Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

A ËSHTË ‘WhatsApp-i’ MË I RËNDËSISHËM SE FËMIJËT TANË?

Në të kaluarën e afërt janë shkruar shumë artikuj për sa i përket ndikimit të shërbëtorëve shtëpiakë në edukimin e fëmijëve, pas përhapjes së shërbëtorëve nëpër shtëpitë tona. Gjithashtu, janë shkruar edhe shumë artikuj për sa i përket punës së grave jashtë shtëpisë dhe largimit të tyre nga edukimi i fëmijëve ose angazhimit të madh të baballarëve dhe mospasjes së kohës së mjaftueshme për edukimin e fëmijëve të tyre. Sot, nuk flasim më për shërbëtorët, punën e gruas dhe neglizhencën edukative, por sot, i gjithë përqendrimi i prindërve u kushtohet  rrjeteve sociale, saqë ata u shpërqendruan nga kujdesi për fëmijët dhe nga preokupimi me edukimin dhe udhëzimin e tyre.

Kështu, shumë baballarë dhe nëna janë preokupuar intensivisht me mjete komunikative të cilat ofrohen falas, si WhatsApp, Tango, Viber, Skype, ose rrjete sociale, si Instagram, Twitter, Kik, Facebook, etj. E ndoshta programet që më së shumti u marrin kohë prindërve janë WhatsApp dhe Instagram, saqë brezi i sotëm u bë i njohur si brezi i “qafave të përkulura”, për shkak të përkuljes së madhe të kokës drejt telefonave të zgjuar. Sot, WhatsApp-i është ai që e menaxhon kohën tonë deri në atë shkallë saqë i kemi humbur ndjenjat për shijen e jetës dhe meditimin rreth natyrës, e kemi humbur mendimin rreth ngjarjeve dhe fokusimin në arritjen e qëllimeve tona. Sot, vëmendja jonë është e përqendruar në transmetimin e lajmeve dhe ndodhive përreth nesh, më shumë sesa në angazhimin me vetë ndodhinë që e kemi para vetes, kështu që p.sh. nëse dikush sheh ndonjë aksident automobilistik, gjëja e parë që i shkon ndërmend është transmetimi i këtij lajmi para se të mendojë dhe nxitojë në ndhimën e të lënduarve. Madje, ndodh që një njeri të vijë në shok-dhomën e spitalit ku janë të shtruar babai apo nëna e tij në momentet e fundit të jetës së tyre, ndërsa ai, në këto momente, më shumë merret me shpërndarjen e lajmeve nëpërmjet këtyre programeve sesa me angazhimin e tij për lutje dhe përkujdesje për ta. Ndodh që të shohësh fëmijë të shkujdesur dhe të anashkaluar, të paedukuar në shtëpinë e tyre, përderisa nëna e tyre gjendet në dhomën e gjumit duke shpërndarë foto apo video, ndërsa babai i tyre është i nxënë me shkëmbimin e teksteve humoristike dhe shakave me miqtë e tij.

Disa prindër ankohen për preokupimin e fëmijëve të tyre me mjetet teknologjike. Por nëse shikojnë mirë, do të shohin se vetë ata janë të preokupuar me këto mjete më shumë se fëmijët e tyre, saqë kemi arritur në një kohë kur fëmijët tanë mund t’i përshkruajmë lirisht si “jetimë të teknologjisë”, dhe lidhja jonë me telefonat e zgjuar është bërë shenjë dalluese e kohës. Një herë më kujtohet kur një grua më tha: “Dëshira ime në jetë është sikur të isha një telefon i zgjuar, kështu që burri im dhe fëmijët e mi të më mbanin në dorë gjatë gjithë ditës.” Kjo shprehje e kësaj gruaje më bëri të buzëqesh për mënyrën se si e përshkroi situatën në të cilën jetojmë. Ndërsa para dy ditëve, një burrë u ankua tek unë për gruan e tij dhe lidhjen e saj të tepërt me shoqet e saj në WhatsApp, dhe lidhjen e saj me publikimin e lajmeve me anë të Instagramit, dhe e gjithë kjo në llogari të përkujdesjes ndaj shtëpisë, edukimit të fëmijëve dhe ndjekjes së mësimeve të tyre.

