Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E GJUMIT

Vëllezër të dashur,

Duhet ditur se gjumi është një begati e madhe dhe një prej argumenteve të All-llahut për ne.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon.”[1]

All-llahu i Madhërishëm ka bërë që gjumi të jetë pushim për trupin dhe parapërgatitje për aktivitet.

I mençur është ai që arrin ta shndërrojë gjumin nga një gjë e zakonshme në ibadet, duke e bërë gjumin me nijet që ta rikthejë zhdërvjelltësinë për të bërë ibadet. Pra në këtë mënyrë gjumi i tij konsiderohet ibadet.

Në vazhdim do t’i përmendim rregullat që kanë të bëjnë me gjumin:

 

  1. Nijeti i mirë

 

Kjo do të thotë që me gjumin që e bën të ketë për qëllim ripërtëritjen e zhdërvjelltësive në mënyrë që ta adhurojë All-llahun duke qenë i fuqishëm dhe aktiv, dhe në këtë mënyrë gjumi i tij shndërrohet në ibadet.

 

  1. Të bijë në gjumë me nijet pendimi

 

Ka mundësi që ajo të jetë nata e fundit e jetës së njeriut, kështu që nijeti për pendim duhet ripërtëritur që nëse vdes atë natë, të takohet me All-llahun i penduar nga mëkatet.

  1. Mosngrënia e tepërt para gjumit

 

Ngrënia dhe pija e tepërt para gjumit e rëndojnë barkun dhe kokën, bëjnë që njeriu të fjejë shumë dhe e bëjnë përtac ndaj namazit të natës dhe namazit të sabahut.

Veç kësaj, kjo ndikon edhe në probleme shëndetësore.

 

  1. Fjetja herët dhe mosqëndrimi natën vonë

 

Myslimani nuk duhet të rrijë zgjuar pas namazit të jacisë përveç nëse ka nevojë të domosdoshme, si studimi, qëndrimi me mysafirin apo anëtarët e familjes.

Fjetja herët i ndihmon besimtarit që të mund të çohet për namaz nate dhe namazin e sabahut. Ndërsa nëse fle vonë, këto mirësi nuk i arrin dot.

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “E urrente gjumin para jacisë dhe muhabetin pas jacisë.”[2]

Po ashtu, fjetja herët bën që njeriu të marrë nga gjumi atë që i mjafton, kështu që zgjohet aktiv për ibadet dhe aktiv për punë.

 

  1. Të mos flejë vetëm

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që njeriu të flejë vetëm, ngase ka mundësi që shejtanët të manipulojnë apo të përpiqen ta shqetësojnë. Po ashtu ka mundësi që t’i ndodhë ndonjë sëmundje ose vështirësi dhe të mos gjejë njeri t’i ndihmojë. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar qëndrimin vetëm, d.m.th. të flejë vetëm apo të udhëtojë vetëm.[3]

 

  1. Të flejë i liruar nga paragjykimet ndaj vëllezërve të tij

 

Kjo do të thotë që t’ua falë të gjithë atyre që i kanë bërë keq dhe në gjoksin e tij të mos mbartë asnjë lloj zilie dhe urrejtje ndaj asnjë myslimani. Kjo është prej ibadeteve më të mëdha me të cilat robi afrohet ndaj All-llahut, madje është një prej shkaqeve për të hyrë në xhennet.

 

  1. Mosfjetja në ndonjë vend publik

 

Nuk duhet fjetur në ndonjë vend publik apo në ndonjë cep të rrugës, që të mos e shohin njerëzit. E nëse është i detyruar për një gjë të këtillë, atëherë le ta mbulojë mirë trupin, që mos rastësisht t’i zbulohet ndonjë pjesë e trupit që nuk duhet parë nga të tjerët.

 

  1. Mosfjetja në ndonjë tavan që nuk ka gardh mbrojtës

 

Kjo, që të mos rrëzohet poshtë derisa është në gjumë, e të vdesë.

