Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË KOMUNIKIMIT ME NJERËZIT

Vëllezër të dashur,

Komunikim do të thotë biseda që zhvillohet mes teje dhe një personi tjetër, qoftë konstruktive apo jokonstruktive. Besimtari i vërtetë është ai që shquhet për komunikim të mirë me të tjerët. All-llahu i Madhërishëm e ka begatuar pejgamberin e Tij, Davudin alejhis-selam, duke i dhënë mençuri dhe aftësi komunikimi. All-llahu i Madhërishëm thotë: I dhamë mençuri dhe aftësi në komunikim.”[1]

Mjeti për komunikim ëshë gjuha. Ajo është një organ që mund të sjell dobi dhe dëm. Nëse njeriu e përdor në hair dhe mirësi, atëherë është mjet për lumturinë e tij në dynja dhe ahiret… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush ma garanton atë që ka mes dy nofullave dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë ia garantoj xhennetin.”[2] Po ashtu ka thënë: “Kush hesht, ka shpëtuar.”[3] Ndërsa në lidhje me cilësitë e besimtarëve të shpëtuar, All-llahu i Madhërishëm thotë: Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin”[4] Pra, shmangia nga fjala a puna e kotë është përmendur mes dy farzeve prej farzeve të islamit: namazit dhe zeqatit.

Por nëse njeriu e përdor gjuhën në sherr dhe të keqe, atëherë ajo është mjet për mjerimin e tij në dynja dhe ahiret. Prandaj, në pyetjen e Muadh ibën Xhebelit radijAll-llahu anhu: “O i Dërguar i All-llahut! A do të merremi në përgjegjësi për atë që flasim?!” drejtuar Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ky i fundit iu përgjigj: “Mos të pastë nëna, o Mua’dh! Po a i përmbytë njerëzit në zjarrin e xhehenemit gjë tjetër përveç të korrave (pasojave) të gjuhëve të tyre?!”[5]

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Njeriu flet një fjalë pa i kushtuar rëndësi, por për shkak të saj hidhet në zjarr më larg se distanca mes lindjes dhe perëndimit.”[6] Kjo është kështu jo për diçka tjetër, por vetëm për shkak të rëndësisë së komunikimit me gjuhë. Çdo gjë që thua, qoftë hair apo sherr, regjistrohet në regjistrin e veprave të tua.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.”[7] Po ashtu, mëkatarët në ditën e kiametit, kur t’i marrin librat dhe regjistrat e tyre, do të habiten e do të thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?!”[8]

Vëlla i dashur! A pajtohesh që libri yt në ditën e kiametit të jetë i mbushur me thashetheme dhe fjalë të kota. A pajtohesh që ta nxish atë me përgojim të besimtarëve dhe besimtareve.

Të folurit e tepruar është shkak për zgjatjen e llogaridhënies dhe shumimin e gabimeve. Me shtimin e gabimeve, shtohen edhe mëkatet. E kujt i shtohen mëkatet, më shumë e meriton zjarrin.

Më e mira për ty është që librin ta mbushësh me përmendje të All-llahut, tesbih, tehlil dhe tekbir, në mënyrë që të arrish shpërblim të madh… “shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”[9] Me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, ngriten shkallët, shlyhen gabimet dhe falen mëkatet, Zoti i tokës dhe i qiejve të përmend te paria e qiellit…Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[10] All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij...”[11]

Mbushe librin tënd me istigfar. Lum për atë që në librin e vet gjen istigfar të shumtë. Istigfari sjell rizkun dhe i largon fatkeqësitë.[12]

 

 

 

 

RREGULLAT E KOMUNIKIMIT

 

Në vazhdim po përmendim disa rregulla që myslimani duhet përvetësuar gjatë komunikimit me të tjerët:

 

         1.T’u drejtohesh njerëzve me aq sa kanë kapacitet mendor

 

Këtë e bazojmë në hadithin: “Drejtojuni njerëzve me aq sa dinë. A dëshironi që All-llahu dhe i dërguari i Tij të përgënjeshtrohen?”[13] Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sa herë që ti i flet një grupi nejrëzish diçka që nuk ua kap mendja, kjo për disa prej tyre do të jetë fitne (sprovë).”[14]

Njerëzit nuk janë të një kategorie, por të kategorive të ndryshme. Prej tyre ka të ditur, të paditur, të logjikshëm, të palogjikshëm, e kështu me radhë. E, i mençur është ai që çdonjërës prej këtyre kategorive u drejtohet sipas diturisë dhe logjikës që kanë.

