Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E VESHJES

Njeriu nuk mund të jetojë pa veshur rroba me të cilat e mbulon avretin (vendet e turpshme) si dhe me të cilat paraqitet në pamje të bukur para njerëzve. Veshja është një begati madhështore e All-llahut të Madhërishëm, I Cili thotë: O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ua mbulon juve vendet e turpshme dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e All-llahut, ashtu që ata të përkujtojnë.[1] Po ashtu thotë: All-llahu, nga ajo që krijoi Ai, ju bëri edhe hije, e në kodra vendstrehime, edhe petka që ju mbrojnë prej të nxehtit dhe petka që ju mbrojnë në luftë. Ashtu All-llahu plotëson të mirat e Tij ndaj jush, në mënyrë që të dorëzoheni (besoni).”[2]

Ejani së bashku t’i mësojmë rregullat që myslimani duhet përvetësuar kur kemi të bëjmë me veshjen dhe zbukurimin.

 

  1. Falënderimi ndaj All-llahut për këtë begati

 

Pasi që All-llahu i Madhërishëm të furnizon me rroba me të cilat ti e mbulon avretin tënd dhe paraqitesh në pamje të bukur para njerëzve, atëherë e ke për obligim ta falënderosh All-llahun për këtë begati, sepse ka shumë prej njerëzve që nuk gjejnë dot rroba për t’u mbuluar.

 

  1.  Veshja e rrobave duke thënë Bismil-lah

 

Kjo, ngase çdo punë të cilën myslimani nuk e fillon me emrin e All-llahut, ajo është e dështuar dhe pa bereqet.

 

  1. Duaja gjatë veshjes së rrobave

 

Me praktikimin e këtyre duave dhe dhikreve, robi e vërteton mirënjohjen ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe e demonstron varfërinë dhe nevojën e tij për Të.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai i cili vesh një rrobë dhe thotë: Falënderimi i qoftë All-llahut I Cili ma mundësoi ta veshë këtë (rrobë) dhe më furnizoi me këtë pa ndihmën dhe fuqinë time, i falen atij mëkatet e bëra.”[3]

 

  1. Duaja gjatë veshjes së rrobave të reja

 

Kur myslimani veshë ndonjë rrobë të re, duhet ta falënderojë All-llahun e Madhërishëm I Cili e furnizoi atë me ato rroba, dhe duhet të thotë ashtu siç thoshte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur veshte ndonjë rrobë të re. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur veshte ndonjë rrobë për herë të parë, e emërtonte atë me emrin e tij, kamis, çallmë apo xhybe, e pastaj thoshte: “O All-llah, Ty të takon falënderimi, Ti je Ai I Cili ma mundësove ta veshë këtë. Kërkoj prej Teje hairin e saj, dhe hairin për atë që është prodhuar. Dhe kërkoj prej Teje të më mbrosh prej sherrit të saj, dhe sherrit për atë që është prodhuar.”[4] Kjo dua (lutje) e tërheq bereqetin dhe mbron prej të keqes.

 

5.  Duaja për atë që veshë rroba të reja

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, atij që vishte rroba të reja i thoshte: “Vishsh të reja, jetofsh me dinjitet dhe vdeksh shehid (dëshmor në rrugën e All-llahut). All-llahu të furnizoftë me gëzime në dunja dhe ahiret.”[5]

 

  1. Nijeti i sinqertë

 

Kjo do të thotë që myslimani t’i përdorë ato rroba në adhurim dhe respektim të All-llahut të Madhërishëm. Me anë të atyre rrobave nuk duhet shfaqur mendjemadhësi ndaj të tjerëve, nuk duhet shkuar me to në ndonjë mëkat, por duhet t’i përdorë në diçka që All-llahu i Madhërishëm është i kënaqur.

 

  1. Modestia në veshje

 

Kjo do të thotë të mos i kushtojë kujdes të posaçëm veshjes më të mirë dhe më të shtrenjtë, sepse kjo nuk është cilësi e të devotshëmve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më i devotshëm në veshjen e tij. Ndërsa thjesht kujdesi për pastërtinë dhe bukurinë e rrobave, trupit dhe këpucëve, nuk ka ndonjë gjë të ndaluar, sepse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë u pyet: “Njeriu dëshiron që rrobat dhe këpucët e tij të duken të bukura, a është kjo kibr (mendjemadhësi)?”  Ai u përgjigj: “All-llahu është i bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësi është mosmirënjohja e hakut dhe përbuzja e njerëzve.”[6]

