Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

O TI MJEK..! BËHU THIRRËS I FESË

Mjeku nuk është thjesht njeriu që mungon nga familja dhe vendi i tij për një kohë të gjatë për të arritur deri te diploma e cila vërteton një shkallë të caktuar në shkencën e mjekësisë. Por, ai mund të jetë një thirrës i kategorisë së parë në fenë e All-llahut me veprimet e tij para fjalëve. Kjo, ngase ambienti në të cilin punon mjeku ia bën të mundshme të luajë një rol të madh në thirrje në rrugën e All-llahut, në urdhrin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, si dhe në përmirësimin e gjendjes fizike dhe shpirtërore të shumë njerëzve.

Mjeku thirrës nuk është sikur thirrësit e tjerë, të cilët i përmirësojnë njerëzit në rrugë publike apo në mbledhje të veçanta e kështu me radhë, ngase këta të fundit mund të ballafaqohen me bllokada të mëdha, rezistenca të dhunshme dhe faktorë të tjerë që ua pamundësojnë këshillimin dhe përmirësimin e njerëzve.

Ndërsa mjeku ka një mundësi të artë, e cila s’i jepet çdokujt. E kjo është marrëdhënia e tij me personin i cili i është drejtuar atij në gjendje dobësie apo vdekjeje të pashmangshme. Ne këto raste, shpirti i tij thithë çdo gjë që i thuhet atij prej fjalëve të buta të cilat e afrojnë tek All-llahu i Madhërishëm, më shumë se shpirti i çdo personi tjetër. Këtu del në pah elementi pozitiv të cilin e kanë në dispozicion shumë prej mjekëve, ndërsa nuk e kanë myslimanët e profileve të tjera të cilët thirrin në rrugë të All-llahut.

Këtë profesion, me të madhe e kanë përdorur të krishterët për përhapjen e fesë së tyre të devijuar, saqë nuk i jipnin ilaçin të sëmurit derisa të vendoste kryqin në qafë apo nuk i jipnin asnjë shërbim mjekësor derisa të pranonte se feja e tyre është fe e vërtetë. Ndërsa ne jemi më meritorë se ata për thirrje në besimin tonë.

Disa ide rreth thirrjes në fe për njerëzit që punojnë në sektorin e mjekësisë

Urime për ty, o ti mjek… dhe urime prë ty, oj ti mjeke…

Janë këto disa urata dhe lutje që burojnë nga gojat e myslimanëve për shkak të punës suaj fisnike të cilën All-llahu ua ka mundësuar të punoni me të në mënyrën më të mirë të mundshme. Sa e sa të sëmurit ia keni lehtësuar dhimbjen me lejen e All-llahut! Sa e sa të vuajturi ia keni larguar vuajtjen me lejen e All-llahut! Dhe sa e sa të sëmurë kanë qenë në prag të vdekjes dhe i keni shpëtuar me lejen e All-llahut! Sa e sa njerëz që nuk kanë mundur të kenë fëmijë u keni ndihmuar në këtë drejtim! Dhe sa e sa…. e sa e sa…!

Punë dhe përpjekje të cilat nuk numërohen a përkufizohen dot! Zemrat e njerëzve ju duan dhe luten për ju për shkak të qëndrimeve dhe punëve tuaja të ndritshme. Kjo është një mirësi e All-llahut, të cilën Ai ia jep kujt të dëshirojë.

Spitali është një vend pjellor për thirrje në rrugën e All-llahut. I sëmuri vjen aty dhe ua le në dorë juve trupin e tij që ju të bëni atë që i sjellë dobi dhe ia përmirëson gjendjen. Nëse e urdhëroni, do ta zbatojë urdhrin. E nëse e ndaloni, do të ndalojë.

Ju të dy duhet të jipni të gjithë kapacitetin tuaj për të shpëtuar këto njerëz nga zjarri dhe dënimi dhe t’i orientoni nga Krijuesi i tyre. Kjo, ngase gjatë dobësisë, zemra neglizhohet nga mbështetja në All-llahun e Madhërishëm dhe mbështetjen e orienton vetëm në faktorët lëndorë. Sa e sa të devijuar janë udhëzuar në rrugën e drejtë! Sa e sa mosbesimtarë kanë kaluar në islam! Sa e sa mëkatarë janë penduar dhe kanë hequr dorë nga mëkatet dhe gabimet e tyre! Dhe e gjithë kjo vetëm për një fjalë apo shenjë tuajën të cilën e keni bërë me sinqeritet. Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Sikur ti të bëhesh shkak për udhëzimin e një njeriu të vetëm, është më mirë për ty sesa të kesh në pronësi devetë e kuqe.” (Muttefekun Alejhi).

