Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË XHAMI

Vëllezër të dashur,

Xhamia është një çerdhe edukative me anë të së cilës Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia doli t’i edukojë sahabët e tij.

All-llahu i Madhërishëm thotë: (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.”[1]

Besimtari i vërtetë është ai, zemra e të cilit lidhet me xhamitë, kështu që kurrë nuk mungon nga namazi me xhemat, ligjëratat fetare dhe tubimet e kur’anit… Këto janë vende ku zbret mëshira dhe falja e mëkateve nga Zoti i tokës dhe qiejve.

Para se t’i përmendim rregullat të cilat duhet përvetësuar gjatë qëndrimit në xhami, të mësojmë disa nga vlerat e shkuarjes në xhami.

  1. Xhamitë janë vendet më të dashura të All-llahut të Madhërishëm

 Shënon Muslimi në Sahihun e tij se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vendet më të dashura të All-llahut të Madhërishëm janë xhamitë, ndërsa vendet më të urryera janë tregjet.”[2]

Ndërsa në transmetimin e Taberaniut qëndron: “Vendet më të mira janë xhamitë, ndërsa vendet më të urryera janë tregjet.”[3]

  1. Xhamia është shtëpi e çdo besimtari

 Xhaminë e duan vetëm ata zemrat e të cilëve janë të mbushura me besim dhe devotshmëri.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Xhamia është shtëpi e çdo besimtari.”[4]

  1. Vendi yt i mikpritjes në xhennet varet nga numri i shkuarjes tënde në xhami

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sa herë që dikush shkon në xhami, All-llahu për këtë i përgatit një vend gostie në xhennet.”[5]

  1. Dalja yte për në xhami bën që të jesh në sigurinë e All-llahut të Madhërishëm

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Tre njerëz janë në sigurinë e All-llahut; një njeri që del si luftëtar në rrugë të All-llahut është në sigurinë e All-llahut derisa All-llahu t’ia marrë shpirtin e ta fusë në xhennet, apo ta kthejë në shtëpi me gjithë shpërblimin apo plaçkat e luftës që ka fituar, një njeri që shkon në xhami është në sigurinë e All-llahut derisa All-llahu t’ia marrë shpirtin e ta fusë në xhennet, apo ta kthejë në shtëpi me gjithë shpërblimin që ka fituar, dhe një njeri që hyn në shtëpi me selam (përshëndetje), po ashtu është në sigurinë e All-llahut.”[6]

  1. Namazi në xhami (me xhemat) është njëzetepesëfish më i vlefshëm

 I dërguari i All-llahut ka thënë: Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur në shtëpinë e tij apo në treg për njëzet e pesë gradë. Kush merr avdes në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim për të falur namazin në xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami. E kur të hyjë në xhami, i llogaritet që është në namaz derisa të vijë koha e namazit. Atë e bekojnë melaiket, derisa të qëndrojë në vendin ku ka falur namazin. Ata thonë: O Zot, fale! O Zot, mëshiroje! O Zot, pranoja pendimin. Melaiket veprojnë kështu përderisa njeriu të mos fillojë t’u pengojë të tjerëve, apo ta prishë avdesin në xhami.”[7]

  1. Kush del për në xhami për të falur namazin farz ka shpërblim të madh

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush del nga shtëpia e tij për (për t’i falur) namazet e obliguara në xhami, shpërblimi i tij është sikurse haxhiu muhrim, dhe kush del për në tesbihun (namazin) e duhasë duke mos u preokupuar me asgjë tjetër, shpërblimi i tij është sikurse i atij që e kryen umren, ndërsa namazi pas namazit duke mos folur fjalë të këqija është vepër e shkruar në Il-lijjin.”[8]

  1. Kush ndërton një xhami për hirin e All-llahut, do të ketë një shtëpi në xhennet

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush ndërton një xhami, duke e kërkuar kënaqësinë e All-llahut, All-llahu ia ndërton atij një shtëpi në xhennet.”[9]

Po ashtu ka thënë: “Shtatë vepra janë që robit i bëjnë dobi pas vdekjes së tij: dija që ia ka mësuar dikujt, lumi të cilin e ka hapur, pusi të cilin e ka gërmuar, hurma të cilën e ka mbjellur, xhamia të cilën e ka ndërtuar, mus’hafi të cilin ia ka lënë ndokujt si trashëgim dhe fëmija i mirë që e ka lënë pas vetes dhe i cili bën istigfar për të.”[10]

