Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

FITORJA ËSHTË NJË ÇAST DURIMI

Është kjo një thënie për të cilën disa mendojnë se është hadith, por gjatë hulumtimit erdhi deri te përfundimi se nuk është ashtu. Sipas mendimit më të saktë, kjo është një fjalë e thënë nga luftëtari hero, mrekullia e islamit dhe Shamit, komandanti i patrembur, Ebu Abdullah El-Bettal, me fjalët: “Trimëria është një çast durimi.”

Këtë fjalë atij ia atribuoi Imam Dhehebiu në librin e tij Tarihul-Islam, ku thotë: “Nga Ebu Bekr ibën Ajjashi na përcillet se ka thënë: E pyetën Bettalin: Ç’është trimëria? – Një çast durimi.” – u përgjigj ai.

Po ashtu ia atribuoi edhe Ibën Asakiri në librin e tij Tarihu Dimeshk, si dhe Ibën Rexhebi në librin e tij Xhamiul-Ulumi vel-Hikem, gjatë komentit të hadithit të nëntëmbëdhjetë.

Imam Dhehebiu në librin e tij Sijer E’lamin-Nubela’, në lidhje me Ebu Abdullah El-Bettalin thotë: “Trimi dhe komandanti më i madh, Ebu Muhammed Abdullah El-Bettal, njëri nga prijësit më të spikatur të Shamit i cili i tmerroi dhe gjunjëzoi romakët. U vra në vitin njëqind e dymbëdhjetë (sipas kalendarit hixhij).”

Prej haditheve me kuptim më të përafërt me fjalën e Bettalit është hadithi: “Fitorja arrihet me durim.” Ky është një hadith sahih të cilin e shënon Ahmedi dhe disa të tjerë nga Ibënn Abbasi radijAll-llahu anhuma. Ibën Haxheri e ka klasifikuar si hadith hasen, ndërsa Shejh Albani, Ahmedi Shakiri dhe disa të tjerë e kanë klasifikuar si hadith sahih.

Ky hadith i bekuar dhe kjo fjalë e sinqertë “Trimëria është një çast durimi” është një fjalë përmbledhëse që e ngërthen jetën e njeriut nga të gjitha anët dhe është e përshtatshme për të udhëhequr të gjitha rastet që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

Ky çast durimi i përfshinë të trija llojet e njohura të durimit, e që janë durimi në adhurime, durimi ndaj mëkateve dhe durimi ndaj caktimeve të mundimshme të All-llahut.

Ky çast durimi nuk ka të bëjë veçanërisht me luftën, edhe pse më së shumti ka të bëjë me të, duke e pasur parasysh momentin e takimit të ushtrive dhe intensifikimit të luftës si dhe ndeshjes së dy taboreve. Në këtë rast korrë fitore ai që i përmbahet durimit. Prandaj All-llahu i Madhërishëm i porosit robërit e tij me durim duke thënë: O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar. Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit.” (El-Enfal 45-46)

Fjalën e Bettalit “Trimëria është një çast durimi” më së miri e ilustron transmetimi i disa letrarëve nga Antere ibën Sheddadi, të cilin dikush e pyeti: Arabët si i fituan luftërat? – Me durim, – u përgjigj ai. Një njeri trim i tha: Si mund të jesh durimtar kur unë jam më durimtar se ti? Antere i tha: Ma afro gishtin dhe ti kape gishtin tim. Ti kafshoje gishtin tim e unë tëndin dhe të shohim se kush është më durimtar. Kështu që të dy i futën gishtat në gojën e njëri-tjetrit, pastaj i tha kafsho, dhe që të dy kafshuan gishtat e njëri-tjetrit. Sapo i kafshuan, njeriu piskati: Aaaah! Me këtë rast, Antere i tha: Sikur të duroje pakëz, do piskatja unë i pari.

Durimi ndaj fatkeqësive dhe sprovave

Fatkeqësitë dhe sprovat mund të jenë të mëdha dhe si rrjedhojë, kanë nevojë për një durim të mirë, racionalizëm dhe besim të fuqishëm. Ka ca njerëz të cilët fatkeqësia dhe sprova i huton, durimi i lëshon dhe kështu humbasin shpërblimin e madh. E sikur të duronin për një çast, do të arrinin shpërblimin dhe do të bëheshin shembull për të tjerët.

Shënojnë Buhariu dhe Muslimi nga Enesi radijAll-llahu anhu i cili thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë një gruaje, e cila vajtonte mbi një varr dhe i tha: “Kije frikë All-llahun dhe bëj durim”! Ajo tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur ajo që më ka goditur mua”. Mirëpo, ajo nuk e njohu kush ishte. Dikush i tha: “Ai është pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem”. Ajo menjëherë shkoi te shtëpia e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tek e cila nuk gjeti roje, dhe i tha: “Nuk të njoha”. Ai ia ktheu: “Durimi njihet në goditjen e parë.”

Durimi ndaj mëkateve

Shpëtimi nga gjërat destruktive, rrugët e këqija, sprovat e ndryshme, joshësit e epshit dhe mëkatet, po ashtu mund të evitohen me një çast durimi.

Serrij ibën Dinari njëherë shkoi në Egjipt dhe u vendos në një shtëpi. Një grua dëgjoi për ardhjen e tij dhe tha: Do ta vë në sprovë. Kështu, trokiti në derën e tij. Kur ai e hapi derën, ajo hyri me shpejtësi, e mbylli derën dhe iu ekspozua atij. Ai e pyeti: Ç’po bën kështu? Ajo tha: A ke një dyshek të butë? Me të dëgjuar këto fjalë, ai e hapi derën dhe iku me vrap.

