Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA E NXËNËSIT (STUDENTIT)

Vëllezër të dashur,

E vërteta fillestare që u shfaq në tokë kur Xhibrili alejhis-selam për herë të parë i zbriti të dërguarit të All-llahut është se kjo fe e re, islami, është një fe që ngritet mbi themelet e diturisë dhe refuzon çdo devijim dhe iluzion.

Shpallja e parë, që ishte pesë ajete flet afërsisht për një çështje të vetme, e që është dituria… All-llahu i Madhërishëm thotë: Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[1]

Ajo që duhet thënë është se kujdesi për diturinë nuk ka qenë vetëm nga momentet e para të islamit dhe shpalljes së kur’anit, por ka qenë që nga fillimi i krijimit të njeriut siç e shohim nga ajetet kur’anore. All-llahu i Madhërishëm e krijoi Ademin alejhis-selam, e bëri zëvendës në tokë, i urdhëroi melaiket t’i bien në sexhde, e nderoi, e lartësoi dhe e ngriti, e pastaj na tregoi neve dhe melaikeve shkakun e këtij nderimi, lartësimi dhe ngritjeje, e që ishte ‘dituria’.

Ademi alejhis-selam nuk ua tejkaloi melaikeve as me gjatësi, as me dhikër apo tesbih, as me ndonjë fuqi të jashtëzakonshme, as me adhurim gjithëpërfshirës etj, ngase në të gjitha këto gjëra melaiket janë superiorë ndaj njeriut, por ajo që Ademi alejhis-selam ua ejkaloi atyre ishte çështja e diturisë.

Mu për shkak të kësaj All-llahu i Madhërishëm e ngriti mbi ato melaike të mëdha dhe e vlerësoi aq tepër, madje edhe bëri që ato t’i bien atij në sexhde.

Kështu, që nga fillimi i krijimit të Ademit alejhis-selam, kjo ka qenë mënyra se si u trajtua dituria. Pra, njeriu kur kapet për diturinë, kujdeset për të dhe përpiqet të arrijë atë, e meriton të jetë zëvendës i All-llahut në tokë. Nga ana tjetër, sa herë që ai t’i shkojë mbrapa injorancës, të adaptohet me të, apo të largohet nga dituria, si dhe të kënaqet me pak prej saj, atëherë pa dyshim, i humbë të gjitha afinitetet për të qenë zëvendës i All-llahut në tokë. Nisur nga kjo, nuk mund të jetë rob i mirë, i famshëm dhe i ngritur.

Vlerësimi i diturisë nuk ka qenë vetëm nga fillimi i krijimit të njeriut të parë, por ky vlerësim është manifestuar madje edhe para krijimit të njeriut!! All-llahu i Madhërishëm gjënë e parë të cilën e ka krijuar është lapsi, e që është vegla e parë dhe e përjetshme e diturisë.

Këtë e shohim nga hadithi të cilin e shënon Tirmidhiu, ku i dërguari i All-llahut ka thënë: “Gjënë e parë që All-llahu e krijoi ishte lapsi, të cilit i tha: Shkruaj! Ç’të shkruaj? – pyeti lapsi. All-llahu i tha: Shkruaje kaderin, ç’ka qenë dhe ç’do të bëhet deri në ditën e kiametit.”[2]

Kështu pra, del në pah se dituria është çështje thelbësore dhe kryesore në jetën njerëzore dhe e tillë do të mbetet deri në ditën e kiametit.

Prandaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, kur thotë se kjo dynja nuk ka vlerë dhe se madje, ç’ka në të është e mallkuar, përveç nëse shoqërohet me dituri dhe dhikër ndaj All-llahut, nuk e thotë këtë duke e ekzagjeruar.

Shënon Tirmidhiu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu se i dërguari i All-llahut ka thënë: Dynjaja është e mallkuar, e mallkuar është çdo gjë që është në të, përveç dhikrit (përmendjes) të All-llahut dhe asaj që është e ngjashme me të, dijetarëve dhe atyre që kërkojnë dituri.”[3]

Madje, kur dituria ndahet nga kjo botë, jeta në të bëhet e pamundshme apo e pakuptimtë. Prandaj, largimi i diturisë është paralajmërim për afrimin e ditës së kiametit.

Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prej shenjave të kiametit është humbja e diturisë, prania e injorancës, pirja e alkoolit dhe paraqitja e imoralitetit.”[4]

Kjo humbje e diturisë nuk ndodh me heqjen e saj nga gjokset e njerëzve, por ndodh me vdekjen e dijetarëve.

Nga Abdullah ibën Amër ibën Asi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: All-llahu nuk e humbë diturinë duke e larguar me zor nga gjokset e robërve, por i kap dijetarët (ua merr shpirtin), derisa nuk le asnjë dijetar, e atëherë njerëzit prihen nga injorantët, të cilët do të pyeten, dhe do të japin fetva pa dituri, e kështu do të devijojnë vetë dhe do t’i devijojnë të tjerët.”[5]

Për të parë pozitën dhe rëndësinë kulmore të diturisë në peshoren e All-llahut të Madhërishëm, duhet potencuar se All-llahu i Madhërishëm në librin e Tij fisnik ka bërë lidhjen mes pejgamberëve dhe diturisë, duke e konsideruar atë si virtyt i pandashëm i tyre. Madje, All-llahu i Madhërishëm ka sqaruar se dituria është cilësia më e rëndësishme me të cilën janë veçuar ata pejgamberë, e si mund të jetë ndryshe, kur e dimë se roli kryesor i tyre në këtë botë ka qenë t’i mësojnë të tjerët.

Duke qenë se gjënë që njeriu nuk e ka edhe nuk mund ta japë, atëherë e kemi të qartë se ka qenë e patjetërsueshme për pejgamberin që të jetë dijetar dhe të kujdeset për të shtuar diturinë e tij, dhe njëkohësisht të kujdeset për përhapjen e diturisë së tij te të tjerët si dhe të mos e fshehë diturinë të cilën All-llahu ia ka dhënë. All-llahu i Madhërishëm ka thënë: I dërguari nuk ka obligim tjetër veç komunikimit të qartë.”[6] E si ka mundësi që ai të komunikojë diçka që vetë nuk e di?!

Kësisoj, All-llahu i Madhërishëm në kur’an i përmend pejgamberët e ndryshëm duke i cilësuar ata me dituri. Në vazhdim po cekim disa ajete që flasin në këtë drejtim.

All-llahu i Madhërishëm në lidhje me Ademin alejhis-selam thotë: E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjitha emrat (e sendeve).”[7]

Në lidhje me Lutin alejhis-selam thotë: “Dhe Ne Lutit i dhamë të jetë pejgamber dhe i dijshëm.”[8]

Në lidhje me Musain alejhis-selam thotë: “E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur, Ne i dhamë urtësi e dituri.”[9]

Në lidhje me Ja’kubin alejhis-selam thotë: “Po ai (Jakubi) ishte i dijshëm për të, ngase Ne e kemi mësuar për atë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[10]

Në lidhje me Jusufin alejhis-selam thotë: “E kur e arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë pushtet e dituri. E kështu Ne i shpërblejmë punëmirët.”[11]

Në lidhje me Davudin dhe Sulejmanin alejhimes-selam thotë: “E Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjigjen e saktë), po secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dije.”[12]

Në lidhje me Isain alejhis-selam thotë: “kur ta mësova ty librin e urtësinë, Tevratin e Inxhilin.”[13]

Në lidhje me të dërguarin tonë, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.”[14]

Po ashtu thotë: “Të mësoi çka nuk dije.”[15]

Kështu, kush dëshiron të bartë flamurin e pejgamberëve, të ecë në rrugën e tyre dhe si rrjedhojë, të ringjallet në shoqërinë e tyre, le të ndjekë rrugën e diturisë.

Prandaj, çdo mysliman e ka për detyrë t’i mësojë rregullat e diturisë dhe rregullat e kërkimit të saj.

