Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA DHE RREGULLAT E GJUHËS

Vëllezër të dashur,

Gjuha është njëri prej organeve më të rrezikshme të njeriut… Ajo është një begati madhështore, nëpërmjet së cilës njeriu mund të arrijë shkallët më të larta të xhennetit. Por njëkohësisht, nëse njeriu nuk e ruan atë, atëherë mund të bëhet shkak për të arritur në shkallët më të poshtra të zjarrit.

Njeriu, me një fjalë të vetme, mund të hyjë në fenë e All-llahut, por edhe me një fjalë të vetme mund të dalë nga ajo. Po ashtu me një fjalë të vetme mund t’i zbusë zemrat dhe me një fjalë të vetme mund të shkaktojë luftra. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka tërhequr vërejtjen nga të metat e gjuhës dhe na ka nxitur që gjuhën ta shfrytëzojmë në adhurim të All-llahut të Madhërishëm.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Ndonjëri prej jush flet një fjalë që e kënaqë All-llahun, pa menduar shumë se ku mund ta çojë ajo fjalë. Nëpërmjet kësaj fjale All-llahu shkruan për të kënaqësitë e Tij deri në ditën e kiametit. Po ashtu, ndonjëri prej jush flet një fjalë që e zemëron All-llahun, pa menduar shumë se ku mund ta çojë ajo fjalë. Nëpërmjet kësaj fjale All-llahu shkruan për të zemërimin e Tij deri në ditën kur ta takojë Atë.”[1]

Nga Ukbe ibën Amiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Thashë: O i dërguari i All-llahut! Si ta gjej shpëtimin? Më tha: Ruaje gjuhën, le të të mjaftojë shtëpia jote (mos u merr me të tjerët) dhe qaj për mëkatet e tua.”[2]

Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk drejtohet imani i një robi derisa të drejtohet zemra e tij; nuk drejtohet zemra e tij derisa të drejtohet gjuha e tij dhe nuk hyn në xhennet një njeri derisa fqinji i tij nuk është i sigurtë nga sherri i tij.”[3]

Nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Ti vazhdon të mbetesh i shpëtuar derisa hesht. E kur flet, atëherë shkruhet për ty ose kundër teje.”[4]

Nga Muadhi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Thashë: O i dërguari i All-llahut! Më jep një porosi.” Tha: Adhuroje All-llahun sikur ta shohësh Atë, numëroje veten në radhët e të vdekurve, e nëse dëshiron, të informoj për diçka që i përfshin të gjitha këto?” Tha: “Kjo”, dhe bëri me shenë nga gjuha.”[5]

Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Në çdo ditë që i biri i Ademit gdhihet, organet e trupit e qortojnë gjuhën duke i thënë: Kije frikë All-llahun për neve, sepse ne varemi prej teje. Nëse ti i përmbahesh rrugës së drejtë, i përmbahemi edhe ne. E nëse ti devijon, devijojmë edhe ne.”[6]

Nga Sehl ibën Sa’di radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush ma garanton atë që ka mes dy nofullave dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë ia garantoj xhennetin.”[7]

Nisur nga kjo që thamë, myslimani duhet pasur parasysh rregullat për sa i përket gjuhës dhe ruajtjes së saj. Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:

 

  1. Ruajtja e gjuhës

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Frenoje (ruaje) gjuhën tënde.”[8] Po ashtu ka thënë: “Kush hesht, ka shpëtuar.”[9]

 

  1. Mosfolja për diçka që nuk të intereson

 

Kjo do të thotë që myslimani të merret vetëm me atë që i sjell dobi për çështjet e dynjasë dhe të ahiretit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prej islamit të mirë të myslimanit është lënia e asaj që nuk e intereson.”[10]

 

  1. Largimi nga fjalët e tepërta (panevojshme)

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve.”[11]

Selmani radijAll-llahu anhu thotë: “Njerëzit me më shumë mëkate në ditën e kiametit janë ata që flasin më shumë në mëkat ndaj All-llahut të Madhërishëm.”