Të ndikuar nga lidhja e tepërt me teknologjinë e shpejtë dhe telefonat e zgjuar, prindërit dëshirojnë që edhe problemet e tyre edukative t’i zgjidhin shpejt, me të njëjtin ritëm. Ata mendojnë se problemet edukative zgjidhen lehtë e shpejt, me një seancë dhe me një këshillë të vetme, sikur ngrohja e ushqimit në mikrovalë. Realizimi i këtij “edukimi mikrovalik” është i pamundshëm praktikisht, ngase njeriu nuk është vegël ose makinë, por ai ka nevojë për durim, këshilla të përsëritura dhe precizitet në vazhdimësi. Po ashtu ai ka nevojë për fleksibilitet në trajtimin e tij me qëllim të përmirësimit të sjelljes së tij dhe edukimit të mirë.

Prandaj, prindërit e kanë humbur kontrollin ndaj edukimit të fëmijëve të tyre në ushqim, veshje, etikë dhe shkathtësi të ndryshme, për shkak të preokupimit të tyre me veten dhe teknologjinë që e kemi para nesh. Fëmijët filluan të ankohen nga mbipesha, të kequshqyerit, humbja e oreksit, shumë sëmundje mendore dhe dhuna, që vjen si rezultat i mosinteresimit të prindërve për ta. E gjithë kjo për shkak të aplikacionit WhatsApp, në të cilën për çdo ditë, sipas statistikave, përcillen të paktën 27 miliardë mesazhe, saqë është bëre një çerdhe e skandaleve, zbulimit të sekreteve, kërcënimeve dhe shkurorëzimeve, dhe mënyrë për të hequr të gjitha emocionet e ndrydhura dhe për të parë skena pornografike.

Para dy ditësh kontaktova me një grup në “Kik”, në temën “Mami dhe Babi në internet online”, shumica e pasuesve të të cilit ishin djem të ri dhe vajza të reja, dhe me këtë rast, atyre u thashë: Prindërit janë bërë “online” me miqtë e tyre dhe janë lidhur me ta më shumë sesa me fëmijët e tyre. Pastaj, u thashë atyre me shaka: Ndërsa me fëmijët e tyre janë bërë “offline”. Vetëm brenda pak orësh, ky postim morri mbi 4000 pëlqime dhe mbi 100 komente nga të rinjtë e të rejat. Në vazhdim po përmend disa komente që më tërhoqën vëmendjen. Njëri thoshte: “Ata neve na thoshin: Lërini telefonat, ndërsa tani janë bërë sikur ne.” Tjetri thoshte: “Madje edhe shërbëtorët tanë janë bërë si babai dhe nëna.” Një tjetër thoshte: “Nëna ime e la përkujdesjen për ne dhe u largua nga televizori, dhe tani 24 orë është online në WhatsApp.” Ndërsa një tjetër thoshte: “Babai im ka shoqe dhe është bërë i varur nga WhatsApp.” E një vajzë thoshte: “Nëna ime është e zënë me WhatsApp,  ndërsa babai im me shëtitje dhe pushime.”

Ne nuk jemi kundër përdorimit të mjeteve apo teknologjisë së komunikimit, por ne i japim rëndësi prioriteteve në jetën shoqërore. E pa dyshim, prioriteti më i lartë është të ndërtojmë një familje të qëndrueshme, të lumtur dhe të lidhur mes vete. Kjo nuk arrihet ndryshe veçse me përkushtim ndaj edukimit, dialogut dhe përhapjes së dashurisë. Kjo trilogji ka nevojë për kohë derisa të zëjë vend në familje.

Po përfundoj duke përmendur rastin e një prindi që i kishte sugjeruar familjes së tij që një ditë ta kalojnë pa përdorim të telefonave të zgjuar dhe kishte pasur sukses, siç thotë ai, në zbatimin e kësaj përvoje. Por, kryesorja është që “WhatsApp-i” të mos jetë më i rëndësishëm se fëmijët tanë.

 

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Dr. Xhasim EL-MUTAVVA

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.