Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË NDEJA

Vëllezër të dashur,

Njeriu është krijesë shoqërore dhe si i tillë ka nevojë të rrijë e të shoqërohet dhe të bashkëpunojë me të tjerët. Shpesh ndodhë që të ketë nevojë të ulet në ndonjë ndejë për të diskutuar për çështje të kësaj bote apo për çështje fetare.

Ndejat më të mira, pa diskutim, janë ndejat e dhikrit. Ato e mundësojnë zbutjen e zemrës, asketizmin në dynja dhe pasionin për ahiret.

Në ndejat e dhikrit zbret mëshira e All-llahut, qetësia, melaiket i rrethojnë njerëzit e asaj ndeje, All-llahu i përmendë tek ata që gjenden afër Tij. Ata janë njerëz, shoqëruesi i të cilëve nuk zhgënjehet dhe ka mundësi që shoqëruesi i tyre të mëshirohet nga All-llahu, edhe nëse është mëkatar.[1]

Në vazhdim do të përmendim rregullat dhe edukatën e ndejave të cilat myslimani duhet përvetësuar, qoftë ajo ndejë shkencore apo ndejë e hairit.

 

  1. Të mos marrë pjesë në ndonjë ndejë ku ka diçka të ndaluar

 

Ai që ulet në ndonjë ndejë në të cilën bëhet mëkat ndaj All-llahut, atëherë edhe ai është bashkëpjesëmarrës me ta, përveç nëse ua tërheq vërejtjen nga ai mëkat, por me një metodë të mirë që të mos shkaktojë përçarje mes njerëzve që i ka përreth.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorë. Nëse nuk mundet me dorë, le ta ndryshojë me gjuhë, e nëse nuk mundet as me gjuhë, atëherë le ta urrejë me zemër, dhe ky është imani më i dobët.”[2]

E nëse merr pjesë në një ndejë në të cilën ka mëkat, atëherë nuk të lejohet të rrish aty përveç nëse ke për qëllim ndryshimin e asaj të keqeje.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e beson All-llahun dhe ditën e fundit, të mos ulet në një tavolinë ku pihet (qarkullon) alkooli.”[3]

  1. Largimi nga ndejat ku rrinë armiqtë e tu

 

Me armiqtë kemi për qëllim armiqtë për nga aspekti fetar apo për nga aspekti i çështjeve të kësaj bote. Ka mundësi që ata të thonë diçka që njeriu nuk e dëshiron, apo të t’i numërojnë gabimet, etj. Po ashtu ka mundësi që mes tyre të lindë grindje për shkak të ndonjë polemike a diçka të ngjashme, kështu që ndeja të përfundojë me ndonjë sherr.

Ibën Ebi Lejla, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mos rri në ndejë bashkë me armikun tënd, ngase ai t’i përmendë gabimet e tua dhe polemizon me ty për gjërat e drejta që ti i thua.”[4] Përjashtim nga kjo bën ndeja për pajtimin mes njeriut dhe armikut të tij, dhe kjo është ndejë e lavdëruar.[5]

 

  1. Moqëndrimi nëpër rrugë, përveç në raste domosdoshmërie

 

Qëndrimi nëpër rrugë ka mundësi ta çojë njeriun në mëkate për shkak të mosuljes së shikimit apo përzierjes së shumtë mes njerëzve, në mesin e të cilëve ka të mirë e të këqinj.

Por, nëse myslimani detyrohet të qëndrojë në rrugë për shkak të punës ose të ngjashme me këtë, atëherë duhet pasur parasysh rregullat e qëndrimit në rrugë, të cilat na i ka sqaruar Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kini kujdes dhe mos u ulni nëpër rrugë.” Thanë: “O i Dërguari i All-llahut e kemi patjetër të ulemi në rrugë për të biseduar.” Tha: “Nëse e keni patjeter të uleni në rrugë, atëherë jepjani rrugës hakun e vet.” Thanë: “E cili është haku i rrugës, o i dërguari i All-llahut?” Tha: “Ulja e shikimit, mos-shqetësimi i të tjerëve, kthimi i selamit (përshëndetjes), urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”[6]

 

  1. Mosmbështetja në dorën e majtë gjatë uljes

 

Kjo formë e uljes është e formë e hebrenjve.

