Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

SHPESHTIMI I LEXIMIT TË KUR’ANIT FISNIK

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kur’ani Fisnik është litari i fortë i Allahut, ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit, kush kapet për të udhëzohet në Rrugën e Drejtë, kush e braktisë atë do të jetë kundërshtari i tij në Ditën e Gjykimit. Transmeton Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili ka thënë: “Kurani do të jetë ndërmjetësues për ty apo kundërshtar i vërtetë kundër teje. Kush vepron sipas tij, do ta çojë në Xhenet. Ndërsa, kush e lë pas shpine, do ta çojë në Xhehenem”1.

Nëse punon sipas Kur’anit, ai do të jetë dëshmi për ty. Nëse e kundërshton atë dhe nuk punon sipas tij, ai do të jetë dëshmi kundër teje. Transmeton Ebu Malik Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) elhamdulilah e mbush (me shpërblim) peshoren, (thëniet) subhanallah (i pa të meta është Allahu) dhe elhamdulilah (lavdërimi i takon Allahut) mbushin hapësirën ndërmjet qiellit dhe tokës. Namazi është dritë, lëmosha është argument, durimi është shkëlqim dhe Kurani është dëshmi për ty ose kundër teje. Çdo njeri, kur del në mëngjes, e shet veten e tij: ose e ç’robëron (nga kthetrat e dynjasë) ose e shkatërron (pas epsheve)”2.

Për këtë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nxiti në shoqërimin e Kur’anit me leximin e shumtë të tij, në nxënien e tij përmendësh dhe në përsëritjen e tij.

Do të flasim shkurtimisht për pesë çështje të cilat lidhen me shpeshtimin e leximit të Kur’anit:

1. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit.

2. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në nxënien e Kur’anit përmendësh dhe përsëritjen e tij.

3. Shpërblimi i shpeshtimit të leximit të Kur’anit dhe nxënies së tij përmendësh,

4. Suret dhe ajetet të cilat pëlqehet të shpeshtohet leximi i tyre.

5. Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit gjatë muajtit të Ramazanit.

 

Nxitja nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit

 

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka nxitur që mos të zgjasë leximi i një hatmeje më shumë se katërdhjetë ditë. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai e ka pyetur Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në sa ditë mund ta bëj hatme Kur’anin? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: Bëje Kur’anin hatme për katërdhjetë ditë…3

Është transmetuar nga Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai kërkoi leje nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që ta lexoj Kur’anin në më pak se shtatë ditë, mirëpo Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk ia lejoi këtë. Ky sahabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Kam agjëruar çdo ditë dhe kam bërë hatme Kur’anin çdo natë. Këtë ia tregova Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ose ai dërgoi dikë që të më thërras dhe unë shkova te ai. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:

– Kam dëgjuar se ti agjëron çdo ditë dhe e bën hatme Kur’anin çdo natë?

– Po, o Pejgamber i Allahut. Me këtë dua të arrij vetëm të mirën, – i thashë. Kurse ai më tha:

– Si mendon që të agjërosh tri ditë në çdo muaj?

– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, i thashë. Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha:

– Por, ndaj gruas sate ke hak, ndaj mysafirit tënd ke hak, dhe ndaj trupit tënd ke hak. – Shtoi edhe këtë: Atëherë, praktikoje agjërimin e pejgamberit të Allahut, Davudit, paqja e Allahut qoftë mbi të, një ditë agjëro e ditën tjetër ha. – Pastaj tha: – Bëje Kur’anin hatme një herë në muaj.

– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, i thashë.

– Atëherë, bëje hatme në çdo njëzetë ditë, – tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

– Por, o Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha:

– Atëherë, bëje hatme në çdo dhjetë ditë. – Sërish i thashë:

– O Pejgamber i Allahut, unë mundem më shumë se kaq.

– Bëje hatme në çdo shtatë ditë dhe mos kërko më shumë, sepse ndaj gruas sate ke hak, ndaj mysafirit tënd ke hak, dhe ndaj trupit tënd ke hak, – tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Unë e vështirësova dhe m’u vështirësua. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:

– Ti nuk e di, ndoshta do ta kesh jetën e gjatë.