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush buan në një tavan që nuk ka gardh mbrojtës, nuk është nën mbrojtjen e All-llahut.”[4]

 

  1. Larja e duarve nga mbeturinat e ushqimit

 

Mbeturinat e ushqimit mund të tërheqin insekte të ndryshme, të cilat mund ta dëmtojnë derisa ai është në gjumë. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush fle natën ndërsa në dorë ka mbeturina dhjami apo erë të keqe mishi, dhe i ndodhë ndonjë dëmtim, të mos e qortojë askënd veç vetes.”[5]

 

  1. Mbulimi i enëve, mbyllja e shisheve, mbyllja e derës dhe fikja e llambave

 

Enët nuk duhet lënë të pambuluara, shishet nuk duhet lënë të pambyllura, e as dyert nuk duhet lënë të hapura. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mbuloni enët dhe mbyllini shishet, sepse çdo vit në një natë të caktuar zbret një sëmundje, e cila kur kalon pranë një ene të pambuluar apo shisheje të pambyllur, hyn në të.”[6] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mbuloni enët, mbyllini shishet, mbyllini dyert dhe fikeni zjarrin, sepse shejtani nuk mund ta hapë as shishen, as derën e as enën! E nëse nuk gjeni me çfarë të mbuloni enën veç një shkopi, atëherë mbulojeni me të dhe thoni: Bismil-lah, sepse minjtë mund t’ua ndezin shtëpinë banorëve të saj.[7]

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të flini, fikini llambat, ngase mund të ndodhë që miu ta tërheqë fitilin e llambës dhe t’i djegë njerëzit e shtëpisë.”[8]

Para gjumit, duhet fikur çdo burim zjarri, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Vërtet ky zjarr është armik i juaj. Andaj kur të flini, fikeni.”[9], si dhe në hadithin: “Kur flini, mos e lini zjarrin ndezur në shtëpitë tuaja.”[10]

Në këto gjëra fshihet kujdesi për jetën dhe sigurinë e myslimanit.

 

  1. Kërkimi i mbrojtjes së All-llahut në mbrëmje nga sherri i gjërave që sjellin dëm

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thotë tri herë në mbrëmje: Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min sherri ma halek, (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga sherri i asaj që ka krijuar), nuk i bën dëm helmi atë natë.”[11]

 

  1. Shkundja e dyshekut dhe thënia: bismil-lah

 

Kur njeriu dëshiron të flejë, atëherë me pjesën e brendshme të rrobës së tij duhet ta shkundë dyshekun tri herë dhe të thotë: Bismil-lah, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kur dikush dëshiron të shtrihet në shtrat, le ta shkundë dyshekun me pjesën e brendshme të rrobës së tij dhe le të thotë: bismil-lah, sepse nuk e di se ç’ka lënë pas vetes, dhe pastaj le të bjerë në krahun e djathtë…”[12]

Po ashtu nëse ngritet nga shtrati për ndonjë nevojë e më pas kthehet, duhet të shkundë dyshekun me pjesën e brendshme të rrobës së tij, ngase shejtani mund të zërë vendin e njeriut pasi ai të ngritet nga shtrati, apo ka mundësi që të vijë ndonjë insekt i dëmshëm në shtrat derisa njeriu mungon.

Prandaj pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush nga ju ngritet nga shtrati e më pas kthehet, le ta shkundë dyshekun tri herë me pjesën e brendshme të rrobës së tij, sepse nuk e di se ç’ka lënë pas vetes…”[13]

 

  1. Avdesi

 

Avdesi është një prej faktorëve që e mbron robin dhe është sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur shkon në shtrat për gjumë, merr avdes sikur që merr për namaz, e pastaj bjer në krahun e djathtë…”[14]

 

  1. Falja e vitrit para gjumit

 

Kjo vlen nëse njeriu nuk e ka ndërmend të zgjohet para namazit të sabahut (për namaz nate), e nëse dëshiron të zgjohet për namaz nate, atëherë më mirë është ta prolongojë namazin e vitrit.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që nuk fle para se ta falë vitrin është i vendosur.”[15]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Miku im i ngushtë më ka porositur me tri gjëra: Agjërim të tri ditëve nga çdo muaj, dy rekate të duhasë dhe namazin e vitrit para se të flej.”[16]

  1. Leximi i kaptinës “El-Mulk” para gjumit

 

Leximi i kaptinës “El-Mulk” është shkak për shpëtim nga dënimi i varrit, madje shkak për të hyrë në xhennet.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kaptina Tebarek (El-Mulk) e pengon dënimin e varrit.”[17]

