Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

RREGULLAT PAS USHQIMIT

  1. Falënderimi ndaj All-llahut për begatinë e Tij

 

Ky falënderim bëhet me gjuhë ashtu siç bëhet edhe me zemër duke shprehur mirënjohjen tonë ndaj Tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur mbaronte ushqimin thoshte: “Falënderimi i takon All-llahut, I Cili na dha të hamë e të pimë, e bëri të lehtë për përtypje dhe i bëri vend për dalje.”[1]

 

  1. Lutja për nikoqirin e ushqimit

 

Kjo është një edukatë të cilën duhet pasur në konsideratë. Njëherit, kjo është falënderim ndaj All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar as All-llahun.”[2] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë hëngri te njëri prej shokëve të tij, dhe pasi përfundoi me ushqimin, tha: Bëfshin iftar te ju agjëruesit, ushqimin tuaj e ngrënçin njerëzit e mirë dhe për ju bëfshin dua melaiket.”[3]

 

  1. Shpërlarja e gojës dhe gargaritja pas ushqimit

 

Kjo ka qenë praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Nga Suvejd ibën Nu’mani na përcillet se ka thënë: “Dolëm bashkë me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për në Hajber. Kur arritëm në Sahba, kërkoi të shtrohet ushqimi, e që ishte vetëm suvejk (ushqim nga gruri dhe elbi). Pasi hëngrëm, u ngrit për të falur namazin, gargariti, dhe ne, po ashtu gargaritëm.”[4]

 

  1. Pastrimi i dhëmbëve

 

Kjo do të thotë largimi i mbeturinave të ushqimit ndërmjet dhëmbëve, qoftë me kleçkë, me pe medicinal, me brushë dhëmbësh apo me diçka tjetër, sepse mbeturinat e ushqimit ndërmjet dhëmbëve i dëmtojnë dhe i kalbin dhëmbët.

 

  1. Larja e duarve

 

Kjo bëhet me qëllim të largimit të mbeturinave të ushqimit dhe aromës së tij, në veçanti nëse ushqimi është i yndyrshëm dhe nëse njeriu pas ushqimit shtrihet për gjumë.

 

  1. Përdorimi i misvakut

 

Kjo bëhet me qëllim të ruajtjes së gojës dhe dhëmbëve, si dhe për t’i dhënë gojës aromë të këndshme, bazuar në hadithet e përgjithshme që porosisin dhe nxisin për përdorimin e misvakut.

 

  1. Moszgjatja e ndejës pas ushqimit

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni.”[5], dhe kjo ka të bëjë me atë nëse njeriu është duke ngrënë në shtëpinë e dikujt tjetër. Kështu, pasi të përfundojë ushqimin, ai duhet të ngrihet dhe të dalë nga shtëpia e nikoqirit, përveç nëse e di se nikoqiri ka dëshirë që të vazhdojë ndejën. Në këtë rast, nuk ka problem nëse e zgjatë ndejën.

 

  1. Marrja e avdesit pas ngrënies së mishit të devesë

 

Nëse njeriu ha mish deveje, le të marrë avdes pas ngrënies. Sahabët e kanë pyetur të dërguarin e All-llahut në lidhje me këtë, ndërsa ai u është përgjigjur: “Merrni avdes pasi të hani mishin e devesë, e mos merrni avdes pasi të hani mishin e deles. Faluni në torishtat e deleve e mos u falni në torishtat e deveve.”[6]

 

  1. Mosmarrja e një pjese të ushqimit me vete

 

Nëse njeriu ha te dikush, nuk është e hijshme që pasi të përfundojë me ushqimin, të marrë një pjesë të ushqimit me vete, sepse ky është një veprim i ulët.

 

  1. Mosfjetja direkt pas ngrënies

 

Kjo është një shprehi e keqe dhe ndikon negativisht për zemrën dhe organet e tjera.

 

RREGULLAT QË LIDHEN ME USHQIMIN

 

  1. Mosngrënia e hudhrës dhe qepës para namazit

 

Arsyeja është se ato lëshojnë erë të neveritshme. Nëse ha hudhër apo qepë, atëherë ose do të shkojë në xhami për namaz dhe t’i shqetësojë njerëzit dhe melaiket, ose do ta lërë namazin në xhami. Nëse insiston të hajë hudhër apo qepë, atëherë të paktën le t’i hajë të ziera, ngase kështu nuk e lëshojnë atë erë të neveritshme. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ha hudhër ose qepë, le të largohet prej nesh, le të largohet prej xhamisë dhe le të rrijë në shtëpi.”[7]

 

  1. Mosngrënia në rrugë

 

Ky veprim, sipas selefëve, e prish burrërinë.

 

  1. Falënderimi ndaj All-llahut për begatitë e Tij

 

Myslimani duhet të jetë i kudesshëm për falënderimin ndaj All-llahut për begatinë e ushqimit dhe pijes, jo vetëm duke shprehur gojarisht lutjet dhe dhikret të transmetuara me sunnet, por edhe praktikisht duke vepruar sipas urdhrave të Tij. All-llahu i Madhërishëm e ka bërë që begatia e ushqimit domosdo të falënderohet dhe ka thënë: O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[8] Po ashtu, adhurimin praktik e ka bërë esencë të falënderimit dhe ka thënë: “Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.”[9] Pra, ashtu siç njeriu dëfrehet me begati, njëkohësisht duhet t’ia japë hakun me anë të falënderimit.

[1] Sahih: shënon Ebu Davudi (3851). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4681) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1955) dhe Ahmedi (2/258). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6541) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3854) dhe Ahmedi (3/118). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1226) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5455) dhe Muslimi (938).

[5] Kaptina El-Ehzab, ajeti 53.

[6] Sahih: shënon Muslimi (360).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (855) dhe Muslimi (564).

[8] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.

[9] Kaptina Es-Sebe’, ajeti 13.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.