Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Disa prej shenjave të imanit të dobët (pjesa e dytë)

Me emrin e All-llahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

  1. Prej shenjave të imanit të dobët e cila nuk ka ekzistuar në gjeneratat e mëhershme është edhe dobësimi ne kontrollimin e vetes gjatë përcjelljes së mediumeve (televizioni, radio, interneti) duke mos u distancuar nga shfaqja e harameve të cilat e hidhërojnë All-llahun. Shembull, paraqitja e grave të veshura por të zhveshura, muzika, programet të cilat tallen me fenë e All-llahut.

Nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunadeh dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibn Xhebeli, radijAll-llahu anhuma, transmetohet se i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Ke frikë All-llahun kudo që të jesh… “(Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë: ky është hadith hasen, kurse në disa përmbledhje të tjera është hadith sahih)

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

Juve u është shpallur në librin (Kur’anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur’ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndyshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t’i tubojë tradhëtarët dhe jobesimtërët që të gjithë në xhehennem. [en-Nisaë, 140]

  1. Prej shenjave të imanit të dobët është, mos ulja e në mes burrave dhe grave si dhe të shpeshtuarit e fjalëve në mes tyre me nevojë dhe pa nevojë.

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)…”[en-Nurë, 30 ]
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre…”  [en-Nurë, 31 ]
  1. Të shpeshtuarit e fjalëve të kota, ndejat e vonshme duke bërë biseda të pa dobishme pa përmendur ndonjë ajet, hadith apo fjalë të të parëve tanë të mirë.
Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e All-llahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.” [en-Nisaë, 114]

Nga Ibni Umeri radijAll-llahu anhuma transmetohet se: i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos flisni shumë pa përmendjen e All-llahut. Sepse, shumë biseda pa përmendjen e All-llahut e vdesin zemrën. Vërtet, më së largu nga All-llahu janë ata që i kanë zemrat e vdekura.” (Transmeton Tirmidhiu)

 

  1. Prej shenjave të imanit të dobët është përgojimi, bartja e fjalëve, tallja me njerëzit.

Është e domosdoshme të dihet se çdo moshërritur është i obliguar ta ruajë gjuhën e tij nga çdo e folur, përveç asaj që tregon dobi. Madje edhe atëherë, nëse është e barabartë të flitet dhe të mos flitet edhe për gjërat e dobishme, sunnet është përmbajtja nga të folurit, sepse shpesh herë kuvendimi i lejuar e çon njeriun në të palejuarën apo të jopreferuarën. Kjo është praktikë e shpeshtë, prandaj është e nevojshme mbrojtja nga kuvendimet e ndaluara e të jopreferuara.

 

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” [el-Huxhurat, 12]

Nga Ebu Abdurrahman Bilal b. el-Harith el-Muzenij radijAll-llahu anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet njeriu flet një fjalë me të cilën All-llahu është i kënaqur, nga e cila ai nuk ka shpresuar se do të arrijë diçka. All-llahu për këtë atij do t’ia shkruaj kënaqësinë e Tij deri në ditën e takimit me të. Dhe vërtetë njeriu flet një fjalë, të cilën All-llahu nuk e do, nga e cila ai nuk ka shpresuar se do të arrijë diçka, All-llahu për këtë atij do t’ia shkruaj zemërimin e Tij deri në ditën e takimit me të.” (Maliku në Muvatta dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sahih).