Po ashtu ka thënë: Një kaptinë e kur’anit e cila i ka tridhjetë ajete ndërmjetësoi për lexuesin e saj derisa u bë shkak ta fusë në xhennet; ajo është kaptina Tebarek.”[18]

 

  1. Të frysh në duar, të këndosh në to suren El-Ihlas dhe Muavvidhatet dhe të përshkosh me to sa mundesh nga trupi yt

 

Kjo do të thotë t’i bashkosh duart njërën pranë tjetrës, të fryesh në to (në formë të pështymës) dhe të lexosh kaptinat El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas dhe më në fund të përshkosh me to sa mundesh nga trupi yt, duke filluar nga koka dhe fytyra. Këtë duhet përsëritur tri herë, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “Kur bëhej gati për gjumë, i bashkonte duart dhe frynte në to, e pastaj lexonte në to kaptinat ‘Kul huvAll-llahu ehad’, ‘Kul eudhu bi rabbil-Felek’ dhe ‘ Kul eudhu bi rabbin-nas’, dhe më në fund përshkonte me to sa të mundej nga trupi, duke filluar nga koka dhe fytyra. Këtë e përsëriste tri herë.”[19] Ky veprim dhe ky lexim ka ndikim të madh në mbrojtjen e njeriut dhe largimin e të keqes së njerëzve, xhinnëve dhe insekteve shqetësuese gjatë gjumit. Prandaj myslimani nuk duhet shkujdesur nga ky sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

 

  1. Llogaritja e vetes para gjumit

 

Kjo do të thotë që njeriu para gjumit të ndalet me veten, qoftë edhe një çerek ore dhe të llogarisë veten për gjithë atë që ka bërë gjatë ditës… Nëse ka qenë vepërmirë, atëherë le të mundohet të shtojë ato vepra sa më shumë, e nëse ka qenë vepërkeq, atëherë le të pendohet tek All-llahu i Madhërishëm.

 

  1. Të flejë me nijetin për namaz nate

 

Nëse njeriu e bën nijet të zgjohet natën për namaz nate, por e zë gjumi dhe nuk arrin të zgjohet, atëherë do t’i shkruhet shpërblimi i asaj që ka pasur nijet.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shtrihet në shtrat për të fjetur, me nijet që të zgjohet për namaz nate, por e kaplon gjumi, do t’i shkruhet ajo që ka pasur për nijet, ndërsa gjumi do t’i llogaritet si sadeka nga Zoti i tij.”[20]

 

  1. Mosfjetja në bark

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem një herë e pa një njeri duke fjetur në bark, dhe me këtë rast i tha: “Kjo është një shtrirje të cilën All-llahu i Madhërishëm nuk e do.”[21] Prandaj duhet pasur kujdes nga kjo mënyrë e gjumit, të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar.

Disa mjekë kanë konstatuar se nëse kjo mënyrë e gjumit përsëritet shpesh dhe njeriu adaptohet në të, atëherë mund të jetë e rrezikshme ngase i pengon mushkëritë të mbushen me frymë të mjaftueshme gjatë frymëmarrjes.

Madje disa gazeta, duke u bazuar në disa burime medicinale amerikane, kanë shpallur se kjo mënyrë e fjetjes është shkak për një numër të madh vdekjesh të fëmijëve në disa shtete të caktuara.[22]

 

  1. Shtrirja në anën (krahun) e djathtë

 

Këtë mënyrë të shtrirjes duhet praktikuar sa më shumë që mundesh, por të paktën ajo që duhet bërë është fillimi i gjumit në krahun e djathtë, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “…e pastaj bjer në krahun e djathtë…”[23] Prandaj duhet pasur kujdes në praktikimin e këtij sunneti.

 

  1. Vendosja e dorës së djathtë nën faqe dhe duaja

 

