Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

PEJGAMBERI sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem DHE FËMIJËT

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Prej çështjeve më të rëndësishme që meriton vëmendjen e prindërve, kujdestarëve dhe thirrësve të fesë është çështja se si pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka trajtuar fëmijët… Si i ka përvetësuar zemrat e tyre? Si është kujdesur për ta? Si i ka edukuar? Si i ka mësuar? Si e ka mbjellur te ta frymën e krenarisë dhe dinjitetit?

Vërtet, marrëdhënia me fëmijët ka nevojë për një vetëdije të madhe dhe për një kujdes dhe butësi të edukatorit. Po ashtu ka nevojë për njohuri mbi kërkesat dhe nevojat psikologjike dhe sociale të fëmijëve, si dhe për zemërgjerësi, mendjemprehtësi dhe urtësi në mënyrë që udhëzimi dhe edukimi të kenë sukses.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të gjitha këtyre gjërave u ka kushtuar kujdes të madh, por para së gjithash ai ka qenë i vëmendshëm për të përçuar dashurinë e tij te fëmijët.

Pra, në radhë të parë është dashuria, e më pas vjen çështja e udhëzimit, edukimit dhe mbjelljes së frymës së krenarisë dhe dinjitetit. Pa këto gjëra, nuk mund të presim sukses në çështjen e edukimit.

Kujdesi ndaj fëmijës para lindjes së tij

  1. Zgjedhja e gruas së mirë

Këtë e bazojmë në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gruaja martohet për katër faktorë: Për pasurinë e saj, prejardhjen (fisin) e saj, bukurinë e saj dhe fenë e saj. Zgjedhe atë që ka fe, do të jesh i lumtur.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

  1. Kujdesi për mbrojtjen e fëmijës nga shejtani

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka porositur që para marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten të bëhet një lutje, dhe ka thënë: Nëse dikush para se të fillojë marëdhëniet intime me gruan e  tij, thotë: ‘Bismil-lah. O Zot na largo shejtanin dhe largoje shejtanin prej asaj që do të na furnizosh.’, dhe nëse në këtë natë mbarset një fëmijë, shejtani nuk ka mundësi kurrë ta dëmtojë atë.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Lutja për fëmijët

Nga Ebu Musa radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Më lindi një djalë, dhe unë e solla atë te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ai e emërtoi me emrin Ibrahim dhe ia lyu gojën me hurmë (të përtypur).” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Qëllimi është që hurma e përtypur të bëhet e butë dhe e lëngshme, dhe me të të lyhet goja e të sapolindurit nga brendia, në mënyrë që diçka nga hurma të shkojë në stomakun e tij.

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Të dërguarit të All-llahut i silleshin fëmijë të sapolindur, e ai lutej për ta dhe ua lyente gojën me hurmë të përtypur.” (Shënon Muslimi).

Zgjedhja e emrit të mirë

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Emrat më të dashur tek All-llahu janë Abdullah dhe Abdurr-Rrahman.” (Shënon Muslimi). Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Emrat më realë (që më së shumti përputhen me realitetin e personit që i mban këto emra) janë Harith (fitues) dhe Hemmam (i vendosur), ndërsa emrat më të këqinj janë: Harb (luftë) dhe Murreh (hidhësirë).”[1] (Shënon Ebu Davudi).

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se “I dërguari i All-llahut ua ndërronte njerëzve emrat e këqinj me emra të mirë.” (Shënon Tirmidhiu).

Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se Omeri radijAll-llahu anhu kishte një vajzë e cila quhej Asijeh (Mëkatare), ndërsa i dërguari i All-llahut ia ndërroi emrin në Xhemile (E bukur).” Po ashtu Zjeneb bintu Ummi Seleme quhej Bureh (hallkë prej argjendi apo bakri që u vendosej deveve në hundë për t’i lidhur), ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ndërroi emrin në Zejneb (lloj zambaku). (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Kujdesi i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ndaj emrave të mirë dhe ndërrimi i emrave të këqinj mbase jep të kuptohet se emrat kanë ndikim në personalitetin e njeriut dhe mënyrën e sjelljes dhe të menduarit të tij.

