Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË NDEJAT E DITURISË

Duhet pasur parasysh se myslimani duhet t’i mësojë dispozitat e fesë së tij në mënyrë që ta adhurojë All-llahun me argumente. Prandaj duhet të përpiqet të jetë i pranishëm në ndejat e diturisë, të cilat janë prej faktorëve më të mëdhenj për zbritjen e mëshirës dhe qetësisë si dhe për praninë e melaikeve dhe fitimin e lavdërimit të All-llahut të Madhërishëm për të pranishmit në ndejat e diturisë.

Andaj duhet mësuar rregullat që duhet përvetësuar gjatë pranisë sonë në çdo ndejë në përgjithësi, e në ndejat e diturisë në veçanti. Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

 

Në cilëndo ndejë të diturisë që shkon, në vete duhet pasur nijetin e mirë. Kjo do të thotë që duhet të keshë nijetin që t’i mësosh dispozitat e fesë në mënyrë që ta adhurosh All-llahun me argumente, si dhe këtë ta bësh me nijetin që t’u sjellësh dobi myslimanëve dhe të gjithë t’i ftosh në adhurimin e All-llahut të Madhërishëm.

 

  1. Zgjedhja e shoqëruesve në ndeja

 

Shoqëruesit e tu nëpër ndeja duhet patjetër të jenë të zgjedhur, dhe ata duhet të jenë prej besimtarëve të devotshëm. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos u shoqëro me askënd përveçse me besimtarin dhe të mos e hajë ushqimin tënd askush përveç të devotshmit.”[1]

Po ashtu ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është sikur shembulli i shitësit të myshkut dhe gjyryku (i farkëtarit). Shitësi i myshkut, o të dhuron misk, o e blen prej tij, o do të nuhasësh prej tij erë të mirë. Ndërsa gjyryku, o t’i djegë teshat, o do të nuhasësh prej tij erë të keqe.”[2]

 

 

  1. Të mos rrish në një ndejë ku nuk përmendet All-llahu i Madhërishëm

 

Ka mundësi që ndeja të jetë ndejë diturie por askush prej të pranishëmve nuk e përmend All-llahun e Madhërishëm e as nuk i çon salavat të dërguarit të All-llahut.

Prendaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një grup njerëzish që çohen nga ndeja në të cilin nuk e kanë përmendur All-llahun e Madhërishëm, çohen sikur nga një cofëtinë gomari, dhe ajo ndejë do të jetë dështim për ta në ditën e kiametit.”[3]

 

  1. T’i përshëndesësh me selam të pranishmit

 

Kur të hysh në ndejë, përshëndeti me selam të pranishmit, që ajo ndejë të jetë e bereqetshme.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nëse dikush prej jush hyn në ndonjë ndejë, le t’i përshëndesë të pranishmit me selam dhe pastaj nëse dëshiron të ulet aty le të ulet. E nëse ngrihet dhe dëshiron të dalë prej ndejës, le t’i përshëndesë prapë me selam. Selami i parë nuk është më i vlefshëm se i fundit.”[4]

 

  1. Të ulesh ku ka vend të lirë

 

Kur të hysh në ndonjë ndejë, ulu në vendin më të afërt që e gjen të lirë dhe mos kalo mbi kokat e njerëzve duke dashur të ulesh në radhët e përparme të ndejës, ngase kështu i shqetëson dhe i shpërqendron njerëzit.

Por nëse mësuesi dëshiron që të ulesh afër tij ngase je prej nxënësve më të zellshëm, atëherë nuk ka dert nëse ulesh në vendin që mësuesi e dëshiron.

Nga Xhabir ibën Semure radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur shkonim te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, uleshim aty ku kishte vend të lirë.”[5]

  1. Të mos e ngritësh zërin në ndejë

 

Duhet të kesh në konsideratë se kjo është ndejë diturie. Prandaj mos e ngrit zërin që të mos i shqetësosh të pranishmit dhe të mos bezdisen nga prania yte mes tyre.

 

  1. Të ulesh me qetësi e maturi

 

Mos i shpërqendro të pranishmit me lëvizje të shumta. Po ashtu mos i kërcit gishtat dhe mos bën asnjë gjë që ndejës ia prish qetësinë.

