Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E MIKPRITJES

Vëllezër të dashur,

Dihet se nuk ka njeri i cili nuk pret mysafirë në shtëpinë e tij, qofshin ata miq, të afërm apo fqinj. Po ashtu secili prej nesh ndonjëherë është mysafir i të tjerëve.

Mikpritja është një moral madhështor, të cilin islami e stimulon fuqimisht. Kjo, ngase mikrpitja i zbutë zemrat, i afron njerëzit mes vete dhe i bashkon sikur të jenë vëllezër.

Që këtej, medoemos duhet mësuar ca rregulla të cilat edhe mysafiri, edhe nikoqiri duhet pasur parasysh.

 

MIKPRITJA ËSHTË SUNNET I TË DËRGUARVE

 

Mikpritja është sunnet i të dërguarve. Nikoqiri i parë që mirëpriti mysafirët e tij ishte Ibrahimi alejhis-selam. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka përmendur në një hadith Ibrahimin alejhis-selam dhe pasardhësit e tij dhe i ka përshkruar me bujari dhe fisnikëri. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, gjatë përshkrimit të natës së Israsë dhe Mi’raxhit, thotë: “E pashë fisnikun, të birin e fisnikut, të birin e fisnikut, të birin e fisnikut, Jusufin, të birin e Ja’kubit, të birin e Is’hakut, të birin e Ibrahimit alejhimus-selam.”[1] Jusufi alejhis-selam e ka trashëguar fisnikërinë dhe mikpritjen nga babai i tij, Ja’kubi alejhis-selam, nga gjyshi i tij, Is’haku alejhis-selam dhe nga stërgjyshi i tij, Ibrahimi alejhis-selam.

Ibrahimi alejhis-selam e kishte zakon që të mos hante vetëm, por në ushqimin e tij dëshironte ta shoqëronte ndonjë mysafir. Nëse ndonjëherë nuk kishte ndonjë mysafir ta shoqëronte në ushqim, vazhdonte të kërkojë mysafirin derisa të gjente dikë. Prej ndodhive më të njohura që transmetohen në lidhje me të është se njëherë atij i erdhi një mysafir në shtëpi. Ai menjëherë i serviri një ushqim dhe u ul që të hanin bashkë. Ibrahimi alejhis-selam tha ‘bismilah’ duke kërkuar prej All-llahut bereqetin e atij ushqimi. Fjalën ‘bismilah’ e tha me zë, me qëllim që mysafiri ta dëgjojë dhe kështu edhe ai të thotë atë fjalë. Por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Ibrahimi alejhis-selam i tha atij: “O vëlla, përmende All-llahun para ngrënies se është sunnet i njerëzve të mirë.” Mysafiri i tha: “Kush është All-llahu, që po më urdhëron përmendjen e tij?” Ibrahimi alejhis-selam ia ktheu: “Ai është I Cili më ka krijuar mua dhe të ka krijuar ty, më ka furnizuar mua dhe të ka furnizuar ty.”

Njeriu tha: “Unë nuk njoh dhe nuk besoj diçka të këtillë.” Ibrahimi alejhis-selam u hidhërua me të dhe i tha: “Ose do të përmendësh All-llahun para se të hash, ose nuk do të hashë fare.” Atëherë njeriu u çua dhe doli nga shtëpia e Ibrahimit alejhis-selam. Por atributi i natyrshëm i fisnikërisë në zemrën e Ibrahimit alejhis-selam u aktivizua dhe All-llahu i Madhërishëm i shpalli një shpallje qortimi, duke i thënë: “O Ibrahim, këtij njeriu i kam mundësuar të jetojë në tokën Time qe shtatëdhjetë vite, gjatë të cilave ai e ha rizkun tim ndërsa e adhuron dikë tjetër pos Meje. A nuk i mundëson të rrijë në shtëpinë tënde për disa çaste?” Atëherë, Ibrahimi alejhis-selam menjëherë doli dhe e kërkoi njeriun derisa e gjeti, dhe i tha: “O filan, kthehu në shtëpinë time që të marrësh hisen tënde të mikrpitjes.” Njeriu tha: “Nuk kthehem derisa të më tregosh shkakun.” Ibrahimi alejhis-selam i tha: “Zoti im më qortoi për ty.” Njeriu tha: “Një Zot që e qorton të dashurin e Tij për shkak të një armiku të Tij është meritor të adhurohet dhe respektohet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut dhe se ti, o Ibrahim, je pejgamber i All-llahut.”