Nga Ukbete b. Amiri radijAll-llahu anhuma transmetohet se ka thënë: “Kam thënë: “O i Dërguari i All-llahut, ç’është shpëtimi?” Ka thënë: “Zotëro gjuhën tënde, rri në shtëpinë tënde dhe qajë për mëkatet e tua.” (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen)

Nga Ebu Seid el-Hudrij radijAll-llahu anhu transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur zgjohet njeriu, të gjitha gjymtyrët e tij i kthehen gjuhës duke i thënë: “Ke frikë All-llahun lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur.” (Transmeton Tirmidhiu). Fjalia  “i kthehen gjuhës” d.m.th. i nënshtrohen asaj.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A e dini ç’është përgojimi?” (As’habët) thanë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri!” (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Përmendja e vëllait me atë që nuk i vjen mirë.” Dikush tha: “E ç’mendon, nëse ajo që flas për vëllanë tim është e vërtetë?” (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Nëse është e vërtetë ajo që ti flet, atëherë e ke përgojuar, e nëse ajo që e flet nuk është e vërtetë, atëherë ke shpifur.” (Transmeton Muslimi)

Thotë Alij Ibnul Husejn, radijAll-llahu anhuma “Keni kujdes prej pergojimit ngase ai është ushqim i qenëve.”

 

  1. Të lidhurit e zemrave për dunja, gëzohet kur t’i shtohet pasuria, pikëllohet kur t’i paksohet ajo.
 Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:
“Jeta në këtë botë s’është kurrgjë tjetër, përveç zbavitje dhe lojë, vetëm bota tjetër është jetë e vërtetë, sikur ta dinin!”[el-Ankebut, 64]
Transmetohet nga el-Mustevrid ibn Shedadi radijAll-llahu anhu se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kjo botë (dunjaja) ndaj botës tjetër (Ahiretit) është sikur kur njëri prej jush ta vendosë gishtin e tij në det, pastaj le të shikojë me çka i kthehet (nga uji i detit).” (Transmeton Muslimi)

Transmetohet nga Xhabiri, radijAll-llahu anhu se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kaloi nëpër treg, kurse njerëzit ishin tubuar rreth tij. Pastaj kaloi pranë një cjapi të ngordhur me veshë të vegjël, e kapi për veshi dhe tha: “Cili prej jush dëshiron ta marrë për një dirhem?” i thanë: “Askush prej nesh nuk jep për të asgjë, çka mund të bëjmë me të?” Pastaj tha: “A doni të jetë i juaji?” Thanë: “Pasha All-llahun, edhe të ishte i gjallë, ishte me të meta, me veshë të vegjël, e lëre më i ngordhur!” Atëherë tha: “Pasha All-llahun, kjo botë, vërtet për All-llahun është më e pavlefshme sesa ky (cjap) për ju.” (Transmeton Muslimi)

Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur të kisha ar sa është Uhudi, do të gëzohesha sikur të mos kalojnë tri ditë e tek unë të mos mbetet asgjë, përveç diçka për ta paguar borxhin.” (Muttefekun alejhi)

Transmetohet nga Ka’b ibn Maliku, radijAll-llahu anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Dy ujq të uritur të cilët bien ndër dele nuk bëjnë më tepër dëm sesa lakmia e njeriut për pasuri dhe karrierë (autoritet) fesë së tij.” (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadith hasen sahih)

  1. Prej shenjave të imanit të dobët është kur prindërit i orientojnë fëmijët në drejtime të ndryshme të cilat janë të ndaluara. Shembull, i stimulojnë, financojnë dhe orientojnë që të ndjekin shkollime dhe kurse të ndryshme të cilat bien ndesh me fenë e All-llahut.

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. [et- Tahrimë, 6]

Ibni Umeri radijAll-llahu anhuma thotë: “Kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Të gjithë ju jeni barinjë dhe secili do të përgjigjet për kopenë e vet. Imami është bari dhe do të pyetet për kopenë e tij. Burri është bari në shtëpinë e vet dhe ai do të pyetet për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit dhe ajo do të pyetet për kopenë e saj, edhe shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë së tij dhe ai do të pyetet për atë që e ka ruajtur. Të gjithë ju jeni barinjë dhe do të përgjigjeni për atë që keni ruajtur.” (Muttefekun alejhi)

 

  1. Dobësimi i madhërimit të dispozitave të All-llahut dhe dobësimi i dashurisë ndaj sunnetit.

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” [el- Haxhxh, 32]

Thotë El Xhunejdi, All-llahu e mëshiroftë: ”Të gjitha rrugët janë të mbyllura, pos asaj e cila të dërgon gjurmëve të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe pasimit të  Sunnetit të tij. Pra, të gjitha rrugët e hajrit janë të hapura në sunetin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem”. (Medarixhu Es-salikin).