I ngjashëm është rasti me Rebi’ ibën Huthejmin, kur një grua bënte sikur dëshironte ta pyeste diçka, dhe papritmas iu ekspozua, ndërsa Rebiu filloi së qari. Ajo e pyeti: Përse po qan? – Po qaj për këtë fytyrë të cilën rruga e devijimit po mundohet ta tërheqë dhe pastaj në xhehennem të duket një kafkë e djegur, – iu përgjigj ai.

Kur një grua e zbukuruar kalon pranë një të riu mysiman, ai ose do t’i përgjigjet thirrjes së shejtanit dhe epshit dhe do të hedhë një shikim në atë që All-llahu ia ka ndaluar, ose shejtani do të mundohet t’ia marrë mendjen në kontroll, ose do të shkojë pas saj dhe do të përpiqet të bëjë imoralitet. Ose e fundit është që kjo të përfundojë me një shikim syri, dëshirë për imoralitet dhe cytje nga nefsi, dhe më në fund shikimi mbaron, kënaqësia e mëkatit ikën, por mëkati mbetet.

Alternativa tjetër është që të durojë një çast dhe ta ulë shikimin për disa çaste derisa ajo të kalojë, kështu që e mbron fenë dhe zemrën, dhe e fiton embëlsinë e besimit, kënaqësinë dhe shpërblimin e të Gjithëmëshirshmit. Kështu, vetëm një çast ulje shikimi bën që ai ta fitojë shejtanin dhe epshin e tij, dhe t’i përulet Zotit të tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.” (En-Nur 30). Fitorja pra, është një çast durimi.

Në qetësinë e natës dhe pakujdesinë e njerëzve në lidhje me atë se çfarë e joshë robin nga “lundrimi” nëpër kanalet e haramit dhe argëtimi me atë që mund të jetë e ndaluar praktikisht, një çast durimi është ajo që e mbron dhe kështu shejtani shtanget, i Gjithëmëshirshmi kënaqet dhe njeriu shpëton.

Jusufi alejhis-selam duroi një çast dhe shiko se ky çast durimi deri ku e ngriti atë në dynja e ahiret.

Ismaili alejhis-selam duroi një çast gjatë sprovës së therjes dhe shiko se si u bë halli me të dhe si e lavdëroi Zoti i tij me fjalët: “Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtim (premtoi të bëhet kurban) dhe i dërguar, pejgamber.” (Merjem 54)

Po ashtu, Ejjubi alejhis-selam i duroi sëmundjes, humbjes së pasurisë, familjes dhe fëmijëve, por nuk u dëshpërua, nuk u bë kundërshtues dhe nuk angulloi, por u pajtua me caktimin e All-llahut dhe bëri durim, ndërsa si rezultat i durimit të tij ishte se All-llahu ia kompenzoi familjen, pasurinë dhe fëmijët sa dyfishi i tyre si mëshirë nga All-llahu, e pastaj e lavdëroi atë me lavdërimin më të bukur duke thënë: Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti.” (Sad 44)

Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma thotë: “Njeriu nuk e arrin dot imanin e qartë derisa të bindet se All-llahu i Madhërishëm e sheh, kështu që nuk vepron në fshehtësi asgjë me të cilën do të turpërohej në ditën e kiametit.”

Durimi në adhurime

Prej llojit të këtij durimi është edhe durimi në fushën e adhurimeve. Fitorja në këtë fushë po ashtu arrihet me një çast durimi. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”E ata, të cilët luftuan për hirin Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” (El-Ankebut 69)

Njeriu nuk e gjen dot kënaqësinë e adhurimit, ëmbëlsinë e nënshtrimit ndaj All-llahut, lumturinë e jetës nën kënaqësinë e All-llahut, si dhe adhurimi nuk i fut dot qetësinë në shpirt e as rehati në në zemër, përveç nëse duron gjatë adhurimit dhe përpiqet me veten e tij të jetë i përpiktë në të e më pas e ndjen kënaqësinë e adhurimit tek vetja. Vetëm në këtë rast dashuria dhe gëzimi për adhurimin arrijnë të depërtojnë në shpirt e zemër, dhe vazhdojnë të shtohen derisa të mbushin zemrën krejtësisht saqë robi nuk e gjen gëzimin dhe qetësinë përveçse në të, siç thotë zotëria i adhuruesve, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gëzimi im më i madh është në namaz.”

Prandaj medoemos duhet pasur durim gjatë adhurimeve sepse adhurimi shoqërohet me lodhje fizike, dhe duhet adaptuar veten me të gradualisht. Lodhja është pjesë përbërëse e adhurimit dhe sidomos ndjehet në fillim por më pas vjen kënaqësia e adhurimit, siç thotë Ibën Kajjimi: “Në fillim, adhuruesi ballafaqohet me lodhje dhe vështirësi të dispozitave fetare për shkak të mosmishërimit të zemrës së tij me të adhuruarin e tij (All-llahun). E kur zemra arrin frymën e mishërimit, atëherë lodhja dhe vështirësitë largohen prej tij dhe adhurimi i shndërrohet në gëzim, fuqi dhe kënaqësi.”

Thabit El-Bunaniu thotë: “E kam përballuar namazin e natës për njëzet vjet, dhe kam përjetuar kënaqësinë e tij për njëzet vjet të tjera.”

Kjo çështje është ashtu siç thotë All-llahu i Madhërishëm: ”E ata, të cilët luftuan për hirin Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” (El-Ankebut 69). Ose ajeti tjetër: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe ruajuni dënimit të All-llahut, që të shpëtoni.” (Alu Imran 200)

Dhe dijeni se “Fitorja është një çast durimi.”

 

www.thirrjaislame.com

Marrë nga faqja islamweb.net

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.