Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E HYRJES DHE DALJES NGA SHTËPIA

Vëllezër të dashur,

Shtëpia është një begati të cilën e di vetëm ai i cili nuk e ka atë.

All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë dhe nga lëkurat e kafshëve ju mundësoi të keni shtëpi që lehtë i bartni kur udhëtoni, e edhe kur vendoseni, ndërsa nga leshi dhe nga qimet e tyre, nga leshi i egër i tyre, petka e shtroja dhe t’i shfrytëzoni për një kohë.”[1]

Shtëpia e mbulon njeriun nga sytë e njerëzve. Në të ai e adhuron Zotin e tij, në të gjen prehjen dhe qetësinë, në të çlodhet nga vështirësitë që gjen gjatë kërkimit të rizkut, në të gjen strehimin në shtratin e tij dhe te bashkëshortja e tij, si dhe me anë të saj e mbron veten nga fitnet (sprovat), duke qëndruar brenda saj në kohën e sprovave.

Prandaj, kur njëri prej sahabëve e pyeti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Si ta gjej shpëtimin?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Ruaje gjuhën, le të të mjaftojë shtëpia jote (mos u merr me të tjerët) dhe qaj për mëkatet e tua.”[2]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: Tri gjëra e bëjnë të lumtur njeriun në këtë jetë dhe tri të tjera e bëjnë të mjerë. Ato që e bëjnë të lumtur janë: Një bashkëshorte e mirë, të cilën kur e shikon, të gëzon, ndërsa kur mungon prej saj, ajo e ruan veten (moralin) e saj dhe pasurinë tënde, një kafshë (mjet) transporti e mirë, e lehtë dhe e shpejtë, si dhe një shtëpi e gjerë dhe e rehatshme. Ndërsa ato që e bëjnë të mjerë tri gjëra: Një bashkëshorte e paedukatë, të cilën kur e shikon, ta mërzit shpirtin, ndërsa kur mungon prej saj, ajo nuk e ruan veten (moralin) e saj dhe pasurinë tënde, një kafshë (mjet) transporti e ngadalshme, të cilës nëse i bie, të mundon, e nëse e le të qetë, ecën me ngadalësi, si dhe një shtëpi e ngushtë.”[3]

 

Në vazhdim do të përmendim rregullat që myslimani duhet t’i përvetësojë gjatë daljes apo hyrjes në shtëpi.

 

Rregullat e daljes nga shtëpia:

 

  1. Nijeti i mirë

 Kjo do të thotë që gjatë daljes së tij ai të ketë nijet të mirë, si p.sh. vizitë e farefisit, ndonjë punë e hallallit, shkuarja në shkollë apo fakultet ku do të mësojë gjëra që i sjellin dobi fesë dhe vendit të tij, etj.

 

  1. Falja e dy rekateve para daljes nga shtëpia

Dy rekatet nafile të cilat njeriu i falë para daljes nga shtëpia janë shkak për mbrojtjen e tij nga të këqiat dhe fatkeqësitë. Këtë e bazojmë në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Kur të dalësh nga shtëpia, fali dy rekate, të cilat do të të largojnë nga dalja e keqe dhe kur të hysh në shtëpi, fali dy rekate, të cilat do të të largojnë nga hyrja e keqe.”[4]

 

  1. Dhikri i daljes nga shtëpia

 Prej dhikreve të cilët janë transmetuar nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e që i thoshte kur dilte nga shtëpia, është edhe ky, përkthimi i të cilit është: Me emrin e All-llahut, vetëm All-llahut i mbështetem. O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde të mos bie në humbje (dalalet) e as dikush të mos më çojë në humbje, të mos lajthis (nga e vërteta) dhe të mos më lajthitin të tjerët, të mos dëmtoj kënd dhe të mos më dëmtojë kush, të mos sillem si injorant e as ndaj meje të mos sillen si injorantë.”[5]

Po ashtu prej dhikreve të daljes nga shtëpia është edhe ky: Kur njeriu del nga shtëpia dhe thotë: “Bismilah, iu mbështeta All-llahut, s’ka fuqi as ndryshim përveçse me All-llahun!”, i thuhet: “Mjafton kjo për ty. U udhëzove, u mjaftove dhe u mbrojte, dhe shejtani largohet prej tij. Ndërsa një shejtan tjetër i thotë: “Çfarë t’i bëj atij njeriu që është udhëzuar, mjaftuar dhe mbrojtur?”[6]

 

  1. Dhikri që u përmend në pikën e mëparshme, duhet thënë duke ngritur kokën lartë

 Këtë e bazojmë në fjalën e Ummu Selemes radijAll-llahu anha, e cila thotë: “Çdoherë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dilte nga shtëpia ime, e ngrinte kokën lartë dhe thoshte: O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde të mos bie në humbje (dalalet) e as dikush të mos më çojë në humbje, të mos lajthis (nga e vërteta) dhe të mos më lajthitin të tjerët, të mos dëmtoj kënd dhe të mos më dëmtojë kush, të mos sillem si injorant e as ndaj meje të mos sillen si injorantë.”[7]

 

Rregullat e hyrjes në shtëpi

 