Mëshira ndaj fëmijëve

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut e puthi Hasen ibën Aliun, në praninë e Ekre’ ibën Habis et-Temimi, ndërsa ky i fundit tha: Unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin prej tyre nuk e kam puthur kurrë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i drejtoi sytë nga ai dhe tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Njëherë ca njerëz beduinë erdhën tek i dërguari i All-llahut dhe pyetën: A i puthni fëmijët tuaj? Njerëzit thanë: Po. Beduinët thanë: Vallahi ne nuk i puthim kurrë fëmijët tanë. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: “Nuk kam ç’të bëj kur All-llahu ua ka hequr mëshirën nga zemrat tuaja.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Prej fragmenteve nga mëshira e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ndaj fëmijëve është edhe kjo: “Gjatë namazit në xhami, ai e mbante Umamen, të bijën e bijës së tij, Zejnebes. Kur binte në sexhde, e vendoste në tokë, e kur ngritej, e kapte përsëri.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Po ashtu e kemi rastin kur pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e vizitoi një djalosh të ri hebre i cili i shërbente atij dhe i cili u sëmur, dhe me atë rast i tha: “Thuaj: La ilahe Il-lAll-llah.” Djaloshi e shikoi babain e tij, ndërsa ai i tha: Respektoje Ebul-Kasimin (pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe kështu djaloshi e tha shehadetin. Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Falënderimi i takon All-llahut, I Cili e shpëtoi nga zjarri.” (Shënon Buhariu).

Prej rasteve të tilla e kemi edhe rastin kur pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem hyri te djali i tij i vogël, Ibrahimi, i cili ishte në prag të vdekjes, ndërsa atij iu mbushën sytë me lot, dhe tha: “Syri loton, zemra mërzitet, dhe ne për ndarjen nga ti, o Ibrahim, jemi të mërzitur.” (Shënon Buhariu).

E kur ndërroi jetë mbesa e tij, dhe pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i rrodhën lotët, Sa’d ibën Ubade radijAll-llahu anhu i tha: “Ç’është kjo, o i dërguari i All-llahut?”. Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kjo është mëshirë të cilën All-llahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. All-llahu i mëshiron të mëshirshmit nga robërit e Tij.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Dhurata për fëmijët

Dhurata që u bëhet fëmijëve është një pikënisje e rëndësishme edukative e cila bën që fëmija ta ndiejë rëndësinë dhe pozitën që ka në zemrën e dhuruesit.

Në vazhdim po përmendim një prej rasteve kur pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u ka bërë dhuratë fëmijëve.

Nga Ummu Halidi radijAll-llahu anha, e cila ka qenë e vogël kur emigroi në Abisini, na përcillet se ka thënë: “Të dërguarit të All-llahut i sollën (nga Abisinia) disa rroba në mesin e të cilave ishte edhe një shami e zezë me qëndisma. Ai pyeti: “Kujt mendoni t’ia japim këtë shami?” Asnjëri nga njerëzit nuk u përgjigj. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: “Ma sillni Ummu Halidin.” Kur më dërguan tek pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai me duart e tij ma vendosi shaminë në kokë dhe më tha: “E shtjerrësh dhe All-llahu i Madhërishëm ta zëvendësoftë me tjetër.” Këtë e tha dy herë. Pastaj i drejtoi sytë nga qëndismat e shamisë, bëri me shenjë nga ato dhe më tha: “O Ummu Halid, kjo është e bukur.” (Shënon Buhariu).

Shakaja me fëmijët

Shembull për këtë po përmendim rastin e Ebu Umejrit, vëllait të vogël të Enes ibën Malikut radijAll-llahu anhu, i cili kishte pasur një zog të vogël me të cilin luante. Por zogu i ngordhi, ndërsa Ebu Umejri u mërzit për të. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem shkoi tek ai për ta ngushëlluar dhe për ta disponuar, dhe i tha: “O Ebu Umejr, ç’u bë me zogun…?”