Me ndodhi ajo që ma tha Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe kur u plaka, dëshirova sikur ta kisha pranuar lehtësimin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.4

Në një transmetim tjetër ka ardhur se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk e ka pëlqyer që hatmeja të bëhet në më pak se tri ditë. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha: Agjëro nga tri ditë në çdo muaj.

– Unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Kështu vazhdova, derisa më tha:

– Një ditë agjëro, një ditë ha. Dhe më tha: Lexoje Kuranin në çdo muaj.

– Unë mundem më shumë se kaq, – i thashë. Vazhdova kështu derisa më tha:

– (Bëje hatme) brenda tri ditësh.5

Kurse në trasmetimin e Tirmidhiut, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Kush e ka bërë Kur’anin hatme për më pak se tri ditë, nuk e kuptuar atë.6

Gjithashtu nga nxitja e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit është që nëse ndokush nga muslimanët e ka zakon faljen e namazit gjatë natës apo leximin e ndonjë pjese të Kur’anit, mirëpo në ndonjërën prej netëve atë e zë gjumi apo për ndonjë arsye të caktuar, ai nuk mund ta kryej atë vepër, ai atë e kompenson në ditën e nesërme. Transmeton Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

Ai që fle ndaj adhurimit që vazhdimisht e bën natën (qoftë namaz nate, lexim i Kur’anit, përmendja e Allahut,…), apo ndaj një pjese të tij, kurse atë vepër e kryen në mes namazit të sabahut dhe të drekës, do t’i shkruhet sikurse ta ketë kryer atë gjatë natës.7

Abdurrahman el-Mubarakfuri, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e hadithit të mësipërm, të cilin e transmetoi Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Hadithi dëshmon se lejohet që njeriu ta bëjë zakon ndonjë adhurim gjatë natës (qoftë namaz nate, lexim i Kur’anit, përmendja e Allahut,…), gjothashtu hadithi dëshmon se lejohet kompensimi i asaj vepre nëse i ka ikur për shkak të gjumit apo për ndonjë arsye të caktuar. Kështu, kush e kryen atë vepër në mes të namazit të sabahut dhe të drekës, është sikurse ta kishte kryer atë natën. Muslimi, Tirmidhiu dhe të tjerët, transmetojnë nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka thënë: Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur mbetej pa u falur natën, për shkak të ndonjë sëmundje apo diç tjetër, i falte ditën dymbëdhjetë rekate.8

Gjithashtu, nga nxitja e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në leximin e shumtë të Kur’anit është se iu dha përparësi atyre të cilën lexojnë më shumë ajete Kur’anore në namazin e tyre, duke i përgëzuar me shpërblimin e pasurive të panumërta. Transmeton Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:

Ai falet gjatë natës me dhjetë ajete, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit. Ai që falet me njëqind ajete shkruhet nga të përulurit (devotshmit). Ai që falet me njëmijë ajete shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.9

Këtë shpërblim të madh mund ta arrish shumë lehtë me leximin e dy xhuzave të fundit të Kur’anit – xhuzi Tebarek dhe xhuzi Amme – të cilat kanë nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë ajete, dhe me leximin e Sures Fatiha tejkalohen një mijë ajete.

Abdullah ibn Musudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur i nxiste pasuesit e tij që të lexojnë sa më shumë Kur’an, u thoshte atyre: Përjetësojeni shikimin tuaj në Mus’haf (Kur’an).10

Habab ibn El-Erti, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Afrohu tek Allahu me çka të mundesh, dhe dije se ti nuk mund të afrohesh tek Ai me gjë më të dashur për Të se fjala e Tij.11

Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”

 

1.Ibn Ebu Shejbe (30054) ; Shejh Albani e cilësoi sahih në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib.

2.Muslimi (223).

3 Transmeton Tirmidhiu (1395).

4 Muslimi (1159).

5 Buhariu (1978).

6 Tirmidhiu (2949); Shejh Albani e cilësoi sahih në Sahih Et-Tirmidhi (2349).

7 Muslimi (747).

8 Tuhfte El-Ehuedhij BiSherh Et-Tirmidhi Li-l-Mubarakfuri.

9 Transmeton Ebu Davudi (1398) Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi hasen-sahih (639).

10 Fet’h El-Bari BiSherh Sahih El-Buhari Li Ibn Haxher El-Askalani.

11 Xhamiu El-Ulum Ue El-Hikem Li Ibn Rexheb (342/2)

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.