 

  1. Braktisja e debatit dhe polemikës

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në pjesën e poshtme të xhennetit atij njeriu që e braktis polemikën edhe nëse është në të drejtë; unë i garantoj një shtëpi në mes të xhennetit atij njeriu që e braktis gënjeshtrën edhe nëse është shaka; unë i garantoj një shtëpi në pjesën më të lartë të xhennetit atij njeriu që ka moral të mirë.”[12]

Po ashtu ka thënë: “Një popull nuk devijon pas udhëzimit veçse kur jepet pas polemikave boshe.”[13]

 

  1. Largimi nga paturpësia dhe fjalët e pista

 

I dërguari i All-llahut ka thënë: Besimtari nuk ofendon, nuk mallkon, nuk është i paturpshëm dhe nuk është i pistë në gjuhë.”[14]

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Nuk ndodhë që fjalët e pista të jenë të pranishme në diçka e të mos e shëmtojnë atë gjë, dhe nuk ndodhë që turpi të jetë i pranishëm në diçka e të mos e zbukurojë atë gjë.”[15]

 

  1. Largimi nga sharja dhe fyerja

 

Myslimani nuk duhet të shajë apo fyejë, ngase kjo nuk është edukatë e myslimanëve.

Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Sharja e myslimanit është pafytyrësi, ndërsa luftimi kundër tij është kufr.”[16]

Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nëse një njeri të shan duke përmendur diçka që ai di për ty, ti mos e shaj duke përmendur çfarë di ti për të, ngase shpërblimi është për ty, ndërsa përfundimi i keq është për atë që e ka thënë atë fjalë.”[17]

 

  1. Largimi nga mallkimi

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari nuk është mallkues.”[18]

Po ashtu ka thënë: “Të porosis të mos jeshë mallkues.”[19]

Në një hadith tjetër ka thënë: “Kur robi mallkon një gjë, mallkimi ngrihet në qiell. E dyert e qiellit janë të mbyllura për të (mallkimin). Pastaj, ai rikthehet në tokë, dhe dyert e saj janë të mbyllura për të, po ashtu. Atëherë shkon në të djathtë e në të majtë, por, kur nuk gjen asnjë vend për strehim, kthehet tek ai të cilit i është bërë mallkimi. Nëse ai (për të cilin është bërë mallkimi) e meriton atë, i shkon atij, e nëse jo, atëherë i kthehet vetë mallkuesit.”[20]

  1. Pakësimi i shakasë

 

Islami nuk e ka ndaluar qeshjen dhe shakanë, por Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar teprinë në qeshje dhe shaka.

I dërguari i All-llahu bënte shaka, por edhe gjatë shakasë e thoshte vetëm të vërtetën dhe gjithnjë i përmbahej sinqeritetit. Këtë e shohim në hadithin që na e përcjell Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu i cili thotë: “Dikush tha: O i dërguari i All-llahut, ti po na argëton?” I dërguari i All-llahut tha: “Ashtu është. Por unë nuk them gjë tjetër veç të vërtetës.”[21]

Por të gjithë këtë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e bënte ekstremisht rrallë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, siç rrëfen Xhabiri radijAll-llahu anhu, “ka qenë shumë i heshtur dhe ka qeshur rrallë.”[22]

Teprimi në shaka shkakton qeshje të tepruar. Në lidhje me këtë, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos e tepro në qeshje, ngase qeshja e tepruar e vdes zemrën.”[23]

 

  1. Largimi nga përqeshja dhe tallja

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë.”[24]

Parashtrohet pyetja: A thua vallë, përse dikush të tallet me besimtarët?! Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sa e sa flokëshprishur dhe të pluhurosur, me rroba të vjetëruara, të papërfillur, sikur t’i luteshin All-llahut, do t’ua pranonte lutjen.”[25]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu thotë: “All-llahu nuk i shikon pamjet dhe pasuritë e juaja, por i shikon zemrat dhe veprat e juaja.”[26]

