarit e Tij, për t’i përjetësuar veprat e tyre dhe për ta nxjerrë në pah vlerën e tyre, shumë herë e përsëriti në kur’anin famëmadh selamin (përshëndetjen) ndaj tyre, duke thënë: “Selam i qoftë Nuhut (prej All-llahut e prej krijesave) në mbarë botën (si kujtim ndaj tij).”[10] “Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi!”[11] “(Përkujtimin) “Selamun” – qofshin të mëshiruar Musai dhe Haruni.”[12] ““Selamun” – qoftë i mëshiruar Iljasi (ose edhe besimtarët e Iljasit).”[13] Po ashtu All-llahu i Madhërishëm e ka përshëndetur me selam edhe Jahjanë alejhis-selam, të birin e Zekerijait alejhis-selam, dhe ka thënë: “Dhe selam (prej nesh) atij ditën kur u lind, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ngrehet i gjallë (e përshëndetëm dhe i garantuam)!”[14]

All-llahu i Madhërishëm gjithashtu i urdhëroi besimtarët që e tërë jeta e tyre të jetë selam (paqe), dashuri e siguri, dhe ka thënë: “O ju që besuat, hyni në islamin (paqen) e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi).”[15]

Prandaj, o bij të islamit,

Zoti juaj është ‘Selami’ (shpëtimi), i dërguari juaj është pejgamber i selamit (shpëtimit), kur’ani juaj është libri i selamit (shpëtimit), përshëndetja juaj është selami (shpëtimi), vendi të cilin përpiqeni ta fitoni në xhennet është Darus-Selam (vendi i shpëtimit), mesazhi juaj është mesazhi i selamit (shpëtimit). Prandaj shijojeni në vete frymën e selamit (shpëtimit), që All-lahu t’ju përfshijë me begatinë e selamit (shpëtimit). I dërguari i All-llahut dhe i dashuri ynë, Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, kur bëri hixhretin nga Meka në Medinë, e vendosi kushtetutën atje. Por cila ishte ajo kushtetutë?

Kjo kushtetutë ishte madhështore dhe përmbledhëse, por që garanton siguri, dashuri dhe sinqeritet. Në ditën kur arriti në Medinë, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem mbajti një fjalim, i cili nuk zgjati me orë, por ishte vetëm disa minutësh. Sahabiu i nderuar, Abdullah ibën Selami radijAll-llahu anhu thotë: “I dërguari i All-llahut kur mbërriti në Medinë, njerëzit e mirëpritën, ndërsa ai mbajti një fjalim para tyre, ku tha: O ju njerëz! Përhapeni selamin (përshëndetjen) mes jush, ushqeni nevojtarët, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në xhennet me selam (paqe dhe qetësi).”[16]

Selami i thellon rrënjët e dashurisë mes myslimanëve dhe e futë qetësinë tek i frikuari. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “S’keni për të hyrë në xhennet derisa të besoni dhe s’keni besuar derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj diçka, të cilën nëse e veproni, keni për t’u dashur mes vete? Përhapeni selamin mes jush.”[17]

Nëse dëshiron të bësh gjënë më të madhe dhe më të vlefshme të kësaj feje, atëherë ushqeji nevojtarët dhe përhape selamin. Një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe e pyeti: “Cila është vepra më e mirë? Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “T’i ushqesh nevojtarët.” Njeriu pyeti sërish: “E pas kësaj?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “T’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.”[18]

Biri im i dashur, nëse dëshiron të hysh në Darus-Selam (vendin e shpëtimit), d.m.th. në xhennet, atëherë përhape selamin shumë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:Në xhennet ka dhoma, që nga brendia duket pjesa e jashtme e tyre dhe nga jashtë duket pjesa e brendshme e tyre.” Dikush pyeti: “Për kë janë këto dhoma?” Ai tha: “Për ata që i ushqejnë fukaratë, e përhapin selamin, i mbajnë lidhjet farefisnore dhe falin namaz nate kur njerëzit flenë.”[19]

Nëse dëshiron ta mbushësh regjistrin e veprave të tua me shpërblime dhe t’i ngritësh shkallët e tua në xhennet, atëherë përhape selamin, ngase kështu fiton shumë shpërblime. Një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe tha: “Es-selamu alejkum!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam, dhjetë.” Pastaj hyri një tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullah!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam ue rahmetullah, njëzet.” Pastaj hyri një tjetër e tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuh!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, tridhjetë.”[20] Me këtë kishte për qëllim numrin e shpërblimeve, d.m.th. sa më i plotë të jetë selami, aq më i madh është shpërblimi.

