Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA NË DITËN E XHUMA

Vëllezër të dashur,

Dita e xhuma është dita më e mirë në të cilën lind dielli. Ajo është një ditë e madhe dhe e bekuar, është dita më e vlefshme e javës dhe festë javore e myslimanëve.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Dita më e vlefshme është dita e xhuma. Atë ditë u krijua Ademi, atë ditë u nxorr nga xhenneti dhe atë ditë ndërroi jetë.”[1]

Për shkak të madhështisë së kësaj dite dhe rëndësisë së namazit të kësaj dite, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka tërhequr vërejtjen nga lënia e namazit të xhumasë pa ndonjë arsye.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lë tri xhumaja rrjesht pa arsye (nga pakujdesia), All-llahu ia vulosë zemrën.”[2]

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lë tri xhumaja rrjesht pa arsye, regjistrohet si munafik.”[3]

Së këndejmi, çdo mysliman e ka për obligim të mësojë rregullat që kanë të bëjnë me ditën e xhuma. Por para se të përmendim ato rregulla, ejani së pari të njoftohemi me vlerën e ditës së xhuma.

 

Pyetje: Cila është vlera e ditës së xhuma?

Përgjigje: Dita e xhuma ka vlera të shumta. Prej tyre:

 

  1. Ajo është dita më e vlefshme tek All-llahu i Madhërishëm

 

All-llahu i Madhërishëm është betuar në Librin e Tij me fjalët: Pasha ditën e premtuar. Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!”[4]

Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu thotë: “Dita e premtuar është dita e kiametit, dita që dëshmon është dita e xhuma ndërsa dita që dëshmohet është dita e Arafatit.”[5]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi alejhis-selam, në këtë ditë është futur në xhennet dhe në këtë ditë është nxjerrë nga xhenneti. Dhe kiameti nuk ndodhë ditë tjetër vetëmse në ditën e xhuma.”[6]

Nga Ebu Hurejra dhe Hudhejfeja radijAll-llahu anhuma na përcillet se kanë thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: All-llahu i Madhërishëm i privoi nga e xhumaja ata të cilët ishin para nesh. Hebrenjtë kishin ditën e shtunë, ndërsa të krishterët ditën e dielë, pastaj na zgjodhi neve dhe na udhëzoi me ditën e xhuma, dhe bëri që e xhumaja ta paraprijë të shtunën dhe të dielën, e gjithashtu ata janë pas nesh ditën e kiametit. Ne jemi të fundit prej banorëve të dynjasë dhe të parët në ditën e kiametit; dhe do të jemi ne ata të cilët do ta përfundojmë dhënien e llogarisë më parë se të gjitha krijesat.”[7]

 

  1. Ajo është dita në të cilën All-llahu e plotësoi fenë e Tij dhe e përmbushi begatinë e Tij

 

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Më erdhi Xhibrili me një send sikur pasqyrë e bardhë, në të cilën kishte një pikë të zezë. E pyeta: O Xhibril, ç’është kjo? Më tha: Kjo është xhumaja. All-llahu e bëri festë për ty dhe ummetin tënd.”[8]

Nga Tarik ibën Shihabi na përcillet se ka thënë: “Një hebre erdhi tek Omer ibën Hattabi dhe i tha: Ju myslimanët keni një ajet në librin tuaj të cilin e lexoni, i cili ajet sikur të na kishte zbritur neve, do ta merrnim për festë. Omeri tha: Për cilin ajet e ke fjalën? Ai tha: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.”[9] Omeri tha: Ne e dimë cila është ajo ditë dhe e dimë edhe vendin se ku ka i zbritur ky ajet Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ka zbritur derisa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po qëndronte në Arafat, në ditën e xhuma.”[10]

 

  1. All-llahu ka bërë që në atë ditë të ndodhin ndodhi madhështore

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi alejhis-selam, në këtë ditë është futur në xhennet dhe në këtë ditë është nxjerrë nga xhenneti. Në këtë ditë i është pranuar pendimi dhe në këtë ditë ka ndërruar jetë. Në këtë ditë do të ndodhë kiameti, dhe nuk ka gjallesë që në këtë ditë nuk do t’i frikohet kiametit derisa të lind dielli përveç birit të Ademit. Në këtë ditë është një moment në të cilin nëse myslimani rastisë duke u lutur dhe kërkon diçka prej All-llahut, All-llahu me siguri do t’ia japë.”[11]

