Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E GDHIRJES

Vëllezër të dashur,

Zgjimi nga gjumi është një begati madhështore nga All-llahu i Madhërishëm, I Cili me anë të kësaj na jep mundësinë dhe kohën për të bërë vepra të mira dhe të shumta, mundësinë për pendim tek All-llahu i Madhërishëm dhe mundësi për të bërë mirësi të mëdha… Zgjimi nga gjumi është një mundësi e madhe për të filluar një faqe të re të adhurimit, duke e mbushur kështu regjistrin e veprave tona me vepra me të cilat All-llahu i Madhërishëm është i kënaqur.

Prandaj duhet mësuar cilat janë rregullat të cilat duhet përvetësuar kur zgjohemi nga gjumi.

 

  1. Zgjimi i hershëm

 

Myslimani duhet të zgjohet herët, para agimit, duke e pasur parasysh se All-llahu i Madhërishëm ia ka caktuar bereqetin herët në mëngjes. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O All-llah, jipi bereqet ummetit tim herët në mëngjes.”[1]

Pra, myslimani duhet të zgjohet herët në mëngjes në mënyrë që të përfitojë nga kjo kohë e begatshme duke filluar që herët me punët e tij dhe duke korrur të gjitha frytet e kësaj kohe.

 

  1. Përmendja e All-llahut të Madhërishëm

 

Myslimani sapo të zgjohet nga gjumi, duhet të përmendë All-llahun e Madhërishëm me këtë dua: El hamdu lil-lahil-ledhi ahjana ba’de ma ematena ve ilejhin-nushur.”[2] që do të thotë: “Falënderimi i qoftë All-llahut, i Cili na ktheu sërish në jetë pasi na bëri të vdekur (në gjumë); dhe tek Ai do të tubohemi.”

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush zgjohet nga gjumi dhe thotë: La ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir. SubhanAllah vel hamdu lil-lah ve la ilahe il-lAllah vAll-llahu ekber ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lahil Alijjil Adhim, thumme kale: All-llahummegfir li.”, që do të thotë: “S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut Një dhe i pashoq, Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. I Madhëruar qoftë All-llahu, falënderimi i takon All-llahut, s’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut, All-llahu është më i Madhi, s’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e All-llahut të Lartmadhëruar.”, dhe pastaj lutet dhe thotë: “O Zoti im, më fal”, lutja do t’i pranohet. Nëse pastaj merr avdes dhe falë namaz, namazi do t’i pranohet.”[3]

Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: El hamdu lil-lahil-ledhi afani fi xhesedi ve redde alejje ruhi ve edhine li bi dhikrihi.”[4], që do të thotë:Falënderimi i përket vetëm All-llahut, i Cili më fali shëndetin, ma ktheu (sërish) shpirtin, dhe ma mundësoi që ta përmend Atë.”

Po ashtu, pasi të zgjohet, i lexon këto ajete: Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”[5] e deri në fund të kaptinës.

Ndërsa me rastin e frikës në gjumë duhet thënë: “Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min gadabihi ve ikabihi, ve sherri ibadihi, ve min hemezatish-shejatini ve en jehdurun.”, që do të thotë: “Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga zemërimi dhe dënimi i Tij, nga dëmi i robërve të Tij, nga mashtrimet e shejtanëve dhe nga prania e tyre.”[6]

 

  1. Larja tri herë e duarve

 

Pasi të zgjohet nga gjumi, duhet larë duart tri herë para se të marrë avdes. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, atëherë mos ta futë (zhytë) dorën e tij në enën me ujë (nga e cila do të marrë avdes) derisa t’i lajë tri herë, sepse ai nuk e di se ku ka qenë (çfarë ka prekur) dora e tij.”[7]

Njeriu, gjatë gjumit, nuk e di se ku e ka vendosur dorën. Ndoshta e ka vendosur dorën në një vend jo të pastër, apo dora i është djersitur, e kështu me radhë. Prandaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar t’i lajmë duart tri herë para avdesit.

 

  1. Përdorimi i misvakut

 

Kjo bëhet me qëllim të largimit të erës së pakëndshme të gojës, si dhe për mbrojtjen e dhëmbëve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem çdoherë që flinte, misvakun e mbante afër kokës, dhe saherë që zgjohej, e përdorte misvakun.[8] Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur zgjohej për të falur namaz nate, i pastronte dhëmbët me misvak.[9]

Por misvakun duhet futur në qese apo në ujë që të mos preket nga ndonjë insekt e të shkaktojë ndonjë infektim te përdoruesi i tij.

