Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

RRUGA DREJT PËRFUNDIMIT TË MIRË

PYETJE: A ekzistojnë shenja që vërtetojnë përfundimin e mirë?

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Fillimisht t’i themi ca fjalë për përfundimin e mirë.

Përfundim i mirë do të thotë që robit në fund të jetës së tij t’i mundësohet largimi nga gjërat që e hidhërojnë All-llahun, pendimi nga mëkatet dhe përkushtimi ndaj ibadeteve dhe punëve të mira, e pastaj ta gjejë vdekja duke qenë në këtë gjendje të mirë. Prej haditheve që transmetohen në këtë kuptim është hadithi që na përcillet nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu, i cili thotë se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur All-llahu ia dëshiron robit të Tij hairin, e përdorë atë.” E si e përdorë? – pyetën sahabët. Tha: “E orienton në një punë të mirë para vdekjes.” (Shënojnë Ahmedi 11625 dhe Tirmidhiu 2142. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha 1334 e ka klasifikuar si hadith sahih).

Po ashtu i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur All-llahu ia dëshiron robit të Tij hairin, e bën të dashur në mesin e njerëzve.” E si ndodh kjo, o i dërguari i All-llahut? – pyetën njerëzit. Ai tha: “All-llahu i Madhërishëm ia hapë dyert e një pune të mirë para vdekjes, e pastaj ia merr shpirtin duke qenë në atë punë.” (Shënon Ahmedi 17330. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha 1114 e ka klasifikuar si hadith sahih).

Përfundimi i mirë ka disa shenja. Disa prej tyre i shfaqen atij që është në prag të vdekjes, e disa të tjera u shfaqen njerëzve përreth tij.

Përsa i përket shenjës e cila ia shfaq robit përfundimin e mirë është se në prag të vdekjes, atij i jepet myzhdeja që All-llahu është I Kënaqur me të dhe i realizohet një nderim nga mirësia e All-llahut të Madhërishëm, I Cili thotë: E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që ju premtohej.” (Fussilet 30). Kjo myzhde u jepet besimtarëve në momentet e fundit të jetës. (Tefsir Ibën Sa’di, 1256).

Argument tjetër që vërteton këtë gjë është edhe hadithi që na përcillet nga Ubade ibën Samiti radijAll-llahu anhu se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e do takimin me All-llahun, edhe All-llahu e do takimin me të; kush e urren takimin me All-llahun, edhe All-llahu e urren takimin me të.” Aisheja radijAll-llahu anha apo disa prej grave të tij thanë: Vërtet ne e urrejmë vdekjen. Ai tha: “Nuk është (për qëllim) kjo, por besimtarit nëse i afrohet vdekja, përgëzohet me kënaqësinë dhe fisnikërinë e All-llahut, e nuk ka asgjë më të dashur për të sesa ajo që e ka përpara vetes, kështu që e dëshiron takimin me All-llahun dhe All-llahu e dëshiron takimin me të. E nëse mosbesimtarit i afrohet vdekja, përgëzohet me dënimin dhe ndëshkimin e All-llahut, e nuk ka asgjë më të urryer për të sesa ajo që e ka përpara vetes, kështu që e urren takimin me All-llahun dhe All-llahu e urren takimin me të.” (Shënojnë  Buhariu 6507 dhe Muslimi 2683).

Ndërsa përsa i përket shenjave të përfundimit të mirë, ato janë të shumta. Dijetarët, duke u bazuar në tekstet sheriatike që kanë të bëjnë me këtë temë, i kanë nxjerrur këto shenja. Prej tyre po përmendim:

  1. Shqiptimi i shehadetit në momentet e vdekjes

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush e ka fjalë të fundit fjalën ‘La ilahe il-lAll-llah’, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Ebu Davudi 3116. Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud 2673, e ka klasifikuar si hadith sahih).

  1. Vdekja me djersitje të ballit

Nga Burejde ibën Husajbi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Vdekja e besimtarit shoqërohet me djersitje të ballit.” (Shënojnë Ahmedi 22513, Tirmidhiu 980 dhe Nesaiu 1828. Shejh Albani në librin e tij Sahih Et-Tirmidhi e ka klasifikuar si hadith sahih).