I dërguari i All-llahut diturinë e ka konsideruar si vepër madhështore për të cilën njeriu duhet të garojë me të tjerët dhe të synojë t’i tejkalojë ata.

Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka xhelozi përveçse në dy gjëra ose ndaj dy personave: Njeriut, që All-llahu i ka dhënë pasuri ndërsa ai e shpenzon atë në të vërtetën, dhe njeriut që All-llahu i ka dhënë urtësi ndërsa ai vepron sipas saj dhe ua mëson atë njerëzve.”[16]

Të gjitha këto gjëra që u cekën më sipër e sqarojnë rendësinë e diturisë dhe se ajo është prej begative më të mëdha me të cilën All-llahu i Madhërishëm i ka begatuar krijesat e Tij.

Prandaj nuk është për t’u habitur nga fakti që dituria të jetë nga gjërat e pakta me të cilat All-llahu i Madhërishëm e ka urdhëruar të dërguarin e Tij që të kërkojë shtimin e saj. Kështu, All-llahu i Madhërishëm duke iu drejtuar Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe ummetit që do të vijnë pas tij, thotë: thuaj: Zoti im, më shto dituri!”[17]

Në vazhdim, do të përmendim disa prej rregullave të kërkuesit të diturisë:

 

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

Kërkimi i diturisë ka nevojë për sinqeritet të plotë… Kështu, kush kërkon dituri për të fituar të mirat e kësaj bote, ai do ta humbë dynjanë dhe ahiretin dhe bëhet banor potencial i zjarrit të xhehennemit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush kërkon dituri që të krenohet para dijetarëve, ose të polemizojë me mendjelehtët, ose t’i kthejë kokat e njerëzve nga ai, All-llahu do ta fusë në zjarr.”[18]

Po ashtu ka thënë: “Kush kërkon dituri që të krahasohet me dijetarë, ose të polemizojë me mendjelehtë, ose t’i kthejë kokat e njerëzve nga ai, All-llahu do ta fusë në zjarr.”[19]

 

  1. Zgjedhja e mësuesve të mirë

 

Kjo do të thotë që të zgjedhësh mësuesin nga i cili do të marrësh dituri dhe me këtë rast duhet pasur kujdes të zgjedhësh që ai të jetë prej njerëzve të mirë, të devotshëm dhe adhurues të All-llahut të Madhërishëm, e jo të jetë prej atyre që synojnë këtë botë apo prej atyre që nuk kanë besnikëri në transmetimin e diturisë, nuk kanë burrëri dhe moral… Muhammed ibën Sirini thotë: “Vërtet kjo dituri (hadithi) është fe. Prandaj kini kujdes prej kujt po e merrni fenë tuaj.”

 

  1. Ruajtja e gjymtyrëve nga mëkatet

 

Dituria është një dritë, të cilën All-llahu e fut në zemrën e kujt të dëshirojë prej robërve të Tij. Nga ana tjetër, mëkatet janë errësira që e mbulojnë njëra-tjetrën.

Zemrën tënde duhet ta pastrosh nga gjërat e shëmtuara të fshehta si urrejtja, zilia, tradhtia, mendjemadhësia, vetëpëlqimi etj. Po ashtu duhet të pastrosh gjymtyrët e tua nga mëkatet si ngrënia e haramit, mosulja e shikimit në haram, gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, sharja, fyerja dhe gjëra të ngjashme që e humbin bereqetin e diturisë.

Një njeri i kishte shkruar vëllait të vet: Ty të është dhënë dituri. Mos e shuaj diturinë tënde me errësirën e mëkateve, e të mbetesh në errësirë atëherë kur dijetarët të ecin me dritën e diturisë së tyre.