Pastaj shkuan në shtëpinë e Ibrahimit alejhis-selam dhe hëngri nga ushqimi duke qenë besimtar, monoteist ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Ndësa, Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më fisnik dhe mikpritës në historinë e njerëzimit. Hadixheja radijAll-llahu anha e ka përshkruar atë para pejgamberllëkut të tij, kur ai u kthye i frikësuar nga shpella Hira: “Pasha All-llahun, All-llahu assesi nuk do të të poshtërojë ty; ti i mban lidhjet farefisnore, çdoherë je i sinqertë kur flet, e ndihmon të dobëtin (të paaftin), e nderon mysafirin dhe e ndihmon atë që është sprovuar me ndonjë fatkeqësi.”[2]

Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më zemërgjerë, e sidomos gjatë muajit të Ramazanit, ku për çdo natë të muajit të Ramazanit takohej me Xhibrilin alejhis-selam i cili ia mësonte atij kur’anin. Vërtet i dërguari i All-llahut ka qenë më i dobishëm me mirësi sesa era me dobinë e saj gjithëpërfshirëse.”[3]

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Nuk ka ndodhur që t’i kërkohet diçka të dërguarit të All-llahut për hir të islamit e të mos e ketë dhënë. Një herë një njeri erdhi tek ai dhe kërkoi prej tij ca bagëti, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i dha ca bagëti mes dy kodrave. Ky njeri u kthye te fisi i vet dhe u tha: O njerëz, pranojeni islamin, sepse pasha All-llahun, Muhammedi jepte ç’t’i kërkosh dhe nuk i frikësohej varfërisë.”[4]

Prandaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjithnjë ka nxitur në mikpritjen e mysafirit.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, le ta nderojë mysafirin; kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, le t’i mbajë lidhjet farefisnore; kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë.”[5]

Po ashtu i dërguari i All-llahut ka thënë: Kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, le ta nderojë mysafirin, duke i dhënë hakun e merituar.” Sahabët pyetën: “Cili është haku i merituar i tij, o i dërguari i All-llahut?” Ai tha: “Një ditë e një natë gostitje. Ndërsa mikrpitja është tri ditë. E ajo që e bën pas kësaj është sadeka për të.”[6]

 

Rregullat që kanë të bëjnë me nikoqirin

 

  1.Nijeti i sinqertë pir hirin e All-llahut të Madhërishëm

 Kjo do të thotë që nikoqiri me këtë mikpritje që u bën vëllezërve, farefisit apo fqinjëve, të ketë për qëllim arritjen e shpërblimeve të All-llahut të Madhërishëm.

Ndërkaq mysafiri me përgjigjen ndaj ftesës dhe vizitën për hirin e All-llahut që ia bën vëllait të tij mysliman, duhet të ketë për qëllim arritjen e kënaqësisë dhe dashurisë së All-llahut.

 

  1. Hapja e derës para arritjes së mysafirit

 Kjo tregon për mikpritjen e ngrohtë dhe mallin që nikoqiri ka për atë mysafir të nderuar, gjë që e bën mysafirin të ndiejë dashurinë dhe respektin që nikoqiri ka për të.

 

  1. Pritja e mirë e mysafirit

 Nikoqiri duhet të presë mysafirin e tij me buzëqeshje e gëzim, fjalë që shprehin mirëseardhje dhe gjëra të ngjashme me këto, ngase kjo i gëzon mysafirët dhe i bën të ndjehen se gëzojnë një pozitë të lartë te nikoqiri.

Ka ca njerëz të cilët as nuk buzëqeshin, as nuk shprehin ngrohtësi ndaj mysafirëve, madje ka prej tyre që edhe mrrolen apo nuk shfaqin respekt për mysafirin, kështu që mysafiri bie në siklet, dhe ndodhë që të mos e vizitojë më sërish.

