Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Hadithi Nr.11 “Larja e të dërguarit s.a.u.s”

Larja paraqet të pastruarit e trupit me ujë të pastër. Ajo njëherit konsiderohet edhe një prej obligimeve për pastrimin dhe mbrojten e trupit nga sëmundjet dhe papastërtitë e ndryshme, gjë që ia kthen shëndetin dhe aktivitetin trupit.

Në lidhje me formën e të pastruarit, Aishja r.a. transmeton se pejgamberi a.s. kur është pastruar nga papastërtia (xhunubllëku) ka filluar me larjen e duarve, pastaj ka marrë abdes sikurse për namaz, me dorë të lagur i ka larë mirë rrënjët e flokëve, pas së cilës e ka shpërlarë kokën tri herë dhe në fund i ka hedhur ujë tërë trupit.

 Dobitë e hadithit:

  • obligueshmëria e të pastruarit nga papastërtia (xhunubllëku)

Allahu i madhëruar në Kuran ka thënë: nëse jeni të papastër (xhunub), lahuni” (Maide, 6).

Papastërtia ndodhë me dy gjëra:

  1. me ejakulimin e spermës nga burri ose gruaja, me të shiquar, menduar apo ejakulim gjatë ëndërrimit, dhe
  2. me marrëdhëniet intime, edhe nëse nuk bëhet ejakulim.
  • larja e duarve

  Larja e duarve tri herë është sunet. Kjo, për higjienë më të madhe. Gjithashtu, transmetohet nga Buhariu se sunet është edhe larja e organit gjenital, e kjo mjafton të lahet një herë.

  • abdesi para larjes

Poashtu, nga tradita profetike është që para larjes të mirret abdes sikurse për namaz.

  • fërkimi i flokëve

  Dobia e fërkimit të flokëve qëndron në atë se në këtë mënyrë uji arrinë në çdo pjesë të trupit. Kjo është obligim me pajtimin e të gjithë dijetarëve.

  • shpërlarja e kokës tri herë

Larja e gjymtyrëve nga tri herë është e preferuar. Ndërkaq, imam Neveviu ka thënë se nuk ekziston kundërshtim ndërmjet dijetarëve në këtë çështje, pos Maverdiut, i cili ka thënë se nuk është e preferuar përsëritja e larjes së gjymtyrëve.

  • shpërlarja e tërë trupit

Shpërlarja e tërë trupit është vërtetim se uji duhet ta kaplojë tërë trupin dhe njëherit argument se nuk është obligim fërkimi i tij.

  • preferimi i plotësimit të abdesit para larjes dhe mosvonimi i larjes së këmbëve deri në fund të larjes

  Thuhet se nëna e besimtarëve, Mejmune r.a. gjatë larjes ka marrë abdes sikur për namaz, përveç këmbëve. Andaj edhe shumica e dijetarëve preferojnë që të vonohet larja e këmbëve, ndërsa imam Maliku thotë: “nëse është vendi i larjes i papastër, preferohet vonimi i larjes së këmbëve, në të kundërt jo”.

Në medhhebin shafi ka dy mendime, ndërsa imam Neveviu ka thënë se më i sakti është se duhet plotësuar abdesi që në fillim të larjes, për arsye se shumica e argumenteve nga Aishja r.a. dhe Mejmune r.a. flasin kështu.

  • larja, njëherit paraqet edhe adhurim, pasiqë i përgjigjet urdhrit të Allahut të madhëruar: “nëse jeni të papastër (xhunub), lahuni”.
  • Islami është feja e pastërtisë.Përktheu nga Arabishtja: Hoxhë Ibrahim Sherifi

Comments are closed.