 

  1. Shmangia nga gjumi, të folurit dhe ushqimit të tepërt

 

Kërkuesi i diturisë (nxënësi, studenti) duhet larguar gjumin e tepërt ngase ajo e sjell përtacinë dhe ia humbë atij kohën dhe jetën. Po ashtu duhet shmangur edhe nga të folurit të tepërt ngase të folurit e tepërt e shpie atë në lëshime e gabime. Duhet shmangur edhe nga ushqimi i tepërt ngase ushqimi i tepërt ndikon në gjumë të tepërt dhe shkakton sëmundje të shumta.

Disa dijetarë u ndalën para disa nxënësve ndërsa ata po hanin, dhe u thanë: Mos hani shumë, e të pini shumë, pastaj të flini shumë dhe kështu të humbni shumë.

 

  1. Pakësimi i shokëve dhe kujdesi gjatë zgjedhjes së tyre

 

Shtimi i shokëve e largon njeriun nga kërkimi i diturisë dhe ia humbë kohën në gjëra që nuk i sjellin dobi as në fe e as në dynja.

E nëse i imponohet të ketë shokë, atëherë le të zgjedhë njerëz të dijes, të cilët do t’i ndihmonin në kërkimin e diturisë dhe kështu nuk do t’i shkonte koha huq.

 

  1. Kujdesi për ngrënien hallall

 

Ngrënia e haramit ndikon në largimin e bereqetit të diturisë, sjell poshtërimin, e pengon suksesin dhe e pengon pranimin e duasë.

Kjo, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i ngritë duart e tij nga qielli duke thënë: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”[20]

Pra, kërkuesi i diturisë duhet përpjekur të arrijë hallallin, qoftë në haje, pije, veshje, vendbanim si dhe në çdo gjë për të cilën ka nevojë. Në këtë mënyrë atij i mundësohet që të përthith diturinë dhe dritën e saj. Të tillë kanë qenë selefët e mirë, All-llahu qoftë I Kënaqur me ta.

 

  1. Përvetësimi i moralit të mirë

 

Nëse kërkuesi i diturisë arrin të përvetësojë moral të mirë, All-llahu ia mundëson që dituria e tij të jetë e pranueshme te të tjerët… Kështu, atë e do mësuesi, vëllai si dhe të gjithë ata që ai i fton në fe, dhe në këtë mënyrë All-llahu i jep sukses në kërkimin e diturisë dhe në thirrjen që e bën për në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

 

  1. Kursimi i kohës

 

Koha është kapitali yt. Mu për këtë arsye selefët e mirë e kanë njohur vlerën e kohës dhe nuk kanë lënë as edhe një moment t’u shkojë kot, derisa disa prej tyre kanë thënë: Momentet më të rënda për mua janë momentet derisa ha ushqim. Ndërsa Davud Et-Taiu i jepte përparësi copëtimit të ushqimit para tretjes së saj në gojë, dhe thoshte: “Në mes këtyre dyjave dallimi është sa leximi i pesëdhjetë ajeteve.” Prandaj, kërkuesi i diturisë ka nevojë për çdo moment të kohës që e ka në dispozicion.

 

  1. Edukata me mësuesin (profesorin)

 

Një prej gjërave më të rëndësishme dhe më madhështore për sa i përket edukatës është edukata me mësuesin nga i cili e merr diturinë. Selefët e mirë na kanë lënë shembuj të shkëlqyer për sa i përket edukatës së nxënësit para mësuesit të tij, duke filluar nga edukata e sahabëve me të dërguarin e All-llahut, pastaj edukata e sahabëve të rinj me mësuesit prej sahabëve më të moshuar, si Abdullah ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma, djali i xhaxhait të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, kur i liroi vendin në deve Zejd ibën Thabitit radijAll-llahu anhu, dhe me këtë rast tha: Kështu jemi urdhëruar të veprojmë me dijetarët tanë. Po ashtu gjumin që e bënte te dera e Ebu Hurejrës radijAll-llahu anhu duke pritur daljen e tij, ndërsa era e hidhte rërën mbi të.