Buzëqeshja gjatë takimit me njerëzit është sadeka, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Buzëqeshja me vëllanë tënd është sadeka për ty.”[7] Pegamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu i ka pritur me buzëqeshje dhe gëzim edhe delegacionet të cilat i vinin për çështje të ndryshme, dhe sa për ilustrim po përmendim kur i erdhi delegacioni i Abdul-Kajsit, ai iu drejtua atyre me këto fjalë: Mirë se erdhët, o ju delegatë të cilët erdhët të padetyruar (me dëshirën tuaj) dhe të papenduar (për pranimin e islamit)…”[8] Aisheja radijAll-llahu anha tregon se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me një rast iu drejtua Fatimesë radijAll-llahu anha duke i thënë: “Mirë se erdhe, bija ime.”[9] Ndërsa Ummu Hani radijAll-llahu anha thotë: “Një herë shkova te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai m’u drejtua: Mirë se erdhe, oj Ummu Hani.”[10]

 

  1. Ta ulë mysafirin në një vend që i ka hije

 Prej mikpritjes së mirë është që nikoqiri të zgjedhë për mysafirët vendin më të mirë dhe më të përshtatshëm që u ka hije mysafirëve, që këta të fundit të ndjehen të rehatshëm, të mos ndjejnë ndonjë erë të keqe apo të mos ulen në ndonjë vend të papastër. Kjo, ngase mikpritja e mirë e mysafirëve është pjesë e imanit në All-llahun dhe ditën e gjykimit.

 

  1. Dhënia përparësi dhe vlerë mysafirit ndaj vetes

 All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar ensarët duke thënë: madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.”[11]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se një herë një njeri i uritur shkoi tek i dërguari i All-llahut, u ankua nga uria e madhe dhe tha: “Unë jam i uritur, më jep diçka për të ngrënë!” Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i pyeti gratë e tij nëse kishin diçka për t’i dhënë njeriut, e ato thanë: “Pasha Atë që të ka dërguar me hakun (të vërtetën) , nuk kemi asgjë tjetër përveç ujit.”

Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Tek i dërguari i All-llahut nuk paska asgjë me të cilën mund të të gostis sonte. A ka kush e gostit këtë njeri sonte, All-llahu e mëshiroftë?”

Një njeri prej ensarëve tha: “Unë, o i dërguari i All-llahut.” Pastaj e mori njeriun, e çoi në shtëpi dhe i tha bashkëshortes së vet: “Ky është mysafiri i të dërguarit të All-llahut. Nderoje me diçka dhe mos kurse asgjë.”

Ajo tha: “Në shtëpi nuk kam asgjë veçse pak ushqim që e kam ndarë për fëmijët e vegjël.”

Ai i tha: “Përgatite atë ushqim dhe vini fëmijët në gjumë kur të kërkojnë darkën.”

Ajo grua e mirë e përgatiti darkën, dhe i vuri fëmijët në gjumë të uritur. Pastaj e servoi ushqimin për mysafirin. Pastaj u çua kinse po e rregullonte llambën dhe qëllimisht e fiku.

Sahabiu dhe bashkëshortja e tij në errësirë bënin kinse po hanë nga ushqimi i shtruar, që të mos e ngushtojnë mysafirin e tyre, ndërsa ushqimi ishte i paktë, dhe as që mjaftonte për të gjithë. Kështu, mysafiri u ngop ndërsa të dy bashkëshortët bashkë me fëmijët e tyre fjetën të uritur. Kur gdhiu mëngjesi, sahabiu shkoi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e ai i tha: “All-llahu ka qeshur me veprimin tuaj, e ka pëlqyer veprimin tuaj dhe ka qenë I Kënaqur me juve dyve.”[12] Ky rast ka qenë shkak për shpalljen e ajetit 9 të kaptinës El-Hashr.

 

  1. Ofrimi i ushqimit për mysafirët

 

Prej mikpritjes së mirë është që kur të të vijë mysafiri, të nxitosh në ofrimin e ushqimit, pijes, pemëve e kështu me radhë.

All-llahu i Madhërishëm e ka lavdëruar Ibrahimin alejhis-selam duke thënë: “A ke arritur të dëgjosh ti për rrëfimin e mysafirëve të ndershëm të Ibrahimit? Kur patën hyrë te Ai dhe thanë: Të përshendesim me paqë! Ai tha: Qofshi gjithnjë të përshëndetur me paqë! (E me vete tha): Njerëz të panjohur! Dhe ai pa u vërejtur shkoi te familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Atë ua afroi atyre e tha: Përse nuk po hani?”[13]

Pra, “pa u vërejtur shkoi te familja e vet”, dhe kjo tregon për kulmin e mikpritjes që do të thotë se mysafirët as nuk duhet vërejtur nikoqirin kur ai përpiqet të sjellë diçka për ta, veçse kur ta shohin ushqimin para tyre, dhe kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së ndjenjave të tyre.