  1. Kur dobësohet imani, pakësohet falja dhe arsyetimi në mes muslimanëve, shtohen hidhërimet dhe mospajtimet, prishet shoqëria, shtohen konfliktet, secili vepron duke ngritur gabimet e tjetrit, paraqet të tjerët në mënyrën më të keqe. Në situata të tilla prishen raportet në mes muslimanëve duke rritur problemet, shtohet agresiviteti në mendime dhe dëshira e madhe në përkrahjen e vetes, dëshira për tu ekspozuar para masës, del haptaz kundër tjerëve dhe nxiton në marrjen e udhëheqjes.

 

Nga Ebu Hurejre, radijAll-llahu anhu, transmetohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Mos ia keni xhelozinë njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën, mos garoni njëri me tjetrin në shitblerje dhe bëhuni robër të All-llahut, vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bënë dhunë atij, nuk e lë (në baltë), nuk e gënjen, nuk e nënçmon. Devotshmëria është këtu dhe tregoi në krahërorin e tij tri herë. Për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllaun musliman. Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram: gjakun e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.”  (Muslimi)

Thotë Hasan Ibni Alij, radijAll-llahu anhu “Sikur dikush të më ofendon në këtë vesh dhe pastaj më kërkon arsyetim në veshin tjetër do t’ia falja”.

  1. Pakësohet mundi, dhënia, në rrugë të All-llahut, shtohet koprracia, paksohet dashuria për xhihad dhe shehidllëk në rrugë të All-llahut, shtohet frika prej sprovave që i godet vepruesit e Islamit.

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“E, sa i përket atij që jep dhe ruhet, Dhe vërteton bindshëm për më të mirën. Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën. E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti). Dhe që përgënjeshtron atë më të mirën. Ne do ta përgatisim për më të vështirën. E pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të zhduket”.[el-Lejl, 5-11]

“Shembulli i pasurisë së atyre që japin në rrugën e All-llahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i Madh, i di qëllimet”. [el-Bekare, 261]

“Dilni (në luftë), le t’ju vijë (lufta) e lehtë ose e rëndë, luftoni për hir të All-llahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj; kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni”. [et-Teube, 41]

“A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne isprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët”. [el- Ankebutë, 1,2]

“Nga Enesi radijAll-llahu anhu transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një ecje e mëngjesit apo një ecje e mbrëmjes në rrugën e All-llahut është më e mirë se bota dhe çdo gjë në të.” (Muttefekun alejhi)

Nga Ebu Abas Abdurrahman bin Xhebri, radijAll-llahu anhu transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Robi që pluhuros këmbët e tij në rrugën e All-llahut, nuk do të përfshihet me zjarr!” (Transmeton Buhariu)

  1. Prishja e sjelljes së mirë, shtohet mangësia në kryerjen e obligimeve si: respekti ndaj prindërve, farefisit, bamirësisë ndaj fqinjëve etj.

Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar:

“Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet”. [en-Nisaë, 36]

Nga Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu transmetohet, se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu më ka dërguar për plotësimin e normave të moralit” (El edebu el mufred).

E lusim All-llahun e Lartëmadhëruar që këto këshilla të na bëjnë dobi të gjithëve dhe të jenë shkak që imani jonë të përmirësohet.

Lutja jonë e fundit është: ,,Lavdërimi i takon All-llahut, Zotit të Botëve”.

 

Përmblodhi dhe përshtati: Tafil Ramuka

(Sqarim: kjo temë është pjesë e zingjirit të temave rreth edukatës së imanit)

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.