 

  1. Qartësia në shprehje

 

Kjo bëhet me qëllim që tjetri të kuptojë qëllimin tënd. All-llahu i Madhërishëm thotë: “I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë.”[15] Komunikim i qartë është ai që është i kuptueshëm.

Traditë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë qartësia në shprehje. Ai sahabëve të tij u jepte këshilla madhështore, prej të cilave zemra dridhej dhe syri lotonte, por megjithatë, ato ishin në kulmin e qartësisë dhe thjeshtësisë. Si të tilla mund të përmendim fjalët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, si: “Kush hesht, ka shpëtuar.”[16], apo “Fjala e mirë është sadeka.”[17], apo Buzëqeshja me vëllanë tënd është sadeka për ty.”[18]

 

  1. Përsëritja e shprehjes

 

Kjo bëhet nëse ai, të cilit i drejtohesh, ka nevojë për përsëritjen e fjalëve në mënyrë që ta kuptojë qëllimin tënd. Kësisoj vepronte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me sahabët e tij. Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur thoshte diçka, shpesh e përsëriste tri herë që të kuptohet sa më mirë.

 

  1. Tërheqja e vëmendjes së atij të cilit i drejtohesh

 

Kjo bëhet me qëllim që të jetë i përqendruar në fjalët që po i thua, në mënyrë që të përfitojë prej tyre. Kjo mund të bëhet në disa mënyra, si:

 

Parashtrim të pyetjes

Kur’ani famëmadh është i mbushur me këtë lloj elementi. Sa për ilustrim, po përmendim ajetin: Thuaj: A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?”[19] Pas kësaj pyetjeje, dëgjuesi përqendrohet në dëgjimin e përgjigjes dhe bëhet kureshtar për të dëgjuar se kush janë më të dëshpëruarit në veprat e tyre. All-llahu i Madhërishëm menjëherë në ajetin e radhës thotë: “Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë duke bërë mirë.”[20] I këtillë është edhe ajeti: “A t’ju tregoj unë se kujt i vijnë djajtë?”[21] Kështu, dëgjuesi përqendrohet në dëgjimin e përgjigjes dhe bëhet kureshtar për të dëgjuar se kujt i vijnë djajtë në mënyrë që të mbrohet prej tyre. All-llahu i Madhërishëm menjëherë në ajetin e radhës thotë: “Ata i vijnë çdo gënjeshtari e mëkatari.”[22]

 

Tërheqeje të vëmendjes duke sqaruar shpërblimin apo ndëshkimin

Si shembull për këtë lloj po përmendim fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Tre njerëzve All-llahu nuk ua refuzon lutjen.” (sahabët), duke qenë kureshtarë për të ditur se kush janë ata, thanë: “Kush janë ata, o i dërguari i All-llahut?” Ai u përgjigj: “Ai që shumë e përmend All-llahun, i dëmtuari dhe udhëheqësi i drejtë.”[23] Kësisoj është edhe hadithi: “Tre njerëz nuk hyjnë në xhennet.” (sahabët), duke qenë kureshtarë për të ditur se kush janë ata, thanë: “Kush janë ata, o i dërguari i All-llahut?” Ai u përgjigj: Dejjuthi,[24] gratë që u ngjajnë burrave dhe konsumuesi i alkoolit.”[25]

 

Kërkimi i heshtjes së dëgjuesve

Këtë lloj të tërheqjes së vëmendjes së dëgjuesit e hasim në hadithin që na përcillet nga Xherir ibën Abdullah El-Bexheliu radijAll-llahu anhu, i cili ka thënë: “Në haxhin lamtumirës, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem më tha: Kërko prej njerëzve të heshtin pakëz…, e pasi heshtën, iu drejtua me fjalët: Pas meje (pasi të vdes unë) mos u ktheni në qafira, e t’ia hiqni qafat njëri-tjetrit.”[26]

 

  1. Ai që flet, të mos e lavdërojë veten

 