 

  1. Servirja dhe afrimi i ushqimit te mysafirët

 

All-llahu i Madhërishëm e ka përshkruar rastin e Ibrahimit alejhis-selam me mysafirët e tij, të cilët sapo erdhën, Ibrahimi alejhis-selam menjeherë me nxitim ua afroi ushqimin. Pra, ai vetë ua afroi ushqimin e nuk e urdhëroi shërbëtorin t’ua servirë.

Gjëja tjetër është se Ibrahimi alejhis-selam ushqimin ua afroi atyre, e nuk i afroi ata te ushqimi, e që është mikrpitje e plotë. Kjo do të thotë që mysafiri pasi të ulet, ushqimin t’ia çosh atij te vendi i vet, e jo ta vendosësh ushqimin diku, e më pas t’i thërrasësh ata të afrohen te ushqimi.

Sot, tek ne kjo gjë është bërë e vështirë për t’u realizuar, ngase shumica e njerëzve sot kanë dhoma të posaçme ku shtrohet ushqimi, kështu që e vendos ushqimin në tavolinë apo sofër, dhe u thotë mysafirëve: Ejani të shkojmë te dhoma e ushqimit. Kjo gjë, natyrisht, nuk është në kundërshtim me mikpritjen dhe respektin ndaj mysafirit, ngase secili vepron me traditat e veta.[14]

 

  1. Shfaqja e gëzimit për mysafirët

 Prej mikrpitjes së mirë është që nikoqiri ta shfaqë gëzimin, harenë dhe lumturinë ndaj mysafirëve. Pra, mikpritja e plotë shoqërohet me buzëqeshje në momentin e parë të takimit me mysafirët, ngase kjo gjë e gëzon mysafirin dhe ia lumturon zemrën.

 

  1.  Shërbimi i vetë nikoqirit ndaj mysafirëve të tij

 All-llahu i Madhërishëm në rastin e Ibrahimit alejhis-selam me mysafirët e tij e ka përmendur kujdesin e Ibrahimit alejhis-selam për t’i shërbyer vetë mysafirët, dhe ka thënë: Dhe ai pa u vërejtur shkoi te familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Atë ua afroi atyre e tha: Përse nuk po hani?”[15] Pra, në këtë rast Ibrahimi alejhis-selam u kujdes që vetë t’i shërbente mysafirët e tij. Buhariu, All-llahu e mëshiroftë, njërin prej kapitujve të Sahihut të tij e ka emërtuar: “Kapitulli mbi nderimin e mysafirit, dhe shërbimi i vetë nikoqirit ndaj tyre.”[16]

Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ishte ai i cili vetë i shërbente mysafirët e tij. Të tillë ishin edhe sahabët dhe tabiinët radijAll-llahu anhum. Delegacioni i Nexhashiut kur erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai nuk la askënd tjetër t’i shërbejë, por vetë i shërbeu, dhe tha: “Ata ishin mikpritës ndaj shokëve tanë. Edhe unë dua t’ua kthej në të njëjtën mënyrë.”

Selefët kur kishin mysafirë, atë natë e llogaritnin sikur të jetë festë, për shkak të gëzimit që kishin për mysafirin.

 

  1. Mosngarkimi i vetes për mysafirin aq sa nuk ke mundësi

 

Nikoqiri nuk duhet ngarkuar veten për mysafirin me aq sa nuk ka mundësi. Ai nuk duhet huazuar para për t’i sjellur mysafirit ushqim special, por atë që duhet bërë është t’i ofrojë mysafirit ushqimin më të mirë që i gjindet në shtëpi, duke e pasur parasysh se Ibrahimi alejhis-selam u ofroi mysafirëve të tij një viç, të cilin e poqi, ngase në atë moment, viçin e kishte në shtëpi.

Por nëse njeriu e bën shprehi të bëjë shpenzime të tepërta duke e ngarkuar veten më shumë sesa ka mundësi, atëherë kjo mund të ndikojë t’i humbet dëshira për pritje të mysafirëve në të ardhmen.

 

  1. Nuk prish punë nëse mysafirit i ofron më shumë se një lloj ushqimi

 Edhe pse islami na ndalon shpenzimin e tepruar për mysafirin, por kjo nuk do të thotë të mos kujdesemi për shumëllojshmërinë e ushqimit për mysafirin, në mënyrë që të mos bezdiset nga i njëjti ushqim dhe të ndiejë kujdesin e nikoqirit për të.