 

  1. Sinqeriteti dhe largimi nga gënjeshtra

 

Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Përmbajuni sinqeritetit ngase sinqeriteti të çon në bamirësi, ndërsa bamirësia të çon në xhennet. Vërtet njeriu do të vazhdojë të flasë drejtë (të jetë i sinqertë në të folur) derisa tek All-llahu të shkruhet si i sinqertë. Ruajuni gënjeshtrës ngase gënjeshtra të çon në shthurje, ndërsa shthurja të çon në zjarr (xhehennem). Vërtet njeriu do të vazhdojë të gënjejë derisa tek All-llahu të shkruhet si gënjeshtar.”[27]

Nga Ebu Umame radijAll-llahu anhu na prëcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në mes të xhennetit atij njeriu që e braktis gënjeshtrën edhe nëse është shaka.”[28]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shenjat e munafikut janë tri: Kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur i besohet diçka, tradhton.”[29]

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit e gjejmë edhe këtë shtojcë: “… edhe nëse fal namaz, agjëron dhe pretendon se është mysliman.”

Ka njerëz që gënjejnë vetëm për t’i bërë të tjerët të qeshen. E nëse u thua se kjo është haram, ata të thonë: Unë po bëj shaka. I dërguari i All-llahut për të tillët ka thënë: Mjerë për atë që gënjen gjatë të folurit për t’i bërë njerëzit të qeshen, mjerë për të, mjerë për të.”[30]

 

 

  1. Largimi nga përgojimi

 

Përgojim do të thotë të përmendësh për vëllain tënd diçka që ai e urren.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.”[31]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A e dini se ç’është përgojimi?” Sahabët thanë: “All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë”. Ai tha: “Të përmendësh për vëllain tënd diçka që ai e urren.” I thanë: “E nëse është e vërtetë ajo çka thuhet për të?” Ai tha: “Në qoftë se është e vërtetë ajo çka thua, ti e ke përgojuar, e nëse jo, ti ke shpifur për të.”[32]

Nga Ebu Berze radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut na mbajti një asilloj fjalimi saqë i bëri të dëgjojnë edhe vajzat e reja nëpër shtëpitë e tyre, dhe tha: O ju që keni besuar me gjuhë, e jo me zemra! Mos i përgojoni myslimanët dhe mos i gjurmoni të metat e tyre, sepse ai që gjurmon të metat e vëllait të vet, All-llahu do ti gjurmojë të metat e tij. E nëse All-llahu gjurmon të metat e dikujt, ka për ta turpëruar atë brenda shtëpisë së tij.”[33]

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Kur më ngritën në mi’raxh, hasa në njerëz që kishin thonjtë nga bakri, me të cilët i gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre. Unë thashë: “Kush janë këta, o Xhibril?” Tha: “Janë ata që kanë ngrënë mishin e njerëzve (kanë përgojuar) dhe kanë cenuar nderin e tyre.”[34]

 

  1. Largimi nga bartja e fjalëve

 

All-llahu i Madhërishëm na e ka tërhequr vërejtjen nga bartësi i fjalëve dhe ka thënë: Mos e respekto askë që betohet shumë dhe është i poshtër! Që është përgojues e bartë fjalën ndër njerëz.”[35]

Nga Hudhejfe radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Nuk hyn në xhennet ai që bartë fjalë ndër njerëz.”[36]

Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta dy janë duke u dënuar; nuk dënohen për ndonjë gjë të madhe (të cilës nuk kanë pasur mundësi t’i shmangen). Njëri prej tyre nuk është kujdesur (të mos spërkatet) gjatë urinimit, ndërsa tjetri ka bartur fjalë.”[37]

Si duhet vepruar ai të cilit i bartet ndonjë fjalë nga dikush?

