Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

EDUKATA GJATË NAMAZIT TË NATËS

Duhet ditur se besimtari, zemra e të cilit është e mbushur me dashurinë ndaj All-llahut të Madhërishëm, nuk mjaftohet vetëm kryerjen e farzeve, por përpiqet të bëjë sa më shumë nafile, ngase ai synon të fitojë dashurinë e All-llahut të Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “…Robi im vazhdimisht më afrohet Mua me vepra fakultative (nafile) derisa ta dua. E kur e dua, të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të pamurit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kapë, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”[1]

Dihet se një ndër nafilet më madhështore me të cilat robi afrohet tek All-llahu i Madhërishëm është namazi i natës. Namazi i natës është nder i besimtarit, tipar i njerëzve të mirë, afrim tek All-llahu i Madhërishëm, është prej faktorëve më të mëdhenj për shtimin e imanit, arritjen e begative të varrit, fitimin e shefaatit të kur’anit dhe hyrjen në xhennetet më të larta.

Së këndejmi, duhet mësuar rregullat të cilat myslimani duhet përvetësuar për sa i përket namazit të natës. Ja disa prej tyre:

 

  1. Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

 

Gjatë namazit të natës, medoemos duhet ndier se ne e bëjmë atë namaz me qëllim të arritjes së kënaqësisë së All-llahut të Madhërishëm, duke kërkuar afrimin tek Ai dhe dashurinë e Tij. Ai është i Cili ka thënë në librin e Tij: Vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të.”[2]

Namazi i natës është ndër ibadetet më të mëdha me të cilat afrohemi tek All-llahu i Madhërishëm.

 

  1. Të flejmë duke synuar të ngrihemi për namaz nate

 

Para se të flejmë, duhet pasur nijetin që të zgjohemi për namaz nate… Kështu, nëse arrijmë të zgjohemi, falënderimi i takon All-llahut, e nëse jo, atëherë e kemi fituar shpërblimin nëse nijeti jonë për t’u zgjuar për namaz nate ka qenë i sinqertë ndaj All-llahut të Madhërishëm.

I dërguari i All-llahut ka thënë: “Secili rob i cili vendosë të zgjohet për të falur namaz nate dhe e zë gjumi (dhe nuk mund të zgjohet për namaz), gjumi i tij i llogaritet si sadeka të cilën All-llahu e ka dhënë për të, dhe i shkruhet shpërblimi për nijetin që e ka pasur.”[3]

Po ashtu ka thënë: “Njeriu që (zakonisht) falë namaz nate, por (nganjëherë) e zë gjumi (dhe nuk mund të zgjohet për namaz), All-llahu do t’ia shkruajë shpërblimin sikur të ketë falur namaz, ndërsa gjumi i tij i llogaritet si sadeka.”[4]

 

  1. Përpjekja për të qëlluar një të tretën e fundit të natës

 

Kjo është koha kur All-llahu i Madhërishëm zbret në qiellin e dynjasë me një zbritje që i takon madhërisë dhe plotësisë së Tij.

I dërguari i All-llahut thotë: All-llahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur kalon një e treta e parë e natës dhe thotë: Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Kush është ai që më lutet, e t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon, e t’i jap? Kush është ai që më kërkon falje, e ta fal atë? Vazhdon kështu, deri sa të dalë drita e mëngjesit.”[5]

 

  1. Të kujdesemi për gjërat me anë të të cilave shpëtojmë nga kurthet e shejtanit

Që të shpëtosh nga kurthet e shejtanit dhe të mund të zgjohesh për namaz nate për hirin e All-llahut të Madhërishëm, duhet të t’i kesh parasysh gjërat në vijim:

  1. Të flesh me avdes

Nga Bera ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut më tha: Kur dëshiron të flesh, merr abdest ashtu siç merr abdest për namaz dhe pastaj shtriju në krahun e djathtë…”[6]

 

  1. T’i bashkosh duart para gjumit dhe të këndosh në to suren El-Ihlas dhe Muavvidhatet

 

Pastaj të fryesh në to (në formë të pështymës) dhe të përshkosh me to sa mundesh nga trupi yt, duke filluar nga koka dhe fytyra. Ky sunnet na përcillet nga Aisheja radijAll-llahu anha në dy Sahihat.

 

  1. Të këndosh Ajetul-Kursinë

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur shkon në krevatlexoje AjetulKursinë, sepse atëherë do të kesh një rojtar nga All-llahu i cili do të të ruajë tërë natën, dhe shejtani nuk do të mund të të afrohet deri në agim.”[7]

 

ç. Të lexosh dy ajetet e fundit të sures El-Bekare

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures El-Bekare natën, do t’i mjaftojnë.”[8]

Me fjalën ‘do t’i mjaftojnë’ thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë për namaz nate. Po ashtu thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë për t’ia larguar të keqen. Po ashtu thuhet se qëllimi është se do t’i mjaftojnë kundër shejtanit.