Dhënia e lodrës për të cilën fëmija ka nevojë

Nga Abdullah ibën Sheddadi radijAll-llahu anhu, e ky nga babai i tij, na përcillet se ka thënë: “Një ditë, i dërguari i All-llahut doli për të falur namazin e akshamit apo jacisë, ndërsa në krahë e mbante Hasanin apo Husejnin. Shkoi te mihrabi dhe e vendosi fëmijën në tokë anash tij, morri tekbir dhe filloi namazin. Kur e bëri sexhden, u vonua aq shumë në të, saqë Sheddadi e ngriti kokën për të parë se mos kishte ngjarë diçka, kur ja, e vërejti fëmijën që ishte ngjitur në shpinën e të dërguarit të All-llahut derisa ai ishte në sexhde. E kur i dërguari i All-llahut e përfundoi namazin, njerëzit thanë: O i dërguari i All-llahut! Ti bëre aq sexhde të gjatë saqë menduam se mos të ndodhi ndonjë gjë apo mos po të shpallet diçka nga kur’ani. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: “Asgjë prej këtyre nuk ndodhi, por i biri im m’u ngjit në shpinë, ndërsa unë nuk desha ta shpejtoj derisa ai të plotësojë nevojën e tij.” (Shënon Nesaiu).

Kjo është për sa i përket fëmijës së vogël i cili bartet në krahë. E përsa i përket lojës së fëmijëve me fëmijët e tjerë, këtë na e përcjellë Enesi radijAll-llahu anhu, i cili thotë: “I dërguari i All-llahut ka qenë njeriu me moralin më të mirë. Një ditë më dërgoi për t’i kryer një punë, ndërsa unë thashë: Vallahi nuk shkoj, ndërsa në vete ndieja që duhej të shkoja për shkak se i dërguari i All-llahut më kishte urdhëruar. Pastaj dola, dhe te tregu pashë ca fëmijë që po loznin, dhe u ndala me ta. Pas pak, i dërguari i All-llahut më kapi te koka nga mbrapa. Unë e shikova, ndërsa ai duke buzëqeshur më tha: “O Unejs (në vend të emrit Enes, që është emërtim me përkëdheli), a shkove ku të urdhërova?” Thashë: Po, tani po shkoj, o i dërguari i All-llahut.” (Shënon Muslimi). Pra, i dërguari i All-llahut nuk e qortoi Enesin që po luante apo po i shikonte fëmijët se si luanin. Po ashtu nga ky hadith mësojmë se vërejtja duhet bërë me butësi, e jo me agresion.

Përshëndetja e fëmijëve me selam

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i vizitonte ensarët, i përshëndeste fëmijët e tyre dhe ua përkëdhelte kokën.” (Shënon Nesaiu).

Dhënia kurajë fëmijëve me dhurata

Nga Abdullah ibën Harithi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut i rreshtonte djemtë e Abbasit radijAll-llahu anhu, Abdullahun, Ubejdullahun dhe Kuthejrin, dhe u thoshte: “Kush arrin tek unë i pari, do t’i jap këtë e këtë.” E ata garonin mes vete kush do të arrijë i pari, i binin mbi shpinë dhe gjoks, ndërsa ai i puthte dhe i përqafonte duke i shtrënguar. (Shënon Ahmedi).

Mbjellja e aftësisë së të menduarit

Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut njëherë na pyeti: “Është një pemë shkretinore të cilës nuk i bien gjethet. Shembulli i saj është sikur shembulli i myslimanit. Më thoni cila është ajo?” Njerëzit filluan të mendojnë rreth kësaj peme shkretinore. Mua më shkoi ndërmend se ajo ishte pema e hurmës. Pastaj i dërguari i All-llahut na tha: “Ajo është pema e hurmës.” (Shënon Buhariu). Ibën Omeri radijAll-llahuma anhu përmendë se ka qenë më i riu nga të pranishmit që u pyetën.

Kërkimi i lejes nga fëmijët dhe përfillja e të drejtave të tyre

Nga Sehl ibën Sa’d Es-Saidiu radijAll-llahu anhu na përcillet se njëherë të dërguarit të All-llahut i sollën një pije. Pasi piu prej saj, në anën e tij të djathtë kishte një fëmijë, ndërsa në të majtën kishte ca pleq. Ai iu drejtua fëmijës duke i thënë: “A më lejon t’u jap këtyre pleqve para teje?” Fëmija tha: Jo vallahi, askujt nuk i jap përparësi para vetes. Atëherë i dërguari i All-llahut i dha atij të pijë.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Largimi i padrejtësisë ndaj fëmijëve