Po ashtu e kemi edhe shembullin e edukatës së imam Shafiiut, All-llahu e mëshroftë, me mësuesin e tij, imam Malikun, All-llahu e mëshiroftë. Imam Shafiiu thotë: “Derisa e lexoja librin El-Muvetta’ para imam Malikut, kur e ndërroja faqen e librit, e ndërroja ngadalë dhe butësisht, që të mos e dëgjonte imam Maliku.”[21]

Ndërsa Rebiu, nxënësi i Shafiiut thotë: “E kam shoqëruar imam Shafiiun njëzet vite, dhe nga respekti që kisha për të, nuk kam pasur guximin as të pi ujë në praninë e tij.”

Këtu shihet vërtetësia e fjalëve të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili ka thënë: “Ashtu siç sillesh, (të tjerët) do të sillen me ty.” Pra, pasi imam Shafiiu kishte treguar edukatë me mësuesin e tij, All-llahu i mundësoi që edhe ai të ketë nxënës të tillë që të tregojnë edukatë para tij.

Bir i islamit…

Sikur të kishe parë modestinë e mësuesve të tu para mësuesve të tyre, do të mësoje edukatën e vërtetë. Prandaj, duhet medoemos ta nderosh e respektosh mësuesin tënd… Ndërsa prej edukatës me mësuesin po veçojmë:

– T’i përshëndesësh njerëzit në përgjithësi, ndërsa mësuesin tënd ta veçosh me një përshëndetje të caktuar.

– Të ulesh para tij me edukatë.

– Mos bëj lëvizje të dorës apo syve në praninë e tij.

– Mos thuaj: Filani e thotë të kundërtën e asaj që thua ti.

– Mos përgojo askënd në praninë e tij.

– Mos polemizo me dikë në një vendtubim ku mësuesi është me ty.

– Mos e kap për rroba kur ai çohet.

– Mos u mbështet për të kur të jetë i lodhur.

– Të lutesh për mësuesin tënd… Disa prej selefëve kur niseshin për te mësuesi, jipnin sadeka dhe thonin: O All-llah, mbuloja të metat mësuesit tim dhe mos e largo bereqetin e diturisë së tij nga unë.

– Të mos polemizosh me të, ngase polemika, e tëra, është e keqe, ndërsa polemika me mësuesin tënd është akoma më e shëmtuar, si dhe është shkak që të privon nga dituria.

– Të mos hysh tek ai pa leje, nëse mësuesi gjendet në një vend ku ka nevojë për leje.[22]

 

  1. Nxënia e diturisë me shkrim

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nxëjeni diturinë me shkrim.”[23]

Shumë gjëra që njeriu i dëgjon ka mundësi t’i harrojë… E kur i shkruan, atëherë kjo ndikon që ajo dituri t’i mbetet në memorie.

Prandaj Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu thotë: “Asnjëri nga sahabët e të dërguarit të All-llahut nuk ka ditur më shumë hadithe përmendësh sesa unë përveç Abdullah ibën Amër ibën Asi, sepse ai i shkruante hadithet e unë nuk i shkruaja.”[24]

 

  1. Qetësia dhe maturia

 

Kjo do të thotë t’i përkushtohesh qetësisë, maturisë dhe pamjes së mirë. Kërkuesi i diturisë duhet në pamje të jetë sunnij (praktikues i sunnetit), në brendi të jetë i devotshëm, në akide të jetë selefij, në lëvizjet e tij të jetë pasues, në veprat e tij të jetë ndjekës, t’u largohet bidateve dhe t’i refuzojë gjërat që kundërshtojnë fenë.

 

  1. Të jesh modest me mësuesin tënd

 

Nëse ti je modest me mësuesin tënd, ai do të të dojë dhe do të përpiqet me të gjitha mundësitë e tij të ta mbjellë diturinë që e ka. E nëse bëhesh mendjemadh, kjo do të ndikojë që mësuesi yt të të urrejë dhe të mos përpiqet të ta mbjellë diturinë që e ka.