 

  1. Lejohet qëndrimi me mysafirin pas namazit të jacisë

Nikoqirit i lejohet të qëndrojë me mysafirin e tij pas namazit të jacisë, të bisedojnë për gjëra të dobishme, duke iu larguar përgojimit, bartjes së fjalëve dhe kalimit të natës në filma, muzikë apo seriale, e kështu me radhë.

 

  1. T’ia japësh hakun mysafirit

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:Kush e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, le ta nderojë mysafirin, duke i dhënë hakun e merituar.” Sahabët pyetën: “Cili është haku i merituar i tij, o i dërguari i All-llahut?” Ai tha: “Një ditë e një natë gostitje. Ndërsa mikrpitja është tri ditë. E ajo që e bën pas kësaj është sadeka për të. Mysafirit nuk i lejohet të qëndrojë tek ai më shumë se tri ditë, që të mos e bezdisë.”[17]

Pra, haku i merituar i mysafirit është një ditë e një natë gostitje, ndërsa mikpritja është tri ditë e tri net. E nëse i bën konak dhe mikpritje më tepër se tri ditë, atëherë kjo është sadeka për nikoqirin.

 

  1. Lejohet që nikoqiri ta prishë agjërimin për shkak të mysafirit

 Në rast se nikoqiri është duke agjëruar nafile, dhe atë ditë i vjen ndonjë mysafir, atëherë nuk ka dert nëse ai e prishë agjërimin e tij për shkak të nderimit të mysafirit duke ngrënë bashkë me të. Por nëse është duke agjëruar agjërim farz, atëherë nuk i lejohet të prishë agjërimin e tij.

Nga Ebu Umame radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Thashë: O i dërguari i All-llahut! Më urdhëro diçka, me të cilën gjë do të hyj në xhennet. Ai më tha: Përmbaju agjërimit, ngase nuk ka sikur ai.”[18]

Transmetuesi i hadithit nga Ebu Umame radijAll-llahu anhu thotë: “Pas kësaj, nuk shihej tym[19] në shtëpinë e Ebu Umames gjatë ditës, përveç kur i vinte ndonjë mysafir.”

 

  1. Të mos presë dikë që vonohet, që të mos ua vështirësojë mysafirëve

 Në rast se vijnë një pjesë e mysafirëve dhe ushqimi është gati, duhet t’ua shtrojë ushqimin atyre që janë të pranishëm, e të mos presë të vijë dikë që vonohet, që të mos ua vështirësojë mysafirëve.

 

  1. Bamirësia e nikoqirit ndaj mysafirit

Kjo do të thotë që t’i ofrojë një vend të mirë për të fjetur, t’i ndalojë fëmijët nga zhurma, t’i ofrojë peshqir të pastër, t’i ofrojë jastëk për mbështetje, t’ia përgatisë banjën, t’i ofrojë parfum, t’i ofrojë pasqyrë për t’u rregulluar, e kështu me radhë.

 

  1. Sjellja e mirë me mysafirët dhe mostrajtimi i temave që i shqetëson ata

 Prej edukatës së mirë të nikoqirit është që me mysafirët e tij të bisedojë tema që ua ka ëndja, të mos flejë para se ata të flenë, të mos ankohet në praninë e tyre, të jetë fytyrëqeshur, të shprehë keqardhje kur i përcjellë ata, të mos flet diçka që i shqetëson ata, të mos hidhërohet me ndonjërin prej tyre, të mos mrrolet, të mos shprehë ashpërsi, të mos e ofendojë a fyejë askënd, por të jetë i tillë që i gëzon ata sa të ketë mundësi.