  1. Dhikri gjatë hyrjes në shtëpi

 Dhikri është shkak për mbrojtjen e shtëpisë dhe njerëzve të saj nga shejtani. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur njeriu hyn në shtëpinë e vet duke përmendur All-llahun, po ashtu edhe gjatë të ushqyerit, shejtani u thotë shejtanëve të tjerë: Këtu nuk ka as darkë e as buajtje (konak) për neve. E nëse hyn dhe nuk e përmendë All-llahun, shejtani u thotë: E gjetëm konakun; e nëse nuk e përmendë All-llahun as gjatë ngrënies, ai (shejtani) u thotë: E gjetëm konakun, por edhe darkën.”[8]

Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kur njeriu hyn në shtëpinë e vet, le të thotë: O All-llah, kërkoj prej Teje hyrjen më të mirë dhe daljen më të mirë. Me emrin e All-llahut hymë (në shtëpi) dhe me emrin e All-llahut dalim (nga shtëpia) dhe vetëm Zotit tonë i mbështetemi. Pastaj le ta përshëndesë familjen e tij me selam.”[9]

  1. Përdorimi i misvakut

 Kjo duhet bërë që goja të marrë aromë të këndshme, dhe me këtë njeriu shprehë respekt për familjarët e tij, duke mos dashur që ata të nuhasin prej tij vetëmse erë të këndshme.

Kjo është prej udhëzimeve të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai para se të hyjë në shtëpi, e përdorte misvakun.[10]

 

  1. Trokitja e derës me qetësi

 Çdo mysliman kur të hyjë në shtëpinë e tij duhet ta trokasë derën apo t’i biejë ziles me qetësi. Nuk ka nevojë që të trokasë derën fuqishëm e as t’i biejë ziles fuqishëm dhe pandërprerë që të mos i shqetësojë familjarët dhe t’i bëjë të mendojnë se mos vallë ka ndodhur ndonjë gjë e keqe.

 

  1. Hyrja me këmbën e djathtë

 Kjo bëhet duke u bazuar në atë se sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ishte që t’i jipte përparësi anës së djathtë në gjithçka përveç gjërave të cilat në vete ngërthejnë diçka të keqe.

 

  1. T’i bëjë familjarët të kuptojnë hyrjen e tij në shtëpi

 Kjo, nëse ata nuk e kanë vërejtur hyrjen e tij. Këtë mund ta bëjë me anë të kollitjes, apo duke i kërcitur këmbët në tokë e kështu me radhë, në mënyrë që të mos i befasojë dhe kështu t’i frikojë, apo të mos mendojnë se i përgjon. Imam Ahmedi thotë: “Kur njeriu hyn në shtëpinë e tij, preferohet të kollitet apo t’i zvarrisë këpucët për toke.”

Amir ibën Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhum ka thënë: “Babai im kur hynte në shtëpi, kërkonte leje dhe ua bënte familjarëve me dije se ka hyrë, duke folur dhe duke ngritur zërin aq sa ta dëgjonin.”[11] Ndërsa Abdullah ibën Ahmed ibën Hanbeli thotë: “Babai im kur kthehej nga xhamia dhe hynte në shtëpi, e godiste tokën me këmbë para se të hynte në shtëpi që të dëgjohej se po hynte. Nganjëherë kollitej, që t’ua bëjë me dije familjarëve që po hynte në shtëpi.”[12]

 

  1. Përshëndetja e familjarëve

 Për nder të ruajtjes së frymës së dashurisë dhe ndjelljes së bereqetit ndaj shtëpisë dhe familjarëve, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem Enes ibën Malikut radijAll-llahu anhu i ka thënë: “O bir, kur të hysh në shtëpi, përshëndet me selam, kështu që përshëndetja yte me selam është bereqet për ty dhe familjen tënde.”[13]

 

  1. Falja e dy rekateve nafile

 Kjo bëhet me qëllim që All-llahu ta mbrojë prej të këqiave dhe fatkeqësive. Pra, duhet falur dy rekate pasi të hyjë në shtëpi ashtu siç duhet falur dy rekate para se të dalë nga shtëpia. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të dalësh nga shtëpia, fali dy rekate, të cilat do të të largojnë nga dalja e keqe dhe kur të hysh në shtëpi, fali dy rekate, të cilat do të të largojnë nga hyrja e keqe.”[14]

 

 

 

[1] Kaptina En-Nahl, ajeti 80.

[2] Sahih: shënon Tirmidhiu (2406). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1392) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: Shënon Hakimi (2/175). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3056) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Hasen: shënojnë Bezzari, ashtu siç ceket edhe në librin Keshful-Estar (1/357, nr. 746) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (3/124). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (505) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[5] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3427) dhe Ahmedi (6/306). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3163) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5095) dhe Nesaiu në Es-Sunenul-Kubra (6/26). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (499) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3427) dhe Ahmedi (6/306). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3163) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Sahih: shënon Muslimi (2018).

[9] Sahih: shënon Ebu Davudi (5096). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (839) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënon Muslimi (253).

[11] Shkëputur nga libri Edebul-Islam, fq. 14.

[12] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/314).

[13] Sahih: shënon Tirmidhiu (2698). Shejh Albani në librin e tij et-Tergibu vet-Terhib (1608) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Hasen: shënojnë Bezzari, ashtu siç ceket edhe në librin Keshful-Estar (1/357, nr. 746) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (3/124). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (505) e ka klasifikuar si hadith hasen.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.