 

  1. Në këtë ditë është namazi i xhumasë, vlera e të cilit është e madhe

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.”[12]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush merr avdes ashtu si duhet dhe pastaj shkon në namaz të xhumasë, e dëgjon hutben me vëmendje dhe heshtë, do t’i falen mëkatet që i ka bërë nga xhumaja e kaluar duke shtuar edhe tri ditë më tepër. Ai që prek guralecin, e humbë shpërblimin e namazit të xhumasë.”[13]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan janë shlyese të mëkateve që ndodhin mes tyre, nëse u largohesh mëkateve të mëdha.”[14]

 

Në vazhdim do të përmendim disa rregulla që duhet pasur parasysh në ditën e xhuma:

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

 

Çdo mysliman, me shkuarjen e tij në namazin e xhumasë, duhet të ketë për qëllim se i përgjigjet urdhrit të All-llahut të Madhërishëm, i Cili thotë: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.”[15] Po ashtu duhet të ketë për qëllim se me atë veprim synon të fitojë shpërblimet e mëdha duke falur namazin e xhumasë dhe duke u bërë shkak për grumbullimin e një numri sa më të madh të myslimanëve, kështu që kjo pamje të bëhet madhështore dhe e bukur me mbledhjen e myslimanëve dhe afrimin e zemrave të tyre.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Në xhuma prezentojnë tre lloje njerëzish: Një njeri që prezenton dhe e prish xhumanë, sepse flet kur imami është duke ligjëruar në hutbe, kjo është hisja e tij nga xhumaja. Një njeri që prezenton me dua duke e lutur All-llahun, nëse do i jep ose nuk i jep. Një njeri që prezenton i heshtur dhe i qetë, nuk kapërcen mbi qafat e njerëzve e as nuk dëmton askënd, xhumaja do t’ia shlyejë mëkatet e tij deri në xhumanë e ardhme duke ia shtuar edhe tri ditë të tjera, ngase All-llahu thotë: Kush bën një vepër të mirë, ka shpërblim dhjetëfishin e saj.[16]

 

2.Përgatitja për ditën e xhuma që nga nata e xhuma

 

Kjo arrihet me anë të lirimit të zemrës nga angazhimet e dynjasë dhe angazhimin e saj me pendim, istigfar dhe vendosmëri për të shkuar herët në namazin e xhumasë, si dhe bërjen e veprave të mira dhe ibadeteve gjatë asaj dite.

 

  1. Mosveçimi i natës së xhuma për namaz nate apo ditës së xhuma për agjërim

 

Ai që falë namaz nate gjatë tërë netëve të javës, ai mund të falë namaz nate edhe natën e xhuma. Por që myslimani ta veçojë natën e xhuma për namaz nate, kjo është mekruh. Po ashtu mekruh është veçimi i ditës së xhuma për agjërim përveç nëse asaj ia bashkëngjet një ditë para ose një ditë prapa me agjërim. Përjashtim nga ky rregull bën nëse njeriu agjëron një ditë po e një ditë jo, dhe rastisë që të qëllojë dita e xhuma, ose dita e Arafatit të rastisë të jetë ditë e xhuma, etj.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos e veçoni natën e xhuma për namaz nga netët tjera, dhe mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim ndaj ditëve të tjera, përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron (me ndonjë bazë në sheriat).[17]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim ndaj ditëve të tjera, përveç nëse e agjëroni një ditë para saj apo një ditë prapa saj.”[18]

 

  1. Leximi i sureve Es-Sexhde dhe El-Insan në namazin e sabahut të ditës së Xhuma

 

Kjo për arsye se këto sure përmbajnë ato gjëra që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin në ditën e xhuma, si krijimi i njeriut, ringjallja, kiameti dhe ndodhi të tjera të mëdha. Prandaj mustehab është që këto dy sure të këndohen në namazin e sabahut të ditës së xhuma. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “në namazin e sabahut të ditës së xhuma e lexonte suren Es-Sexhde në rekatin e parë dhe suren El-Insan në rekatin e dytë.”[19]

 

  1. Shtimi i salavatit ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem

 

Salavati ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është prej veprave më të vlefshme me të cilën robi afrohet tek All-llahu i Madhërishëm, ndërsa nëse kjo bëhet në ditën në xhuma, vlerën e ka akoma më të madhe.