Ju përgëzoj juve të dyve për mundësinë që të praktikoni shumë prej haditheve dhe sunneteve të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, për të cilat, njerëzve të profileve të tjera nuk u është dhënë një mundësi e tillë.

Në vazhdim, dëshiroj t’ju jap ca ide të cilat do t’ju ndihmojnë në thirrje për në rrugën e All-llahut dhe do t’ju mundësojë përfitimin e shpërblimeve të Tij, si dhe do të jeni të dobishëm me lejen e All-llahut në klinikë, drejtpërdrejt me pacientin, në sallën e operacionit apo përgjithësisht në spital.

  1. Gjatë dhënies së recetës së ilaçit, mund t’i dhurosh me të edhe ndonjë broshurë apo fletushkë, e cila do t’i sillte dobi të sëmurit. Po ashtu në to mund të shkruash: Dhuratë nga mjeku, si dhe fjalë me të cilat lutesh për shërimin e tij, e kështu me radhë.
  2. T’ia përkujtosh të sëmurit çështjen e pajtimit me caktimin e All-llahut, si dhe atë se sëmundja dhe shërimi vijnë nga All-llahu i Madhërishëm. Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut një herë hyri tek Ummu Saib dhe i tha: “Ç’ke oj Ummu Saib kështu që po dridhesh?” – Kam temperaturë, mos e bekoftë All-llahu, tha ajo. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Mos e shaj temperaturën, sepse ajo i largon gjynahet e bijve të Ademit, ashtu si e largon farka ndryshkun e hekurit.” (Shënon Muslimi). All-llahu i Madhërishëm thotë: Mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju.” (El-Bekare 216).

Ndodhë që i sëmuri t’ia dëshirojë vetes vdekjen nga dhimbjet e shumta që i ndien. Me këtë rast, përkujtoja atij ndodhinë kur pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjendej në momentet e fundit të jetës së tij. Po ashtu përkujtoja atij se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një të keqeje që e ka goditur! E nëse ai duhet që medeomos ta bëjë këtë, atëherë le të lutet duke thënë: O Zot, më jep jetë nëse jeta është e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

  1. Fytyra e buzëqeshur

Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të buzëqeshësh kur e takon vëllain tënd është sadeka.” (Shënon Tirmidhiu dhe Ibën Hibbani i cili thotë se është sahih. Shënon Albani. Sahih Ligajrihi).

Kur mjeku i drejtohet pacientit, preferohet të jetë i buzëqeshur, fytyrëqeshur dhe fjalëmirë. Po ashtu duhet thënë të sëmurit: “Ska gjë, pastrim qoftë inshaAllah.” (Shënon Buhariu nga Ibën Abbasi). Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem çdoherë që vizitonte ndonjë të sëmurë e bënte këtë lutje. Dihet se një pjesë e sëmundjes vjen si rezultat i reaksioneve psikologjike, kështu që kjo shërohet duke u lutur për të, duke e qetësuar, duke ia rehatuar zemrën dhe duke ia përkujtuar All-llahun. Këso lloj fjalësh dhe lëvizjesh të lehta ndikojnë në largimin e shqetësimeve dhe frikës që ndjen i sëmuri, i ndihmojnë që ai të qetësohet dhe bëjnë që ai të pranojë çdo gjë nga e cila ti anon.

  1. Butësia ndaj të sëmurit gjatë mjekimit të tij si dhe mënyra e urtë dhe graduale gjatë kumtimit të lajmit në lidhje me sëmundjen e tij, duke pasur parasysh gjendjen psoikologjike të pacientit. Nëse dyshohet se i bie të fikët, atëherë nuk duhet thënë atij: Ti ke një sëmundje të rrezikshme dhe je në gjendje të keqe. Ajo që duhet bërë është ta qetësojë duke përmendur All-llahun, duke u sjellur butësisht me të dhe duke i thënë: Ky është caktimi i All-llahut, dhe fjalë të ngjashme që ia qetësojnë zemrën. Po ashtu është mirë të konsultohet me ndonjërin prej të afërmve të tij për ta zgjedhur mënyrën më të përshtatshme në kumtimin e lajmit për sëmundjen dhe gjendjen e tij.
  2. Vizitën që mjeku ia bën të sëmurëve për të inspektuar gjendjen e tyre, nuk duhet bërë vetëm formalisht, vetëm sa për të përmbushur orarin e punës, por këtë duhet bërë me shpresë që të arrijë shpërblimet e All-llahut të Madhërishëm.

