Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

DISA FORMA TË EDUKATËS QË MYSLIMANI DUHET T’I PËRVETËSOJË KARSHI PEJGAMBERIT sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (pjesa e tretë)

Madhërimi, vlerësimi dhe edukata e mirë me të

 

Kjo do të thotë të mos e thërrasësh atë vetëm thjesht me emrin e tij, por duhet të kesh respekt për të dhe të shfaqësh nderim kur përmendet emri i tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thirrjen e të dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit. All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i hidhur.”[1] Po ashtu thotë: “Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues. Që ju (njerëz) t’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (All-llahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje.”[2] Po ashtu thotë: “O ju që keni besuar, mos e ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur.”[3]

Ju do të çuditeni nëse e kuptoni se për kë është shpallur ky ajet. Ky ajet është shpallur për dy të mirët, të nderuarit, fisnikët, të dashurit: Ebu Bekrin radijAll-llahu anhu dhe Omerin radijAll-llahu anhu.

Nga Ibën Ebi Mulejke radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Dy të mirët, Ebu Bekri dhe Omeri desh nuk u shkatërruan; ata ia ngritën zërin njëri-tjetrit kur te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem erdhi karvani i fisit Benu Temim. Njëri prej tyre bëri me shenjë nga Ekre’ ibën Habisi, ndërsa tjetri nga një njeri tjetër. Atëherë Ebu Bekri i tha Omerit: Qëllimi yt qe vetëm të më kundërshtosh, e Omeri tha: Jo, nuk pata qëllim të të kundërshtoj, dhe kështu ia ngritën zërin njëri-tjetrit. Prandaj All-llahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “O ju që keni besuar, mos e ngreni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit….”

Abdullah ibën Zubejri ka thënë: “Pas zbritjes së këtij ajeti, Omeri radijAll-llahu anhu i fliste Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me zë aq të ulët saqë ai kërkonte prej tij ta përsërisë fjalën ngase nuk e dëgjonte se ç’thoshte.”

Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos e ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur.”, Thabit ibën Kajsi radijAll-llahu anhu shkoi në shtëpinë e vet dhe tha: ‘Unë jam xhehennemli’, dhe nuk i dilte Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem më para syve. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e pyeti Sa’d ibën Muadhin radijAll-llahu anhu për Thabit ibën Kajsin radijAll-llahu anhu dhe i tha: “O Ebu Amër, ç’është puna me Thabitin? A ankohet për diçka?” Sa’di tha: “Unë atë e kam fqinj dhe me sa di unë, ai nuk ankohet për asgjë.” Pastaj Sa’di shkoi te Thabiti dhe ia tregoi fjalët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Atëherë Thabiti tha: “Zbriti ky ajet; dhe ju e dini se unë jam njëri nga më të zëshmit në praninë e të dërguarit të All-llahut, prandaj unë jam xhehennemli.” Sa’di i tregoi Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për fjalët e Thabitit, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Përkundrazi, ai është xhennetli.”[4]

 

Ndjekja e të dërguarit të All-llahut

 

Kjo do të thotë ta ndjeksh atë në të gjitha fjalët e veprat, pa mos e tepruar… All-llahu i Madhërishëm thotë: Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.”[5] Po ashtu thotë: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”[6]

 

Mosteprimi në lavdërimin e tij

 

Ai është robi dhe i dërguari i All-llahut

All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj.[7] Po ashtu thotë: Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar.”[8]

I dërguari i All-llahut ka ndaluar nga teprimi në lavdërimin e tij dhe ka thënë: Mos më lavdëroni siç e kanë lavdëruar të krishterët birin e Merjemes, sepse unë jam vetëm një rob i All-llahut, kështu që thuani: Robi dhe i dërguari i All-llahut.”[9]

[1] Kaptina En-Nur, ajeti 63.

[2] Kaptina El-Fet’h, ajetet 8-9.

[3] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 2.

[4] Sahih: shënon Muslimi (119).

[5] Kaptina El-Ehzab, ajeti 21.

[6] Kaptina En-Nisa’, ajeti 65.

[7] Kaptina El-Kehf, ajeti 110.

[8] Kaptina Alu Imran, ajeti 144.

[9] Sahih: shënon Buhariu (3445).

Comments are closed.