Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Hadithi Nr.9 “Mësimi i grave”

Dituria e vërtetë është mjeti parësor i përmirësimit të shoqërisë. Ajo duhet t’i përfshijë që të dy gjinitë: burrat dhe gratë, dhe njëherit ato të plotësojnë njëra-tjetrën. Lidhur me këtë, urdhërat e fesë islame kanë ardhur njësoj, si për burrat, ashtu edhe për gratë.

Transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu se ka thënë: I kanë thënë gratë pejgamberit s.a.u.s.: “Burrat na e kanë kaluar në dituri, andaj ndaj një ditë për të na mësuar edhe neve”. I dërguari i Allahu u premtoi dhe një ditë u takua me to, dhe në mes të tjerash u tha: “Nuk ka ndonjë grua të cilës i kanë vdekur tre fëmijë, e ato të mos jenë mburojë prej zjarrit për të”. Një grua prej tyre tha: “edhe dy?”. I dërguari i Allahut ia ktheu: “edhe dy”.

 

Dobitë e hadithit:

 

  • guximi i moralshëm i muslimanëve në kërkimin e të drejtave për mësimin e fesë dhe marrjen e diturisë.

Gratë edhe pse kanë prezentuar në ligjëratat e të dërguarit s.a.u.s., përsëri kanë pasur turp që ta pyesin pejgamberin s.a.u.s për gjërat që u kanë interesuar. Andaj, lidhur me këtë pejgamberi s.a.u.s. ka caktuar një vendtakim të veçantë për t’u konsultuar, këshilluar dhe për t’i rregulluar çështjet familjare, gjë që është zgjidhja më e mirë për përmirësimin e gruas dhe mbrojtjen e nderit të saj;

  • mësimi i gruas.

Feja islame i ka dhënë rëndësi të veçantë edukimit dhe arsimimit të gruas, nënës edukatore, e cila ndihmon në përmirësimin e familjes dhe shoqërisë. Islami e nxit gruan për pjesëmarrje në jetën shoqërore, edhe atë duke ia lejuar prezencën në xhami, në vende të diturisë, e të ngjashme.

S’ka dyshim se arsimimi i gruas ka rëndësi të madhe në formimin e shoqërisë së mirëfilltë islame, sepse arsimimi dhe vetëdijësimi i saj ndikon fuqishëm në formimin e një gjenerate të përgjegjshme e të ndërgjegjshme. Kështu, gruaja me ndjenjat e saja të sinqerta e të buta hyn në jetën e fëmijëve dhe i trajton problemet e tyre, gjë që e zgjon pëlqimin dhe dashurinë e tyre ndaj nënës, dhe kësisoj fëmijët e pasojnë nënë me gjithë sjelljet dhe veprimet e saj. E gjithë kjo tregon se arsimimi i gruas luan rol të posaçëm në përmirësimin e familjes;

  • këshilla e veçantë për gratë e mërzitura dhe të goditura me sprovën e vdekjes së ndonjë prej fëmijëve të tyre dhe shpërblimi i madh si rezultat i kësaj sprove;
  • edukata e guximit që duhet të posedojë çdo musliman;
  • vlera që ia ka dhënë Islami gruas, jo vetëm si grua dhe nënë, por edhe si pjesë përbërëse e shoqërisë së dobishme;
  • të lejuarit e njeriut të ditur në edukimin dhe arsimimin e grave, me kusht që mos të ketë veçime të ndaluara dhe fitne;
  • urtësia e pejgamberit s.a.u.s. në përshtatjen e temës konform bashkëbiseduesve. 

    Përktheu nga Arabishtja: Ibrahim Sherifi

    www.thirrrjaislame.com

Comments are closed.