Ibën Haxheri, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Është e mundshme që të jenë për qëllim të gjitha këto që u përmendën.”

 

  1. Të thuash tridhjetë e tri herë subhanAll-llah, tridhjetë e tri herë el-hamdu lil-lah dhe tridhjetë e katër herë All-llahu Ekber para gjumit

 

Kjo ka qenë porosia e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem drejtuar të bijës së tij, Fatimesë radijAll-llahu anha dhe burrit të saj, Aliut radijAll-llahu anhu, ndërsa ky hadith gjendet në dy Sahihat.

 

  1. Ta falësh vitrin para gjumit, përveç nëse dëshiron ta falësh atë nga fundi i natës (para agimit)

 

Kjo e fundit është më e vlefshme ngase All-llahu i Madhërishëm zbret në qiellin e tokës në pjesën e tretë të natës.

 

  1. Ta shkundësh dyshekun me rrobën tënde dhe të thuash duanë në vijim

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ngrihet nga dysheku, e pastaj kthehet sërish, le ta shkundë me rrobën e tij tri herë sepse ai nuk e di se ç’ka ngjarë me të pasi është larguar, e kur të shtrihet le të thotë: Bismike Rabbi veda’tu xhenbi ve bike erfeuhu. Fe in emsekte nefsi ferhamha, ve in erselteha fehfedhha bima tehfedhu bihi ibadekes-salihin.(Me emrin Tënd, o Zoti im, bie në gjumë dhe me emrin Tënd ngrihem. Nëse ma merr shpirtin, mëshiroje atë. E nëse e dërgon (e kthen prapë) në trupin tim, mbroje atë ashtu siç i mbron robërit e Tu të mirë).”[9]

 

ë. Ose ta këndosh duanë në vijim

 

All-llahumme Alimel gajbi vesh-shehadeti, Fatires-semavati vel erdi, Rabbe kul-li shein ve melikuhu. Eshhedu en la ilahe il-la Ente. Eudhu bike min sherri nefsi, ve min sherrish-shejtani ve shirkih. Ve en ekterife ala nefsi suen, ev exhurrehu ila muslim. (O All-llah, Ti je Ai që i di të fshehtat dhe të dukshmet, Krijues i qiejve dhe i tokës, Zoti i çdo sendi dhe Mbizotërues i tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e vetes sime, nga e keqja e shejtanit dhe nga ajo me të cilën ai të shpie në shirk, dhe kërkoj të më mbrosh, që vetvetes apo ndonjë muslimani të mos i bëj keq).”[10]

 

 

 

  1. Të përfundosh ditën me dhikër ndaj All-llahut të Madhërishm

 

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur njeriu shtrihet në shtratin e tij, një melek dhe një shejtan nxitojnë drejt tij. Meleku thotë: Përfundo me të mirë, kurse shejtani i thotë: Përfundo me të keqe. Nëse njeriu e përmendë All-llahun dhe e zë gjumi, meleku e mbron atë tërë natën. Kur të zgjohet, meleku i thotë: Filloje ditën me të mirë, kurse shejtani i thotë: Hape ditën me të keqe. Nëse njeriu thotë: El-Hamdu lil-lahil-ledhi redde alejje nefsi ve lem jumit’ha fi menamiha (Falënderimi i takon All-llahut i Cili ma ktheu shpirtin dhe nuk e bëri që të vdesë në gjumë), El-Hamdu lil-lahil-ledhi ‘Jumsikus-semavati vel-erda en tezula’[11] (Falënderimi i takon All-llahut i Cili i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken), El-Hamdu lil-lahil-ledhi Jumsikus-semae en tekaa alel-erdi il-la biidhnih[12] (Falënderimi i takon All-llahut i Cili e mban qiellin të mos bie në tokë përveç me lejen e Tij). Dhe nëse rrëzohet nga shtrati dhe vdes, do të hyjë në xhennet.”[13]

 

  1. Gjatë shqetësimit, frikës dhe vetmisë duhet thënë duanë në vijim

 

Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min gadabihi ve ikabihi, ve sherri ibadihi, ve min hemezatish-shejatini ve en jehdurun. (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga zemërimi dhe dënimi i Tij, nga dëmi i robërve të Tij dhe nga mashtrimet e shejtanëve dhe nga prania e tyre.)”[14]

 

  1. Përdorimi i misvakut kur zgjohemi për të falur namaz nate

 

Ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe bëhet me qëllim që gojës t’i vijë erë e këndshme. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet për të falur namaz nate, le të përdorë misvak, sepse gjatë namazit kur lexon kur’an, një melek e vendos gojën e tij në gojën e tij (njeriut). Çdo gjë që del prej gojës së tij, hyn në gojën e melekut.”[15] Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur zgjohej për të falur namaz nate, i pastronte dhëmbët me misvak.”[16]

