Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË PIRJES

Vëllezër të dashur,

Njeriu nuk mund të jetojë pa ushqim e pije. Madje nevoja e tij për pije është më e madhe se ajo për haje. Prandaj All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi.”[1]

Që këtej, është e domosdoshme t’i mësojmë rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar gjatë pirjes.

 

  1. Nijeti i mirë

 Kjo do të thotë që njeriu gjatë pirjes të ketë nijetin të forcohet për ibadet ndaj All-llahut të Madhërishëm, si dhe kjo pije të jetë shkak për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tij.

 

  1. Të thënit ‘bismil-lah’ para pirjes

 

Ashtu siç thotë ‘bismil-lah’ para ushqimit, ashtu duhet thënë ‘bismil-lah’ edhe para pirjes. Kjo është shkak për të arritur bereqetin e pijes dhe largimin e shejtanit nga kjo pije.

 

  1. Pirja duke bërë ulur nëse jepet mundësia

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar pirjen duke qenë në këmbë dhe ka thënë: “Mos pini duke qenë në këmbë. E kush harron (dhe pi në këmbë), le të vjellë.”[2] Po ashtu ka thënë: “Sikur ta dinte ai që pi në këmbë se ç’ka në barkun e tij, do të villte.”[3] Po ashtu, na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar pirjen në këmbë.[4] D.m.th. esenca është që pirja të bëhet duke qenë ulur, dhe kjo është më e mirë se pirja në këmbë.

 

  1. Pirja me dorën e djathtë

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të hani, hani me dorën e djathtë dhe kur të pini, pini me dorën e djathtë, sepse shejtani ha me dorën e majtë dhe pi me dorën e majtë.”[5] Prandaj myslimanit nuk i lejohet të pijë me dorën e majtë.

 

  1. Pirja me tri frymëmarrje

 

Kjo do të thotë që atë që e pi, ta pijë duke e ndarë në tri pjesë, e jo duke e pirë përnjëherë.

Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai pinte me tri herë, dhe në fillim thoshte ‘bismil-lah’, ndërsa në fund thoshte ‘el-hamdu lil-lah’.[6]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pinte me tri frymëmarrje (ndërprerje). Kur e afronte enën te goja, thoshte ‘bismil-lah’, e kur e mbaronte pirjen, thoshte el-hamdu lil-lah. Këtë e përsëriste tri herë.[7]

Ky sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në vete ngërthen dobi të shumta mjekësore. Disa mjekë kanë sqaruar se temperatura e lukthit zakonisht është më e lartë sesa temperatura e ujit që pihet. Prandaj, në fillim duhet pirë pakëz, e më pas e shton sasinë, e më në fund ngopet me ujë, derisa shkalla e temperaturës së lukthit gradualisht të adaptohet me temperaturën e ujit që depërton në të. Kështu, pija e parë duhet të jetë më e paktë se e dyta, ndërsa gjatë të tretës pi sa të ketë nevojë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk e ka bërë këtë për diçka tjetër përveçse për t’i mësuar njerëzit atë që është në dobinë e tyre.[8]

 

  1. Mospirja nga gryka e enës

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar pirjen nga gryka e enës.[9]

Arsyeja e kësaj është se nëse dikush pi nga gryka e enës, mund të lërë pas erën e keqe të gojës dhe kështu askush nuk mund të pijë pas tij. Po ashtu kjo mund të shkaktojë bartjen e sëmundjeve të ndryshme, e sidomos nëse dikush pi pasi ka pirë personi i sëmurë.