  1. Shlyerja e mëkateve dhe ngritja e gradëve me hapat e shumtë për në xhami

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A dëshironi t’ju udhëzoj për atë se me çfarë All-llahu i shlyen mëkatet dhe i ngre pozitat?!” Ata u përgjigjën: “Po, o i dërguari i All-llahut”, ndërsa ai tha: “Me plotësimin e avdesit në vështirësi, me hapat e shumtë për në xhami dhe me pritjen e namazit pas namazit. Kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat (vigjilencë në rrugën e All-llahut)!”[11]

  1. All-llahu të do dhe gëzohet me ty

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sa herë që dikush prej jush merr avdes me përpikëri dhe pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim për të falur namaz, All-llahu gëzohet me të sikurse që gëzohet njeriu me të dashurit e tij që s’i ka parë për kohë të gjatë.”[12]

  1. Lidhja e zemrës me xhaminë të mundëson hijen e Arshi

Në një hadith që e shënojnë Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Shtatë grupe njerëzish All-llahu do t’i fusë nën hijen e Tij”, ndërsa në transmetimin e Seid ibën Mensurit qëndron: “… nën hijen e Arshit të Tij, në ditën kur nuk ka hije tjetër pos hijes së Tij”, e prej atyre grupeve ka përmendur: “… dhe një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë…”, ndërsa në transmetimin e Malikut në Muvetta’ qëndron: “kur del prej saj (xhamisë) derisa sërish të kthehet në xhami.”[13]

Në vazhdim po përmendim ca rregulla të cilat myslimani duhet përvetësuar për sa i përket xhamisë:

  1. Nijeti i mirë

Kjo do të thotë që shkuarja e tij në xhami të bëhet me qëllim të arritjes së kënaqësisë së All-llahut dhe për t’i kryer obligimet që All-llahu ia ka obliguar atij. D.m.th. nuk duhet që qëllimi i tij të jetë sa për t’u dukur para njerëzve se është i mirë e i devotshëm.

  1. Zbukurimi para shkuarjes në xhami

Kjo do të thotë që myslimani të veshë tesha të pastra e të bukura, të parfumoset dhe t’i pastrojë dhëmbët që kur të gjendet në mesin e njerëzve të duket bukur dhe të ketë aromë të këndshme. All-llahu i Madhërishëm thotë: O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje).”[14]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kur të faleni, vishni dy rroba,[15] ngase All-llahu është më meritori që të zbukuroheni para Tij.”[16

  1. Duaja gjatë shkuarjes në xhami

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë shkuarjes në xhami bënte një dua të madhe, por shumë prej njerëzve janë neglizhentë ndaj saj. Në vazhdim po përmendim atë dua.

Këtë dua e shënon Muslimi me senedin e tij nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma, kur ky i fundit bujti te tezja e tij Mejmuneja (njëra nga bashkëshortet e Pejgamberit, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për ta parë ibadetin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë natës. Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma thotë: “Muezzini e thirri ezanin e sabahut, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem doli për namaz dhe e bëri këtë dua: All-llahummexh’al fi kalbi nuren, ve fi lisani nuren, vexh’al fi sem’i nuren, vexh’al fi besari nuren, vexh’al min halfi nuren, ve min emami nuren, vexh’al min fevki nuren, ve min tahti nuren, All-llahumme e’tini nuren.” (O All-llah! Më jep dritë në zemrën time, në gjuhën time, në të dëgjuarit tim dhe në shikimin tim, më jep dritë prapa meje dhe para meje, më jep dritë mbi mua dhe nën mua. Ma zmadho dritën dhe ma plotëso dritën. Më jep dritë dhe më ndriço. O All-llah më jep dritë.”[17]

  1. Shkuarja në xhami me qetësi dhe edukatë

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos shkoni (në xhami) me nxitim, por shkoni duke ecur me qetësi. Atë që e arrini (nga namazi), faleni, ndërsa ajo që ju ikën, plotësojeni.”[18]