Nga Evs ibën Evsi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Dita më e mirë e ditëve tuaja është dita e xhuma. Në atë ditë u krijua Ademi, në atë ditë do t’i fryhet surit dhe po në atë ditë njerëzit do të ngrihen nga varret! Shtojini salavatet për mua, pasi salavatet e juaja më paraqiten mua.” Një njeri tha: “ O i Dërguari i All-llahut! Si do të paraqiten ty salavatet tona kur ti do të jesh kalbur?” Ai tha: “All-llahu ia ka ndaluar tokës t’i kalbë trupat e pejgamberëve.”[20]

 

  1. Larja e trupit (gusli) për namazin e xhumasë

 

Kjo, që myslimani të shkojë në namazin e xhumasë ndërsa trupit të tij t’i vijë aromë e mirë dhe e këndshme dhe të mos i shqetësojë njerëzit përreth tij dhe melekët. Ndërsa ai që nuk ka mundësi të lahet, le të marrë vetëm avdes.

Këtë e bazjomë në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kur ndonjëri prej jush vjen në namazin e xhumasë, le të lahet.”[21]

Po ashtu në hadithin tjetër: Gusli në ditën e xhuma është obligim për çdo njeri që ka arritur moshën e pubertetit.”[22]

Si dhe në hadithin tjetër: Kush merr avdes ditën e xhuma, është e mjaftueshme dhe e bukur, e kush merr gusël, kjo është akoma më mirë.”[23]

  1. Shkurtimi i thonjve dhe shkurtimi i qimeve (të trupit)

 

Këto gjëra kërkohen nëse thonjtë kanë nevojë për shkurtim apo qimet kanë nevojë për shkurtim. Transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i shkurtonte mustaqet dhe thonjtë çdo xhuma para namazit të xhumasë.

 

  1. Zbukurimi me veshjen e rrobave më të mira

 

Kjo, ngase dita e xhuma është ditë feste dhe gjatë kësaj dite tubohen myslimanët. Prandaj myslimani duhet të jetë në pamjen më të bukur duke veshur rrobat më të bukura që ka, që pamja e përgjithshme e myslimanëve të jetë në kulmin e bukurisë.

All-llahu i Madhërishëm thotë: O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje)…”[24]

Nga Ebu Hurejra dhe Ebu Seidi radijAll-llahu anhuma na përcillet se kanë thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush pastrohet në ditën e xhumasë, veshë rrobat më të mira, parfumoset nëse ka parfum, dhe shkon në namazin e xhumasë, do t’i falen mëkatet midis kësaj dhe xhumasë së kaluar.”[25] Ndërsa rrobat më të mira janë rrobat me ngjyrë të bardhë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vishni rroba të bardha, sepse ato janë rrobat më të mira (që mund t’i vishni), dhe qefinosni të vdekurit me të bardha.”[26]

 

  1. Parfumosja

 

Kjo, që myslimani të jetë i pastër dhe t’i vijë aromë e mirë në mënyrë që të mos i shqetësojë njerëzit apo melaiket. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lahuni në ditën e xhuma, lajeni kokën edhe nëse nuk jeni xhunubë, dhe përdorni parfum.”[27] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Gusli në ditën e xhuma është obligim për çdo njeri që ka arritur moshën e pubertetit. Po ashtu edhe përdorimi i misvakut, si dhe duhet të parfumoset sa të ketë mundësi, madje edhe nga parfumi i gruas (nëse nuk ka të vetin.)[28]

Pejgmberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në ditën e xhuma, parfumoset nëse ka parfum, del me qetësi derisa të arrijë te xhamia dhe nuk ndanë dy veta (duke u ulur mes tyre­), e pastaj falë atë namaz që e ka obligim ta falë, e pastaj kur imami të ngjitet në minber, heshtë dhe e dëgjon, do t’i falen mëkatet midis kësaj dhe xhumasë së kaluar.”[29]

Ndërsa gruaja e ka të ndaluar të dalë jashtë e parfumosur, pa marrë parasysh a del për namaz apo për diçka tjetër. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëra prej jush prezenton në namazin e jacisë (e në një transmetim tjetër: në xhami), le të mos parfumoset atë natë.”[30]

Ndërsa muhrimit[31] nuk i lejohet të përdorë parfum.

 

  1. Përdorimi i misvakut

 

Kjo, që myslimani të ketë aromë të mirë në gojë, dhe që të mos shqetësohen namazfalësit që i ka përreth. Argument për përdorimin e misvakut gjatë shkuarjes për në namazin e xhumasë e kemi hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë: Gusli në ditën e xhuma është obligim për çdo njeri që ka arritur moshën e pubertetit. Po ashtu edhe përdorimi i misvakut, si dhe duhet të parfumoset nëse ka (parfum).”[32] si dhe përgjithësisht nga fjala e tij: Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun para çdo namazi.”[33]

 

  1. Largimi nga çdo gjë me erë të keqe që i shqetëson namazfalësit

 

Si p.sh. ngrënia e hudhrës, qepës apo preshit, si dhe pirja e duhanit, etj.

 

  1. Leximi i sures El-Kehf

 

Leximi i sures El-Kehf është mustehab gjatë natës së Xhuma apo gjatë ditës së xhuma.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush e lexon suren El-Kehf ditën e xhuma, i bëhet dritë atij ndërmjet dy xhumave.”[34]

Po ashtu ka thënë: “Kush e lexon suren El-Kehf ditën e xhuma, i bëhet dritë (në një distancë) prej tij deri në Qabe.”[35]

 

  1. Shkuarja herët në xhami për namaz të Xhumasë

 

Prej sunnetit është shkuarja herët për faljen e namazit me qetësi dhe maturi të plotë. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.”[36]

Sa më herët që njeriu të shkojë në namaz të xhumasë, aq më i madh është shpërblimi për të.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që merr gusël në ditën e xhuma sikur kur lahet nga xhunubllëku dhe shkon herët, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një deve. Ai që shkon më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një lopë. Ai që shkon akoma më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një dash me brirë. Ai që shkon edhe më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një pulë. Dhe ai që shkon edhe akoma më vonë (në momentin e fundit), e ka shpërblimin sikur të kishte dhënë lëmoshë një vezë. Imami kur të ngjitet në minber, atëherë melekët prezantojnë dhe e dëgjojnë hutben.”[37]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në ditën e xhuma, në çdo derë të çdo xhamie qëndrojnë melaike dhe i shënojnë njerëzit një nga një, e kur imami ngjitet në minber, ata i mbyllin regjistrat e tyre dhe e dëgjojnë hutben.”[38]

Nga Semure ibën Xhundubi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prezentoni në namazin e xhumasë dhe afrohuni afër imamit, ngase njeriu vazhdon të largohet (nga punët e mira) derisa të lihet mbrapa në xhennet (d.m.th. duke iu vonuar hyrja dhe duke iu ulur gradët), edhe nëse hyn në të.”[39]

 

  1. Shkuarja në namazin e xhumasë në këmbë

 

Kjo vlen nëse myslimani nuk përballet me ndonjë vështirësi, e nëse përballet me vështirësi, si largësia e madhe deri në xhami, vapa e madhe, shiu i rrëmbyeshëm, moti i ftohtë etj, atëherë nuk ka problem nëse shkon hipur.