Ibën Hibban El-Bustiu thotë: “Ai që fillon me selam gjendet mes dy shpërblimeve. Njëra është mbivlerësimi që All-llahu ia bën atij ndaj të tjerëve për shkak se ua përkujton selamin atyre, dhe e dyta është se melaiket ia kthejnë selamin nëse askush prej tyre nuk ia kthen.”

Më pas thotë: “Myslimani kur ta takojë vëllanë e tij mysliman duhet t’i japë selam duke qenë i buzëqeshur, ngase nëse e bën këtë, atëherë atyre dyve u bien mëkatet ashtu siç bien gjethet e pemës në dimër kur thahet.”[21]

Prandaj, kur ne e përhapim selamin, na shtohet dashuria mes vete, na shtohet uniteti dhe e eliminojmë armiqësinë. Po ashtu e arrijmë ngritjen tek All-llahu i Madhërishëm. Armiqtë tanë na kanë zili për këtë përshëndetje dhe për këtë edukatë të lartë të cilën na e mësoi i dërguari i All-llahut. Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: Jehudët nuk ju kanë zili në diçka sikur ju kanë zili në përshëndetjen me selam dhe thënien e fjalës ‘amin’.”[22]

Prandaj, selefët e mirë, All-llahu qoftë i kënaqur me ta, kanë qenë të kujdesshëm ndaj përhapjes së selamit. Maliku në librin e tij El-Muvetta’, shënon me sened sahih nga Tufejl ibën Ubej ibën Ka’bi radijAll-llahu anhuma se ai shkonte te Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma dhe bashkë me të niseshin për në treg. Tufejli thotë: “Sa herë që shkonim në treg, Abdullahu nuk linte njeri që takonte pa e përshëndetur me selam, qoftë shitës, lypsar apo kushdo që të jetë.” Tufejli vazhdon dhe thotë: “Një ditë shkova te Abdullah ibën Omeri, ndërsa ai vendosi të më shoqëronte për në treg. Unë i thashë: Ç’kërkon në treg kur nuk blen gjë, as nuk pyet për artikujt e as për çmimet?! Abdullahu tha: Unë shkoj për hir të selamit, kështu që çdokënd që e takojmë, e përshëndesim me selam.”[23]

Pasi përshëndetja islame qenka në këtë pozitë, atëherë cilat janë rregullat e kësaj përshëndetjeje?

Dijetarët kanë përmendur shumë rregulla të cilave duhet përmbajtur për sa i përket përshëndetjes me selam. Prej tyre:

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

Kjo do të thotë që kur të përshëndesësh vëllanë tënd mysliman, këtë duhet ta bësh vetëm për hirin e All-llahut të Madhërishëm, e jo me anë të selamit të kesh për qëllim përfitime materiale të kësaj bote.

 

  1. Përhapja e selamit

Përhapja e selamit është një prej shkaqeve për të fituar xhennetin. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Përhape selamin, ushqeje nevojtarin, mbaji lidhjet farefisnore, zgjohu për namaz nate derisa njerëzit flenë, do të hysh në xhennet me paqe e qetësi.”[24]

Po ashtu ka thënë: “S’keni për të hyrë në xhennet derisa të besoni dhe s’keni besuar derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj diçka, të cilën nëse e veproni, keni për t’u dashur mes vete? Përhapeni selamin mes jush.”[25]

 

