Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Pyetje: A lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Shevval para se të plotësohen ditët e paagjëruara të Ramazanit

Pyetje: A lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Shevval para se të plotësohen ditët e paagjëruara të Ramazanit, nëse nuk mbesin ditë të mjaftueshme për t’i plotësuar që të dyja?

 

Përgjigja: Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit lidhet me plotësimin e agjërimit të Ramazanit, bazuar në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush e agjëron Ramazanin, dhe më pas e pason me gjashtë ditë të Shevvalit, është sikur të ketë agjëruar tërë vitin.” Shënon Muslimi (1164).

Fjala ‘më pas’ është ndajfolje kohe që tregon radhitje dhe vijim. Kjo do të thotë që më parë duhet plotësuar agjërimin e Ramazanit (farz dhe kaza), e më pas vjen agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit, në mënyrë që të arrihet shpërblimi i përmendur në hadith.

Po ashtu, ai që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani, për të thuhet: Ka agjëruar një pjesë të Ramazanit, e nuk thuhet: Ka agjëruar Ramazanin.

Por nëse njeriut, për ndonjë shkak të caktuar, nuk i mundësohet të agjërojë gjashtë ditët e Shevvalit gjatë Shevvalit për shkak të kompensimit të ditëve të paagjëruara të Ramazanit, si p.sh kur gruaja është në periudhën e nifasit, kështu që të gjithë ditët e paagjëruara të Ramazanit i kompenson gjatë Shevvalit, atëherë asaj i lejohet të agjërojë gjashtë ditët e Shevvalit gjatë muajit Dhul-Ki’de, sepse është e arsyetuar. E njëjtë është situata me secilin që ka ndonjë arsyetim, pra i lejohet të agjërojë gjashtë ditët e Shevvalit edhe në Dhul-Ki’de pasi të kompensojë Ramazanin. Por nëse dikujt i kalon muaji i Shevvalit pa i agjëruar gjashtë ditët e tij, dhe pa ndonjë arsye, atëherë ky nuk e arrin këtë shpërblim.

Shejh Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, është pyetur në lidhje me gruan të cilës i kanë mbetur ditë të paagjëruara të Ramazanit, a duhet t’u japë përparësi gjashtë ditëve të Shevvalit në raport me ditët e paagjëruara të Ramazanit, apo t’u japë përparësi ditëve të paagjëruara të Ramazanit në raport me gjashtë ditët e Shevvalit?

Ja përgjigjja e tij: “Nëse gruaja ka ditë të paagjëruara nga Ramazani, atëherë ajo nuk duhet të agjërojë gjashtë ditët e Shevvalit para se t’i kompensojë ditët e paagjëruara të Ramazanit, ngase pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin, dhe më pas e pason me gjashtë ditë të Shevvalit….”, ndërkohë që ajo grua e cila ka ditë të paagjëruara të Ramazanit, në fakt nuk e ka agjëruar Ramazanin plotësisht, kështu që nuk e arrin shpërblimin e gjashtë ditëve përveçse pasi të ketë plotësuar ditët e paagjëruara të Ramazanit. Kështu, nëse supozojmë se kompensimi i ditëve të paagjëruara të Ramazanit ka përfshirë tërë Shevvalin, siç është rasti kur gruaja është në periudhën e lehonisë dhe nuk ka mundur të agjërojë asnjë ditë të Ramazanit, kështu që fillon me kompensimin e Ramazanit brenda Shevvalit, dhe kjo zgjat deri në hyrjen e Dhul-Ki’des, me këtë rast ajo i agjëron gjashtë ditët e Shevvalit në Dhul-Kide, dhe e ka shpërblimin sikur t’i ketë agjëruar ato gjashtë ditë në Shevval, ngase vonimi i saj në këtë rast ka qenë i pashmangshëm dhe i arsyetuar, kështu që e fiton shpërblimin.” (Mexhmuul-Fetava, 20/19)

Veç kësaj, kompensimi për shlyerjen e borxhit të atij (asaj) që s’e ka agjëruar Ramazanin për ndonjë arsye të pranuar sheriatike është vaxhib, madje është rukn (pjesë përbërëse) e islamit, kështu që nxitimi për shlyerjen e tij është më prioritar në raport me zbatimin e mustehabbit.

 

Marrë nga islamqa.info

Nr.rendor i pyetjes: 40389

Përktheu : Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.