Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

DISA CILËSI TË TË SINQERTËVE

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë që All-llahu e udhëzon, ska kush e devijon, dhe atë që All-llahu e le në devijim, ska kush e udhëzon në rrugën e drejtë përpos Tij.

Dëshmoj se ska Zot tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është rob dhe i dërguar i Tij.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Pra, adhurojeni All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” (Gafir 14). Po ashtu e kemi edhe ajetin kur’anor: “E që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij.” (El-Kehf 28). Ky ajet është i shumëkuptimshëm. Ja disa nga kuptimet e tij: Kanë për qëllim sinqeritetin, kanë për qëllim arritjen e shpërblimeve, kanë për qëllim veprat e mira si përgatitje për ahiret, nuk i shoqërojnë All-llahut asnjë gjë tjetër, nuk presin nga njerëzit as shpërblim e as falënderim.

Ky ajet dhe ajete të ngjashme me të kanë qenë fokus i shumë njerëzve të mirë. Me anë të këtyre ajeteve ata i kanë përmirësuar veprat e tyre. Ata kanë një lloj fikhu të cilin e quajnë “fikhu i nijetit”. Në lidhje me këtë gjë, dikush prej tyre thotë: “Gjëja më e vështirë për mua është nijeti, ngase ai lehtë ndryshon.”

 

Kush janë njerëzit e sinqertë?

 

Njerëzit e sinqertë kanë ca cilësi. Hajde së bashku t’i pasojmë ato dhe të njihemi me njerëzit e sinqertë që t’i ndjekim, ngase shpëtimi nuk arrihet ndryshe veçse me to. Prej tyre po përmendim:

 

Fshehja e veprave

 

Ka pasur njerëz që e kishin nxënë kur’anin përmendësh por askush nuk e dinte këtë gjë. Po ashtu ka pasur prej tyre që kanë falur namaz nate, por askush nuk e dinte një gjë të tillë. Davud ibën Ebi Hindi agjëroi plot dyzet vjet (agjërim nafile) dhe askush nga familja e tij dhe nga njerëzit e tjerë nuk e morri vesh këtë gjë. Ai kur dilte nga shtëpia për në treg, e merrte ushqimin me vete dhe gjatë rrugës ua shpërndante fukarenjve. Pastaj kur kthehej në mbrëmje bënte iftar me njerëzit e shtëpisë, kështu që tregtarët në treg mendonin se ai kishte ngrënë në shtëpi ndërsa familjarët mendonin se kishte hëngër në treg.

Ka pasur të tillë që kanë qarë me lot gjatë natës, ndërsa bashkëshortet e tyre nuk e kishin kuptuar kurrë këtë gjë, edhe pse kokën e kishin të vendosur në të njëjtin jastëk. Të tillët All-llahu i Madhërishëm do t’i fusë nën hijen e Tij në ditën kur nuk do të ketë hije pos hijes së Tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “… dhe një njeri i cili e përmend All-llahun në vetmi, dhe e pushtojnë lotët…” (Buhariu 1423, Muslimi 2427).

Na përcillet se ca njerëz kishin thënë: “Abdullah ibën Mubareku falej, dhe ne faleshim. Ai agjëronte, dhe ne agjëronim. Ai bënte haxhin, dhe ne e bënim. Një herë ishim bashkë me të, dhe feneri që kishim na u shua. Njëri prej nesh doli për ta ndezur atë, dhe kur u kthye me dritë të ndezur, e pamë se fytyra e Abdullahut ishte përlotur ngase kishte përkujtuar errësirën e varrit. Thamë: Kjo qenka gjëja me të cilën na ka tejkaluar!”

Gjeneratat e para të islamit e refuzonin kërkimin e bereqetit prej tyre. Një njeri shkoi te imam Ahmedi dhe i tha: “Kam ardhur prej filan vendit, banorët e të cilit e lusin All-llahun duke të të përmendur ty. Imami i tha: Kjo është ndërmjetësim.” Ndërsa një njeri tjetër i tha: “Nëna ime është e palëvizshme dhe ka nevojë për lutjen tënde. Imami ia ktheu: Unë kam më shumë nevojë për lutjen e saj sesa ajo që ka për lutjen time.”