  1. Përdorimi i formave të selamit të transmetuara në sunnet

 Kjo do të thotë që kur të përshëndesësh dikë me selam, t’i thuash: Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Kjo është forma e pranuar, të cilën All-llahu i Madhërishëm e ka bërë pjesë të sheriatit islam për robërit e Tij. Kjo është motoja e myslimanëve, përshëndetja e melaikeve mes vete dhe përshëndetja e banorëve të xhennetit.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu pasi e krijoi Ademin, ia dha shpirtin, ndërsa ai teshtiu dhe tha El Hamdu Lil-lah, ndërsa Zoti i tij ia ktheu: Jerhamukellah, o Adem! Pastaj i tha: Shko tek ato melaike – që ishin ulur – dhe thuaju: ‘Esselamu alejkum.’ Kur u tha, ata ia kthyen: ‘Ve alejkumus-selam ve rahmetullah’. Pastaj u kthye te Zoti i tij, I Cili i tha: Kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e fëmijëve të tu mes vete…”[26]

 

  1. Të fillosh i pari me selam

 Përpiqu që ti të jesh i pari që fillon me selam.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet njeriu më i dashur tek All-llahu është ai që e fillon selamin (përshëndetjen).”[27]

Po ashtu ka thënë: “Myslimani ndaj myslimanit ka gjashtë obligime. Kur ta takosh, jepi selam…”[28] E në një hadith tjetër ka thënë: “Kur njeriu e takon vëllanë e tij mysliman, le t’i thotë: Es-selamu alejkum ue rahmetullah.”[29] Po ashtu, njëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u pyet: “Dy veta që takohen, cili prej tyre fillon me selam?” Ai u përgjigj: “Ai që është më i dashur tek All-llahu.”[30]

 

  1. Përpiqu të japësh selamin të plotë

 Dhënia e selamit të plotë do të thotë se shpërblimi është më i madh. Një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe tha: “Es-selamu alejkum!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam, dhjetë.” Pastaj hyri një tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullah!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam ue rahmetullah, njëzet.” Pastaj hyri një tjetër e tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuh!” I dërguari i All-llahut tha: “Ue alejkumus-selam ue rahmetullahi ue berekatuhu, tridhjetë.”[31] Me këtë kishte për qëllim numrin e shpërblimeve, d.m.th. sa më i plotë të jetë selami, aq më i madh është shpërblimi.

 

  1. Largimi nga përshëndetjet josheriatike

 Si p.sh. ‘mirëmbrëma’, mirëmëngjesi’, apo përshëndetjet e huaja, si ‘Hi’, ‘Bonjour’, ‘Bonsoir’, ‘Ciao’, ‘Heil Hitler’, e përshëndetje të tjera në të cilat ka përngjasim me jomyslimanët.

 

  1. Të fillosh me selam para bisedës

 Nuk duhet të flasësh me dikë para se ta përshëndesësh me selam, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Selami bëhet para pyetjes. Kush ju pyet diçka para se t’ju përshëndesë me selam, mos i ktheni përgjigje.”[32]

 

  1. Shtrëngimi i dorës gjatë përshëndetjes dhe dhënia e selamit

 Kur ta takosh vëllanë tënd mysliman, përshëndete me selam dhe shtrëngoja dorën njëkohësisht, ngase kjo e shton dashurinë mes jush.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dy myslimanë takohen dhe përshëndeten duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit, u shlyhen mëkatet para se të ndahen.”[33] Po ashtu ka thënë: “Kur besimtari e takon besimtarin dhe e përshëndet me selam duke e kapur për dore, atyre u bien gjynahet sikurse bien gjethet e pemës.”[34]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është pyetur: “O i dërguari i All-llahut! Kur ndonjëri prej nesh takohet me vëllanë a mikun e vet, a bën t’i përkulet atij? “Jo” – tha i dërguari i All-llahut. A bën ta merr ngrykë e ta puthë? – u pyet përsëri. “Jo” – tha i dërguari i All-llahut. A bën ta përshëndesë duke i shtrënguar dorën? “Po” – tha i dërguari i All-llahut.”[35]

 

  1. Përsëritja e selamit tri herë, e sidomos kur njeriu nuk dëgjon

 Kjo, ngase: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur jipte selam, jipte tri herë, dhe kur fliste, e përsëriste tri herë.”[36] Kjo vlen sidomos kur njeriu të cilit i drejtohesh është larg.