3 Vdekja në luftë në rrugën e All-llahut

All-llahu i Madhërishëm thotë: Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa iu bashkuar rradhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s’ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” (Alu Imran 169-171). Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush vritet në rrugë të All-llahut, ai është shehid; kush vdes në rrugë të All-llahut, ai është shehid.” (Shënon Muslimi 1915).

  1. Vdekja nga murtaja

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Murtaja është shehidllëk i çdo myslimani.” (Shënojnë Buhariu 2830 dhe Muslimi 1916). Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: E kam pyetur të dërguarin e All-llahut për murtajën dhe ai më ka treguar se: “Ajo është dënim që All-llahu ia dërgon kujt të dojë, ndërsa për besimtarët e ka bërë mëshirë. Nuk ka asnjë rob që gjendet në vendin ku është shpërndarë murtaja dhe qëndron aty, duke bërë durim, duke shpresuar tek All-llahu dhe duke e ditur se asgjë nuk do ta godasë përveç asaj që All-llahu ia ka caktuar, e të mos e ketë shpërblimin e shehidit.” (Shënon Buhariu 3474).

  1. Vdekja nga sëmundjet e barkut

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… ai që vdes nga dhimbjet e barkut është shehid.” (Shënon Muslimi 1915).

  1. Vdekja nën gërmadha dhe nga përmbytja

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shehidët janë pesë kategori: Ai që vdes nga murtaja, ai që vdes nga dhimbjet e barkut (peritoniti, fryrja e barkut, diarrea ose çdo lloj dhimbjeje barku që shkakton vdekje), i përmbyturi, ai që vdes nën gërmadha dhe shehidi në rrugën e All-llahut.” (Shënojnë Buhariu 2829 dhe Muslimi 1915).

  1. Vdekja e gruas gjatë lehonisë (nifasit) apo shtatzënisë

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gruaja e cila vdes shtatzënë është shehide.” (Shënon Ebu Davudi 3111).

Nga Ubade ibën Samiti radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut tregonte për shehidët, dhe në mesin e tyre përmendi edhe: “Gruaja shtatzënë të cilës i vdes fëmija në bark dhe kjo shkakton edhe vdekjen e saj është shehide; fëmija e tërheq atë me placentën e tij për në xhennet.” (Shënon Ahmedi 17341. Shejh Albani në librin e tij El-Xhenaiz fq. 39, e ka klasifikuar si hadith sahih).

  1. Vdekja nga djegia

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vdekja në rrugën e All-llahut është shehidllëk, vdekja nga murtaja është shehidllëk, vdekja nga përmbytja është shehidllëk, vdekja nga dhimbjet e barkut është shehidllëk; fëmija e tërheq lehonën me placentën e tij për në xhennet.” (Shejh Albani thotë: Hadithi është Hasen Sahih, Sahih Et-Tergibi vet-Terhib 1396).

  1. Vdekja në mbrojtje të fesë, pasurisë dhe vetes

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vritet duke mbrojtur pasurinë e tij është shehid, kush vritet duke mbrojtur fenë e tij është shehid, kush vritet duke mbrojtur gjakun e tij është shehid.” (Shënon Tirmidhiu 1421).

  1. Vdekja duke bërë roje në rrugën e All-llahut

Nga Selman El-Farisiu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Të bërit roje në rrugë të All-llahut një ditë e një natë, tek All-llahu është më me vlerë se sa agjërimi i një muaji dhe falja në netët e tij; e nëse vdes i vazhdon puna që ka punuar, i vazhdon risku dhe garantohet nga sprovimi.” (Shënon Muslimi 1913).

  1. Vdekja në ndonjë punë të mirë

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thotë ‘La ilahe il-lAll-llah’ duke synuar kënaqësinë e All-llahut dhe e përfundon (jetën) me këtë fjalë, hyn në xhennet. Kush jep sadeka (lëmoshë) dhe e përfundon jetën në këtë vepër, hyn në xhennet.” (Shënon Ahmedi 22813. Shejh Albani në librin e tij El-Xhenaiz fq. 43, e ka klasifikuar si hadith sahih).

Këto shenja janë myzhde të mira që vërtetojnë përfundimin e mirë. Por megjithatë, ne nuk pohojmë për ndonjë njeri se është banor i xhennetit, përveç atyre për të cilët ka dëshmuar pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem se do të jenë banorë të xhennetit, si dhjetë sahabët e përgëzuar me xhennet, etj.

E lusim All-llahun të na mundësojë përfundim të mirë.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.