Këtë gjë e praktikonte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai kur vendoste të shtrihej, dorën e tij të djathtë e vendoste nën faqe, e pastaj tri herë thoshte: “All-llahume kini adhabeke jevme teb’athu ibadeke.”[24], që do të thotë: “O All-llah, më ruaj prej dënimit Tënd, në ditën kur do t’i ringjallësh robërit e Tu.” Po ashtu duhet qenë i kujdesshëm ndaj dhikrit para gjumit, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush shtrihet në një vend për të fjetur pa e përmendur All-llahun, kjo për të do të jetë pishmanllëk në ditën e kiametit.”[25] Po ashtu duhet bërë këtë lutje: All-llahumme inni vexh-xhehtu vexhhi ilejke, ve fevvedtu emri ilejke, ve elxhe’tu dhahri ilejke, regbeten ve rehbeten ilejke, la melxhee ve la menxha minke il-la ilejke, amentu bi kitabikel-ledhi enzelte, be bi nebijjikel-ledhi erselte.”, që do të thotë: “O All-llah, unë fytyrën time e ktheva nga Ti, Ty ta kam dorëzuar çështjen time, dhe te Ti e strehova shpinën time, me shpresë dhe me frikë prej Teje. S’ka shpëtim dhe as strehim përveçse te Ti; e besova librin Tënd (kur’anin), që e ke zbritur dhe e besova lajmëtarin (pejgamberin) që e dërgove.” Gjithashtu mund të bëhet edhe kjo lutje: “Bismike Rabbi veda’tu xhenbi ve bike erfeuhu. Fe in emsekte nefsi ferhamha, ve in erselteha fehfedhha bima tehfedhu bihi ibadekes-salihin.”, që do të thotë: “Me emrin Tënd, o Zoti im, bie në gjumë dhe me emrin Tënd ngrihem. Nëse ma merr shpirtin, mëshiroje atë. E nëse e dërgon (e kthen prapë) në trupin tim, mbroje atë ashtu siç i mbron robërit e Tu të mirë.”[26]

 

  1. Leximi i kaptinës El-Kafirun

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur bëhej gati për gjumë, e lexonte: “Kul ja ejjuhel-Kafirun” deri në fund.[27] Po ashtu ai ka urdhëruar leximin e saj dhe ka thënë: “Lexoje ‘Kul ja ejjuhel-Kafirun’ para gjumit sepse ajo është shpëtim nga shirku.”[28]

 

  1. Leximi i dy ajeteve të fundit të kaptinës El-Bekare

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të kaptinës El-Bekare, i mjaftojnë.”[29] Në lidhje me kuptimin e fjalës: “i mjaftojnë”, disa dijetarë kanë thënë se qëllimi është se i mjaftojnë ndaj namazit të natës, e disa të tjerë kanë thënë se i mjaftojnë si mbrojtje nga çdo e keqe. Prandaj duhet qenë të kujdesshëm që këto dy ajete të lexohen para gjumit.

 

  1. Leximi i Ajetul-Kursi

 

Shejtani i kishte thënë Ebu Hurejrës radijAll-llahu anhu: “Kur t’i afrohesh shtratit, lexoje Ajetul-kursinë. Nëse e lexon Ajetul-Kursinë, All-llahu të ruan dhe asnjë shejtan nuk të afrohet deri në mëngjes.”Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu ia tregoi këtë rast Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e ai i tha: “Ta paska thënë të vërtetën, edhe pse ai është gënjeshtar.”[30]

 

  1. Istigfari

 

Istigfari i shlyen mëkatet, kështu që robi pastrohet nga to dhe regjistri i tij bëhet i bardhë dhe i pastër.

 

  1. Fjalët e fundit që i thotë para gjumit të jenë këto

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të shkosh në shtrat për gjumë… thuaj: All-llahumme eslemtu nefsi ilejke, ve fevvedtu emri ilejke, ve vexh-xhehtu vexhhi ilejke, ve elxhe’tu dhahri ilejke, regbeten ve rehbeten ilejke, la melxhee ve la menxha minke il-la ilejke, amentu bi kitabikel-ledhi enzelte, be bi nebijjikel-ledhi erselte.”, që do të thotë: “O All-llah, unë ta dorëzova Ty shpirtin tim. Ty ta kam dorëzuar çështjen time, dhe fytyrën time e ktheva nga Ti. Te Ti e strehova shpinën time, me shpresë dhe me frikë prej Teje. S’ka shpëtim dhe as strehim përveçse te Ti; e besova librin Tënd (kur’anin), që e ke zbritur dhe e besova lajmëtarin (pejgamberin) që e dërgove”, “sepse nëse vdes në atë natë, vdes në natyrën e pastër (islam), dhe këto le të jenë fjalët e fundit që i thua.”[31]

 