  1. Shkuarja në xhami në këmbë

Kjo vlen nëse xhamia nuk është larg dhe namazfalësit nuk e kanë të vështirë shkuarjen në këmbë. Sunnet është të shpeshtohen hapat në mënyrë që të bëhen më shumë në numër, sepse kështu shtohen edhe shpërblimet.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A dëshironi t’ju udhëzoj për atë se me çfarë All-llahu i shlyen mëkatet dhe i ngre pozitat?!” Ata u përgjigjën: “Po, o i dërguari i All-llahut”, ndërsa ai tha: “Me plotësimin e avdesit në vështirësi, me hapat e shumtë për në xhami dhe me pritjen e namazit pas namazit. Kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat (vigjilencë në rrugën e All-llahut)!”[19]

  1. Gruaja nuk duhet parfumosur

Nuk lejohet që gruaja të shkojë në xhami e parfumosur, sepse kjo është një prej shkaqeve të fitnes… Por kur ajo gjendet në shtëpi dhe para mahremëve të saj, asaj i lejohet të zbukurohet dhe të vendosë parfumin më të shtrenjtë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ajo grua që parfumoset me temjan, të mos marrë pjesë me ne në namazin e jacisë.”[20]

Po ashtu ka thënë: “Kur ndonjëra prej jush dëshiron të vijë në xhami, të mos vendosë parfum.”[21] E në një hadith tjetër ka thënë: “Ajo grua që zbukurohet dhe pastaj del për në xhami, asaj nuk i pranohet asnjë namaz derisa të lahet.”[22]

  1. Mosfutja e gishtave mes njëri-tjetrit

Myslimani nuk duhet bashkuar gishtat duke futur njërin mes tjetrit derisa është duke shkuar në xhami dhe kur është duke u kthyer nga xhamia, madje as gjatë qëndrimit në xhami duke e pritur namazin, ngase kjo është shenjë e mërzisë dhe përtacisë.

Nga Ka’b ibën Uxhre na përcillet se ka thënë: “Derisa po qëndroja në xhami dhe gishtat i kisha futur njërin mes tjetrit, hyri i dërguari i All-llahut  dhe më tha: O Ka’b, kur je në xhami, mos i fut gishtat mes njëri tjetrit, sepse derisa je në pritje të namazit, ti je në namaz.”[23]

  1. Hyrja në xhami me këmbën e djathtë

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Prej sunnetit është që kur të hysh në xhami, të hysh me këmbën e djathtë, ndërsa të dalësh me të majtën. Po ashtu kur të hysh në xhami dhe i zbathë këpucët, lëri në vendin e posaçëm për to dhe mos e shqetëso askënd me to.”

  1. Duaja e hyrjes në xhami

I dërguari i All-llahut kur hynte në xhami e bënte këtë dua: Bismil-lah, ves-selamu ala resulil-lah. All-llahummegfir li dhunubi, veftah li ebvabe rahmetik.” (Me emrin e All-llahut. Përshëndetja qoftë mbi të dërguarin e All-llahut. O All-llah, m’i fal mëkatet dhe m’i hap dyert e mëshirës Sate), ndërsa kur dilte nga xhamia thoshte: “Bismil-lah, ves-selamu ala resulil-lah. All-llahummegfir li dhunubi, veftah li ebvabe fadlik.” (Me emrin e All-llahut. Përshëndetja qoftë mbi të dërguarin e All-llahut. O All-llah, m’i fal mëkatet dhe m’i hap dyert e të mirave të Tua.”[24]

Por a thua përse gjatë hyrjes në xhami kërkohet mëshira e All-llahut, ndërsa gjatë daljes kërkohen të mirat e Tij?

Kjo, sepse namazfalësi kur hyn në xhami angazhohet me gjëra të cilat e afrojnë me Zotin e tij të Madhërishëm, kënaqësinë e Tij, xhennetet e Tij, si namazi, madhërimi, falënderimi dhe dhikre të tjera, kështu që kërkimi i mëshirës së All-llahut është në përputhje me veprimet e tij. Ndërsa kur del nga xhamia, zakonisht angazhohet me kërkim të rizkut hallall për vete dhe familjen e tij, kështu që kërkimi i të mirave të All-llahut është në përputhje me veprimin e tij.”[25]

  1. Përshëndetja e xhamisë

Kjo nënkupton faljen e dy rekateve si përshëndetje ndaj xhamisë para se të ulet.