Këta njerëz nuk blinin asgjë me fenë e tyre. Një herë Ibën Muhajrizi shkoi në treg për të blerë diçka me shpresën se nuk do ta vërenin. Por një njeri e njohu dhe i tha dyqanxhiut: “Ky është Ibën Muhajrizi; shiko si do të tregtosh me të. Zbritja çmimin.” Ibën Muhajrizi u hidhërua dhe tha: “O njeri, unë blej me paratë e mia e jo me fenë time.” Pastaj u largua nga dyqani dhe nuk bleu prej tij.

Ibrahim ibën Ed’hemi, All-llahu e mëshiroftë, ishte i njohur për nga sinqeriteti i tij. Nuk kishte njeri në vendin e tij që nuk e njihte. Një herë kishte shkuar në një vend tjetër dhe kishte hyrë në një kopsht në periferi të saj. Njerëzit e këtij vendi kishin marrë vesh se imami i zuhdit kishte ardhur për vizitë në vendin e tyre dhe gjendej në filan kopshtin, por nuk e kishin parë më herët. Ata erdhën në kopsht dhe duke kërkuar andej-këtej, po thoshin: Ku është Ibrahim ibën Ed’hemi? Ndërsa edhe ai u përzie me ta dhe thoshte: Ku është Ibrahim ibën Ed’hemi?

Kështu ka qenë Ibrahim ibën Ed’hemi dhe gjenerata e tij të cilët nuk dëshironin që t’u njihej emri dhe këtë e bënin duke kërkuar kënaqësinë e All-llahut. E disa njerëzve sot u thuhet: Kontribuo edhe ti në ndërtimin e xhamisë. E ai thotë: Ose e bëj xhaminë komplet vetë ose nuk e bëj fare. Por më në fund rezulton që as nuk e ndërton xhaminë vetë, e as nuk kontribuon bashkërisht në të. Por, kontributi i përbashkët mund të jetë më i vlefshëm sesa ndërtimi komplet i xhamisë sa për sy e faqe.

Ka disa njerëz që ndoshta joshen me fjalët: Publikoi veprimet e tua që të bëhesh shembull për të tjerët!

Por kjo vlen në disa raste, e jo çdoherë. All-llahu i Madhërishëm thotë: Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat.” (El-Bekare 271). Ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me shtatë kategoritë e njerëzve që do t’i përfshijë nën hijen e Tij, thotë: “… derisa të mos e dijë dora e majtë se ç’jep e djathta.” (Buhariu 1423, Muslimi 2427).

Ata nuk ngurronin t’ia prishin qefet nefsit dhe nuk e shihnin veten që janë dikushi edhe pse ishin dijetarë të njohur dhe asketë të mëdhenj. Ndërsa kur dikush i lavdëronte, ata thoshin: “Ai të cilin e lavdëroni është i mashtruar.”

Njëherë ca njerëz po i shkonin mbrapa Abdullah ibën Mes’udit radijAll-llahu anhu, ndërsa ai u tha: “Kthehuni (mos ecni pas meje), ngase kjo është fitne (sprovë) për të pasuarin, dhe nënçmim për pasuesin.”

Ndërsa njëri prej selefëve u tha ca njerëzve: “Sikur mëkateve t’u vinte erë e keqe, asnjëri prej jush nuk do të mund të rrinte afër meje.”

Sinqeriteti duhet kuptuar drejt dhe me logjikë të shëndoshë, që do të thotë se njeriu duhet bërë vepra të mira por ato duhet fshehur nga të tjerët. Ndërsa, ta lërë veprimin me pretekstin se mos bie në syefaqësi, kjo nuk mban. Prandaj Ibrahim En-Nehaiu thotë: “Kur të fillosh namazin dhe të vjen shejtani e të thotë: Shkurtoje që të mos bësh syefaqësi, atëherë zgjate sa më shumë të mundesh.”

Ata fshihnin prej veprave të tyre atë që mund të fshihej. Kur ndokush prej tyre ishte i pranishëm në ndonjë ndejë dhe këshillonte të tjerët apo pranonte këshilla, dhe ndikohej nga ndonjë fjalë saqë sytë i lotonin, nxirrte pecetën dhe thoshte: Gripi është i vështirë.

