Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

PËRGËZIMI ËSHTË CILËSI E PEJGAMBERËVE DHE TË DËRGUARVE

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para All-llahut. All-llahu është i pavarur në sundimin e vet dhe di si të veprojë.”[1] Po ashtu thotë: “Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.”[2] Po ashtu thotë: “Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët.”[3]

 

PËRGËZIMI ËSHTË CILËSI E PEJGAMBERIT,  sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne të dërguam ty me të vërtetën (Kur’anin), përgëzues dhe qortues, e ti nuk je përgjegjës për banuesit e xhehennemit.”[4] Po ashtu thotë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[5] Po ashtu thotë: “Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues.”[6]

PEJGAMBERI sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem E PËRGËZON HADIXHENË ME PËRGËZIMIN MË TË MADH

Hadixhesë radijAll-llahu anha e cila e shpenzoi të gjithë pasurinë, kohën dhe gjithçka kishte për të ndihmuar fenë e All-llahut, i vjen përgëzimi i cili nuk krahasohet as me tërë botën me të gjitha begatitë e saj kalimtare. Nga goja e të dërguarit të All-llahut asaj i erdhi përgëzimi për një shtëpi në xhennet, materiali i së cilës është prej gurëve të çmueshëm.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: O i dërguari i All-llahut! Hadixheja të sjell ty enë në të cilën ka erëza, ushqim apo pije. Pasi ajo t’i sjell ty këto gjëra, dërgoja asaj përshëndetjet nga Zoti i saj dhe nga unë, dhe përgëzoje me një shtëpi në xhennet prej gurëve të çmueshëm (të smeraldit) në të cilën nuk ka zhurmë dhe lodhje.”[7]

[1] Kaptina En-Nisa’, ajeti 165.
[2] Kaptina El-En’am, ajeti 48.
[3] Kaptina Es-Saff, ajeti 6.
[4] Kaptina El-Bekare, ajeti 119.
[5] Kaptina Es-Sebe’, ajeti 28.
[6] Kaptina El-Fet’h, ajeti 8.
[7] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (3821) dhe Muslimi (2432).

Comments are closed.