Këtë e bazojmë në fjalën e All-llahut: Pra mos e lavdëroni veten.”[27] Po ashtu në ajetin tjetër: “A nuk ke kuptuar për ata që vlerësojnë vetveten? Jo, All-llahu vlerëson atë që do dhe nuk bën padrejtë asnjë fije.”[28] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar t’i qortojmë dhe ndalojmë lavdëruesit nga lavdërimi i pavend. Një njeri në praninë e të dërguarit të All-llahut e lavdëroi një njeri tjetër, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “I mjeri ti, ia theve qafën shokut tënd.” dhe këtë fjalë e përsëriti disa herë me radhë, e pastaj tha: Nëse ndonjëri prej jush e lavdëron dikë, le të thotë: Unë për filanin mendoj kështu e kështu, (dhe e shpreh mendimin e vet për të), por All-llahu e di më së miri për të, dhe nuk e lavdëroj askënd para All-llahut.”[29]

E nëse paraqitet nevoja për një gjë të tillë, pra për të lavdëruar veten, atëherë kjo duhet bërë vetëm aq sa ka nevojë, siç tha Jusufi alejhis-selam për veten e tij: “Unë jam besnik i dijshëm.”[30]

 

         5.Fjalët t’i përshtaten rastit

 

Fjala e urtë thotë: “Sipas vendit bëhet kuvendi”. Prandaj mos shko në përcjellje të ndonjë xhenazeje apo në ngushëllime për të vdekurin e të thuash: Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.”[31], duke lënë anash fjalën e të dërguarit të All-llahut: “Shpeshtojeni përkujtimin e shkatërruesit të kënaqësive.” Thanë: “Kush është shkatërruesi i kënaqësive?” I dërguari i All-llahut tha: “Vdekja.”[32]

Po ashtu mos shko në dasëm e të thuash: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim.”[33], duke e lënë anash fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Gruaja martohet për njërën prej katër gjërave: Për bukurinë e saj, për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj dhe për fenë e saj. Përcaktohu për atë që është fetare, përndryshe mbetesh përdhé.[34]

 

  1. Kujdesi ndaj kohëve dhe vendeve të vlefshme

 

Kështu p.sh. kur është muaji Ramazan dhe dikush dëshiron të flasë diçka, atëherë më e udhës do të ishte të fliste në lidhje me kohën aktuale në të cilën gjendet, kështu që flet për vlerën e agjërimit. Ose kur është muaji Dhul-Ka’de apo Dhul-Hixhe, atëherë flet për shpërblimin e haxhit, kushtet dhe pjesët përbërëse të tij, e kështu me radhë.

 

  1. Ulja dhe mosngritja e zërit përveç kur e kërkon nevoja

 

All-llahu i Madhërishëm i përmend porositë e Lukman Hakimit kur e këshilloi të birin e vet, dhe thotë: Ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.”[35] Ibën Kethiri thotë: “Ky ajet ka për qëllim: mos e tepro në të folur dhe mos e ngrit zërin në diçka që nuk ka dobi në të.

 

  1. Të mos publikosh shprehje të këqija

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu nuk e do publikimin e shprehjeve të këqija përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtësi.”[36] Kjo ngase publikimi i shprehjeve të këqija e ndihmon përhapjen e tyre, madje edhe ndihmon në përhapjen e paturpësisë.

 

  1. Të mos shpeshtosh debatin dhe polemikën

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në pjesën e poshtme të xhennetit atij njeriu që e braktis polemikën edhe nëse është në të drejtë…”[37] Muslim ibën Jesari thotë: “Kini kujdes nga polemika, ngase ajo është momenti i injorancës së dijetarit dhe aty shejtani e pret gabimin e tij.”

Prej këshillave që Lukman Hakimi ia dha të birit të tij ishte edhe kjo: “O biri im, mos kërko diturinë që të krenohesh para dijetarëve, të polemizosh me mendjelehtët apo të tregohesh mendjemadh ndaj njerëzve që i ke pranë.”[38]

  1. Mos u bëj kryelartë gjatë komunikimit me njerëzit

Gjatë komunikimit me njerëzit, bëhu modest dhe i butë. Modestia, përgjithësisht është prej virtyteve të larta morale dhe cilësive të mira. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu më ka shpallur mua (duke më thënë) që askush të mos krenohet para tjetrit dhe askush të mos armiqësohet me tjetrin…” Po ashtu ka thënë: Nuk ndodh që dikush të jetë modest për hirin e All-llahut e All-llahu të mos e ngritë.”[39]

