Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË PËRDORIMIN E TELEFONIT

Vëllezër të dashur,

Telefoni është një prej begative të All-llahut të Madhërishëm për njeriun. Ai njeriut i kursen shumë mund, kohë dhe pasuri, i afron distancat si dhe njeriut ia mundëson ta ngritë dëgjuesen dhe të bisedojë me një të afërm apo mik në vendin më të largët të botës, edhe atë vetëm për ca sekonda, dhe kështu merr informata për ta dhe gjendjen e tyre, i ngushëllon për vdekjen e ndonjë të afërmi të tyre, i uron për ndonjë rast gëzimi, i respekton prindërit duke pyetur për ta, apo kryen interese të rëndësishme, e madje mund të bëjë ndonjë biznes të madh, e kështu me radhë.

Pra, dobitë e telefonit janë të shumta. Mu për këtë, është një prej begative të All-llahut të Madhërishëm, për të cilën duhet falënderuar Atë. E ky falënderim nuk arrin plotësinë përveç nëse këtë begati e përdorim në suaza të rregullave dhe edukatës islame.[1]

Në vazhdim do të përmendim ca rregulla të cilat duhet pasur parasysh gjatë përdorimit të telefonit.

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

 

Myslimani duhet pasur nijetin e sinqertë kur e merr dikë në telefon. Kështu, kur i merr prindërit në telefon, duhet ta bëjë me qëllim t’i nderojë ata. Kur i merr të afërmit, duhet të ketë për qëllim ruajtjen dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore. Kur i merr vëllezërit dhe shokët, duhet të ketë për qëllim thellimin e dashurisë për hirin e All-llahut mes tij dhe vëllezërve e shokëve të tij. Dhe kësisoj, në çdo punë që bën, duhet bërë me nijet të sinqertë në mënyrë që të fitojë shpërblimet e All-llahut të Madhërishëm.

 

  1. Thirrjen ta fillojë duke përshëndetur me selam

 

Telefonuesi është në pozitën e atij që troket në derë, kështu që kur të dëgjojë se dikush e thërret, ai e ka për obligim ta përshëndesë me selam.

 

  1. Mosthirrja më shumë se tri herë

 

Cingërima e telefonit është në të njëjtin rang me cingërimën e ziles së derës apo me trokitjen e derës. Prandaj, duke pasur parasysh se prej sunnetit është që trokitja e derës nuk duhet bërë më shumë se tri herë, po ashtu edhe cingërima nuk duhet bërë më shumë se tri herë, ngase njerëzit e shtëpisë mund të shqetësohen nga cingërima e vazhdueshme e telefonit. Po ashtu, ka mundësi të mos jenë në disponim për përgjigje ndaj thirrjes, ndërsa telefonuesi akoma të vazhdojë cingërimën në telefon. Cingërima e pandërprerë e telefonit mund të shqetësojë ndonjë njeri që është në gjumë, ndonjë të sëmurë që ka nevojë për qetësi, ndonjë fëmijë të vogël, ndonjë plak të moshuar, e kështu me radhë. Ndërsa shqetësimi i myslimanit nuk është i lejuar. Prandaj, e udhës është që cingërima të mos bëhet më shumë se tri herë, përveç nëse ekziston ndonjë rast urgjent, si p.sh kur njeriu e thërret familjen apo ndonjë mik për ndihmë, apo nëse e di se zëri i telefonit është shumë i ulët, apo nëse e di se ata nuk i përgjigjen telefonatës veçse pas shumë cingërimave të telefonit, e kështu me radhë.[2]

 

  1. Mosthirrja në kohë të papërshtatshme

 

Telefonata mund të llogaritet edhe si një lloj vizite, dhe kështu, nëse vizita nuk preferohet herët në mëngjes, apo në kohën e drekës kur shumë prej njerëzve pushojnë, apo vonë në darkë, po ashtu edhe telefonata nuk preferohet në ato kohë, ngase kjo mund të shkaktojë shqetësimin e njerëzve.

 

  1. Prezantimi i telefonuesit

 

Statusi i telefonuesit është sikur i vizitorit i cili troket në derë. Pra, ashtu siç trokitësi e ka për obligim ta prezantojë veten, po ashtu edhe telefonuesi e ka të njëjtin obligim, dhe duhet thënë: Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, unë jam filan fisteku, apo: në telefon është filani, e kështu me radhë.