Ajo që duam të themi është thjesht modestia në veshje, që e shohim në hadithin e  Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: “Ai që e le një veshje nga modestia për hirin e All-llahut, ndërsa ka mundësi ta blejë, All-llahu do ta thërret atë në ditën e gjykimit në krye të krijesave duke i dhënë mundësinë që të zgjedhë mes veshjeve të imanit dhe ta veshë atë.”[7]

Me fjalën: ‘ai që le një veshje’, për qëllim është lënia e veshjes shumë kualitative dhe të shtrenjtë. Kjo modesti në veshje bëhet që ta largojë nga myslimani sherrin e mendjemadhësisë dhe ta afrojë atë nga njerëzit modestë dhe të varfër. Po ashtu kjo është më larg harxhimit të tepërt, madje kjo e largon nga myslimani sherrin e zilisë dhe mësyshin.[8]

 

  1. Veshja e kamisit

 

Kamisi është një veshje e gjatë deri nën gjunj. Ajo ka qenë rroba më e dashur për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Po ashtu ajo është rroba që më së miri e mbulon avretin, është me çmim të lirë dhe është i lehtë për trupin.

Në një hadith na transmetohet se: “Veshja më e dashur e të dërguarit të All-llahut ishte kamisi.”[9]

 

  1. Veshja e teshave të bardha

 

Veshja teshave të bardha është më e vlefshme sesa veshjet tjera, edhe pse veshja e teshave me ngjyra të tjera është e lejuar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vishni tesha të bardha sepse teshat e bardha janë më të pastrat dhe më të bukurat, dhe po ashtu të vdekurit qefinosni në të bardhë.”[10]

 

  1. Mosveshja e teshave për të arritur famë

 

Pavarësisht a janë tesha tepër madhështore dhe që dallohen nga të tjerët, apo janë

tepër asketike dhe të rreckosura, si rrobat e fukarenjve apo asketëve, kjo gjë nuk është e lejuar. Ndërsa qëllimi i tij me këtë është të arrijë famë te njerëzit me një veshje të caktuar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që veshë një teshë për famë, në ditën e gjykimit All-llahu do t’ia veshë atij një teshë si ajo, e pastaj ia vë flakën asaj.”[11]

 

  1. Fillimi me të djathtën gjatë veshjes dhe me të majtën gjatë zhveshjes

 

Veshjen e rrobave duhat ta fillojmë me anën e djathtë. Kjo është praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai kur e veshte kamisin fillonte me të djathtën.[12] D.m.th. së pari e fusim krahun e djathtë në mëngën e djathtë, si dhe këmbën e djathtë para të majtës gjatë veshjes së pantollonave ose çdo lloj veshjeje të poshtme.

Ndërsa gjatë zhveshjes së rrobave të fillojmë me të majtën, qofshin të sipërme apo të poshtme.

  1. Ndalimi i arit dhe mëndafshit për burra

 

Ari dhe mëndafshi janë të lejuara për gratë ndërsa të ndaluara për burrat.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në këtë botë mëndafshin e vesh ai që në ahiret nuk ka hise (në të).”[13] Po ashtu ka thënë: “Ai i cili ka besuar All-llahun dhe ditën e fundit, të mos vesh mëndafsh dhe ar.”[14] Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: “Ari dhe mëndafshi u janë lejuar grave të ummetit tim, ndërsa u janë ndaluar burrave të ummetit tim.”[15]

 

  1. Gjatësia e rrobave të mos dalë përtej zogjve të këmbës

 

Kjo gjë është haram (e ndaluar), ndërsa ndalimi bëhet edhe më i rreptë nëse shoqërohet me mendjemadhësi. Në vazhdim do të përmendim ca hadithe që kanë të bëjnë me këtë temë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veshja e myslimanit duhet të jetë deri te kërcia, pastaj deri te zogjtë e këmbës, e çka është më poshtë kësaj është në zjarr.”[16]

“Ruaju nga zgjatimi i veshjes, sepse zgjatimi i saj është mendjemadhësi, dhe All-llahu nuk e do atë.”[17]

“Ajo veshje që është më poshtë zogjve të këmbës është në zjarr.”[18]

“Tre personave All-llahu nuk iu flet në ditën e kiametit, as nuk i shikon, as nuk i pastron, dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm: Ai që e zgjat veshjen e tij (përtej zogjve të këmbëve), koprraci, dhe ai që e shet mallin e tij me betim të rrejshëm.”[19]

“All-llahu nuk e shikon atë që e ka zgjatur veshjen e tij për mendjemadhësi.”[20]

Kjo dispozitë vlen për të gjitha llojet e rrobave, të sipërme qofshin apo të poshtme.

