Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

RYSHFETI

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Prej gjërave që islami i ka ndaluar rreptësisht është edhe ryshfeti, e që nënkupton dhënien e një shume të caktuar të pasurisë në kompensim të kryerjes së ndonjë pune, të cilën nëpunësi e ka për detyrë ta kryejë edhe pa ryshfet. Harami është edhe më i ashpër nëse qëllimi i ryshfetit është të mohohet e vërteta, të miratohet e pavërteta apo t’i bëhet padrejtësi dikujt.

Ryshfeti, vëllezër të nderuar, është prej mëkateve të mëdha të cilat All-llahu ua ndaloi robërve të Tij, ndërsa i dërguari i All-llahut i ka mallkuar ata që e bëjnë këtë punë të shëmtuar. Pra, detyrim është largimi prej tij dhe tërheqja e vërejtjes të tjerëve për largim prej tij, duke e pasur parasysh anën destruktive të tij, duke e ditur se është një mëkat i madh dhe duke i ditur pasojat e tij shkatërruese. Ai konsiderohet si mëkat dhe armiqësi, ndihmën e të cilave All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar në fjalën e Tij: Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.” (El-Maide 2).

All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrënien e pasurisë së njerëzve padrejtësisht. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete.” (En-Nisa’ 29). Po ashtu All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (El-Bekare 188). E ryshfeti është prej llojeve më të këqija të ngrënies së pasurisë së tjetrit në mënyrë të palejuar. Ndalesa për sa i përket ryshfetit, i ka përfshirë të tre pjesëmarrësit në të, e që janë: Dhënësi, marrësi dhe ndërmjetësi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i ka mallkuar dhënësin e ryshfetit, marrësin e saj dhe ndërmjetësin mes tyre.” (Shënojnë Ahmedi dhe Taberaniu). Ndërsa mallkim i All-llahut do të thotë: Përzërje dhe largim nga mëshira e Tij. Dihet se mallkimi i All-llahut bëhet vetëm për mëkate të mëdha, All-llahu na ruajt.

All-llahu i Madhërishëm i ka qortuar hebrenjtë për shkak të ngrënie së ryshfetit. All-llahu i Madhërishëm thotë: Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe hanë shumë haramin (ryshfetin).” (El-Maide 42). Po ashtu thotë: “Dhe, shumë prej tyre i sheh se nguten në mëkat, në mizori e në ngrënie të haramit. Sa e shëmtuar është ajo që bënë ata. E pse paria fetare (e krishterë dhe jehude) të mos i ndalin nga ato thënie të tyre të rreme dhe nga ngrënia e haramit (ryshfetit)! Sa punë e keqe është ajo e tyre (e parisë fetare).” (El-Maide 62-63). E në një ajet tjetër thotë: “Dhe për shkak të mizorisë së atyre, që ishin jahudi, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e All-llahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që u ishin të lejuara.” (En-Nisa’ 160).

Në lidhje me ndalimin e këtij harami dhe dënimet për ata që e praktikojnë, janë transmetuar shumë hadithe. Prej tyre po përmendim:

Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma napërcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Secili trup i rritur me ushqim nga ‘Suhti’ e meriton zjarrin.” Dikush pyeti: E ç’shtë suhti? Ai u përgjigj: “Ryshfeti.” (Shënon Ibën Xheriri).

Nga Amër ibën Asi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Çdo popull në të cilin përhapet kamata, do të dënohet me thatësi të tokës, dhe çdo popull në të cilin përhapet ryshfeti, do të dënohet me frikë.” (Shënon Ahmedi).

Ibën Kudame, All-llahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Mugni, thotë: “Nëse gjykatësi e merr ryshfetin, me këtë ai arrin shkallën e kufrit, ngase është i gatshëm të gjykojë me diçka që All-llahu nuk ka zbritur. All-llahu i Madhërishëm thotë: E kush nuk gjykon me atë që e zbriti All-llahu, ata janë mohues (kafira).” (El-Maide 44).

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Vërtet All-llahu i është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirën, dhe vërtet All-llahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve, dhe ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.” Po ashtu ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.” Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli duke thënë: ‘O Krijues, o Krijues!’ Kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!” (Shënon Muslimi).

Kini frikë All-llahun, o ju myslimanë. Kini kujdes nga hidhërimi i All-llahut dhe largojuni faktorëve që shkaktojnë hidhërimin e Tij, ngase i Madhërishmi është Xheloz kur ndalesat e Tij nëpërkëmben. Në një hadith autentik thuhet: “Nuk ka më Xheloz se All-llahu.” Po ashtu, largojeni veten dhe familjen tuaj nga pasuria haram dhe të ushqyerit me haram, që të shpëtoni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, të cilin All-llahu e ka bërë meritor për çdo trup i cili është rritur me haram. Po ashtu, të ushqyerit me haram është shkak për mospranimin e duave (lutjeve) nga All-llahu i Madhërishëm, siç u përmend në hadithin që na përcillet nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.

Nga Abdullah ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Një herë në praninë e të dërguarit të All-llahut u lexua ky ajet: “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë.” (El-Bekare 168), dhe Sa’d ibën Ebi Vekkasi radijAll-llahu anhu u çua dhe tha: O i dërguari i All-llahut! Lute All-llahun të më bëjë prej atyre që u pranohet duaja. Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “O Sa’d, haje ushqimin nga hallalli, do të jesh prej atyre që u pranohet duaja. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, ndodh që robi të fusë në barkun e tij një kafshatë nga harami, dhe për shkak të kësaj All-llahu nuk i pranon asnjë ibadet për dyzet ditëme radhë. Çdo rob që e rrit trupin e tij me haram, zjarri është më meritor për të.” (Shënon Taberaniu). Ky është argument se mosngrënia e ushqimit nga hallalli e pengon pranimin e duave dhe e bllokon ngritjen e tyre tek All-llahu i Madhërishëm. Vetëm kjo mjafton si dënim dhe humbje për njeriun, All-llahu na ruajt prej saj. E All-llahu ju ka thirrur në mbrojtjen tuaj dhe të familjeve tuaja nga zjarri, dhe ju ka thirrur që të shpëtoni nga dënimi i ashpër dhe i dhembshëm i Tij, duke thënë: O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim 6).

O ju myslimanë, përgjigjjuni thirrjes së Zotit tuaj, zbatojeni urdhrin e Tij dhe largojuni nga ndalesat e Tij, largojuni gjërave që shkaktojnë hidhërimin e Tij, dhe kështu do të lumturoheni në dynja dhe ahiret. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai. Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.” (El-Enfal 24-25).

E lusim All-llahun të na bëjë prej atyre që i dëgjojmë fjalët e Tij dhe i pasojmë ato në mënyrën më të mirë, të na bëjë prej atyre që ndihmohen mes vete në bamirësi dhe devotshmëri, të na bëjë të kapur për librin e All-llahut dhe sunnetin e të dërguarit të Tij, të na mbrojë nga të keqijat e vetvetes dhe të veprave tona, ta ndihmojë fenë e Tij, ta ngritë fjalën e Tij, dhe t’i udhëzojë udhëheqësit tanë aty ku është mirësia e njerëzve dhe vendit tonë. Vetëm Ai e ka në Dorë mundësinë për këtë gjë.

Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.

 

www.thirrjaislame.com

Autor: Abdul-Aziz ibën Abdullah ibën Baz

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.