Nga Thuvejri na përcillet se e ka dëgjuar babain e tij duke thënë: Aliu më kapi për dore dhe më tha: Eja të shkojmë së bashku ta vizitojmë Hasen ibën Aliun, i cili është i sëmurë. Kur shkuam, e gjetëm atje Ebu Musa El-Esh’ariun. Aliu i tha Ebu Musait: Ke ardhur për vizitë të të sëmurit apo vetëm për vizitë të thjeshtë? – Për vizitë të të sëmurit – tha ai. Aliu tha: E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Çdo mysliman që e viziton vëllain e tij të sëmurë në mëngjes, për të, kërkojnë falje shtatëdhjetë mijë melaike derisa të ngrysë; e nëse e viziton atë në mbrëmje, kërkojnë falje për të shtatëdhjetë mijë melaike derisa të gdhijë dhe në xhennet do t’i jipet një kopsht me hurma nga e cila do të vjelë.” (Shënon Ahmedi. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih.)

  1. Të bërit rukje për të sëmurin. Kjo bëhet duke vendosur dorën në vendin e dhimbjes dhe me këtë rast thuhet kjo lutje shtatë herë: Es’elullahel-Adhim, Rabbel-Arshil-Adhim en jeshfijek”, që do të thotë: E lus All-llahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit të Madh që të të shërojë.” (Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih.)

Po ashtu duhet këshilluar të sëmurin që ai vetë t’i bëjë rukje vetes, duke e vendosur dorën e vet në pjesën ku ndien dhimbje dhe duke thënë tri herë: Bismil-lah”, dhe pastaj duke thënë shtatë herë: “Eudhu bil-lahi ve kudretihi min sherri ma exhidu ve uhadhir”, që do të thotë: Kërkoj mbrojtje tek All-llahu dhe Fuqia e Tij nga e keqja e kësaj që po ndjej dhe kam drojën. (Shënon Muslimi). Po ashtu duhet lexuar suren El-Fatiha dhe lutje të tjera që transmetohen në sunnetin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

  1. Kur i sëmuri gjendjet në prag të vdekjes, duhet t’i qëndrosh afër që të dëgjosh mos ndoshta vallë le ndonjë porosi, ngase i sëmuri mund të përmendë diçka që askush tjetër nuk i di dhe ti mund të jesh i vetmi që i dëgjon. Po ashtu duhet t’i ndihmosh duke ia përkujtuar shehadetin, madje edhe nëse i sëmuri është mosbesimtar. Këtë duhet bërë me zë saqë i sëmuri të dëgjojë, duke mos e shqetësuar atë, ngase ai tanimë është në gjendje vështirësie. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet, vdekja qenka e vështirë.” (Shënon Buhariu). Pastaj kur të vdesë, duhet t’ia mbyllësh sytë dhe t’ia drejtosh gjymtyrët e trupit që të mundësosh larjen e lehtë të xhenazes. Pastaj duhet ta mbulosh me ndonjë çarçaf dhe më në fund duhet t’i lajmërosh të afërmit e tij për vdekjen në një mënyrë sa më të butë. Lajmërimi i të afërmve duhet të jetë i menjëhershëm, që ata të nxitojnë në larjen e borxheve të tij, nëse ka, si dhe të përgatiten sa më shpejt për qefinosjen, faljen e namazit të xhenazes dhe varrimin e tij.
  2. Komunikimi i islamit ndaj të punësuarve jomyslimanë në klinikë apo spital, qoftë me dialog apo me ndonjë libër. Ndodhë që ndonjë mjek jomysliman kalon vite të tëra bashkë me mjekët myslimanë, por megjithatë, fatkeqësisht, nuk ka pasur askush prej mjekëve që i ka bërë thirrje në islam as me një fjalë të vetme.

Akoma më e rëndësishme se kjo është thirrja e jomyslimanëve në fenë islame në mënyrë praktike. Vepra është më e fuqishme se fjala nëse praktikohet sunneti i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, toleranca dhe çdo sjellje e mirë.

O ti mjek… oj ti mjeke!