 

  1. Dhënia përparësi të djathtës gjatë hyrjes dhe daljes nga ndeja

 

Nëse ndeja është në ndonjë xhami, atëherë hyr me këmbën e djathtë dhe dil me këmbën e majtë. E nëse dëshiron që të pranishëmve t’u shpërndash ujë apo diçka tjetër, kërko leje nga mësuesi (shejhu) dhe fillo me shpërndarjen nga e djathta.

 

  1. Ulja në drejtim të kibles

 

Kjo bëhet nëse të mundësohet një gjë e tillë dhe nuk u pengon të pranishëmve. E nëse nuk mundesh, atëherë ulu ashtu siç e ke më lehtë.

 

  1. Të mos e ngritësh dikë që ti të ulesh në vendin e tij

 

Kjo do të thotë që absolutisht të mos e ngritësh askënd nga vendi, qoftë edhe nëse është ndonjë varfanjak apo fëmijë i vogël.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mos e ngritë njeriu njeriun nga vendi i tij, e pastaj të ulet aty, por bëni vend dhe zgjerohuni.”[6]

 

  1. Të jeshë modest me të tjerët

 

Kurrë mos u bëj mendjemadh ndaj vëllait tënd mysliman e të humbësh bereqetin e diturisë dhe të shkaktosh hidhërimin e All-llahut, ngase All-llahu nuk i do mendjemëdhenjtë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhennet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë sa atomi.”[7]

 

  1. T’u bësh vend vëllezërve të tu

 

Vendi në ndeja ndodh të jetë i ngushtë, ndërsa vëllezërit e tu kanë nevojë të ulen aty për të fituar dituri. Prandaj përpiqu t’u bësh vend atyre që të fitosh shpërblimin e asaj që ata e mësojnë.

All-llahu i Madhërishëm ka thënë: O ju që besuat, kur t’ju thuhet: zgjerohuni (bëni vend) në vend ndeje, zgjerohuni, se All-llahu bën zgjerim për ju, e kur t’ju thuhet: ngrihuni! Atëherë ju ngrihuni, All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni.[8]

 

  1. Lejohet të ngrihesh për dikë tjetër në shenjë nderimi për të

 

Ngritja në këmbë lejohet për prindërit, njerëzit e mirë prej dijetarëve dhe kërkuesve të diturisë. Nisur nga kjo, lejohet që të ngrihesh në këmbë për vëllezërit e tu në shenjë nderimi ndaj tyre dhe për të përhapur frymën e dashurisë dhe vëllazërisë mes jush.

Në hadithin që tregon për pendimin e Ka’b ibën Malikut radijAll-llahu anhu, mes tjerash thuhet: “Kur hyra në xhami, i dërguari i Al-llahut rrinte ulur, kurse njerëzit qëndronin përreth tij. Talha Ibën Ubejdullahu u çua dhe nxitoi te unë, e më pas u përshëndetëm dhe ai më uroi. Vallahi askush tjetër nga muhaxhirët, përpos tij, nuk m’u ngrit. Abdull-llah Ibën Ka’bi thotë: Ka’bi këtë gjë kurrë nuk ia harroi Talhës.”[9]

E ndaluar është që t’i ngrihen në këmbë njeriut te koka e tij, kur ai është ulur. Po ashtu e ndaluar është që njeriu të ketë dëshirë që të tjerët t’i ngrihen në këmbë.

 

  1. Mos fol pa leje

 

Të folurit pa leje në ndejën e diturisë shkakton rrëmujë në atë ndejë… prandaj, kur dëshiron të flasësh, merr leje nga mësuesi, e kur të flasësh, mos polemizo.

 

  1. Të mos i ndajë dy veta përveç me lejen e tyre

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk i lejohet njeriut që t’i ndajë dy persona, përveç me lejen e tyre.”[10]

 

  1. Mbajtja e pastërtisë në vendin e ndejës

 

Në ndejën e diturisë duhet të shkosh me tesha të pastra, pamje të bukur dhe aromë të këndshme. E kur të ulesh, duhet të kesh kujdes për pastërtinë e vendit, d.m.th. të mos hedhësh asgjë aty që njerëzit përreth teje të mos shqetësohen si dhe ndeja të mos e humbë madhështinë e saj.