I dërguari i All-llahut në shkresat e tij drejtuar udhëheqësve dhe mbretërve nuk është treguar kryelartë, por modest. P.sh. në letrën që i dërgoi Herakliut, qëndron: Në emër të All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit. Nga Muhammedi, robi dhe i dërguari i All-llahut, për Herakliun, të madhin e bizantinëve…”[40] Pra, nuk shkroi: “Nga i dërguari për njerëzimin”, apo “Nga kreu i të dërguarve”, por shkroi “Nga Muhammedi, robi dhe i dërguari i All-llahut…”

Po ashtu e kemi rastin e Sulejmanit alejhis-selam, i cili ishte edhe mbret edhe pejgamber, dhe të cilit All-llahu i kishte dhënë pushtet që nuk e kishte pasur dhe nuk e ka askush tjetër veç tij. Megjithatë, në shkresën që ia dërgoi Belkisës, mbretëreshës së Sebeit, shkroi: Kjo është prej Sulejmanit (mandej e hapi, kur qe, në të) “Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!” (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim!)”[41]

 

  1. Përdorimi i fjalëve të buta me anë të të cilave arrihet synimi

 

Ai që flet, duhet zgjedhur fjalë të buta, të cilat shpiejnë deri te qëllimi i dëshiruar. Nëse një punë bëhet me butësi, hijeshohet. Por nëse bëhet me dhunë, shëmtohet. Fjala e mirë ndjell lumturinë dhe mirësinë, ndërsa fjala e keqe ndjell brengën e mërzinë… Prandaj, nuk është e njëjtë nëse një njeriu, që është i martuar me dy gra, i thua: Ku është gruaja jote e vjetër, ose nëse i thua: Ku është Ummu Filani (nëna e filanit, duke i përmendur emrin e fëmijës së saj). Ose, nuk është e njëjtë nëse dëshiron që dikë ta ftosh për ushqim në shtëpinë tënde dhe t’i thuash: Eja në shtëpinë time të të jap të hash, ose t’i thuash: A do të më nderosh duke ardhur tek unë në ushqim? Ose shembulli tjetër kur dikush të fton në dasmën e tij, t’i thuash: Nuk vij, ose t’i thuash: Kërkoj ndjesë për pamundësinë time për të ardhur për shkak të kësaj e kësaj gjëje, e kështu me radhë.

Po ashtu, nëse një njeri e kërkon dorën e një gruaje, ndërsa ajo ka vendosur ta refuzojë, nuk është e njëjtë nëse i thotë: Je i refuzuar, apo nuk je i preferuar për mua, dhe t’i thotë: Unë të pashë ty, dhe mendoj se ti ke nevojë për një grua që është më e vlefshme se unë…

 

  1. T’i drejtohesh tjetrit me emrin më të dashur për të

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq.”[42]

All-llahu i Madhërishëm na ka ndaluar që njëri-tjetrit t’i drejtohemi me llagape të shëmtuara, ngase kjo gjë është shthurje. A nuk e sheh, biri im, se melaiket kur e ngritin shpirtin e mirë të besimtarit pasi të vdesë, kur kalojnë pranë melaikeve të tjera dhe pyeten se kush është ky shpirt i mirë, ata përgjigjen: Ky është filani, i biri i filanit, duke e përmendur me emrin më të dashur të tij që ka pasur në dynja.

 

  1. Të mos i prijë më të moshuarit në të folur

 

Kjo është prej edukatës islame ngase i moshuari e meriton nderin dhe respektin. Prandaj kur Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i pyeti sahabët: Vërtet, është një pemë së cilës nuk i bien gjethet dhe, vërtet, ajo është tamam si muslimani. Më thoni pra, cila është ajo?” Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma, i cili asokohe ishte i vogël dhe ishte në mesin e sahabëve, thotë:Atëherë njerëzit e pranishëm filluan të mendojnë për pemët në shkretëtira. Mua më erdhi në mendje palma e hurmës, por pata turp (të përgjigjesha).” Pastaj pyetën: “Na thuaj cila është ajo, o i dërguari i All-llahut?” Ai u përgjigj: “Ajo është palma e hurmës.”[43]

Ndërsa Muslimi na përcjellë nga Semure ibën Xhundubi radijAll-llahu anhu, i cili thotë: “Në kohën e të dërguarit të All-llahut isha i vogël në moshë, dhe mësoja nga i dërguari i All-llahut, por ajo që më ndalonte të flisja para tij ishte prania e më të moshuarve se unë.”

