Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË TESHTIMËS

Vëllezër të dashur,

Teshtimë do të thotë dalja e ajrit me vrull, papritur e pa dashje nga hunda e nga goja, zakonisht me stërpika, pështymë e me një zhurmë të veçantë. (Fjalori Elektronik Shpjegues).

Edukata e teshtimës është pjesë e edukatës së përgjithshme të cilën myslimani duhet përvetësuar, që do të thotë se ajo duhet të jetë e hijshme në praninë e vëllezërve myslimanë.

Teshtima është gjë të cilën All-llahu i Madhërishëm e do, siç na përcillet nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu se i dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu e do teshtimën, ndërsa e urren gogësimën (hapjen instiktive te gojës)…”[1] Teshtima vërteton shkathtësinë dhe kthjelltësinë e trupit, ndërsa gogësima, në përgjithësi vërteton ngathtësinë dhe përtacinë e trupit. Prandaj gogësima ka të bëjë me shejtanin, i cili kënaqet me të, apo është shkak që e thirrë t’i përgjigjet pasioneve dhe epshit.[2]

Në vazhdim, po përmendim disa rregulla të cilat duhet pasur parasysh gjatë teshtimës.

 

  1. Vendosja e dorës në gojë për të ulur zërin

 

Kjo bëhet me qëllim të uljes së zërit dhe për të mos i shqetësuar të pranishmit.  Po ashtu që të mos shpërndahen pika të pështymës dhe kështu t’i shqetësojë njerëzit që ka përreth, apo që të mos shkaktojë përhapjen e bakterieve te të tjerët. Prandaj, prej udhëzimit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë që kur teshtinte e vendoste dorën apo teshën e tij në gojë, dhe me to e ndalonte zërin.[3]

  1. Të thotë el-hamdu lil-lah (falënderimi i takon All-llahut) pas teshtimës

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju teshtinë, le të thotë el-hamdu lil-lah (falënderimi i takon All-llahut), e kur të thotë ashtu, vëllai apo shoku i tij le t’i thotë: Jerhamukell-llah (All-llahu të mëshiroftë), e ky le t’ia kthejë: Jehdikumull-llahu ve juslihu balekum (All-llahu ju udhëzoftë dhe ua përmirësoftë gjendjen tuaj).”[4] Disa dijetarë të lëmit të mjekësisë kanë cekur se teshtima ka mundësi të jetë shkak i shumë sëmundjeve. Pra, ajo teshtimë e befasishme mund të lërë pasoja të rënda në sistemin nervor, madje mund të shkaktojë edhe vdekje. Një mjek amerikan i cili para disa viteve e pranoi islamin pasi bëri një hulumtim shkencor te një numër i madh njerëzish, konstatoi se teshtima mund të shkaktojë vdekje momentale, verbëri momentale, paralizë, rrëshqitje të kërces, zgjerim të venave të mitrës te femrat, e shumë sëmundje të tjera të cilat arrijnë deri në pesëmbëdhjetë. Pas këtij hulumtimi, ai e kuptoi përse myslimanët e falënderojnë All-llahun pas teshtimës, dhe për këtë arsye e pranoi islamin.

Gazeta “El-Ehbar” e Kajros rreth fundit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të njëzetë ka publikuar lajmin për vdekjen momentale të një plake pas një teshtime të befasishme. Ndoshta, pikërisht ky mund të jetë shkaku përse islami na urdhëron që ta falënderojmë All-llahun pas teshtimës, ngase All-llahu e ka mbrojtur atë që teshtinë prej këtyre gjërave të rrezikshme.[5]

 

  1. Atij i cili nuk thotë: el-hamdu lil-lah, nuk duhet thënë jerhamukell-llah

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush teshtinë dhe thotë: El-hamdu Lil-lah, thuani atij: Jerhamukell-llah. E nëse nuk thotë: El-hamdu Lil-lah, mos i thoni: Jerhamukell-llah.”[6] Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Njëherë dy njerëz teshtinë në praninë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai njërit i tha: Jerhamukell-llah, e tjetrit nuk i tha. Ky i fundit tha: “O i dërguar i All-llahut! Këtij i the Jerhamukell-llah, e mua jo!” Ai iu përgjigj: “Ky tha el-hamdu lil-lah, ndërsa ti nuk the.”[7]

 

 

  1. Atij që teshtinë nuk i thuhet jerhamukell-llah pas herës së tretë

 

Nëse një njeri teshtinë disa herë me radhë, preferohet që t’i thuhet ‘jerhamukellah’ deri në teshtimën e tretë… Nga Seleme ibën Ekve’ radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një njeri teshtiu në praninë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa unë po shikoja, e i dërguari i All-llahut i tha: Jerhamukellah. Pastaj teshtiu për herë të dytë apo të tretë ndërsa i dërguari i All-llahut tha: Jerhamukellah, ky qenka me grip.”[8] Pra, pas herës së tretë nuk i thuhet më ‘jerhamukellah’. Por disa prej dijetarëve thonë që nëse dikush dëgjon dikë duke teshtitur më shumë se dy herë, atëherë preferohet të lutet për të me shërim.[9]

