Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E KËRKIMIT TË LEJES PËR HYRJE

Vëllezër të dashur,

Kërkimi i lejes për hyrje është edukatë e lartë e cila e ruan pacenueshmërinë e shtëpisë dhe njëherit është dëshmi për turpin dhe moralin e mirë të myslimanit.

Kërkimi i lejes për hyrje është pjesë e sheriatit islamik me argumente nga kur’ani dhe sunneti. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. All-llahu di çdo gjë që veproni ju.”[1]

Në lidhje me shkakun e shpalljes së këtyre ajeteve, komentuesit e kur’anit kanë përmendur se një grua prej ensarëve erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe e pyeti: “O i dërguari i All-llahut! Nganjëherë unë në shtëpinë time jam në një gjendje në të cilën nuk dua askush të më shohë, as prindi e as fëmija im. Kështu, nganjëherë vjen babai dhe hyn te dhomën ku jam unë, dhe vazhdimisht ndodhë që ndonjë prej familjes sime të hyjë në dhomën ku jam unë, e unë jam në gjendjen që nuk dua askush të më shohë. Si t’ia bëj?” Atëherë u shpall ajeti: O ju që besuat, mos hyni…”[2]

Në vazhdim do t’i përmendim rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar gjatë kërkimit të lejes për hyrje:

 

  1. Kërkimi i lejes para hyrjes

 Myslimani nuk duhet hyrë në ndonjë shtëpi derisa të kërkojë leje nga pronarët e saj. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim.”[3]

 

  1. Përshëndetja me selam para hyrjes

 Një njeri kërkoi leje nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për të hyrë derisa ai gjendej në një shtëpi, duke i thënë: “A të hyj?” Me këtë rast Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha shërbëtorit të vet: “Dil dhe mësoja këtij kërkimin e lejes për hyrje dhe thuaji: Thuaj: Esselamu alejkum, a të hyj?” Njeriu e dëgjoi Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe tha: “Esselamu alejkum, atë hyj?” Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i dha leje për të hyrë, dhe ai hyri.”[4]

 

  1. Ta përmendë emrin e vet dhe t’i njoftojë njerëzit me veten

Nëse pronari i shtëpisë pyet: Kush është në derë, atëherë ky nuk duhet thënë: Unë, por duhet thënë: Unë jam filani, duke përmendur emrin e tij.

Një herë Xhabiri radijAll-llahu anhu erdhi dhe trokiti në derën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ai pyeti: “Kush është?” Xhabiri tha: “Unë.” Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Unë, unë.”, duke shprehur kështu mospëlqimin e tij për këtë gjë.”[5]

 

  1. Moskthimi me fytyrë nga dera

 Pra, ai që kërkon leje për të hyrë diku, nuk duhet të kthehet me fytyrë nga dera, por dera duhet të jetë në të djathtën apo të majtën e tij, ngase nëse kthehet me fytyrë nga dera, ka mundësi të shohë pa dashje njerëzit e shtëpisë, gjë e cila është e ndaluar. Ajo për të cilën kërkimi i lejes është bërë rregull sheriatik është pikërisht kjo gjë, pra për shkak të shkimit të ndaluar.

Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kur shkonte te dera e ndokujt, nuk kthehej me fytyrë nga dera por kthehej me të djathtën ose të majtën e tij dhe thoshte: Esselamu alejkum, esselamu alejkum.”[6]

 

  1. Trokitja duhet bërë tri herë

 Kjo do të thotë që myslimani kur kërkon leje për të hyrë diku duhet trokitur tri herë apo duhet rënë ziles maksimalisht tri herë. E nëse askush nuk i përgjigjet, atëherë duhet larguar dhe nuk duhet shqetësuar njerëzit e shtëpisë. Kjo, ngase njerëzit në trokitjen e parë dëgjojnë, në trokitjen e dytë bëhen gati dhe në trokitjen e tretë japin leje për hyrje. E nëse nuk i jepet leje, atëherë duhet të kthehet. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse dikush prej jush kërkon leje për hyrje tri herë dhe nuk i jepet leje, atëherë le të kthehet.”[7]

 

  1. Trokitja duhet bërë me maturi

 Trokitja nuk duhet të jetë e fuqishme saqë t’i frikojë njerëzit e shtëpisë. Po ashtu rënia e ziles nuk duhet të jetë e vazhdueshme, madje edhe nëse ai vetë është pronari i shtëpisë. Kjo, ngase njerëzve të shtëpisë mund t’u shkojë mendja se ka ndodhur ndonjë gjë e palakmueshme.