  1.  Zgjatja e veshjes për gratë

 

Kjo është kështu për shkak të drojës nga shpalosja e këmbëve të saj, dhe si rrjedhojë, shkaktimi të fitnes te burrat. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Bishti i gruas është një pëllëmbë.” Ummu Seleme tha: “E nëse i duken këmbët?!”  Ai u përgjigj: “Atëherë një bërryl, jo më tepër se kjo.”[21]

 

  1. Mbulimi i avretit

 

Rrobat duhet ta mbulojnë avretin e burrit dhe të gruas, e avreti i gruas është i gjithë trupi i saj. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ti pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i hedhin vellot (mbulesat) e veta mbi gjithë trupin e tyre (le të mbulohen plotësisht).[22] Ndërsa, rrobat që e mbulojnë avretin janë ato rroba që janë të trasha, e jo të tejdukshme, të gjëra, e jo të ngushta që e përshkruajnë trupin, dhe goxha të gjata. Rrobat e ngushta e përcaktojnë formën dhe madhësinë e avretit, andaj nuk konsiderohen mbulesë. Po ashtu rrobat e tejdukshme, dhe natyrisht, rrobat e shkurtra, nuk konsiderohen mbulesë.

 

  1. Pastërtia e veshjes

 

Myslimani gjithnjë duhet të kujdeset për pastërtinë e rrobave të tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe rrobat e tua pastroi!”[23]

Myslimanit nuk i lejohet të veshë rroba të cilat përmbajnë papastërti, apo rroba të përpunuara prej ndonjë materiali që në esencë është e papastër, si lëkura e derrit etj, ose të veshë rroba që përmbajnë ndyrësira. Andaj, obligim i myslimanit është që gjithmonë t’i kushtojë kujdes pastërtisë së rrobave të tij.

 

 

  1. Mosngjasimi me jomyslimanët në veshje

 

Shumë prej myslimanëve janë ndikuar nga jobesimtarët në veshjen e tyre, modelin e flokëve, mënyrën e ecjes apo të folurit, e kështu me radhë. Të gjitha këto gjëra nuk janë të lejuara ngase ne si model tonin e kemi vetëm Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga përngjasimi me jomyslimanët dhe ka thënë: “… dhe ai që i ngjason një populli, është prej tyre.”[24]

 

  1. Mosngjasimi i burrave me gra dhe i grave me burra

 

Kjo gjë assesi nuk lejohet. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar një gjë të tillë dhe ka thënë: “All-llahu i përzë nga mëshira e Tij ato gra që u ngjasojnë burrave dhe ata burra që u ngjasojnë grave.”[25] Po ashtu ka thënë: “All-llahu e përzë nga mëshira e Tij burrin i cili vesh rroba të grave dhe gruan e cila vesh rroba të burrave.”[26]

 

  1. Shmangia e rrobave të cilat e shfaqin avretin

 

Veshja e rrobave të holla dhe të ngushta, të cilat e shfaqin avretin, është e ndaluar. Kjo gjë më shumë është e pranishme te gratë. Andaj gruaja duhet t’u shmanget rrobave që e tërheqin shikimin e burrave, nxisin fitne dhe e ngacmojnë epshin e tyre, si rrobat e dekoruara, rrobat e stolisura me gurë të çmueshëm, si dhe rrobat me ngjyra tërheqëse dhe vizatime (shkrime) të bukura, e kështu me radhë. Po ashtu duhet pasur kujdes nga rrobat të cilat përmbajnë fotografi të gjallesave, kryqe, etj. Këto të fundit vlejnë si për burrat ashtu edhe për gratë.

 

  1. Mosveshja e rrobave të kuqe dhe të ngjyrosura me ‘usfur’[27] për burrat

 

Për sa i përket ndalimit të veshjes së rrobave me ngjyrë të kuqe, këtu për qëllim janë rrobat që kanë ngjyrë të kuqe sade, të papërzier me ndonjë ngjyrë tjetër. Pra nëse ngjyra e kuqe është e përzier me ndonjë ngjyrë tjetër, atëherë veshja e këtyre rrobave lejohet për burrat.