 

  1. Jomyslimani kur teshtinë, i thuhet ‘jehdikumull-llahu ve juslihu balekum’

 

Hebrenjtë teshtinin qëllimisht para Pejgamberit alejhi selam, duke shpresuar që ai t’u thotë “jerhamukumull-llah”, por ai u thoshte: “Jehdikumull-llahu ve juslihu balekum.”[10]

Nga Imam Ahmedi na përcillet se ka thënë: “Nuk preferohet që mosbesimtarit t’i thuhet ‘jerhamukell-llah’, ngase të thënit atij ‘jerhamukell-llah’ është përshëndetje për të, sikurse ta përshëndesim me selam, ndërsa nuk është e preferuar që myslimani të fillojë me përshëndetje i pari ndaj mosbesimtarit. Por nëse myslimani dëshiron t’i thotë diçka mosbesimtarit kur ky i fundit teshtinë, atëherë i thotë ‘jehdikumull-llahu ve juslihu balekum.’”

 

  1. Përkujtimi i atij që teshtinë me fjalën el-hamdu lil-lah kur ai e harron atë

 

Nëse shohim dikë duke teshtirë, dhe nuk thotë el-hamdu lil-lah, atëherë duhet t’ia përkujtojmë. Kjo është prej porosive për t’u përmbajtur me të vërtetën dhe prej urdhërimit në të mirë.

Abdullah ibën Mubareku e pa një njeri i cili teshtiu dhe nuk tha el-hamdu lil-lah, prandaj e pyeti: “Çfarë thotë njeriu kur teshtinë?” Ai tha: “Thotë el-hamdu lil-lah.” Abdullah ibn Mubareku ia ktheu: “Jerhamukell-llah.”

Përkujtimi duhet bërë me metodë të mirë dhe me butësi. E nëse ai që teshtinë dhe harron të thotë el-hamdu lil-lah është prej dijetarëve apo njerëzve të mirë, më e hijshme është që përkujtimi t’i bëhet në mënyrë indirekte.[11]

 

  1. Nëse një fëmijë i vogël teshtinë, i thuhet: ‘burike fike’ (qofsh i bekuar) ose ‘xhebberekellah’ (All-llahu të forcoftë)

 

Kjo ka të bëjë me atë nëse fëmija ka mësuar të thotë ‘el-hamdu lil-lah’ pasi të teshtijë. E nëse nuk di, atëherë kujdestari i tij le të thotë ‘el-hamdu lil-lah’, dhe le ta mësojë se si duhet ta falënderojë All-llahun.

Hasen El-Basriu, All-llahu e mëshiroftë, thotë se Imam Ahmedi u pyet në lidhje me atë se ç’duhet thënë fëmijës kur të teshtijë. Ai u përgjigj: “Atij duhet thënë burike fike.”[12]

 

  1. Nëse njeriu teshtinë gjatë namazit, i lejohet të thotë ‘el-hamdu lil-lah

 

Nga Rifaa Ibën Rafi’ ibën Afra’ radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “U fala mbrapa të dërguarit të All-llahut, dhe teshtiva në namaz e thashë: el-hamdu lil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, mubareken alejhi kema juhibbu rabbuna ve jerda![13] I dërguari i All-llahut pasi e përfundoi namazin, pyeti: Kush foli gjatë namazit? Askush nuk u përgjigj. Përsëri pyeti: Kush foli gjatë namazit? Përsëri askush nuk u përgjigj. Kur pyeti për herë të tretë: Kush foli gjatë namazit?, u ngrita dhe thashë: Unë fola, o i dërguari i All-llahut. Po çfarë the?– e pyeti i dërguari i All-llahut. Thashë: El-hamdu lil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, mubareken alejhi kema juhibbu rabbuna ve jerda! Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, tridhjetë e ca melekë garuan se cili i pari do ta ngritë këtë fjalë tek All-llahu.”[14]

[1] Sahih: shënon Buhariu (6223).

[2] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 475. Autor: Pr. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.

[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5029) dhe Tirmidhiu (2745). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4755) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Buhariu (6224).

[5] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 618. Autor: Abdul-Aziz Neda.

[6] Sahih: shënon Muslimi (2992).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6225) dhe Muslimi (2991).

[8] Sahih: shënon Muslimi (2993).

[9] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 477. Autor: Prof. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.

[10] Sahih: shënon Buhariu (6224).

[11] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 620.

[12] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin Fil-Adabil-Islamijje, fq. 478.

[13] Që do të thotë: “Falënderimi i takon All-llahu, falënderim i shumtë, në të cilin është mirësia dhe bekimi, i bekuar ashtu siç do dhë është i Kënaqur Zoti Ynë.” (shën. përkth.)

[14] Hasen: Shënon Tirmidhiu (404). Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah (992) e ka klasifikuar si hadith hasen.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.