Dije se thirrja në fe është gjë e vështirë. Përndryshe, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk do të kishte thënë: “Xhenneti është rrethuar me vështirësi, e xhehennemi është rrethuar me dëfrime.” (Shënon Muslimi). Por për juve mjafton kur shihni gëzimin në fytyrën e të tjerëve dhe kur dëgjoni lutjet e tyre nga thellësia e zemrës që ua drejtojnë juve, ngase ka mundësi që për juve të lutet ndokush të cilit All-llahu ia pranon lutjen. Po ashtu ka mundësi që të lutet ndokush që tërë jetën e tij e ka kaluar në ruku dhe sexhde. Janë këto shpërblime të mëdha të cilat nuk i arrin kush veç atij që All-llahu ia ka hapur dyert e suksesit. Me anë të punës suaj të palodhshme, sinqeritetit dhe përkushtimit në këshillimin dhe ndihmesën tuaj ndaj këtyre të sëmurëve, All-llahu ju mundëson suksesin.

Dikush mund të thotë: Këto ide që u shtruan mund të jenë vetëm një ideal… Unë them: Po, ka mundësi të jenë vetëm një ideal, por sa ideal i mirë që është ky! Një ideal të cilin çdo besimtar aspiron ta mbërrijë dhe çdo zemër është e etur për të. Kjo, ngase kushdo që realizon një element prej elementeve të këtij ideali, praktikisht ka zbatuar shumë ajete dhe hadithe.

Mjeku shembullor i cili bën një vepër të mirë, bën pjesë në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kush thërret (udhëzon) për në rrugë të drejtë, e ka shpërblimin njëlloj sikur ata që e ndjekin, pa ua pakësuar atyre shpërblimin.” (Shënon Muslimi). Dhe kush këshillon, orienton dhe udhëzon bën pjesë në fjalën e pegamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush udhëzon në hair, është sikur ta ketë bërë atë.” (Shënon Tirmidhiu nga Enesi radijAll-llahu anhu. Shejh Albani e ka klasifikur si hadith sahih).

Ai që ndihmon dhe e shpëton atë që i është afruar vdekja, bën pjesë në fjalën e All-llahut të Madhërishëm: E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (El-Maide 32).

Ai që i largon një brengë tjetrit, bën pjesë në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kush ia largon ndonjë besimtari një brengë prej brengave të kësaj bote, All-llahu atij ia largon një brengë prej brengave të ditës së kiametit.” (Sahih Muslim).

Ai që i buzëqesh të sëmurit dhe i futë gëzimin në zemër, bën pjesë në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Mos e zhvlerësoni asnjë të mirë, madje qoftë edhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të buzëqeshur.” (Shënon Muslimi)

Kush i thotë të sëmurit një fjalë të mirë, bën pjesë në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Fjala e mirë është sadeka.” (Shënojnë Buhariu dhe Ahmedi).

Hadithe të këtilla që flasin për shpërblime janë të shumta dhe nuk mund të përfkufizohen a numërohen, por kusht është që njeriu të jetë i sinqertë dhe durimtar gjatë zbatimit të tyre. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.” (Alu Imran 200).

Dhe, më në fund: Vëllai im mjek… dhe motra ime mjeke! Mënyra më e mirë për të përfunduar këtë temë është hadithi i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Njeriu më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” (Shejh Albani e ka klasifikar si hadith hasen). Ky është një hadith madhështor, për njeriun i cili mediton rreth tij.

Pra, a dëshiron të jesh prej njerëzve më të mirë?

Atëherë, bëhu më i dobishmi prej njerëzve për njerëzit, duke kontribuuar në atë që mund ta bësh për ta… duke qenë më i dobishmi në fjalët e tua… duke qenë më i dobishmi në mendimet e tua… duke qenë më i dobishmi në pasurinë tënde… duke qenë më i dobishmi me trupin tënd… duke qenë më i dobishmi në veprimet e tua… duke qenë më i dobishmi në pozitën tënde… dhe duke qenë më i dobishmi në çdo gjë që ke në dorë për të gëzuar këtë pozitë të lartë…

E kur të rastisësh në pengesa dhe refuzim nga njërëzit, atëherë përkujtoje fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë. Po All-llahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhennet dhe me petka mëndafshi.” (El-Insan 9-12).

O All-llah! Jipju sukses mjekëve dhe mjekeve në ato gjëra që Ti i do dhe je i Kënaqur me to. Atë që ata e bëjnë për njerëzit vendose në peshoren e të mirave të tyre dhe ruaji nga çdo e keqe.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.