 

  1. Fytyrëqeshja

 Përpiqu që kur ta përshëndesësh vëllanë tënd me selam, njëkohësisht të jesh fytyrëqeshur, ngase kjo e shton dashurinë mes jush dhe të mundëson të fitosh sadeka të shumta. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Buzëqeshja me vëllanë tënd është sadeka për ty…”[37]

 

  1. Përshëndetja me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh

 Jipi selam edhe atij që e njeh, por edhe atij që nuk e njeh… Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se një njeri e ka pyetur Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Cili është Islami më i mirë?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “T’i ushqesh nevojtarët, t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.”[38]

 

      12.Mosfillimi i përshëndetjes me selam ndaj jomyslimanëve

 Kjo është një gjë të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar dhe ka thënë: “Mos filloni të parët t’i përshëndetni me selam hebrenjtë dhe të krishterët. E kur ta takoni ndonjërin prej tyre, detyroni ata që tu përmbahen skajeve të ngushta të rrugës.”[39]

Me këtë hadith nuk është për qëllim që të sillemi keq dhe me arrogancë ndaj tyre, por ajo që duhet bërë është të sillemi mirë me ta që t’i ftojmë në këtë fe madhështore, ndërsa njëkohësisht myslimani medoemos duhet të jetë krenar me fenë e vet.

 

  1. Kthimi i përshëndetjes së jomyslimanëve me fjalën: ‘Ve alejkum’

 Njëherë disa hebrenj kaluan pranë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i thanë: ‘Es-samu alejkum’ (vdekja qoftë për ty), ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u tha: ‘Ve alejkum…”[40] Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur t’ju përshëndesin hebrenjtë, thonë: Es-samu alejkum’ (vdekja qoftë për juve), ndërsa ju thuani: “Ve alejkum.”[41]

 

  1. Nëse kalon pranë një grupi njerëzish myslimanë dhe mushrikë, jip selam

 Me këtë rast lejohet përshëndetja me selam me nijet që ajo përshëndetje t’u shkojë myslimanëve, ngase përshëndetja me selam është një hak prej haqeve që myslimani e ka ndaj myslimanit.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kaloi pranë një grupi ku kishte myslimanë dhe hebrenj, dhe i përshëndeti me selam.”[42]

 

  1. Kthimi i selamit është vaxhib

 Kur një mysliman të pëshëndet me selam, ti e ke obligim t’ia kthesh selamin, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Myslimani ndaj myslimanit ka pesë obligime: Kthimi i selamit (përshëndetjes), vizitimi i të sëmurit, pasimi i xhenazes (deri në varr), përgjigjia ndaj ftesës së tij dhe të thënit ‘jerhamukellah’ atij që teshtinë (dhe thotë ‘el-hamdu lil-lah).”[43] Ndërsa obligimi i grupit hiqet nëse vetëm njëri prej tyre e kthen selamin, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kur grupi kalon pranë dikujt, obligimi hiqet nëse vetëm njëri prej tyre përshëndet me selam. Po ashtu kur dikush e përshëndet grupin me selam, obligimi hiqet nëse vetëm njëri prej tyre e kthen selamin.”[44]

 

  1. Kthimi i selamit në mënyrë më të mirë ose të njëjtë

 All-llahu i Madhërishëm thotë: Kush përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu.”[45] Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma e kthente selamin me më shumë fjalë se sa e pranonte. Nëse dikush e përshëndeste me fjalët: Es-selamu alejkum, ai ia kthente: Ue alejkumus-selam ue rahmetullah. E nëse dikush e përshëndeste me fjalët: Es-selamu alejkum ue rahmetullah, ai ia kthente: Ue alejkumus-selam ue rahmetullahi ue berekatuhu. E nëse dikush e përshëndeste me fjalët: Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, ai ia kthente: Ue alejkumus-selam ue rahmetullahi ue berekatuhu ue magfiretuhu.

 

  1. Mosngjasimi me jomyslimanët në përshëndetje

 Përshëndetja me gishta apo me pëllëmbë ashtu siç bëjnë disa myslimanë është e papëlqyeshme, ngase kjo është përngjasim me jomyslimanët.