Nga Abaje ibën Rifaa na përcillet se ka thënë: “Derisa po shkoja në këmbë në namazin e xhumasë, më mbërriti Ebu Abesi dhe më tha: E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke thënë: Kujt i pluhurosen këmbët në rrugën e All-llahut, All-llahu do t’ia ndalojë zjarrit ta djegë atë.”[40]

Ndërsa nga Evs ibën Evsi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet (lahet) mirë ditën e xhuma, herët shkon në xhami në këmbë (duke ecur), dhe i shkon afër imamit, e dëgjon atë, heshtë dhe nuk flet fjalë të kota (boshe), për çdo hap që e bën prej shtëpisë së tij e deri në xhami i llogaritet si veprim i një viti agjërim dhe namaz nate.”[41]

 

  1. Largimi nga shitblerja

 

Prej pamjeve të cilat e shqetësojnë çdo mysliman është se shohim shumë shitës që pas ezanit të xhumasë vazhdojnë të merren me shitblerje, madje disa edhe gjatë hutbes.

Ndërsa ky është një veprim i ndaluar, ngase All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.”[42]

Ibën Xheuziu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk lejohet shitja gjatë kohës së ezanit, dhe shitja është e pavlefshme për atë njeri që e ka obligim namazin e xhumasë.

 

  1. Përmbjatja e rregullave dhe edukatës së shkuarjes në xhami

 

Kjo do të thotë që myslimani të shkojë me qetësi dhe maturi, të mos nxitojë gjatë ecjes, të mos shqetësojë askënd, të ulë shikimin (në haram), të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, si dhe t’i nxisë njerëzit për në namaz të xhumasë.

 

  1. Përmbjatja e rregullave të hyrjes në xhami

 

Kjo do të thotë të hyjë në xhami me këmbën e djathtë, ta lexojë dhikrin e hyrjes në xhami, si dhe rregulla të tjera që i kemi përmendur te rregullat e hyrjes në xhami.

 

  1. Moskalimi nëpër njerëz për të arritur te safet e para të xhamisë

 

Myslimani duhet ulur në vendin ku mbaron safi e jo të vijë vonë në xhami e pastaj të kalojë “mbi” njerëz duke dashur të ulet në safet e para. Kjo i shqetëson njerëzit, e sidomos gjatë hutbes sepse i shpërqendron nga ajo që thotë hatibi në hutbe. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë.

Nga Abdullah ibën Busri na përcillet se një njeri erdhi në xhuma duke kaluar nëpër njerëz, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po mbante hutben, dhe me këtë rast iu drejtua me fjalët: “Ulu, sepse i shqetësove njerëzit dhe je vonuar.”[43]

Hafidh Ibën Haxheri, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Përjashtim nga ky rregull bën nëse ka hapësirë në safet e para, ndërsa ai që hyn dëshiron t’i mbushë, kështu që këtij njeriu i falet ky veprim për shkak të mangësisë së xhematit që i kanë lënë safet e zbrazëta.”[44]

 

  1. Falja e dy rekateve si përshëndetje e xhamisë para se të ulet

 

Myslimani duhet falur dy rekate si përshëndetje xhamisë edhe kur imami është duke mbajtur hutben, por këto dy rekate duhet të jenë të shkurtra. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush vjen në xhami ditën e xhuma dhe e gjenë imamin duke mbajtur hutben, le të falë dy rekate të shkurtra.”[45]

Po ashtu hatibit i lejohet të ndërpresë hutben dhe të urdhërojë ndonjërin prej xhematit nëse ky i fundit hyn në xhami dhe ulet pa falur dy rekate.

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Derisa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po mbante hutben në ditën e xhuma, një njeri hyri në xhami, e Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: A u fale? Jo – tha njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Fali dy rekate.”[46], ndërsa në një transmetim tjetër: “Çohu fali dy rekate të shkurtra.”

 

  1. Të mos i ndajë dy njerëz në saf

 

Kjo do të thotë të mos ulet mes dy njerëzve në saf duke i ndarë ata, sepse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar këtë gjë.