Nëse dokujt i thuhet: Filani për ty ka thënë kështu e ashtu, apo të ka bërë kështu e ashtu, ai duhet t’u përmbahet këtyre gjashtë rregullave:

  1. Të mos i besojë fjalëve të njeriut që ia sjell lajmin
  2. Ta ndalojë nga ajo gjë (bartja e fjalëve) dhe ta këshillojë
  3. Ta urrejë për hirin e All-llahut, ngase bartësi i fjalëve është i urryer tek All-llahu
  4. Të mos krijojë përshtypje të keqe për vëllain e tij për të cilin supozohet se ka folur diçka për të
  5. Fjalët që i kanë ardhur të mos bëhen shkak që ai të spiunojë a hulumtojë, duke u bazuar në fjalën e All-llahut: Mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit.”[38], dhe
  6. Të mos kënaqet me atë që e ka ndaluar bartësin e fjalëve dhe të mos i publikojë fjalët e tij.

 

  1. Largimi nga dëshmia e rrejshme

 

Kjo do të thotë që myslimani të dëshmojë me një dëshmi duke gënjyer për t’ia bërë qejfin dikujt duke dashur t’i marrë një të drejtë myslimanit padrejtësisht.

All-llahu i Madhërishëm thotë: largojuni fjalës shpifëse.”[39]

Nga Ebu Bekre radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “A t’ju rrëfej për mëkatet më të mëdha?” Po, gjithsesi, o i dërguari i All-llahut – i thanë. “T’i bësh ortak All-llahut, të jesh arrogant ndaj prindërve,”, e teksa rrinte i mbështetur, u ul dhe tha: “Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme.” “E përsëriti aq shumë, saqë thamë: Ah, sikur të heshtte!”[40]

 

          14.Mospublikimi i sekreteve

 

Ne e dimë se publikimi i sekreteve është një lloj tradhtie. Sa e sa njerëz kanë bërë publike sekretet e vëllezërve të tyre dhe kanë shkaktuar shkatërrimin e jetës së tyre… Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar publikimin e sekreteve dhe ka thënë: Shenjat e munafikut janë tri: Kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur i besohet diçka, tradhton.”[41]

Po ashtu ka thënë: “Kur njeriu të tregon diçka dhe kthehet anash,[42] atëherë kjo është amanet.”[43]

 

  1. Të mos betohesh në asgjë veçse në All-llahun

 

Nga ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë:Kush betohet, le të betohet në All-llahun, përndryshe le të heshtë.”[44] Po ashtu nga ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush betohet në dikë tjetër pos All-llahut, ka bërë kufr – ose shirk.”[45]

 

  1. Ta përdorë gjuhën në dhikër (përmendje) të All-llahut

 

All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[46]

Po ashtu thotë: “shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”[47]

Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[48]

Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet All-llahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet All-llahu është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[49]

Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri tha: “O i dërguari i All-llahut, obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka të cilës do t’i përmbahem.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga të përmendurit e All-llahut.”[50]

I dërguari i All-llahut po ashtu ka thënë: A nuk doni t’ju tregoj për punët tuaja më të mira dhe më të pastra tek Sunduesi juaj; që i lartësojnë më së shumti gradat dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i floririt dhe argjendit (për të fituar kënaqësinë e All-llahut) dhe që janë më mirë për ju se ta takoni armikun tuaj e t’i godisni ose t’ju godasin në zverqe?!” I thanë: Po. Ai tha: “Të përmendurit e All-llahut të Madhërishëm.”[51]

 

  1. Me gjuhë të mbrojë nderin e myslimanëve

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush mbron një besimtar nga ndonjë munafik, në ditën e kiametit All-llahu do ta dërgojë një melek për t’ia mbrojtur mishin nga zjarri i xhehennemit. Ndërsa kush shpif ndaj ndonjë myslimani, All-llahu do ta lidhë për urën e xhehennemit derisa të përjetojë dënimin e asaj që e ka shpifur.”[52]

 

  1. Pajtimi me dy të konfliktuarve

 

All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve.”[53]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk quhet gënjeshtar ai që bën pajtimin mes njerëzve dhe sjell hair apo flet diçka të hairit.”[54]

