Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Hadithi 39: Vetëpërmbajtja në kërkimin e pasurisë

Feja islame nuk e ndalon grumbullimin e pasurisë, mirëpo e lufton lakminë, e edukon myslimanin të ketë krenari dhe bujari. Ai e mbledh pasurinë nëse i vjen pa e përulur veten në kërkimin e tij. Kur t’i vijë pasuria, e shpenzon në rrugë të Allahut dhe në kënaqësinë e tij.

 

Transmetohet se Hakim ibën Hizami r.a. ka thënë: I kam kërkuar të Dërguarit pasuri dhe më ka dhënë, pastaj i kam kërkuar dhe përsëri më ka dhënë, më pas më tha: O Hakim, pasuria është e ëmbël dhe e freskët. Kush e fiton me nder, i jepet begatia në të, kush e fiton pa nderë, i hiqet begatia nga ajo dhe është sikur ai që ha dhe nuk ngopet. Dora e lartë është më e mirë se dora e ulët.
Dobitë e hadithit:

  1. Kanë ra në ujdi dijetarët se kërkimi i lëmoshës pa qenë i detyruar është i ndaluar. Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari ka thënë: Kush kërkon nga pasuria e njerëzve duke pasur për qëllim shtimin e saj, ai ka kërkuar një gacë prej xhehenemit, prandaj të kërkon pak ose shumë. Gjithashtu, edhe nëse lypësi është i varfër, mirëpo ai mund të punojë apo fitojë. Ndërsa nëse lypësi është i varfër dhe pa mundësi për të punuar apo është i aftë për punë, por nuk gjen punë, atij i lejohet të kërkojë, edhe pse vetëpërmbajtja është më e mirë, pos nëse vetëpërmbajtja çon në shkatërrim nga uria, duke mos e vërejtur njerëzit atë. Edhe pse lejohet kërkimi i lëmoshës, duhet të largohet nga kërkimi i saj për hir të fytyrës së Allahut të lartësuar. Nëse ka nevojë, le të kërkojë prej njerëzve të devotshëm, nga të pasurit, ata të cilët nuk e ndalojnë të drejtën e të varfrit, të cilët nëse e dinë ndonjë të nevojtar, i japin dhe nuk e kthejnë;

2. Nxitja në vetëpërmbajtje, bindje dhe kënaqësi me atë që e ka caktuar Allahu edhe nëse është pak;
3. Njeriu duhet t’i kërkojë rrugët e ndershme të fitimit dhe jetesës;
4. Largimi nga kërkimi i pasurisë me nënvlerësimin e vetes apo lypjen e tepërt;
5. Nxitja për kërkim të punës dhe kërkim të furnizimit nga rrugët e lejuara, derisa të largohet nga kërkimi dhe t’u bëjë dobi te tjerëve me dhënie dhe të bëhet shpenzues e jo kërkues;
6. Nxitja për lëmoshë dhe shpenzim në rrugët e dobishme.

 

Nga arabishtja: Ibrahim Sherifi

Comments are closed.