    17.Mos e zër vendin e dikujt nëse ka nijet të kthehet përsëri

 

Nëse dikush ngrihet nga vendi i tij, mos ia zër vendin, përveç nëse je i bindur që nuk kthehet përsëri.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse njeriu ngrihet nga vendi ku është ulur, e pastaj kthehet, ai është më meritor për atë vend.”[11]

 

 

  1. Ndejës t’ia japësh hakun

 

Ndejës t’ia japësh hakun, si p.sh duke urdhëruar në të mirë, duke ndaluar nga e keqja, duke kontribuuar në adhurim ndaj All-llahut, duke kthyer selamin, duke pajtuar njerëzit, duke nxitur për dhënie të sadekasë, e kështu me radhë.

All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e All-llahut, Ne do t’i japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.”[12]

 

  1. Mos bisedo veçmas me dikë gjatë ndejës

 

Gjatë ndejës, nuk duhet të bisedosh veçmas me dikë e të pëshpërisësh, që njerëzit të mos marrin përshtypje të keqe për ty. Madje nëse e bën një gjë të tillë, ndonjëri mund të fitojë përshtypje se po flisni diçka në lidhje me të.

Prandaj, më e mira është që të gjithë së bashku të përfshihen në ndonjë debat, temë të caktuar, që bereqeti të përfshijë atë ndejë si dhe t’i iket përgojimit dhe bartjes së fjalëve… All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Bisedën e fshehtë e nxit vetëm djalli për t’i shqetësuar ata që besuan, ndonëse ajo nuk mund t’i dëmtojë ata fare pa dëshirën e All-llahut, andaj vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët!”[13]

 

  1. Dëgjimi i fjalëve të mësuesit (shejhut)

 

Kjo, me qëllim që të përfitosh nga fjalët dhe dituria e tij, si dhe për t’u dhënë rastin të tjerëve që edhe ata të mësojnë.

  1. Kujdesi për ruajtjen e sekreteve të ndejës

 

Nëse gjatë ndejës ndodh diçka që ka nevojë të fshihet, atëherë e kemi për detyrë ta fshehim dhe të mos e publikojmë. E nëse çështja ka të bëjë me ndonjë polemikë shkencore, atëherë këtë duhet publikuar që edhe të tjerët të mësojnë nga kjo.

 

  1. Bëhu i vëmendshëm që të mos cenosh nderin e njerëzve

 

Përzierja e njerëzve mes vete mund të shkaktojë që disa njerëz të bien në përgojim, bartje të fjalëve dhe publikim të sekreteve të njerëzve të tjerë. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka tërhequr vërejtjen nga të metat e gjuhës duke thënë: A nuk është se të korrat e gjuhëve të tyre është gjëja që i hedh në zjarr njerëzit duke u tërhequr nga hundët e tyre?!”[14]

 

  1. Të bësh dhikrin kur ndeja përfundon

 

I dërguari i All-llahut ka thënë: Ai që ulet në ndonjë mexhlis dhe bën shumë gabime, dhe para se të çohet nga ai mexhlis thotë: Subhanekell-llahumme ve bihamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estegfiruke ve etubu ilejke, atij i falen gabimet e bëra gjatë atij mexhlisi.”[15]

 

[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4832) dhe Tirmidhiu (2395). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7341) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5534) dhe Muslimi (2628).

[3] Sahih: shënon Ebu Davudi (4855). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5750) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5208) dhe Tirmidhiu (2706). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (400) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih el-Edebil-Mufred (1174).

[6] Sahih: shënon Muslimi (2177).

[7] Sahih: shënon Muslimi (91).

[8] Kaptina El-Muxhadele, ajeti 11.

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4418) dhe Muslimi (2769).

[10] Sahih: shënon Ebu Davudi (5845) dhe Tirmidhiu (2752). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7656) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Sahih: shënon Muslimi (2179).

[12] Kaptina En-Nisa, ajeti 114.

[13] Kaptina El-Muxhadele, ajeti 10.

[14] Sahih: shënon Tirmidhiu (2616). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen et-Tirmidhi (2540) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: Shënon Tirmidhiu (3433). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6192) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.