Transmetohet një ndodhi kur një njeri i kishte ftuar ca miq në kopshtin e tij dhe i kishte gostitur. Nikoqiri kishte një djalë të pashëm, i cili në mëngjes u shërbeu mysafirëve. Në mbrëmje, djali kishte hipur mbi çati, prej ku kishte rënë dhe kishte mbetur i vdekur. Babai i djalit i ishte betuar gruas së tij që do ta shkurorëzonte tri herë nëse ajo nxjerr zë apo qanë deri në mëngjes. Në mbrëmje, mysafirët e pyetën nikoqirin për djalin e tij, ndërsa ky iu tha se ai po flinte. Të nesërmen në mëngjes, kur deshën të shkojnë, ai u tha miqve: Sikur të qëndronit edhe pakëz sa t’ia falim namazin e xhenazes djalit tim, ngase ai dje u rrëzua nga çatia dhe mbeti i vdekur në vend. Ata thanë: Përse nuk ka tregove për këtë kur të pyetëm dje?! Ai tha: Njeriu i mençur nuk ua ndërpret mysafirëve kënaqësinë dhe nuk ua ngushton jetën. Ata u habitën me durimin, stoicizmin dhe moralin e mirë të tij. Pastaj ia falën namazin e xhenazes djalit, morrën pjesë në varrimin e tij, qanë për të dhe u larguan.[20]

 

  1. Përcjellja e mysafirit deri te dera

 Kur mysafiri dëshiron të dalë, atëherë nikoqiri duhet ta përcjellë deri te dera. Kjo është një nderim për mysafirin. Pra, nuk është e hijshme që nikoqiri të rrijë në vendin e tij duke i dhënë leje mysafirit të shkojë, por duhet vetë ai ta përcjellë duke e shoqëruar deri te dera. Një herë Ebu Ubejdi e vizitoi Imam Ahmedin. Në lidhje me këtë, ai thotë: “Kur u çova për të dalë nga shtëpia e tij, ai u çua me mua. Unë i thashë: Mos u mundo, o Ebu Abdullah. E ai më tha: Sha’biu[21] ka thënë: Prej plotësimit të mikrpitjes së mysafirit është që ta shoqërosh deri te dera dhe t’i ndihmosh të hipë në mjetin e udhëtimit…”[22]

  1. Mos-hyrja dhe mosmbyllja e derës derisa mysafiri të shkojë

 

Nikoqiri nuk duhet hyrë në shtëpi, si dhe nuk duhet mbyllur derën derisa mysafiri të largohet, ose t’i hipë mjetit të udhëtimit, ose të merr rrugën, ngase kjo llogaritet prej nderimit, mikrpitjes dhe sjelljes së mirë me të. Myslimani nuk duhet shpërfillur këto rregulla…”[23]

 

Rregullat që kanë të bëjnë me mysafirin

 

      1.Nijeti i sinqertë

 

Kjo do të thotë që mysafiri me vizitën e tij të ketë për qëllim ta gëzojë vëllain e tij mysliman.

 

  1. Përgjigjja ndaj ftesës

 

Kjo për shkak se përgjigjja ndaj ftesës është një prej obligimeve që myslimani ka ndaj vëllait të tij mysliman.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani ndaj myslimanit ka gjashtë obligime.” dhe prej tyre përmendi: “Kur të të ftojë në diçka, përgjigju ftesës.”[24]

Pra, myslimani e ka për obligim t’i përgjigjet ftesës së vëllait të tij mysliman, përveç nëse ka ndonjë arsye të fuqishme që e pengon të jetë i pranishëm, apo nëse ajo ftesë përmbanë në vete ndonjë gjë të ndaluar, të cilën i ftuari nuk ka mundësi ta ndryshojë, apo pasuria e ftuesit është fituar me haram.

  1. Të mos e ngarkojë me diçka që nuk mund ta përballojë

 Pra, mysafiri duhet të hajë atë që i ofrohet, dhe në rast se i ofrohet të zgjedhë mes ushqimeve, të zgjedhë më të lehtën dhe më të lirën, që të mos e fusë në siklet nikoqirin, ngase prej nikoqirit kërkohet të ofrojë gjënë më të mirë që ka, aq sa ka mundësi.

 

   4.Zbatimi i rregullave të kërkimit të lejes dhe vizitës

 

Si p.sh., të zgjedhë kohën e përshtatshme për vizitë, të trokasë në derë apo t’i bjerë ziles me maturi, të mos kthehet me fytyrë nga dera, të fillojë bisedën me selam, të prezantohet, të ulë shikimin, të mos e ngritë zërin, të ulet atje ku e vendos nikoqiri, të mos futet në mendime për gjërat që i ka përreth, të mos përpiqet të përgjojë anëtarët e shtëpisë, të mos e zgjasë vizitën pa nevojë, të kërkojë leje për dalje kur dëshiron të përfundojë vizitën, të mos niset të dalë jashtë pa i dhënë leje nikoqiri, etj.[25]

 

  1. Të hajë diçka nga ushqimi që i ofrohet

 Mysafiri duhet hëngër diçka, qoftë edhe vetëm pakëz, nga ajo që i ofrohet për të ngrënë, ngase sunnet është që kur të shtrohet ndonjë ushqim, mysafiri të marrë diçka prej tij, sepse kjo është nderim për nikoqirin.