Përshëndetja me shenjë nuk lejohet përveç në raste të domosdoshme, si p.sh. nëse ai të cilin e përshëndet gjendet larg teje. Prandaj në këtë rast, ti duhet ta përshëndesësh atë me shenjë dhe duke e shprehur selamin me gojë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar përshëndetjen me gishta apo pëllëmbë, dhe ka thënë: Nuk është prej nesh ai i cili i ngjason të huajit, mos u ngjasoni hebrenjve dhe të krishterëve. Përshëndetja e hebrenjve është shenja me gishta, ndërsa përshëndetja e të krishterëve është shenja me duar.”[46] Po ashtu ka thënë: “Përshëndetja me një gisht është veprimi hebrenjve.”[47]

 

  1. Shmangia nga përshëndetja e të vdekurve

 Përshëndetja e të vdekurve është: ‘Alejkes-selam, o filan’, ndërsa ajo që duhet thënë është: ‘Es-selamu alejke, o filan’.

Një herë një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: Alejkes-selam, o i dërguari i All-llahut! E Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Mos thuaj ‘Alejkes-selam’, ngase ‘Alejkes-selam’ është përshëndetje e të vdekurve.”[48]

 

  1. Nëse një njeri përshëndet, obligimi i grupit hiqet

Nëse një grup kalon pranë një njeriu, mjafton që vetëm njëri prej tyre të përshëndesë me selam. I dërguari i All-llahut ka thënë “Kur grupi kalon pranë dikujt, obligimi hiqet nëse vetëm njëri prej tyre përshëndet me selam. Po ashtu kur dikush e përshëndet grupin me selam, obligimi hiqet nëse vetëm njëri prej tyre e kthen selamin.”[49]

 

  1. Kur të hysh në shtëpi, përshëndeti familjarët

 Myslimani kur hyn në shtëpi, duhet t’i përshëndesë njerëzit e shtëpisë. E nëse nuk ka kush në shtëpi, e përshëndetë veten me selam. All-llahu i Madhërishëm thotë: Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga All-llahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme.”[50]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem Enes ibën Malikut radijAll-llahu anhu i ka thënë: “O bir, kur të hysh në shtëpi, përshëndet me selam, kështu që përshëndetja yte me selam është bereqet për ty dhe familjen tënde.”[51]

 

  1. Përshëndetjen me selam i pari e fillon i vogli, pakica dhe ai që është hipur në mjet udhëtimi

 Nëse një njeri takohet me më shumë njerëz, atëherë ai duhet filluar i pari me përshëndetjen e tyre. Po ashtu një grup më i vogël kur takohet me një grup më të madh, grupi më i vogël duhet përshëndetur më të madhin. Kur një i vogël takohet me një më të moshuar se vetja, atëherë më i vogli e fillon përshëndetjen e pari. Nëse një njeri që është hipur në një mjet udhëtimi takohet me dikë që ecë në këmbë, atëherë ai që është hipur fillon i pari me përshëndetje. Ai që është duke ecur duhet dhënë selamin i pari atij që është duke qëndruar në këmbë, ndërsa ai që është duke qëndruar në këmbë, duhet përshëndetur i pari atë që është ulur. Po ashtu ai që ishtë hipur në veturë apo biçikletë duhet filluar i pari me selam ndaj atij që është duke ecur apo ulur. Të gjitha këto që i përmendëm, janë urdhra të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë: “Ai që është hipur duhet ta përshëndesë atë që ecë, e ai që ecë e përshëndet atë që është ulur dhe grupi i vogël e përshëndet grupin e madh. Ai që e kthen selamin (prej grupit), do të shpërbëlehet, e ai që nuk e kthen, nuk shpërblehet.”[52] Po ashtu ka thënë: “I vogli le të përshëndesë të madhin, ai që ecë le të përshëndesë atë që është ulur dhe grupi i vogël le të përshëndesë grupin e madh.”[53] Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ai që është hipur le të përshëndesë atë që është duke ecur, ai që është duke ecur le të përshëndesë atë që është duke qëndruar në këmbë dhe grupi i vogël le të përshëndesë grupin e madh.”[54] Po ashtu, nëse një njeri i moshuar kalon pranë një grupi fëmijësh, duhet që ai të fillojë fillA TË HYJojë i pari me përshëndetje. Nëse ai që është hipur në mjet udhëtimi është i moshuar ndërsa ai që është duke ecur, i vogël, atëherë ai që është hipur fillon i pari me përshëndetje. Po ashtu nëse ai që është duke ecur është më i moshuar sesa ai që është ulur, atëherë ai që është duke ecur duhet filluar i pari me përshëndetje ndaj atij që është ulur.

