Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E TË USHQYERIT

 

Njeriu nuk mund të jetojë pa ushqim. Ushqimi është ai që ia ruan jetën, shëndetin dhe fuqinë. Pa marrë parasysh a ka nijet të caktuar dhe praktikim të edukatës islame gjatë ngrënies apo nuk ka nijet të tillë, ai domosdo do të hajë. Por, nëse ai arrin të kuptojë se të ngrënit ka rregulla dhe edukatë të caktuar të cilën myslimani duhet përvetësuar dhe i zbaton këto rregulla praktikisht, ai ka mundësi që, krahas realizimit të qëllimit të ngrënies, që ka të bëjë me këtë dynja, të fitojë shpërblimin e ahiretit. Praktikimi i këtyre rregullave sjell bereqet, e përmirëson nefsin, e përvetëson modestinë, e realizon falënderimin ndaj All-llahut, i largon shejtanët dhe ndjellë dashuri mes njerëzve.

 

RREGULLAT PARA USHQIMIT

 

  1. Nijeti i mirë

 

Myslimani në ngrënien e ushqimit duhet të ketë nijet të mirë. Pra, ngrëina e tij nuk duhet të jetë thjesht rutinë ditore, e cila ia mbron jetën, ose thjesht kënaqje me llojet e ndryshme të ushqimit, por me anë të ushqimit ai duhet pasur nijet forcimin për ibadet ndaj All-llahut, si dhe ruajtjen e jetës dhe shëndetit.

 

  1. Kujdesi për ushqimin hallall

 

All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrënien e haramit, dhe ai që e bën këtë vepër, do të hyjë në zjarr. All-llahu i Madhërishëm ka urdhëruar ngrënien e ushqimit të mirë dhe hallall.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “(Ne u patëm thënë): O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.”[1] Po ashtu thotë: O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[2]

 

3.Mosngrënia nëse je ngishëm

 

Njeriu nuk duhet ngrënë nëse është ngishëm, ngase kjo llogaritet shpenzim i tepruar, si dhe shkakton sëmundje. Kjo është në kundërshtim me udhëzimet e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

 

  1. Përgjigjja ndaj ftesës

 

Nëse një vëlla mysliman të fton për ushqim, atëherë përgjigjju ftesës së tij, siç ka urdhëruar Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në përgjigjje ndaj ftesës dhe e ka numëruar në mesin e haqeve që myslimani i ka ndaj vëllait të tij mysliman, dhe ka thënë: “… kur të të ftojë në diçka, përgjigju ftesës.”[3]

 

  1. Mosngrënia në enë prej ari apo argjendi

 

Kjo është një gjë të cilën All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar. Kjo përmban teprim dhe shpenzim të panevojshëm, përbuzje të begatisë së All-llahut, dhe dëshpërim ndaj fukarenjve të cilët e shohin këtë pamje. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ha në enë prej argjendi, e gurgullon zjarrin e xhehennemit në barkun e tij.”[4]

 

  1. Ftesa për ushqim të pranishëmve

 

Kjo është një edukatë e lartë, ngase i pranishmi gjatë servirjes së ushqimit ka mundësi të joshet nga ushqimi dhe të lakmojë. Prandaj, obligim i njerëzve që hanë është ta ftojnë t’u bashkëngjitet.

 

  1. Ftesa e shërbëtorit apo dhënia ushqim atij

 

Kjo është një edukatë fisnike e islamit. Shërbëtori i cili e përgatitë ushqimin, mund të lakmojë. Prandaj duhet të ftohet për ushqim duke e ulur bashkë me njerëzit apo duke i dhënë një pjesë të ushqimit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush shërbëtori ia sjell ushqimin, le ta ulë në sofër. E nëse nuk e ulë në sofër, atëherë le t’i japë diçka nga ushqimi.”[5] Kjo gjë e gëzon atë dhe njeriu shfaqë modesti ndaj tij.

 

  1. Modestia

 

Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën e uljes por edhe me llojshmërinë e ushqimit, si dhe me uljen e përbashkët me fukarenjtë dhe të ngjashmit me ta. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë ha sikur ha një rob dhe ulem sikur ulet një rob.”[6]

 

  1. Ftesa e fqinjit në ushqim

 

Kjo bëhet duke i dërguar atij ca ushqim për të dhe fëmijët e tij, e në veçanti nëse ai është i varfër dhe nuk ka mundësi t’ia mundësojë vetes atë lloj ushqimi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të gatuani ndonjë ushqim (gjellë), shtoni më shumë lëng mishi dhe jipni prej saj edhe fqinjit.”[7]

  1. Gatimi i ushqimit për vëllezërit dhe njerëzit e tjerë

 

Kjo po ashtu është prej gjërave në të cilat islami ka nxitur. Kjo është një prej mënyrave për të përhapur dashurinë në mesin e njerëzve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Përhapeni selamin, përshëndetini njerëzit dhe bëhuni vëllezër ashtu siç All-llahu ju ka urdhëruar.”[8]

 

  1. Mosteprimi

 

Kjo do të thotë që njeriu të mos e teprojë duke gatuar ushqime të shumëllojshme, por lejohet që të gatuajë më shumë se një lloj.

[1] Kaptina El-Mu’minun, ajeti 51.

[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.

[3] Sahih: shënon Muslimi (2162).

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5634) dhe Muslimi (2065).

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2557) dhe Muslimi (1663).

[6] Sahih: shënojnë Ibën Sa’di (1/371), Bejhekiu në Shuabul-Iman (5/107) dhe Abdurr-Rrezzaku nga Muammeri në librin e tij El-Xhami’ (10/417). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (4/54). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (676) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Sahih: Ibën Maxhe (3252) dhe Ahmedi (1/3). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1089) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.