  1. Injorimi i arrogantit

 

Zejd ibën Su’ne erdhi tek i dërguari i All-llahut, në kohën kur akoma nuk kishte kaluar në islam, për të kërkuar borxhin që i kishte dhënë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e kapi për petkun e tij dhe me ashpërsi i tha: “Ju, familja e Abdul-Muttalibit nuk jeni korrekt në kthimin e borxhit.” Omer ibn Hatabi radijAll-llahu anhu, i zemëruar nga kjo sjellje, i thotë Zejdit: “O armik i All-llahut, si flet e sillesh me të dërguarin e All-llahut në këtë mënyrë?! Pasha Atë që e ka dërguar me të vërtetën, po të mos kisha frikë se e humbas xhennetin, do të ta kisha këputur kokën me shpatë!” Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po shikonte i buzëqeshur nga Omeri dhe i tha: “O Omer, në vend të kësaj, duhej të na jepje ndonjë këshillë të sinqertë! Më mirë do të ishte të kërkoje prej meje t’ia kthej borxhin dhe të kërkosh prej tij ta kërkojë hakun e vet më mirë dhe më butë.” Pastaj, iu drejtua Zejdit duke i thënë: “Kanë mbetur edhe tri ditë kohë deri në mbarimin e afatit për shlyerjen e borxhit.” Pastaj, urdhëroi që t’i kthehet borxhi dhe t’i jepet njëzet saë (masë peshe) më shumë, si kompensim për reagimin kërcënues të Omerit ndaj tij.[44]

 

[1] Kaptina Sad, ajeti 20.

[2] Sahih: shënon Buhariu (6474).

[3] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2501) dhe Ahmedi (2/159). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (536) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Kaptina El-Mu’minun, ajetet 1-4.

[5] Sahih: shënon Tirmidhiu (2616). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen et-Tirmidhi (2540) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6477) dhe Muslimi (2988).

[7] Kaptina Kaf, ajeti 18.

[8] Kaptina El-Kehf, ajeti 49.

[9] Kaptina El-Ehzab, ajeti 35.

[10] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.

[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

[12] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 425-426. Autor: Prof. Muhammed Buhajri.

[13] Sahih: shënon Buhariu (127).

[14] Sahih: shënon Buhariu (1/92).

[15] Kaptina En-Nur, ajeti 54.

[16] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2501) dhe Ahmedi (2/159). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (536) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2891) dhe Muslimi (1009).

[18] Sahih: shënon Tirmidhiu (1956). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2908) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] Kaptina El-Kehf, ajeti 103.

[20] Kaptina El-Kehf, ajeti 104.

[21] Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 221.

[22] Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 222.

[23] Hasen: shënon Bejhekiu në Shuabul-Iman (6/11). Shejh Albani në librin e Es-Silsiletus-Sahiha (1211) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[24] Dejjuth: Njeri që nuk kujdeset për moralin (nderin) e familjes së tij. (shën. përkth.)

[25] Sahih: shënon Ahmedi (6180). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3062) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (121) dhe Muslimi (65).

[27] Kaptina En-Nexhm, ajeti 32.

[28] Kaptina En-Nisa’, ajeti 49.

[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6061) dhe Muslimi (3000).

[30] Kaptina Jusuf, ajeti 55.

[31] Kaptina Err-Rrum, ajeti 21.

[32] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2307), Nesaiu (1824), Ibën Maxhe (4258) dhe Ahmedi (2/292). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1210) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[33] Kaptina El-Bekare, ajeti 229.

[34] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5090) dhe Muslimi (1466).

[35] Kaptina Lukman, ajeti 19.

[36] Kaptina En-Nisa’, ajeti 148.

[37] Sahih: shënon Ebu Davudi (4800). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (273) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[38] Shënojnë Ibën Ebi Dunja në librin e tij Es-Samt (125), Ahmedi në librin e tij Ez-Zuhd (37) dhe Ebu Nuajmi në librin e tij Hiljetul-Evlija’ (2/294).

[39] Sahih: shënon Muslimi (2588).

[40] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7) dhe Muslimi (1773).

[41] Kaptina En-Neml, ajeti 30.

[42] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 11.

[43] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (61) dhe Muslimi (2811).

[44] Shënon Taberaniu me sened transmetuesish autentikë. Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, me pak ndërhyrje.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.