Nga Ebu Katade Es-Selmiu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të falë dy rekate para se të ulet.”[26]

Myslimani duhet bërë përshëndetjen e xhamisë me dy rekate namaz edhe kur hatibi është duke mbajtur hutben e xhumasë, por këto dy rekate duhet të jenë të shkurtra.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të vijë në xhami ditën e xhuma dhe e gjenë imamin duke mbajtur hutben, le të falë dy rekate të shkurtra.”[27]

  1. Madhërimi i xhamisë

Kjo do të thotë që myslimani të mos bëjë gjëra të pahijshme në xhami, të mos e ngritë zërin gjatë bisedës, të mos qeshë me zë të lartë apo të rrijë në xhami për të biseduar vetëm për çështje të kësaj bote, sepse të gjitha këto gjëra nuk janë prej madhërimit të dispozitave të All-llahut.

  1. Mosdalja nga xhamia pas ezanit

Nëse gjendesh në xhami dhe muezzini e thërret ezanin, nuk të lejohet të dalësh nga xhamia përveç për ndonjë nevojë të patjetërsueshme. Ndërsa dalja nga xhamia pas ezanit pa nevojë, nuk lejohet.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se kishte parë një njeri duke dalur nga xhamia pasi kishte thirrur ezani, dhe me këtë rast kishte thënë: “Ky njeri ka kundërshtuar Ebul-Kasimin,[28] e pastaj vazhdoi: I dërguari i All-llahut na ka urdhëruar duke na thënë: Nëse gjendeni në xhami dhe thërret ezani për namaz, askush prej jush të mos dalë derisa të falet.”[29]

   13.Shkuarja në xhami herët

Kjo, që ta arrish tekbirin fillestar me imamin dhe kështu të arrish shpërblimin e madh për të cilin Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush falë namaz për hirin e All-llahut dyzet ditë me xhemat duke e mbërritur tekbirin fillestar, i obligohen dy pastrime (shpëtime); pastrim (shpëtim) nga zjarri, dhe pastrim (shpëtim) nga nifaku (syefaqësia).”[30]

  1. Përshëndetja me selam

Përshëndetja me selam është obligim ndaj krijesave. Prandaj prej udhëzimit pejgamberik ka qenë që njeriu kur të hyjë në xhami të fillojë me dy rekate namaz si përshëndetje ndaj xhamisë, e pastaj t’i përshëndesë njerëzit. Pra, përshëndetja ndaj xhamisë duhet bërë para përshëndetjes së njerëzve që gjenden në xhami. Kjo, ngase përshëndetja e xhamisë është obligim ndaj All-llahut, ndërsa përshëndetja e njerëzve është obligim ndaj tyre.

  1. Mospërdorimi i xhamisë për zeje ose përfitime

Xhaminë nuk duhet përdorur për zeje apo përfitime të kësaj bote, si shitblerja, tregtia apo prodhimi (i sendeve të ndryshme), sepse xhamitë janë ndërtuar për namaz dhe dhikër ndaj All-llahut të Madhërishëm. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse shihni dikë duke shitur apo blerë në xhami, thuani atij: All-llahu mos të dhashtë sukses në tregtinë tënde, dhe nëse shihni dikë që kërkon gjënë e humbur të tij në xhami, thuani atij: All-llahu mos ta ktheftë (gjënë e humbur).”[31]

  1. Mosveçimi i një vendi të caktuar për namaz në xhami

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që myslimani të veçojë një vend për vete në xhami, ngase kjo mund të çojë në famë e syefaqësi. Maslimani duhet falur namazin në cilindo vend në xhami përderisa falet në saf me vëllezërit e tij myslimanë.

“Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ndaloi çukitjen e korbit,[32] shtrirjen e egërsirave,[33] dhe të veçojë njeriu një vend për vete në xhami (çdoherë të falet aty) ashtu siç e merr vendin deveja.”[34]

  1. Mosprishja e avdesit në xhami

Prej gjërave të urryera në xhami është edhe nxjerrja e gazrave në xhami. Kjo, sepse me këtë gjë shqetësohen melaiket dhe myslimanët në xhami.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka treguar se “Melaiket luten për njeriun i cili vjen në xhami dhe thonë: O All-llah, bekoje, o All-llah, mëshiroje! Këtë e bëjnë derisa ai nuk e shqetëson dikë apo nuk e prishë avdesin. Dikush pyeti: E si e prishë avdesin?  Tha: Fendë apo pordhë.”[35]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Melaiket shqetësohen nga ato gjëra që shqetësohen bijtë e Ademit.”

  1. Moskalimi para atij që falë namaz

Këtë e bazojmë në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Sikur ta dinte ai që kalon para njeriut që falë namaz se çfarë mëkati bën, më mirë për të do të ishte të qëndronte dyzet[36] sesa të kalonte para tij.”[37]

  1. Mospërdorimi i xhamisë si udhë kalimi

Ndonjëherë shohim ndonjë njeri që hyn në xhami për të kërkuar diçka, për të pyetur për ndonjë njeri, apo për të kaluar nëpërmjet xhamisë në rrugën përballë nëse xhamia i ka dy dyer, dhe me këtë rast nuk falë dy rekate si përshëndetje të xhamisë. Ky është një prej gabimeve, ngase myslimani kur të hyjë në xhami duhet falur dy rekate si përshëndetje të xhamisë, duke shfaqur kështu edukatë ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar që xhamia të përdoret si udhë kalimi dhe ka thënë: “Mos i shndërroni xhamitë në udhë kalimi, përveçse për dhikër apo namaz.”[38]

Madje Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka paralajmëruar se kjo është prej shenjave të kiametit dhe ka thënë: “Prej shenjave të kiametit është që njeriu të kalojë nëpër xhami dhe të mos falë dy rekate në të.”[39]

  1. Mosngritja e zërit gjatë dhikrit apo leximit të kur’anit në xhami

Kjo mund t’i shqetësojë apo shpërqendrojë njerëzit që janë duke falur namaz në xhami apo atë që lexon kur’an afër teje. Ngritja e zërit gjatë leximit të kur’anit nuk ka qenë prej udhëzimit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe të sahabëve të tij.

Në radhët e sahabëve të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka pasur prej tyre që kanë pasur zë shumë të bukur, por megjithatë nuk na është transmetuar se ndonjëri prej tyre e ka lexuar kur’anin me zë në xhami.

    21.Drejtimi i safeve në namaz

Prej edukatës gjatë qënrimit në xhami është drejtimi i safeve gjatë namazit farz. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka kushtuar kujdes të madh drejtimit të safeve. I dërguari i All-llahut ka thënë: “O do t’i drejtoni safet, o All-llahu do të fusë kundërshtimin mes jush.”[40]

Kuptimi i kësaj, All-llahu e di më mirë, është: Mosdrejtimi i safeve ndikon në mes jush të futet urrejtja, armiqësia dhe kundërshtimi.

  1. Hapja e një dere të veçantë për gratë

Kjo, që të pengohet përzierja mes grave dhe burrave, që të mos shkaktohet fitne mes tyre duke qenë në shtëpinë e All-llahut.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka udhëzuar në këtë gjë dhe u ka thënë sahabëve të tij: “Sikur ta linim këtë derë për gratë.”[41], d.m.th. njërën derë të xhamisë.

     23.Moskërkimi i gjësë së humbur në xhami

Disa njerëz, kur iu humbë ndonjë gjë, shkojnë te këshilli i xhamisë dhe kërkojnë prej tyre që të bëjnë shpallje me mikrofon në lidhje me gjënë e humbur. Kjo është gabim, sepse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar një gjë të tillë.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëgjon ndonjë njeri duke kërkuar gjënë e humbur në xhami, le t’i thotë: All-llahu mos ta ktheftë atë gjë, sepse xhamitë nuk janë ndërtuar për këtë.”[42]

  1. Mos-hyrja në xhami me armë të zbuluar

Dihet që nuk është e lejuar hyrja e njeriut në xhami me shpatë, hanxhar apo thikë përveçse nëse arma e tij është e futur në këllëf, që të mos lëndojë ndonjë mysliman.