  1. Gjatë frikës në gjumë, duhet thënë këtë dua

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush frikohet në gjumë, le të thotë: Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min gadabihi ve ikabihi, ve sherri ibadihi, ve min hemezatish-shejatini ve en jehdurun, ngase ata (shejtanët) nuk e dëmtojnë dot.”, që do të thotë: “Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga zemërimi dhe dënimi i Tij, nga dëmi i robërve të Tij, nga mashtrimet e shejtanëve dhe nga prania e tyre.”[32]

 

  1. T’i pastrojë dhëmbët me misvak pasi ngrihet nga gjumi

 

Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem sa herë që i dilte gjumi natën, e përdorte misvakun.[33]

Kjo, me qëllim të kujdesit ndaj pastërtisë së dhëmbëve dhe erës së gojës.

 

  1. Kur të dëgjojë këndimin e gjelit, ta përmendë All-llahun dhe të kërkojë nga të mirat e Tij

 

Myslimani kur të dëgjojë gjelin duke kënduar, duhet ta përmendë All-llahun, ndërsa kur të dëgjojë palljen e gomarit, duhet kërkuar mbrojtjen e All-llahut nga shejtani i mallkuar.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ta dëgjoni gjelin duke kënduar, luteni All-llahun që t’ju japë nga të mirat e Tij, sepse ai (gjeli) ka parë ndonjë melek, ndërsa kur ta dëgjoni palljen e gomarit, kërkoni nga All-llahu t’ju mbrojë nga shejtani, sepse ai (gomari) ka parë ndonjë shejtan.”[34]

 

  1. Mosteprimi i gjumit

 

Gjumi shkakton deaktivizim të jetës reale të myslimanit, si dhe e bën njeriun të varfër dhe me pak të mira.

Nëna e Sulejmanit alejhis-selam i tha Sulejmanit alejhis-selam: “O biri im, mos e tepro gjumin e natës, ngase gjumi i tepërt i natës e len njeriun të varfër në ditën e kiametit.”

Dije se gjumi sjellë gjumë dhe ndikon në plogështi dhe përtaci.

 

[1] Kaptina Err-Rum, ajeti 23.

[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (568) dhe Muslimi (647).

[3] Sahih: shënon Ahmedi (2/91). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (60) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Ebu Davudi (5041). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6113) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3852), Tirmidhiu (1859), Ibën Maxhe (3297) dhe Ahmedi (2/263). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6115) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Sahih: shënon Muslimi (2014).

[7] Sahih: shënon Muslimi (2012).

[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6295) dhe Muslimi (2012).

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6294) dhe Muslimi (2016).

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6293) dhe Muslimi (2015).

[11] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3966) dhe Ahmedi (2/90). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (652) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa me fjalën helm është për qëllim helmi i ndonjë insekti helmues që mund ta kafshojë gjatë natës derisa ai është në gjumë. (shën. përkth.)

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6320) dhe Muslimi (2714).

[13] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3966) dhe Ahmedi (2/90). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (652) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6311) dhe Muslimi (2170).

[15] Sahih: shënojnë Ahmedi (1/170) dhe Dijai (3/242). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5493) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1178) dhe Muslimi (721).

[17] Sahih: shënon Ebu Shejh në librin e tij Tabekatul-Esbehanijjin (264). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1140) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (4/76). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3644) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5748) dhe Muslimi (2192).

[20] Sahih: shënojnë Nesaiu (1787) dhe Ahmedi (1344). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5941) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[21] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2768) dhe Ahmedi (2/304). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2270) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[22] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 827. Autor: Abdul-Aziz Neda.

[23] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6311) dhe Muslimi (2170).

[24] Sahih: shënon Ebu Davudi (5045). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4656) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[25] Sahih: shënon Ebu Davudi (5059). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6043) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6320) dhe Muslimi (2714).

[27] Shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4648) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[28] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5055) dhe Tirmidhiu (3/34). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1161) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4008) dhe Muslimi (807).

[30] Sahih: shënon Buhariu (3275).

[31] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6311) dhe Muslimi (2170).

[32] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3528) dhe Ahmedi (2/181). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (264) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[33] Sahih: shënojnë Ahmedi (2/117) dhe Ibën Nesri (fq. 43). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2111) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[34] Shënojnë Buhariu, Fet’hul-Bari 6/359 nr. 3303 dhe Muslimi 4/2092 nr. 2729.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.