Ndërsa për sa i përket veshjes së rrobave të ngjyrosura me usfur, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar veshjen e tyre.

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që burri të veshë rroba të ngjyrosura me usfur.”[28]

Nga Abdullah ibën Amër ibën Asi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Njëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem më pa të veshur me dy rroba (të sipërme e të poshtme) të ngyrosura me ngjyrë usfuri, dhe më pyeti: A nëna yte të ka urdhëruar t’i veshësh këto?! I thashë: A t’i laj? Ai më tha: Jo, por digji.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Këto janë rroba të jobesimtarëve. Prandaj mos i vish.”[29]

 

  1. Shmangia nga rrobat e zbukuruara dhe me ngjyra të ndritshme

 

Rrobat e këtilla shfaqin feminitet për atë që i ka veshur. Sot shohim shumë rroba të tilla të cilat i veshin shumë djem të rinj të femërzuar, në të cilat në të shumtën e rasteve ka shkrime në gjuhën angleze dhe të cilat nuk i kanë hije një myslimani.

 

  1. Mosteprimi në madhësinë e mëngëve

 

Ky është harxhim i tepërt nga i cili jemi të ndaluar… Po ashtu kjo gjë nuk ka qenë nga udhëzimet e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe shokëve të tij.

  1. Moshumbja e kohës në veshje dhe zbukurim

 

Humbja e kohës është humbje e jetës, për të cilën njeriu do të pyetet në ditën e kiametit. Njëherë një selefi i ishte thënë: “Po shoh se nuk interesohesh për veshjen tënde.” Ai u përgjigj: “Më e dashur për mua është të vesh një rrobë me të cilën e mbroj veten, sesa një rrobë të cilën e mbroj me veten.”

Prandaj është thënë: “Vish rroba që i shfrytëzon e jo që të shfrytëzojnë.”

 

  1. Palosja e rrobave pas zhveshjes

 

Prej edukatës së myslimanit është që të jetë i rregullt në jetën e tij. Pra, kur ai kthehet në shtëpi, i palos rrobat apo i vendos në një vend të posaçëm.

[1] Kaptina El-E’raf, ajeti 26.

[2] Kaptina En-Nahl, ajeti 81.

[3] Hasen: shënon Ebu Davudi (4023). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (6086) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[4] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4020) dhe Ibën Maxhe (1767). Shejh Albani në librin El-Mishkah (4342) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih: shënojnë Ibën Maxhe (3558) dhe Ahmedi (2/88). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (352) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Sahih:  shënon Muslimi (91).

[7] Sahih: shënon Tirmidhiu (2481). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (718) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/736).

[9] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4025) Tirmidhiu (1762) dhe Ibën Maxhe (3575). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4625) e ka klasifikuar si hadith sahih.  

[10] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4061), Tirmidhiu (994) dhe Ibën Maxhe (1472). Shejh Albani në librin El-Mishkah (1236) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4029) dhe Ibën Maxhe (3606). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6526) e ka klasifikuar si hadith sahih.   

[12] Sahih: shënon Tirmidhiu (1766). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4779) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5835) dhe Muslimi (2069).

[14] Sahih: shënon Ahmedi (5/261). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6509) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënon Ahmedi (4/93). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (209) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Sahih: shënon Ahmedi (2/287). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (920) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4084) dhe Ahmedi (5/63). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1109) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Sahih: shënon Buhariu (5787).

[19] Sahih: shënon Muslimi (106).

[20] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5783) dhe Muslimi (2085).

[21] Sahih: shënojnë Darimiu (2/279), Bejhekiu (2/233), Ahmedi (6/295, 309) dhe Ebu Ja’la (1/319). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1864) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[22] Kaptina El-Ahzab, ajeti 59.

[23] Kaptina El-Muddeth-thir, ajeti 4.

[24]Sahih: shënon Ahmedi (2/50). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2831) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[25] Sahih: shënon Buhariu (5885).

[26] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4098) dhe Ahmedi (2/325). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5095) e ka klasifikuar si hadith sahih. 

[27] Usfur (në gjuhën arabe) është një bimë që në gjuhën latine quhet Carthamus Tinctorius, e cila përdorej për ngjyrosjen e rrobave, prej të cilës rrobat merrnin afërsisht ngjyrë portokalli të hapur. (shën.përkth.)

[28] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5846) dhe Muslimi (2101).

[29] Sahih: shënon Muslimi (2077).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.