Këtë e bazojmë në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush lahet dhe pastrohet mirë në ditën e xhuma, i vesh rrobat më të mira që ka dhe parfumoset e pastaj shkon në xhami, nuk flet fjalë boshe dhe nuk i ndanë dy veta nga safi, All-llahu ia falë mëkatet e bëra mes kësaj dhe xhumasë së kaluar.”[47]

 

  1. Të mos e çojë dikë nga vendi e të ulet vetë aty

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar këtë gjë dhe ka thënë: “Askush prej jush të mos e çojë vëllanë e vet në ditën e xhuma nga vendi e më pas të ulet në atë vend, por le të thotë: Zgjerohuni (bëni vend).”[48] Po ashtu ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të shkojë në namazin e xhumasë, mos ta çojë dikë nga vendi i tij e pastaj vetë të ulet aty.”[49]

 

  1. Të mos ulet me këmbë të mbledhura nga barku dhe duke i shtrënguar me petkun e tij

 

Nga Muadh ibën Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka ndaluar që njeriu gjatë xhumasë, derisa imami është duke mbajtur hutben, të ulet duke i mbledhur këmbët dhe duke i bashkuar me barkun dhe duke i shtrënguar me petkun e tij.[50]

Ibën Ethiri në librin e tij En-Nihaje ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga kjo gjë ngase kjo mënyrë e uljes e sjellë gjumin dhe kështu nuk  mund të përqendrohet në dëgjimin e hutbes, si dhe e rrezikon prishjen e avdesit.”[51]

 

  1. Angazhimi me dhikër ndaj All-llahut të Madhërishëm

 

Myslimani kur të hyjë në xhami herët para namazit të xhumasë, duhet të angazhohet me namaz, lexim të kur’anit, dhikër, istigfar etj, dhe nuk duhet të angazhohet me biseda me njerëz që gjenden rreth tij.

  1. Afrimi me imamin

 

Në ditën e xhuma preferohet afrimi afër imamit. Në lidhje me këtë kemi disa hadithe. Pre tyre po cekim:

Nga Evs ibën Evsi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në ditën e xhuma, shkon herët në xhami në këmbë, i shkon afër imamit, heshtë dhe e dëgjon me vëmendje, nuk flet fjalë të kota, për çdo hap që e bën nga shtëpia e tij deri në xhami do të shpërblehet me ibadet njëvjeçar.”[52]

Nga Semure ibën Xhundubi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prezentoni në namazin e xhumasë dhe afrohuni afër imamit, ngase njeriu vazhdon të largohet (nga punët e mira) derisa të lihet mbrapa në xhennet (d.m.th. duke iu vonuar hyrja dhe duke iu ulur gradët), edhe nëse hyn në të.”[53]

Prandaj, gabim është që myslimani të hyjë herët në xhami para namazit të xhumasë dhe të ulet në fund të xhamisë, por ai duhet të përpiqet të afrohet sa më afër imamit, pa mos kaluar “mbi” njerëz.

 

  1. Përkujdesja ndaj safit të parë

 

Sa më shumë që besimtari afrohet afër safit të parë dhe afër imamit, edhe shpërblimi i tij është aq më i madh.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu dhe melaiket e Tij i bekojnë safet e përparme.”, e në një transmetim tjetër qëndron: “safet e para.”[54]

  1. Heshtja dhe mosfolja e fjalëve të kota

Këtë duhet bërë që të mos e humbasë shpërblimin e xhumasë kur hatibi ligjëron në hutbe si dhe t’i japë vetes mundësinë për të dëgjuar hutben e xhumasë.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse një njeri pastrohet në ditën e xhuma ashtu siç kërkohet, pastaj del nga shtëpia për të prezentuar në xhuma, dhe heshtë deri sa ta përfundojë namazin, do t’i shlyhen mëkatet prej xhumasë së kaluar.”[55]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ditën e xhuma, derisa imami ligjëron në hutbe, i thua shokut tënd: ‘Hesht’, ti vetëm se ke thënë fjalë të kotë.”[56]

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet (lahet) mirë ditën e xhuma, herët shkon në xhami në këmbë (duke ecur), dhe i shkon afër imamit, e dëgjon atë, heshtë dhe nuk flet fjalë të kota (boshe), për çdo hap që e bën prej shtëpisë së tij e deri në xhami i llogaritet si veprim i një viti agjërim dhe namaz nate.”[57]

 

  1. Ndërrimi i vendit në rast kotjeje

 

Nëse njeriu ndjen se po e kaplon kotja, atëherë le ta ndërrojë vendin.

Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Nëse dikë prej jush e kaplon kotja në ditën e xhuma, le ta ndërrojë vendin.”[58]

Urtësia e ndërrimit të vendit qëndron në atë lëvizja nga një vend në tjetrin ndikon në largimin e kotjes, ose thjesht është largim nga vendi ku e ka kapluar pakudesia dhe gjumi.

 

  1. Falja e dy rekateve në shtëpi

 

Kjo është praktikë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase ai ka falur dy rekate pas xhumasë në shtëpi. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “Nuk ka falur dy rekate pas xhumasë dhe dy rekate pas namazit të akshamit askund tjetër vetëm se në shtëpi.”[59]

Por nëse falet në xhami, atëherë duhet falur katër rekate, ngase Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma ka vepruar kështu dhe ka thënë: “I dërguari i All-llahut vepronte kështu.”[60] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush falet pas namazit të xhumasë, le të falë katër rekate.”[61]

 

  1. Kujdesi për të qëlluar momentin e pranimit të lutjeve

 

Besimtari duhet pasur kujdes që ta qëllojë këtë moment duke qenë në adhurim, dhikër, istigfar dhe lutje, ngase lutja në këtë moment është e pranuar.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me ditën e xhuma ka thënë: Në këtë ditë është një moment në të cilin nëse myslimani rastisë duke u lutur dhe kërkon diçka prej All-llahut, All-llahu me siguri do t’ia japë.”[62]

Sipas mendimit më të saktë, momenti i pranimit të lutjes është koha e fundit pas namazit të ikindisë në ditën e xhuma.

Ky mendim për bazë e ka hadithin që na e percjellë Xhabiri radijAll-llahu anhu i cili thotë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Dita e Xhuma përbëhet nga dymbëdhjetë pjesë. Çdo mysliman që kërkon nga All-llahu i Madhërishëm diçka, All-llahu i Madhërishëm do t’ia japë. Kërkojeni këtë moment në kohën e fundit pas namazit të ikindisë.”[63]

Ndërsa nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kërkojeni momentin që shpresoni ta qëlloni në ditën e xhuma, prej pas namazit të ikindisë e deri në perëndimin e diellit.”[64]

 

[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374) dhe Ibën Maxhe (1636). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7567) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374) dhe Ibën Maxhe (1636). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7567) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1052), Nesaiu (1369) dhe Ibën Maxhe (1125). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6143) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Kaptina El-Buruxh, ajetet 2-3.

[5] Senedin e ka sahih: shënojnë Ibën Xheriri (30/82), Hakimi (2/519) dhe Bejhekiu (3/170). Po ashtu është transmetuar edhe si hadith merfu’, por në këtë formë nuk është sahih.

[6] Sahih: shënon Muslimi (854).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (896) dhe Muslimi (856).

[8] Hasen: shënon Ebu Ja’la (4213) dhe të tjerë me sened sahih.

[9] Kaptina El-Maide, ajeti 3.

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (45) dhe Muslimi (3017).

[11] Sahih: shënon Muslimi (854).

[12] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 9.

[13] Sahih: shënon Muslimi (857). Ndërsa pjesa e hadithit “Ai që prek guralecin, e humbë shpërblimin e namazit të xhumasë.” ka për qëllim gjërat e kota që mund t’i bëjë njeriu gjatë hutbes së xhumasë, ndërsa prekja e guralecit është sjellur si shembull konkret që ka mundur të ngjajë në kohën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, pasi xhamitë nuk kanë qenë të shtruara me qilima por dyshemeja e xhamisë ka qenë toka, në të cilën veç dheut, ka pasur mundësi të gjenden edhe guralecë. (shën. përkth.)

[14] Sahih: shënon Muslimi (233).

[15] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 9.