 

  1. Hapja e namazit të natës me dy rekate të shkurtra

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem vepronte kështu për të na mësuar neve se si gradualisht të kthjellohemi dhe si të përgatitemi për çfarëdo lloj ibadeti. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur zgjohej natën për t’u falur, e fillonte namazin me dy rekate të shkurtra.”[17]

 

  1. Zgjimi i familjes për namaz

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”[18]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdonjëri do të japë llogari për kopenë e tij.”[19]

Prej kornizave të kujdesit të burrit ndaj gruas së tij dhe gruas ndaj burrit të saj është që të ndihmohen mes vete për namaz nate që të fitojnë këtë shpërblim të madh.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu e mëshiroftë një njeri që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshorten e tij, dhe ajo falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë. All-llahu e mëshiroftë një grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon bashkëshortin e saj, dhe ai falet. E nëse refuzon (të zgjohet), i hedhë pak ujë në fytyrë.”[20]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet natën për namaz dhe e zgjon bashkëshorten e tij dhe i falin dy rekate së bashku, atë natë hyjnë në regjistrin e atyre që e përmendin All-llahun shumë.”[21]

 

  1. Ndërrimi mes leximit me zë dhe pa zë

 

Kjo bëhet për ta thyer monotoninë dhe për t’u kthjelltësuar, ngase shpirti nga vetë natyra e tij e kërkon ndryshimin. Andaj, namazfalësi herë e ngrit zërin saqë e dëgjon veten duke lexuar, e herë e ulë, dhe kështu me radhë. Ky ka qenë zakon i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Transmetohet se ai “kur lexonte kuran (në namaz nate), herë e ngrinte zërin e herë e ulte.”[22]

 

  1. Zgjatja e kijamit (qëndrimit në këmbë)

 

Kjo vlen për atë që mundet t’i përballojë kësaj. Ndërsa ai që nuk mund t’i përballojë, All-llahu nuk e ngarkon njeriun aq sa nuk mund të përballojë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Namazi më i vlefshëm është zgjatja e kunutit.”[23]

Neveviu thotë: “Kunut” do të thotë “kijam” (qëndrim në këmbë). Po ashtu transmetohet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “falte namaz nate derisa i rraskapiteshin (ënjteshin) këmbët.” E kur dikush e pyeti: “O i dërguari i All-llahut!  Përse e gjithë kjo kur All-llahu t’i ka falë mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet?”  Ai u përgjigj: “A nuk duhet të jem rob falënderues?!”[24]

 

  1. Falja e namazit dy nga dy rekate

 

Kjo është forma më e mirë e namazit të natës, pra që myslimani të falë namazin e natës dy nga dy rekate. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazi i natës është dy nga dy. E nëse dikush nga ju frikohet se është afruar sabahu, atëherë e fal një rekat tek që ta përfundojë namazin me tek (vitër).”[25]

Edhe pse ekzistojnë edhe transmetime të tjera për mënyrën e faljes së këtij namazi, më e vlefshmja është që të falet dy nga dy rekate.

 

  1. Mosveçimi i natës së xhuma për namaz nate

 

Nëse myslimani falë namaz nate gjatë tërë netëve të javës, ku natyrisht, përfshihet edhe nata e xhuma, kjo është më e vlefshme. Por që myslimani të mos falë namaz nate në netët tjera, ndërsa ta veçojë natën e xhuma për namaz nate, kjo është ajo të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar duke thënë: “Mos e veçoni natën e xhuma për namaz nga netët tjera, dhe mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim ndaj ditëve të tjera, përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron (me ndonjë bazë në sheriat).[26] Kjo, për arsye që myslimani të mos i ngjasojë ithtarëve të librit (hebrenjve dhe të krishterëve) të cilët veçojnë ndonjë kohë për ibadet.

 

  1. Nëse ndien nevojë për gjumë, duhet të flejë

 

Pra, kur njeriu zgjohet për të falur namaz nate, por pas një kohe e kaplon nevoja për gjumë, atëherë duhet të shkojë të flejë, sepse e humbë përqendrimin në namaz dhe ndoshta në vend që të lutet për vete ka mundësi që të lutet kundër vetes. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur dikush nga ju fal namaz nate dhe i ngatërrohet kurani në gjuhën e tij saqë nuk e di se çka thotë, atëherë le të shtrihet (të flejë).”[27]

 

 

 

  1. Të mos e përsërisë vitrin brenda një nate

 

Nëse myslimani e falë namazin e vitrit pas namazit të jacisë dhe shprehë dëshirë të zgjohet në pjesën e tretë të natës për namaz nate, ai nuk duhet falur vitrin përsëri, por duhet falur namaz nate dy nga dy rekate. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka dy vitre në një natë.”[28]

Më e vlefshme është që namazi i vitrit të vonohet për pjesën e tretë të natës, por nëse ka frikë se nuk mund të zgjohet, atëherë më mirë është të falë vitrin para gjumit.