Një herë një grua kishte shkuar tek Imam Ahmedi për të pyetur për një çështje, por e kishte trokitur derën fuqishëm. Imam Ahmedi e hapi derën dhe tha: “Kjo është trokitje e policisë.”

 

  1. Pushimi mes trokitjeve

 Kjo do të thotë të bëjë një pauzë mes trokitjeve që t’ju japë njerëzve të shtëpisë mundësinë për përgatitje apo për hapjen e derës. Pra, trokitjet assesi nuk duhet bërë njëra pas tjetrës.[8]

 

  1. Pritja e lejes

 

Kjo do të thotë që pas trokitjes, myslimani duhet të presë lejen e pronarit të shtëpisë. Nëse i jep leje, hyn, e nëse jo, atëherë kthehet në mënyrë që të mos i shqetësojë njerëzit e shtëpisë

  1. Kthimi në rast të mosmarrjes së lejes për hyrje

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse dikush prej jush kërkon leje për hyrje tri herë dhe nuk i jepet leje, atëherë le të kthehet.”[9]

Ndërsa All-llahu i Madhërishëm thotë: E nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju.”[10]

 

  1. Pranimi i arsyes së kryefamiljarit

 Nëse kryefamiljari kërkon falje për mosmundësinë e tij për të pranuar mysafirë në atë moment, atëherë vizitori duhet pranuar faljen e tij, duke e pasur parasysh që kryefamiljari ka ndonjë arsye që nuk pranon dot vizitorë, si p.sh: mund të jetë i sëmurë, i nxënë me ndonjë punë, apo ka një çështje të rëndësishme për të zgjidhur, e kështu me radhë. Pra myslimani duhet arsyetuar vëllain e tij mysliman.

 

  1. Ulja e shikimit

 Myslimani kur kërkon leje nga vëllai i tij mysliman, duhet ulur shikimin dhe nuk duhet shikuar nëpër vrimat apo plasaritjet e derës, si dhe nuk duhet shikuar në derë nëse dera është e hapur ose pjesërisht e hapur. E kur të hyjë brenda, nuk duhet gjuajtur me sy këtej e andej, por duhet ulur shikimin nga familjarët e nikoqirit që të mos shohë diçka që nuk duhet parë.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju besimtarëve që të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[11]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Me të vërtetë, urdhri për të marrë leje për të hyrë diku është bërë i detyruar për shkak të ruajtjes së kufijve të shikimit.[12]

  1. Zgjedhja e kohëve të përshtatshme

 

Ekzistojnë ca kohë kur vizita nuk është e përshtatshme, si koha e vonshme e natës, koha e hershme e mëngjesit apo koha e drekës.

All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve nuk është mëkat as për ju as për ata, të vizitoni njëri-tjerin. Kështu All-llahu ua sqaron argumentet e veta. All-llahu është i dijshmi i urti.”[13]

 

  1. Kërkimi i lejes për hyrje nga prindërit

 

Kjo do të thotë që myslimani duhet kërkuar leje para hyrjes te prindërit apo te motra e tij, ngase ka mundësi të hyjë te nëna apo motra e tij, ndërsa ato mund të jenë në një gjendje në të cilën nuk dëshirojnë t’i shohë i biri, respektivisht vëllai.

Nga Ata’ ibën Jesari radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri e pyeti të dërguarin e All-llahut: “O i dërguari i All-llahut, a t’i kërkoj leje nënës sime?” Ai tha: “Po.” Njeriu i tha: “Jam me të në të njëjtën shtëpi.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Kërkoji leje asaj.” Njeriu i tha: “Unë i shërbej asaj.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Kërkoji leje. A dëshiron ta shikosh atë të zhveshur?” Njeriu tha: “Jo.” Atëherë kërkoji leje asaj.” – i tha Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.”[14]

 

[1] Kaptina En-Nur, ajetet 27-28.

[2] Shkëputur nga Tefsiri i Kurtubiut.

[3] Kaptina En-Nur, ajeti 27.

[4] Sahih: shënon Ebu Davudi (5177). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (819) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6250) dhe Muslimi (2155).

[6] Sahih: shënon Ebu Davudi (5186). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4638) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6250) dhe Muslimi (2155).

[8] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/84). Autor: Abdul-Aziz Neda.

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6250) dhe Muslimi (2155).

[10] Kaptina En-Nur, ajeti 28.

[11] Kaptina En-Nur, ajeti 30.

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2641) dhe Muslimi (2156).

[13] Kaptina En-Nur, ajeti 58.

[14] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (1091).

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.