Nuk ka gjë më mëdhështore sesa modestia. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush është modest për hirin e All-llahut, All-llahu e ngritë.”[25]

 

  1. Të punuarit me diturinë që ke

 

Ky është qëllimi parësor i kërkimit të diturisë, pra kërkuesi i diturisë të përfitojë nga dobitë e kësaj diturie e pastaj të punojë sipas saj në mënyrë që bereqeti i diturisë të dalë në pah tek ai.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka informuar se njeriu do të llogaritet për të punuarit sipas diturisë, dhe ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e robit (njeriut) në ditën e kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij ku e harxhoi, rininë ku e kaloi, pasurinë nga e fitoi dhe si e shpenzoi dhe diturinë e tij, çfarë punoi me të.”[26]

 

  1. Mosfshehja e diturisë

 

Kërkuesi i diturisë nuk duhet fshehur diturinë që ka.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon All-llahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë. Përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues.”[27]

Prandaj prej zeqatit të diturisë sheriatike është që kërkuesi i diturisë ta shpërndajë atë në mesin e njerëzve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thërret në hair, atij i takon shpërblimi sikur i atij që e vepron atë.”[28] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush thërret (udhëzon) për në rrugë të drejtë, e ka shpërblimin njëlloj sikur ata që e ndjekin, pa ua pakësuar atyre shpërblimin…”[29]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjithashtu e ka sqaruar shpërblimin e madh për njeriun që përpiqet për udhëzimin e njerëzve. Prandaj i ka thënë Ali ibën Ebi Talibit radijAll-llahu anhu: “… Vallahi sikur All-llahu të udhëzojë nëpërmjet teje një njeri të vetëm, kjo do të jetë më mirë për ty sesa të keshë devetë e kuqe.”[30]

 

[1] Kaptina El-Alek, ajetet 1-5.

[2] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3319) dhe Ahmedi (22199). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2017) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2322), Ibën Maxhe (4112) dhe Ahmedi (1/30). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2797) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (80) dhe Muslimi (2671).

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (100) dhe Muslimi (2673).

[6] Kaptina En-Nur, ajeti 54.

[7] Kaptina El-Bekare, ajeti 31.

[8] Kaptina El-Enbija’, ajeti 74.

[9] Kaptina El-Kasas, ajeti 14.

[10] Kaptina Jusuf, ajeti 68.

[11] Kaptina Jusuf, ajeti 22.

[12] Kaptina El-Enbija’, ajeti 79.

[13] Kaptina El-Maide, ajeti 110.

[14] Kaptina En-Nexhm, ajetet 4-5.

[15] Kaptina En-Nisa’, ajeti 113.

[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (73) dhe Muslimi (816).

[17] Kaptina Ta-Ha, ajeti 114. Ndërsa teksti është shkëputur nga libri El-Ilmu ve Binaul-Umem, fq. 9-14. Autor: Dr. Ragib Es-Serxhani.

[18] Hasen: Shënojnë Ibën Maxhe (260) dhe Ahmedi (1/30). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6382) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[19] Hasen: Shënon Tirmidhiu (2654). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6383) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[20] Sahih: shënon Muslimi (1015).

[21] D.m.th. ka dashur që të mos e shqetësojë. (shën. përkth.)

[22] Shkëputur nga libri Ibnul-Islam. Autor: Muhammed Ja’kub, fq. 97-98.

[23] Sahih: shënojnë Hakimi (1/169), Hatibi (10/46) dhe Ibën Asakiri (37/353). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2026) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[24] Shënon Ibën Abdul-Berri në librin e tij Xhamiu Bejanil-Ilmi ve Fadlihi (118).

[25] Sahih: shënon Muslimi (2588).

[26] Sahih: shënon Tirmidhiu (2417). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (946) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[27] Kaptina El-Bekare, ajetet 159-160.

[28] Sahih: shënon Muslimi (1893).

[29] Sahih: shënon Muslimi (2674).

[30] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4210) dhe Muslimi (2406). Ndërsa qëllimi përse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka përmendur devetë e kuqe është se ato kanë qenë pasuria më e madhe e asaj kohe tek arabët. (shën. përkth.)

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.