 

  1. Falënderimi ndaj të mirës me gjuhë

 

Kjo do të thotë që duhet falënderuar çdonjërin që të bën një të mirë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kujt i jepet ndonjë dhuratë, nëse i gjendet diçka, le ta shpërblejë, e nëse jo, atëherë le t’i thotë fjalë të mira, sepse kush thotë fjalë të mira, e ka falënderuar dhuruesin.”[55]

 

 

 

 

[1] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2319) dhe Ibën Maxhe (3969). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (886) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënon Tirmidhiu (2406). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (888) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënon Ahmedi (12636). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2841) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënojnë Bejhekiu në Shuabul-Iman (3/14) dhe Taberaniu (20/143). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2866) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih: shënon Ibën Ebi Dunja në librin e tij Es-Samt (nr. 22, fq. 56). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2870) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2407) dhe Ahmedi (11498). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (351) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[7] Sahih: shënon Buhariu (6474).

[8] Sahih: shënon Tirmidhiu (2406). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (888) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2501) dhe Ahmedi (11498). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (536) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2317) dhe Ibën Maxhe (5911). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2017) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Kaptina En-Nisa’, ajeti 114.

[12] Sahih: shënon Ebu Davudi (4800). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (273) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[13] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3253) dhe Ibën Maxhe (48). Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah (180) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1977) dhe Ahmedi (3829). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (330) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1974), Ibën Maxhe (4185) dhe Ahmedi (12278). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2635) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (48) dhe Muslimi (64).

[17] Sahih: shënon Ahmedi (20110). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1352) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Sahih: shënon Tirmidhiu (2019). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2787) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] Sahih: shënon Ahmedi (20155). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1729) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[20] Hasen: shënon Ebu Davudi (4905). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1672) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[21] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (1990) dhe Ahmedi (8506). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1762) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[22] Hasen: shënon Ahmedi (20286 dhe 20303). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4822) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[23] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4193). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (506) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[24] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 11.

[25] Sahih: shënon Muslimi (2622).

[26] Sahih: shënon Muslimi (2564).

[27] Sahih: shënon Muslimi (2607).

[28] Sahih: shënon Ebu Davudi (4800). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (273) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (33) dhe Muslimi (59).

[30] Hasen: shënon Ebu Davudi (4990). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2944) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[31] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 12.

[32] Sahih: shënon Muslimi (2589).

[33] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4880) dhe Ahmedi (19277). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7984) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[34] Sahih: shënon Ebu Davudi (4/4878). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5213), në Es-Silsiletus-Sahiha (533) si dhe në Sahih Sunen Ebi Davud (4082) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[35] Kaptina El-Kalem, ajetet 10-11.

[36] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6056) dhe Muslimi (105).

[37] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (216) dhe Muslimi (292).

[38] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 12.

[39] Kaptina El-Haxh, ajeti 30.

[40] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2516) dhe Muslimi (138).

[41] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (33) dhe Muslimi (59).

[42] Fjala “kthehet anash” d.m.th. shikon anash se mos po e dëgjon dikush. (shën. përkth.)

[43] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (4868), Tirmidhiu (1959) dhe Ahmedi (14378). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1090) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[44] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2679) dhe Muslimi (1646).

[45] Sahih: shënon Tirmidhiu (1535). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2042) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[46] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.

[47] Kaptina El-Ehzab, ajeti 35.

[48] Sahih: shënon Buhariu (6407).

[49] Sahih: shënon Muslimi (779).

[50] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3375) dhe Ibën Maxhe (3793). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7700) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[51] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3377), Ibën Maxhe (3790) dhe Ahmedi (5/195). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2629) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[52] Hasen: shënon Ebu Davudi (4883). Shejh Albani në librin El-Mishkah (4986) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[53] Kaptina En-Nisa, ajeti 114.

[54] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2692) dhe Muslimi (2605).

[55] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4813) dhe Tirmidhiu (2034). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (617) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.