Transmetohet nga Sherid ibn Suvejdi radijAll-llahu anhu i cili ka thënë: “Pranë meje kaloi i dërguari i All-llahut ndërsa unë isha i ulur, ndërsa dorën time të majtë e kisha vendosur prapa shpinës dhe isha mbështetur në shuplakën e dorës. Ai më tha: “A ulesh njësoj si ata me të cilët All-llahu është i hidhëruar? (d.m.th. hebrenjtë).”[7]

 

  1. Mos-ulja në vendin ku ulet shejtani

 

Kjo do të thotë ulja e njeriut mes dritës së diellit dhe hijes, kështu që një pjesë e trupit të tij gjendet në dritë e pjesa tjetër në hije. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar uljen mes dritës së diellit dhe hijes dhe ka thënë: “Ky është vendi ku ulet shejtani.”[8] Po ashtu ka thënë: “Nëse dikush nga ju gjendet në diell (e në një transmetim tjetër: në hije) dhe e zë hija, kështu që një pjesë e tij mbetet në diell e pjesa tjetër në hije, atëherë le të ngritet prej atij vendi.”[9]

 

  1. Largimi nga polemika dhe rivaliteti

 

Nëse ulesh në ndonjë ndejë, ki kujdes nga polemikat e shumta dhe debatet e ashpra, ngase kjo e mllefos zemrën dhe shkakton armiqësi mes njerëzve. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në pjesën e poshtme të xhennetit atij njeriu që e braktisë polemikën edhe nëse është në të drejtë.”[10]

 

  1. Mosteprimi në të qeshur

 

Islami nuk e ka ndaluar qeshjen, duke e pasur parasysh se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Dhe se Ai bën për të qeshë dhe bën për të qarë.”[11] Por ajo për të cilën na tërhiqet vërejtja është teprimi në të qeshur.

Qeshja e tepërt nëpër ndeja ndikon në humbjen e kohës, e ashpërson zemrën, shkakton armiqësi duke e pasur parasysh se çështja mund të shkojë deri tek etiketimi i njëri-tjetrit me llagape, te tallja e dikujt me tjetrin, dhe gjëra të ngjashme me këto. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos e teproni në qeshje, sepse qeshja e tepërt e vdes zemrën.”[12]

 

  1. Gjatë ndejës, duhet ta shpeshtojmë istigfarin (kërkimin e faljes)

 

Istigfari është prej shkaqeve më të mëdha për faljen e mëkateve, ripërtëritjen e imanit, shtimin e rizkut dhe lehtësimin e çdo pune të vështirë. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në çdo ndejë bënte shumë istigfar.

Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Gjatë një ndeje, ne arrinim të numëronim se i dërguari i All-llahut njëqind herë thoshte: Rabbigfirli ve tub alejje, inneke entet-Tevvabul-Gafur.”, që do të thotë: “O Zot, më fal, dhe ma prano pendimin, vërtet Ti je që pranon shumë pendimin dhe që falë shumë.”[13]

 

 

[1] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 385. Autor: Pr. Muhammed Buhajri.

[2] Sahih: shënon Muslimi (49).

[3] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2801) dhe Ahmedi (1/20). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (6506) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[4] Shkëputur nga libri El-Adabush-Sher’ijje (3/572).

[5] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/755).

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2465) dhe Muslimi (2121).

[7] Ebu Davudi (4848) nga Shurejd ibn Suvejdi. Sahih Ebi Davud (4058)

[8] Sahih: shënon Ahmedi (3/413). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6823) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënon Ebu Davudi (4821). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (837) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënon Ebu Davudi (4800). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1464) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Kaptina En-Nexhm, ajeti 43.

[12] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4193). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7435) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[13] Sahih: Shënojnë Ebu Davudi (1516), Tirmidhiu (3434) dhe Ibën Maxhe (3814). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (556) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.