[16] Sahih: shënon Ebu Davudi (1113). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8045) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Sahih: shënon Muslimi (1144). Ndërsa pjesa e fundit e hadithit: përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron.” do të thotë p.sh. nëse dikush vazhdimisht agjëron një ditë dhe e prishë një ditë, e që është agjërimi më i vlefshëm, apo dikush nëse është zotuar se do të agjërojë nëse i shërohet fëmija dhe kjo ditë rastis të jetë e xhuma, e kështu me radhë, atëherë nuk ka ndalesë në këtë gjë. (shën. përkth.)

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1985) dhe Muslimi (1144).

[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (891) dhe Muslimi (880).

[20] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374), Ibën Maxhe (1636) dhe Ahmedi (4/8). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2212) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[21] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (877) dhe Muslimi (844).

[22] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (858) dhe Muslimi (846).

[23] Sahih: shënojnë Ahmedi (5/8,11), Ebu Davudi (354), Nesaiu (3/94), Tirmidhiu (497) i cili thotë se hadithi është hasen, si dhe Ibën Huzejme (1757) nga Semure ibën Xhundub radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6180) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[24] Kaptina El-E’raf, ajeti 31.

[25] Sahih: shënon Ebu Davudi (343). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6066) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[26] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4061), Tirmidhiu (994), Ibën Maxhe (1471) dhe Ahmedi (2220). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1236) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[27] Sahih: shënojnë Ahmedi (1/265, 230), Ibën Hibbani në Sahihun e tij (2771) nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1076) e ka klasifikuar si hadith sahih. Po ashtu e shënon edhe Buhariu (880) ngjashëm me këtë tekst.

[28] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (858) dhe Muslimi (846).

[29] Sahih: shënon Buhariu (883).

[30] Sahih: shënon Muslimi (443).

[31] Muhrim: njeri që është i veshur me ihram gjatë haxhit apo umres. (shën. përkth.)

[32] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (879-880) dhe Muslimi (846).

[33] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (887) dhe Muslimi (252).

[34] Sahih: shënojnë Hakimi (2/399, nr. 3392) i cili ka thënë: Ky është hadith me sened autentik, dhe Bejhekiu (3/249, nr. 5792). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6470) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[35] Sahih: shënon Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/474, nr 2444). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6471) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[36] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 9.

[37] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (881) dhe Muslimi (850).

[38] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (929) dhe Muslimi (850).

[39] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1108) dhe Ahmedi (19605). Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (365) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[40] Sahih: shënon Buhariu (907).

[41] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (345), Tirmidhiu (496) dhe Nesaiu (1381). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6405) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[42] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 9.

[43] Sahih: shënon Ibën Maxhe (1115). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (714) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[44] Shkëputur nga libri Fet’hul-Bari (2/392-393).

[45] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1166) dhe Muslimi (875).

[46] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (931) dhe Muslimi (875).

[47] Sahih: shënon Ibën Maxhe (1097) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6064) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[48] Sahih: shënon Muslimi (443).

[49] Sahih: shënon Haraitiu në Mekarimul-Ehlak nga Xhabiri radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (457) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[50] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1110), Tirmidhiu (514) dhe Ahmedi (15203). Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah (1393) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[51] Shkëputur nga libri Muhtesar Muhalefatit-Tahare ves-Salah, fq. 107-108.

[52] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (345), Tirmidhiu (496) dhe Nesaiu (1381). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6405) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[53] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1108) dhe Ahmedi (5/11). Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (365) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[54] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (661) dhe Nesaiu (816). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1842) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[55] Sahih: shënon Nesaiu (1403). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5710) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[56] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (934) dhe Muslimi (851).

[57] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087) dhe Ahmedi (2/209). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6405) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[58] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1119), Tirmidhiu (526) dhe Ahmedi (2/22). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (468) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[59] Sahih: shënojnë Tajalisiu (1836) dhe Tahaviu (1/199). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4857) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[60] Sahih: shënon Ebu Davudi (1130). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith sahih.

[61] Sahih: shënon Muslimi (881).

[62] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (935) dhe Muslimi (852).

[63] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1048) dhe Nesaiu (1389). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8190) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[64] Sahih: shënon Tirmidhiu (489). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2583) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.