 

  1. Ta përfundojë namazin e natës me vitër

 

Ashtu siç thash më parë, kjo është më e vlefshme, pra myslimani ta përfundojë namazin e tij me një rekat vitër (tek). Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Namazin tuaj të fundit gjatë natës bëjeni vitër (tek).”[29]

 

  1. Moslënia e namazit të natës pas shijimit të ëmbëlsisë së tij

 

Myslimani duhet vazhduar me vepra të mira dhe ibadet dhe nuk duhet lënë pasi t’i ketë vepruar për një kohë. Ai duhet bërë ato në vazhdimësi edhe nëse janë të pakta, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Vepra më e mirë është ajo që bëhet në vazhdimësi edhe nëse është e paktë.”[30]

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e ka tërhequr vërejtjen nga lënia e namazit të natës, dhe Abdullah ibn Amrit radijAll-llahu anhuma i ka thënë: “O Abdullah, mos u bëj si filani, më parë falte namaz nate, e tani e ka braktisur.”[31]

 

  1. Kompensimi i namazit të natës nëse të ikë

 

Kjo do të thotë që nëse njeriu është adaptuar në namaz nate, e pastaj i ikë për shkak se e kaplon gjumi apo për shkak të ndonjë sëmundjeje, atëherë ai e kompenson atë në kohën e duhasë (koha prej pas lindjes së diellit deri në namazin e drekës), por duhet ta falë me numër çift të rekateve. Pra, duhet ta ketë në konsideratë numrin e rekateve që i falte zakonisht gjatë natës, dhe më në fund t’ua shtojë atyre edhe një rekat që numri i rekateve të bëhet çift. Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur e kaplonte gjumi apo kur ishte i sëmurë në netët që e kishte nijet të falej, atëherë gjatë ditës i falte dymbëdhjetë rekate.”[32] Këtë e bënte për arsye se ai gjatë natës zakonisht falte njëmbëdhjetë rekate, kështu që gjatë ditës ua shtonte edhe një rekat që t’i bëjë çift, gjegjësisht dymbëdhjetë.

 

 

[1] Sahih: shënon Buhariu (6502).

[2] Kaptina El-Alek, ajeti 19.

[3] Shënon Abdurr-Rrezzaku (2/501). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (602) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1314) dhe Nesaiu (1784). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5690) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1145) dhe Muslimi (758).

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (247) dhe Muslimi (271).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3275) dhe Muslimi (505).

[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4008) dhe Muslimi (807).

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6320) dhe Muslimi (2714).

[10] Sahih: shënon Tirmidhiu (3529). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2753) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Kaptina Fatir, ajeti 41.

[12] Kaptina El-Haxh, ajeti 65.

[13] Daif: shënon Hakimi (1/733). Shejh Albani në librin e tij Daif et-Tergibi vet-Terhib (346) e ka klasifikuar si hadith daif.

[14] Hasen: shënon Tirmidhiu (3528). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tirmidhi (2793) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[15] Sahih: shënojnë Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/381), dhe Temami në El-Fevaid (1/367). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (720) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (246) dhe Muslimi (255).

[17] Sahih: shënon Muslimi (767).

[18] Kaptina Et-Tahrim, ajeti 6.

[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (893) dhe Muslimi (1829).

[20] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1610) dhe Ibën Maxhe (1336). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud (1182) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[21] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1451) dhe Ibën Maxhe (1335). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud (1305) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[22] Sahih: shënon Ebu Davudi (1328). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (4767) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[23] Sahih: shënon Muslimi (756).

[24] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4837) dhe Muslimi (731).

[25] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (472) dhe Muslimi (749).

[26] Sahih: shënon Muslimi (1144). Ndërsa pjesa e fundit e hadithit: përveç nëse rastis me agjërimin e dikujt që agjëron.” do të thotë p.sh. nëse dikush vazhdimisht agjëron një ditë dhe e prishë një ditë, e që është agjërimi më i vlefshëm, apo dikush nëse është zotuar se do të agjërojë nëse i shërohet fëmija dhe kjo ditë rastis të jetë e xhuma, e kështu me radhë, atëherë nuk ka ndalesë në këtë gjë. (shën. përkth.)

[27] Sahih: shënon Muslimi (787).

[28] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1439), Tirmidhiu (470) dhe Nesaiu (1679). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7567) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (998) dhe Muslimi (749).

[30] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6464) dhe Muslimi (782).

[31] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1152) dhe Muslimi (1159).

[32] Sahih: Shënon Muslimi (746) nga Aisheja radijAll-llahu anha.

 

WWW.THIRRJAISLAME.COM

Comments are closed.