 

  1. Frymëmarrja gjatë pirjes

 

Pijen nuk duhet pirë përnjëherë, por duhet ndarë në tri pjesë dhe mes tyre duhet marrë frymë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur pinte, merrte frymë tri herë, dhe në lidhje me këtë thoshte: “Kjo është më e ngopshme, më e dobishme dhe më e shëndetshme.”[10]

 

  1. Largimi i enës nga goja gjatë frymëmarrjes

 

Kjo do të thotë që pirja të bëhet nga ena, ndërsa kur dëshiron të marrë frymë, duhet larguar enën nga goja. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Largoje enën nga goja e pastaj merr frymë.”[11]

 

  1. Mosmarrja frymë në enë dhe mosfryrja në të

 

Arsyeja për këtë gjë është që era e gojës të mos transferohet në enë. Ka mundësi që era të jetë e neveritshme dhe të tjerët të mos mund të pinë më nga ajo enë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: “Kur të pini, mos merrni frymë në enë; kur të kryeni nevojën fiziologjike, mos e fshini (pastroni) organin gjenital me dorën e djathtë; dhe kur të pastroni prapanicën pas nevojës fiziologjike, mos e pastroni me dorën e djathtë.”[12] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar frymëmarrjen në enë dhe fryrjen në të.[13]

 

  1. Ndalimi i pirjes në enë të arit dhe të argjendit

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: Kushdo që pi nga ena prej ari dhe argjendi, ai gurgullon në barkun e tij zjarrin e xhehennemit.”[14] Po ashtu ka thënë: “Mos pini nga enë të arit dhe argjendit…”[15] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Ai që pi nga ena prej argjendi, ai gurgullon në barkun e tij zjarrin e xhehennemit.”[16]

 

  1. Largimi nga pijet e ndaluara

 

Myslimani e ka për detyrë të largohet nga pijet e ndaluara, si alkooli dhe pijet tjera dehëse. Ai që pi pije të tilla, ka bërë një mëkat të madh.

 

  1. Preferohet pirja e pijeve të ëmbla e të freskëta

 

Këtu bëjnë pjesë lëngjet dhe të ngjashmet me to. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka dashur këto lloj pijesh. Në një hadith na përcillet se: “Pija më e dashur për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë pija e ëmbël dhe e freskët.“[17]

 

 

  1. Preferohet pirja e mjaltit, qumështit dhe ujit

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka dashur këto pije dhe i ka pirë vazhdimisht.

 

  1. Dhënia përparësi anës së djathtë

 

Nëse ka një grup njerëzish që presin për të pirë, atëherë sunnet është që të fillohet nga ana e djathtë.

Njëherë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu soll një enë me qumësht të përzier me ujë, ndërsa në anën e djathtë të tij kishte një beduin, e në anën e majtë të tij e kishte Ebu Bekrin. Enën ia dha beduinit, dhe tha: “E djathta ka përparësi.”[18]

 

  1. Kërkimi i lejes nga ai që është në anën e djathtë për të filluar me të tjerët

 

Ka mundësi që gjatë pirjes të ketë një grup njerëzish, ndërsa ai që shërben me pije ka dëshirë që të fillojë nga dikush tjetër që nuk është në anën e djathtë, dhe atë për shkak të pozitës apo diturisë që ka ai person. Në këtë rast, ai e ka obligim të marrë leje nga ai që është ulur në anën e djathtë, qoftë edhe nëse është fëmijë, ngase na përcillet se njëherë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i sollën një pije. Pasi piu prej saj, në anën e tij të djathtë kishte një fëmijë, ndërsa në të majtën kishte ca pleq. Ai iu drejtua fëmijës duke i thënë: “A më lejon t’u jap këtyre pleqve para teje?” Fëmija tha: “Jo vallahi, askujt nuk i jap përparësi para vetes.” Atëherë i dërguari i All-llahut ia dha atij enën në dorë.[19]

 

  1. Mosteprimi në pije

All-llahu i Madhërishëm ka ndaluar teprimin dhe ka thënë: “hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”[20]

Teprimi shkakton dëm në shëndetin e njeriut. Po ashtu teprimi nuk është cilësi e besimtarëve, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari pi me një plëndës, ndërsa mosbesimtari pi me shtatë plëndësa.”[21]

 

  1. Ai që shërben pijen, duhet pirë i fundit

 

Këtë e bazojmë në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush shërben pijen, është i fundit.”[22] Po ashtu në hadithin tjetër: “Ai që shërben pijen, pi i fundit.”[23]

Pra, sunnet është që shërbyesi i pijes nuk duhet pirë derisa të pinë të gjithë të pranishmit. E kur të mbarojnë, atëherë ai pi i fundit.