Nga Ebu Mes’ud El-Ensariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Njëherë po i mëshoja me kamxhik një robi që e kisha në pronësinë time. Dëgjova një zë nga mbrapa duke thënë: “Dije o Ebu Mes’ud…”, e unë nuk e kuptova ç’më thoshte nga hidhërimi që kisha. E kur u afrua afër meje, kur ja, ai ishte i dërguari i All-llahut, i cili më tha: “Dije o Ebu Mes’ud, dije o Ebu Mes’ud…” Në atë moment e hodha kamxhikun, ndërsa ai më tha: “Dije o Ebu Mes’ud se All-llahu i Madhërishëm është më i fuqishëm ndaj teje sesa ti ndaj këtij robi.” Ndërsa unë thashë: “Që tani e tutje, kurrë më nuk do të godas ndonjë rob.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Thashë: O i dërguari i All-llahut! Që tani unë ia fala lirinë këtij robi, për hirin e All-llahut. E ai më tha: “E sikur të mos e bëje këtë, atëherë fytyrën tënde do ta digjte zjarri.” (Shënon Muslimi).

Shkurtimi i namazit për hirin e fëmijës së vogël

Nga Ukbe ibën Amër El-Bedriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një njeri erdhi te pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Unë vonohem për namazin e sabahut për shkak të filan imamit, i cili e zgjatë namazin.” Kurrë nuk e kam parë pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të hidhërohet ashtu siç u hidhërua në këtë rast, dhe tha: “O njerëz! Vërtet ju jeni ngatërrestarë. Kushdo prej jush që u del imam njerëzve, le ta shkurtojë namazin, ngase pas tij ka të moshuar, fëmijë dhe njerëz me nevojë.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Ngulitja e parimeve të akides

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kujdesej që në shpirtin e fëmijëve t’i ngulisë parimet e akides së shëndoshë, që të rriten dhe edukohen në frymën e krenarisë, fisnikërisë, bindjes ndaj All-llahut dhe mbështetjes tek Ai në momente të vështira.

Nga Abdullah ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Një ditë isha mbrapa pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e ai më tha: “O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje All-llahun, Ai të ruan ty. Ruaje All-llahun, e gjen përpara vetes. Kur të lutesh, lute All-llahun; kur të kërkosh ndihmë, kërko prej All-llahut. Dije se sikur i tërë njerëzimi të tubohet për të të bërë një dobi, ata nuk do të të bëjnë dobi vetëmse me atë që All-llahu ka shkruar për ty. Nëse tërë njerëzit tubohen për të bërë një dëm, ata nuk do të të bëjnë dëm vetëmse me atë që All-llahu ka shkruar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.” (Shënon Tirmidhiu). Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: ”Ruaje All-llahun, e gjen para teje. Njihe All-llahun në rehati, Ai të njeh në vështirësi. Dije se ajo që të ka goditur, nuk ka mundur mos të të godasë dhe ajo që nuk të ka goditur, s’ka mundur të të godasë. Dije se fitorja arrihet me durim, shpëtimi me brenga dhe lehtësimi me vështirësi.” (Shënojnë Ahmedi dhe Hakimi).

Sa këshilla të mira janë këto, të cilat pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i mbjellë në shpirtin e Ibën Abbasit radijAll-llahu anhuma! Këshilla madhështore që kanë ndikim të fuqishëm në akiden e Ibën Abbasit radijAll-llahu anhuma, ibadetin e tij, udhëzimin e tij, sjelljen e tij dhe formimin e personalitetit të shëndoshë të tij.

Këtu vërejmë këshilla të shumëllojshme: Këshilla për teuhid, këshilla për devotshmëri dhe mbikëqyrjen e All-llahut, këshilla për përqendrim në fe, këshilla për sjellje të mirë, këshilla për durim dhe shpresë për shpëtim, këshilla për bindje dhe mbështetje në All-llahun e Madhërishëm, etj.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

[1] Kuptimi i hadithit është se emri Harith që do të thotë fitues, përputhet më së shumti me realitetin e personit që e mban këtë emër, ngase njeriu patjetër të fitojë diçka, qoftë spontanisht ose me dëshirën e tij, ndërsa e njëjta vlen edhe për emrin Hemmam që do të thotë i vendosur, ngase nuk ka njeri që nuk është i vendosur për ndonjë vepër, qoftë e mirë apo e keqe. (shën. përkth.)

 

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.