 

 

  1. Moszgjatja e bisedës pa nevojë

 

Kjo gjë është më shumë e zakonshme te gratë, të cilat zakonisht bëjnë muhabete të kota me shoqet e tyre. Flasin për haje, pije, rroba, çmime, zbukurime etj. Ndodh që këto biseda të zgjasim me orë të tëra. Bisedat e këtij lloji janë të padobishme dhe të panevojshme. Kjo po ashtu është ngarkesë për pronarin e telefonit kur në fund të muajit i vjen fatura me shumë të madhe për pagesë. Pa dyshim, kjo është humbje e pasurisë dhe harxhim me të cilin All-llahu nuk është  I Kënaqur. All-llahu i Madhërishëm thotë: Mos shpenzo tepër e pa rrugë. Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.”[3] Kjo po ashtu është argument se kjo grua nuk kujdeset për ruajtjen e pasurisë së burrit të saj dhe kjo nuk është prej cilësive të gruas së mirë myslimane.

Vërejtje: Ndonjë grua mund të thotë: Unë nuk jam ajo që kam marrë në telefon shoqen time, por ajo është që më ka marrë mua, kështu që harxhimet e thirrjes i ka ajo dhe burri i saj, ndërsa burri im në këtë rast s’ka kurrëfarë harxhimi.

Ndërsa si përgjigje ndaj kësaj, mund të themi: Gruaja kur lejon që shoqja e saj ta zgjasë muhabetin në këto gjëra të kota, atëherë ajo ndihmon në humbjen e pasurisë së burrit të saj, ndëra kjo llogaritet si ndihmë në mëkat e armiqësi.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.”[4]

Kjo mënyrë komunikimi, po ashtu e bllokon lidhjen telefonike për një kohë bukur të gjatë, ndërsa në ndërkohë mund të ketë ndonjë thirrje të rëndësishme për pronarin e telefonit, apo ai pret ndonjë thirrje, apo ai vetë mund të ketë nevojë për thirrje në shtëpinë e tij, kështu që e gjen lidhjen e bllokuar për një kohë të gjatë, dhe të gjitha këto me pretekst se gruaja e tij nuk qenka ajo që ka bërë thirrjen. Pra, kjo gjë ndikon në humbjen e shumë gjërave me interes, madje në disa raste mund të shpiejë edhe në probleme që mund të rezultojnë me pasoja të padëshirueshme.

 

 

  1. Përdorimi i telefonit në adhurim ndaj All-llahut

 

Çdo mysliman e ka detyrim të përdorë telefonin në adhurim ndaj All-llahut, si respekti ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe interesimi për vëllezërit, miqtë dhe fqinjët, e nuk i lejohet ta përdorë në mëkat ndaj All-llahut, si flirtimi, sharja dhe fyerja e njerëzve, tallja me ta, frikësimi i tyre me lajme të këqija e të rrejshme, e kështu me radhë.

 

  1. Mosngritja e zërit gjatë bisedës në telefon

 

Ka disa njerëz që gjatë bisedës telefonike e ngrisin zërin dhe kështu njerëzit e dëgjojnë bisedën dhe sekretet e tij, saqë ka mundësi të dëgjojnë ndonjë bisedë të veçantë dhe sekret që nuk duhet ta dëgjojnë.

Krahas kësaj që thamë, ngritja e zërit është në kundërshtim me fjalët e All-llahut: ule zërin tënd.”[5]

 

  1. Mbyllja e telefonit me rastin e hyrjes në xhami

 

Kjo për arsye se gjatë namazit mund t’i vijë ndonjë thirrje, dhe kështu zëri i telefonit i shqetëson namazfalësit apo ndikon në dekoncentrimin e atij që e ka afër vetes. Prandaj kur hyn në xhami, telefonin duhet mbyllur ose duhet ulur zërin krejtësisht.

 

  1. Ai që ka bërë thirrjen, edhe duhet përfunduar atë

 

Kur të arrihet qëllimi për të cilin është bërë telefonata, atëherë ai që ka bërë atë telefonatë, edhe duhet përfunduar të njëjtën, në mënyrën si i ka hije, si p.sh. duke përshëndetur me selam dhe gjëra të ngjashme me të. Kjo ngase ai që ka bërë telefonatën e ka statusin e vizitorit apo trokitësit në derë, dhe ai është i cili kërkon leje për të dalur nga ndeja, siç kemi përmendur te rregullat e vizitës. Arsyeja tjetër është se pronarit të shtëpisë nuk i ka hije të kërkojë nga vizitori të shkojë, ngase kjo llogaritet sikur e ka përzërë mysafirin nga shtëpia. E njëjta vlen edhe për telefonatën, kështu që ai që ka bërë telefonatën është e udhës ta përfundojë të njëjtën, kështu që statusi i tij është sikur i vizitorit, i cili duhet kërkuar leje për t’u ndarë nga ndeja. Kjo po ashtu bëhet edhe me qëllim që të mos ndihet keq kur tjetri ia mbyll lidhjen telefonike.

 

[1] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 837. Autor: Abdul-Aziz Neda.

[2] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 839.

[3] Kaptina El-Isra’, ajetet 26-27.

[4] Kaptina El-Maide, ajeti 2.

[5] Kaptina Lukman, ajeti 19.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.