 

  1. Preferohet pirja e qumështit të lopës

 

Qumështi i lopës është i dobishëm. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka porositur me të dhe ka thënë: “Pini qumësht lope, ngase ato hanë nga të gjitha llojet e pemëve, dhe qumështi i tyre është shërim nga çdo sëmundje.”[24]

 

  1. Duaja para pirjes së qumështit

 

Ai që dëshiron të pijë qumësht, le të përkujtojë duanë të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ua mësoi njerëzve para pirjes së qumështit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të pini qumësht, thuani: O All-llah, na jep bereqet në të, na e shto atë, ngase nuk ka gjë që e përmbushë mungesën e ushqimit dhe pijes përveç tij.”[25]

 

  1. Gargaritja pas pirjes së qumështit

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka nxitur për një gjë të tillë duke thënë: “Kur të pini qumësht, gargaritni, sepse qumështi përmban yndyrë.”[26]

 

  1. Përkujtimi i duasë së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë pirjes

 

Ajo dua është: “O All-llah, bëje dashurinë time për Ty më të dashur sesa dashurinë time për veten, familjen dhe ujin e freskët.”[27] Prandaj, përkujtoje dashurinë ndaj All-llahut dhe jipi përparësi asaj ndaj dashurisë për dikë tjetër. Po ashtu përkujtoje begatinë e Tij dhe falënderoje Atë.

 

  1.  Falënderimi All-llahut pas pirjes

 

Ky falënderim në vete ngërthen mirënjohjen për mirësitë dhe begatitë e All-llahut, si dhe falënderimin ndaj Tij për të gjitha ato begati.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur mbaronte ushqimin apo pijen, thoshte: “Falënderimi i takon All-llahut, I Cili na dha të hamë e të pimë, e bëri të lehtë për përtypje dhe i bëri vend për dalje.”[28] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu do të jetë i Kënaqur me robin e Tij kur ai ha dhe e falënderon Atë, apo kur pi dhe e falënderon Atë.”[29]

[1] Kaptina El-Enbija’, ajeti 30.

[2] Sahih: shënon Muslimi (2026).

[3] Sahih: shënon Ahmedi (2/283). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5336) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Muslimi (2024).

[5] Sahih: Shënon Muslimi (2020).

[6] Sahih: shënon Ibën Sunnij. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4956) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih: shënojnë Haraitiu në librin e tij Fadiletush-Shukr dhe Taberaniu në Mu’xhemul-Evset. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1277) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/464-465). Autor: Abdul-Aziz Neda.

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5628) dhe Muslimi (1609).

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5631) dhe Muslimi (2028).

[11] Sahih: shënojnë Bejhekiu në Shuabul-Iman (5/114), Maliku (2/925) dhe Ahmedi (3/57). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (385) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[12] Sahih: shënon Buhariu (5630).

[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3728), Tirmidhiu (3728) dhe Ibën Maxhe (3429). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3820) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Sahih: Shënon Muslimi (2065).

[15] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5633) dhe Muslimi (2067).

[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5634) dhe Muslimi (2065).

[17] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1895) dhe Ahmedi (6/38). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4627) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5619) dhe Muslimi (2029).

[19] Sahih: shënon Buhariu (5620).

[20] Kaptina El-E’raf. Ajeti 31.

[21] Sahih: shënon Muslimi (2063).

[22] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3725) dhe Ahmedi (4/354). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3588) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[23] Sahih: shënon Muslimi (681).

[24] Sahih: shënon Hakimi në Mustedrek (4/446). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4059) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[25] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3730) dhe Tirmidhiu (3455). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (381) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Sahih: shënon Ibën Maxhe (499). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (628) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[27] Daif: shënon Tirmidhiu (3490). Shejh Albani në librin e tij Tahkik Rijadis-Salihin (1498) dhe Silsiletul-Ehadithid-Daife (1125) e ka klasifikuar si hadith daif.

[28] Sahih: shënon Ebu Davudi (3851). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4681) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Sahih: shënon Muslimi (2734).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.