 

  1. Avdesi dhe namazi

 

Pasi të zgjohet nga gjumi, myslimani duhet të nxitojë të marrë avdes dhe të falë namazin që t’i zgjidhë nyjat e shejtanit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur njeriu bie të fjejë, shejtani ia lidhë te koka tri nyje dhe i thotë: ‘Fli, ngase para vetes ke natë të gjatë!’ Nëse ai ngrihet dhe e përmendë All-llahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr avdes i zgjidhet edhe një nyje dhe nëse ngrihet dhe e falë namazin, i zgjidhen të gjitha nyjet dhe zgjohet nga gjumi aktiv dhe shpirtdëlirë. Në të kundërtën, zgjohet shpirtlig dhe përtac.”[10]

Po ashtu duhet fryrë hundët me fuqi tri herë gjatë avdesit, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, le t’i pastrojë (fryjë) hundët tri herë, sepse shejtani ka fjetur në zgavrat e hundës së tij.”[11]

 

  1. Zgjimi i familjes për namaz

 

Nëse namazfalësi është i vogël, ai i zgjon prindërit, vëllezërit dhe motrat për namaz.

Nëse namazfalësi është i martuar, atëherë ai e zgjon bashkëshorten dhe fëmijët e tij, sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”[12]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri do të japë llogari për kopenë e tij.”[13]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka nxitur në këtë gjë duke thënë: “All-llahu e mëshiroftë një njeri që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshorten e tij, dhe ajo falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë. All-llahu e mëshiroftë një grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshortin e saj, dhe ai falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë.”[14]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet natën për namaz dhe e zgjon bashkëshorten e tij dhe i falin dy rekate së bashku, atë natë hyjnë në regjistrin e atyre që e përmendin All-llahun shumë.”[15]

 

  1. Rregullimi i shtratit pas zgjimit nga gjumi

 

Myslimani kur zgjohet nga gjumi dhe përgatitet për të shkuar në punë, mësim, e kështu me radhë, para se të dalë nga shtëpia, duhet ta rregullojë shtratin e tij në formën dhe pamjen më të mirë. Kështu duhet të jetë myslimani, ngase islami është fe e pastërtisë dhe rregullit. Nuk bën që shtratin ta lërë në gjendje rrëmuje dhe batanijet të hedhura andej-këtej, e kështu me radhë. Këto gjëra nuk i kanë hije një myslimani, i cili nuk duhet të jetë neglizhent dhe i parregullt.[16]

 

  1. Dhikri (përmendja e All-llahut) pas namazit të sabahut

 

Pas namazit të sabahut, myslimani duhet qëndruar në vendin e faljes duke përmendur All-llahun e Madhërishëm deri në lindjen e diellit, dhe më pas duhet t’i falë dy rekate namaz, që të përfitojë shpërblimin e një haxhi apo umreje të plotë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e falë namazin (e sabahut) me xhemat, e pastaj ulet dhe bën dhikër All-llahun derisa të lindë dielli, dhe më pas i falë dy rekate namaz, do t’i shkruhet shpërblimi sikur i një haxhi dhe umreje, të plota, të plota, të plota.”[17]

 

  1. Dhikri gjatë daljes nga shtëpia

 

Nga Ummu Seleme radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem çdoherë kur dilte nga shtëpia, thoshte: Me emrin e All-llahut, vetëm All-llahut i mbështetem. O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde të mos bie në humbje, e as dikush të mos më çojë në humbje, të mos lajthis (nga e vërteta) dhe të mos më lajthitin të tjerët, të mos dëmtoj kënd dhe të mos më dëmtojë kush, të mos sillem si injorant e as ndaj meje të mos sillen si injorant).[18]

 

 

  1. Shfrytëzimi i çdo momenti për adhurim ndaj All-llahut dhe bërjes së veprave të mira

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ekzistojnë dy begati ndaj të cilave shumica e njerëzve janë të shkujdesur: shëndeti dhe koha e lirë.”[19]

Po ashtu ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra para se të të vijnë pesë të tjera: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para se të jesh i zënë, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.”[20]

[1] Sahih: Shënojnë Ebu Davudi (2606), Tirmidhiu (1212) dhe Ibën Maxhe (2236). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1300) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënon Buhariu (6312).

[3] Sahih: shënon Buhariu (1154).

[4] Sahih: shënon Tirmidhiu (3401). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (701) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Kaptina Alu Imran, ajetet 190-191.

[6] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3528) dhe Ahmedi (2/181). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (264) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (162) dhe Muslimi (278).

[8] Hasen: shënon Ahmedi (2/117). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1055) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (246) dhe Muslimi (255).

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1142) dhe Muslimi (776).

[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3295) dhe Muslimi (238).

[12] Kaptina Et-Tahrim, ajeti 6.

[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (893) dhe Muslimi (1829).

[14] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1610) dhe Ibën Maxhe (1336). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3494) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1451) dhe Ibën Maxhe (1335). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2111) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (97-98).

[17] Sahih: shënon Tirmidhiu (586). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6346) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Sahih: shënon Ebu Davudi (5094). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3163) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] Sahih: shënon Buhariu (6412).

[20] Sahih: shënojnë Hakimi (4/341) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (7/263). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1077) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.