 

  1. Përshëndetja me selam me zë të ulët nëse hyn te dikush që është në gjumë

 Kjo duhet bërë për të mos i shqetësuar ata që janë në gjumë dhe në të njëjtën kohë nuk i lë pa përshëndetur ata që janë zgjuar. Kështu vepronte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Në një transmetim qëndron se “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur hynte diku natën, përshëndeste me selam në atë mënyrë saqë nuk e zgjonte atë që ishte në gjumë, e ai që ishte zgjuar e dëgjonte përshëndetjen.”[55]

 

  1. Mospërshëndetja me selam atë që është duke kryer nevojë fiziologjike

 Përshëndetjen e atij që është duke kryer nevojë fiziologjike duhet braktisur, si dhe këtij të fundit nuk i lejohet ta kthejë përshëndetjen në rast se përshëndetet nga dikush, ngase në një rast një njeri e përshëndeti me selam Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë nevojës fiziologjike, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ia ktheu përshëndetjen, e pastaj i tha: “Unë nuk parapëlqej të përmend All-llahun e Madhërishëm përveç duke qenë në gjendje të pastër (me avdes).”[56]

 

  1. Përsëritja e selamit nëse ty dhe dikë tjetër ju ndanë ndonjë gjësend

 Nëse je duke ecur bashkë me vëllanë tënd dhe ju ndanë ndonjë automjet, pemë apo mur, atëherë duhet përshëndetur atë përsëri. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nëse dy vëllezër myslimanë janë duke ecur bashkë dhe i ndanë ndonjë pemë, gur apo mur, le ta përshëndesë përsëri me selam.”[57]

 

  1. Preferohet përcjellja e selamit nga një person te tjetri

 Kjo gjë bëhet shkak për zbutjen e zemrave të myslimanëve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë i tha Aishesë radijAll-llahu anha: “Ke përshëndetje nga Xhibrili.”[58], ndërsa ajo tha: Ue alejhis-selam ue rahmetullah.

Në një rast tjetër, një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: Prano përshëndetjet nga babai im, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ktheu: “Përshëndetjet qofshin për ty dhe babain tënd.”[59]

 

  1. Përshëndetja me selam gjatë hyrjes dhe daljes nga ndeja

 

Nëse hyn në ndonjë ndejë duhet të përshëndesësh me selam. Po ashtu nëse del nga ndeja, duhet të përshëndesësh me selam. E nëse kthehesh përsëri në të njëjtën ndejë, atëherë përsëri përshëndet me selam, ngase kjo gjë e shton dashurinë mes myslimanëve.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nëse dikush prej juve hyn në ndonjë ndejë, le t’i përshëndesë të pranishmit me selam dhe pastaj nëse dëshiron të ulet aty le të ulet. E nëse ngrihet dhe dëshiron të dalë prej ndejës, le t’i përshëndesë prapë me selam. Selami i parë nuk është më i vlefshëm se i fundit.”[60]

 

  1. Mos u hidhëro nëse askush nuk ta kthen selamin

 Nëse askush nuk ta kthen selamin, mos u hidhëro, ngase selamin ta kthejnë melaiket. I dërguari i All-llahut ka thënë: “Es-Selam, është emër prej emrave të All-llahut, të cilin All-llahu e vendosi në tokë, andaj përhapeni selamin mes jush. Kur një njeri i përshëndet të pranishmit dhe ata ia kthejnë selamin, ai ka një shkallë më të lartë se ata në shpërblim ngase ua përkujtoi selamin. E nëse askush nuk ia kthen selamin, atëherë selamin ia kthejnë ata që janë më të mirë dhe më të pastër se ata (d.m.th. melaiket).”[61]

[1] Kaptina El-Hashr, ajeti 23.