Po ashtu nuk lejohet hyrja në xhami me revole apo pushkë automatike përveç nëse është e vendosur në vend të sigurt dhe që nuk ka mundësi të shkrepë ndonjë plumb e të vrasë ndonjë mysliman.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nëse dikush kalon nëpër xhaminë apo tregun tonë dhe në dorë mban shigjetë, le ta kapë majën e tij me dorë, të mos e lëndojë ndonjë mysliman.”[43]

[1] Kaptina En-Nur, ajetet 36-37.

[2] Sahih: shënon Muslimi (671).

[3] Hasen: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (7/154). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3271) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[4] Hasen: shënon Ebu Nuajmi në librin e tij Hiljetul-Evlija’ (6/176). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6702) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (662) dhe Muslimi (669).

[6] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (2494) dhe Ibën Hibbani në Sahihun e tij (2/251). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3053) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (477) dhe Muslimi (649).

[8] Hasen: shënon Ebu Davudi (558). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6228) e ka klasifikuar si hadith hasen. Ndërsa Il-lijjin është një regjistër i madh i ngritur në qiellin e shtatë ku shkruhen veprat e mira të robërve. (shën. përkth.)

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (450) dhe Muslimi (533).

[10] Hasen: shënojnë Ebu Nuajmi në Hiljetul-Evlija’ (2/344) dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman (3/248). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3602) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[11] Sahih: shënon Muslimi (251).

[12] Sahih: shënon Ahmedi (8004). Shejh Albani në librin e tij et-Tergibu vet-Terhib (327) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (660) dhe Muslimi (1031).

[14] Kaptina El-E’raf, ajeti 31.

[15] D.m.th. të vishen dy pjesë të rrobave, të sipërme dhe të poshtme. Kjo, ngase në kohën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem disa njerëz veshnin vetëm pjesën e poshtme të rrobave duke mbuluar avretin (pjesën nga kërthiza e deri nën gjunjë). Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem preferoi që mbulimi i trupit gjatë namazit të jetë më i plotë dhe më i bukur. (shën. përkth.)

[16] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (9/144). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (652) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6316) dhe Muslimi (713).

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (908) dhe Muslimi (602).

[19] Sahih: shënon Muslimi (251).

[20] Sahih: shënon Muslimi (444).

[21] Sahih: shënon Muslimi (443).

[22] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4002) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2703) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[23] Sahih: shënon Ahmedi (14/79). Shuajb Arnauti ka thënë: Ky është hadith hasen.

[24] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (314) dhe Ibën Maxhe (771). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ibën Maxhe (625) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[25] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 153.

[26] Sahih: shënon Buhariu (444).

[27] Sahih: shënon Muslimi (875).

[28] Ebul-Kasim: Pseudonimi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. (shën. përkth.)

[29] Shënon Ahmedi (882/537) me sened sahih.

[30] Sahih: Shënon Tirmidhiu (241). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6365) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[31] Sahih: Shënon Tirmidhiu (1321). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (573) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[32] Aludohet në sexhden e shpejtë, d.m.th. është aq e shpejtë saqë i përngjet çukitjeve të korbit me sqepin e tij në tokë për ta marrë ushqimin. (shën. përkth.)

[33] Aludohet në shtrirjen e krahëve përtokë gjatë sexhdes, mu ashtu siç shtrihen egërsirat. (shën. përkth.)

[34] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (862), Nesaiu (1112) dhe Ibën Maxhe (1429). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6982) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[35] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (176) dhe Muslimi (649).

[36] Dijetarët e hadithit janë ndarë në mendime në lidhje me fjalën “dyzet”, a është fjala për dyzet ditë, dyzet muaj apo dyzet vjet. Mendimi më i saktë është dyzet vjet, bazuar në disa hadithe të tjera ku përmendet dyzet vjet. All-llahu e di më mirë. (shën. përkth.)

[37] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (510) dhe Muslimi (507).

[38] Hasen: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir (12/314). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7215) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[39] Sahih: Shënon Ibën Huzejme (1326). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (649) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[40] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (717) dhe Muslimi (346).

[41] Sahih: shënon Ebu Davudi (462). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5258) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[42] Sahih: shënon Muslimi (568).

[43] Sahih: shënon Buhariu (452).

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.