Kur melaiket refuzuan të hanin nga ushqimi që Ibrahimi alejhis-selam ua ofroi, atij kjo nuk iu duk gjë e mirë dhe ndjeu në vete një lloj frike.

Pra, të hash diçka prej ushqimit që të ofrohet, është nderim për nikoqorin, ndërsa të refuzosh të hash, është zhvlerësim për të.[26]

 

  1. Mysafiri duhet t’i përmbahet edukatës gjatë hajes dhe pijes

 Këto rregulla i kam përmendur hollësisht në kuadër të rregullave të hajes dhe pijes. Prandaj, nëse dëshiron t’i mësosh, kthehu te kapitulli përkatës.

 

  1. Mosngarkimi i nikoqirit nga ana a mysafirit

 

Nëse mysafiri e vëren se nikoqiri është në gendje të dobët, apo nuk ka mundësi të plotësojë obligimin e mikpritjes së mysafirit ashtu si duhet, atëherë nuk duhet të zgjasë qëndrimin tek ai që të mos e fusë në siklet, të mos e bëjë të përgojojë mysafirin, të ndjejë pishmanllëk për praninë e mysafirit, të huazojë para për të gostitur mysafirin, dhe gjëra të ngjashme, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Mysafirit nuk i lejohet të qëndrojë tek ai më shumë se tri ditë, që të mos e bezdisë.”[27]

 

  1. Ta falënderojë nikoqirin dhe të lutet për të dhe familjen e tij

 

Mysafiri duhet falënderuar nikoqirin për mikpritjen e bërë, ngase kjo është gjëja që islami e kërkon. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, ai nuk ka falënderuar as All-llahun.”[28] Me një rast, kur Sa’d ibën Ubade radijAll-llahu anhu e gostiti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai u lut për të me fjalët: “Bëfshin iftar te ju agjëruesit, ushqimin tuaj e ngrënçin njerëzit e mirë dhe për ju bëfshin dua melaiket.”[29] Ndërsa kur Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu e gostiti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai u lut për të me këto fjalë: “O All-llah, bekoji në atë që i ke furnizuar, falua mëkatet dhe mëshiroji.”[30]

 

 

[1] Sahih: shënon Ahmedi (8373). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1686) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4) dhe Muslimi (160).

[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6) dhe Muslimi (2308).

[4] Sahih: shënon Muslimi (2312).

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6138) dhe Muslimi (47).

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6019) dhe Muslimi (48).

[7] Sahih: shënon Tirmidhiu (1956). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2908) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1176) dhe Muslimi (17).

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3624) dhe Muslimi (2450).

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (357) dhe Muslimi (336).

[11] Kaptina El-Hashr, ajeti 9.

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3798) dhe Muslimi (2054).

[13] Kaptina Edh-Dharijat, ajetet 24-27.

[14] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 536.

[15] Kaptina Edh-Dharijat, ajetet 26-27.

[16] Fet’hul-Bari (10/548).

[17] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6019) dhe Muslimi (48).

[18] Sahih: shënon Ahmedi (5/248). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4044) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] D.m.th., në shtëpinë e tij nuk përgatitej ushqim gjatë ditës për shkak të agjërimit të tij. (shën. përkth.)

[20] Shkëputur nga libri El-Mustetref, fq. 203. Autor: El-Ebshihiu. Po ashtu edhe nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 543-544.

[21] Sha’biu: Njëri prej dijetarëve të mëdhenj islamë dhe prej mësuesve të Imam Ahmedit. (shën.përkth.)

[22] Shkëputur nga libri El-Adabush-Sher’ijje (3/227).

[23] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/560).

[24] Sahih: shënon Muslimi (2162).

[25] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/561).

[26] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 547.

[27] Sahih: shënon Buhariu (6135). Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/562).

[28] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1955) dhe Ahmedi (2/258). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6541) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3854) dhe Ahmedi (3/118). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (1226) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[30] Sahih: shënon Muslimi (2042).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.