[2] Kaptina El-En’am, ajeti 127.

[3] Shënon Buhariu në Edebul-Mufred, nga Enesi radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1635) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Shënon Buhariu në Sahihun  e tij dhe në Edebul-Mufred (1007). Po ashtu e shënojnë Muslimi, Ahmedi, Tirmidhiu e të tjerë.

[5] Kaptina Junus, ajeti 10.

[6] Kaptina Err-Rra’d, ajetet 23-24.

[7] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 73.

[8] Kaptina Edh-Dharijat, ajetet 24-25.

[9] Kaptina El-Kadr, ajeti 5.

[10] Kaptina Es-Saffat, ajeti 79.

[11] Kaptina Es-Saffat, ajeti 109.

[12] Kaptina Es-Saffat, ajeti 120.

[13] Kaptina Es-Saffat, ajeti 130.

[14] Kaptina Merjem, ajeti 15.

[15] Kaptina El-Bekare, ajeti 208.

[16] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibën Maxhe (1334). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (569) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Sahih: shënon Muslimi (54).

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (12) dhe Muslimi (39).

[19] Shënojnë Ahmedi (5/343), Ibën Hibbani (509) dhe Taberaniu (3/301). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (1232) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[20] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2689), dhe Ahmedi (19446). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (4644) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[21] Shkëputur nga libri Reudatul-Ukala’. Autor: Ibën Hibbani.

[22] Sahih: shënon Ibën Maxhe (856). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5489) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[23] Shënon Maliku në El-Muvetta’ (2/359).

[24] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibën Maxhe (1334). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (569) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[25] Sahih: shënon Muslimi (54).

[26] Sahih: shënon Tirmidhiu (3368). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5209) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[27] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5197) dhe Tirmidhiu (2694). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2011) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[28] Sahih: shënon Muslimi (2162).

[29] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5029) dhe Tirmidhiu (2721). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (790) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[30] Sahih: shënon Tirmidhiu (2694). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (4646) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[31] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2689), dhe Ahmedi (19446). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (4644) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[32] Sahih: shënon Ibn Adiu në librin e tij El-Kamil (2/303). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (816) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[33] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5212), Tirmidhiu (2727) dhe Ibën Maxhe (3703). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (525) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[34] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (1/84). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (526) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[35] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2728), Ibën Maxhe (3702) dhe Ahmedi (3/198). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (160) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[36] Sahih: shënon Buhariu (6244).

[37] Sahih: shënon Tirmidhiu (1956). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2908) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[38] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (12) dhe Muslimi (39).

[39] Sahih: shënon Muslimi (2167).

[40] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (12) dhe Muslimi (39).

[41] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6928) dhe Muslimi (2164).

[42] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6254) dhe Muslimi (1798).

[43] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1240) dhe Muslimi (2162).

[44] Sahih: shënon Ebu Davudi (5210). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8023) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[45] Kaptina En-Nisa’, ajeti 86.

[46] Sahih: shënon Tirmidhiu (2695). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2194) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[47] Sahih: shënon Ebu Ja’la (3/397). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2946) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[48] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5209) dhe Tirmidhiu (2721). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7402) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[49] Sahih: shënon Ebu Davudi (5210). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8023) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[50] Kaptina En-Nur, ajeti 61.

[51] Sahih: shënon Tirmidhiu (2698). Shejh Albani në librin e tij et-Tergibu vet-Terhib (1608) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[52] Sahih: Shënon Ahmedi (3/444). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2199) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[53] Sahih: shënon Buhariu (6231).

[54] Sahih: shënon Tirmidhiu (2705). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1150) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[55] Sahih: shënon Muslimi (2055).

[56] Sahih: shënon Ebu Davudi (17). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (834) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[57] Sahih: shënon Bejhekiu në Shuabul-Iman (6/451). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3962) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[58] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6253) dhe Muslimi (2447).

[59] Shënon Ahmedi (5/366).

[60] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5208), Tirmidhiu (2706) dhe Ahmedi (2/439). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (183) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[61] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (989). Shejh Albani në librin Tehrixh el-Edebil Mufred (764) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.