Kjo mënyrë e fshehjes dhe ky sinqeritet ka qenë i qartë madje edhe në momentet më të vështira, në luftëra të ndryshme. Në një luftë, Abdullah ibën Mubareku iu bashkëngjit ushtrisë islame, vendosi një vello në fytyrë dhe u fut në mesin e ushtarëve. Kur u rreshtuan në radhë, një prej ushtarëve romakë doli në shesh duke kërkuar dyluftim nga ushtarët myslimanë. Një prej ushtarëve myslimanë iu përgjigj sfidës, doli në dyluftim dhe e mbyti romakun. Pastaj u kthye në vendin e vet, ndërsa fytyrën e kishte të mbuluar me vello. Myslimanët u mblodhën rreth tij, njëri prej tyre ia hoqi vellon për ta parë se kush ishte, ndërsa ky e mbuloi fytyrën me dorë. Një njeri tjetër ia hoqi dorën nga fytyra, kur ja, ai ishte Abdullah ibën Mubareku, i cili iu drejtua njeriut: A kështu po na poshtërson, o Ebu Filan?

Njëherë njëri prej selefëve po falej dhe e kishte zgjatur namazin, ndërsa vërejti se dikush nga anash po e vëzhgonte. Pasi e përfundoi namazin, e thirri njeriun dhe i tha: “Mos u mahnit me namazin tim, ngase Iblisi një kohë e pati adhuruar All-llahun, e pastaj vazhdoi ashtu siç e dimë.”

Ibën Suhbani e kishte pyetur Aishenë radijAll-llahu anha në lidhje me komentin e ajetit: Prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e All-llahut, të parët në punë të mira.” (Fatir 32) Ajo u përgjigj: “Të parët në punë të mira janë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe sahabët, që nuk janë më. Mesatarë janë ata që vdiqën pas tij, por në rrugën e tij. Ndërsa dëmtues të vetvetes janë të tillët si unë e ju.”

 

E kush është Aisheja radijAll-llahu anha?

 

Aisheja radijAll-llahu anha është gruaja më e dijshme e botës. Zuhriu thotë: “Sikur të matej dituria e të gjitha grave të botës me diturinë e Aishesë radijAll-llahu anha, dituria e Aishesë radijAll-llahu anha do ta rëndonte diturinë e të gjitha grave të botës.”

Vëllezër: Uvejs El-Karni është më i miri nga tabiinët, bazuar në hadithin e pegamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ai e donte dhe e respektonte shumë nënën e tij dhe e trajtonte me butësi. Një kohë kishte qenë i sëmurë nga lebra, dhe i ishte lutur All-llahut të Madhërishëm që t’ia largonte këtë sëmundje, por t’i lërë diçka prej saj që ta kujtonte begatinë e All-llahut në shërimin e tij. All-llahu iu përgjigj lutjes së tij dhe ia largoi atë sëmundje përveç një pjese sa monedha në kërthizën e tij. Ky njeri ishte më i miri i tabiinëve, në zemër dhe në sjellje. Omeri radijAll-llahu anhu e dinte hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me vlerën e tij, dhe i vëzhgonte delegacionet që niseshin nga Jemeni për të çliruar Shamin dhe çdoherë pyeste për një njeri me emrin Uvejs, derisa më në fund e gjeti. Omeri radijAll-llahu anhu ishte i mprehtë dhe preciz. Për një send që e dinte mirë, nuk kishte mundësi t’i shpëtonte. Ai e njohu Uvejsin, e pyeti për emrin dhe i tregoi ç’kishte thënë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për të, dhe më në fund para se të ndaheshin e pyeti: Për ku je nisur? – Për në Kufe – tha Uvejsi. A t’i shkruaj guvernatorit të Kufes se ti do të shkosh atje? – pyeti Omeri radijAll-llahu anhu. Jo – tha Uvejsi. Më e dashur për mua është të jem në masën e popullit, dhe u nis. E kur njerëzit e atjeshëm morrën vesh për të, ai u fsheh diku dhe nuk iu gjetën më gjurmët.

Ata dinin mirë të fshiheshin nga sytë e lavdëruesve. Mesleme ibën Abdul-Meliku ishte komandant i ushtrisë së myslimanëve kundër romakëve. Gjatë një beteje me romakët, myslimanët e rrethuan një kala nga e cila u lodhën duke u munduar të depërtojnë në anën tjetër dhe shumë prej ushtarëve u lënduan. Kjo, derisa All-llahu i mundësoi njërit prej ushtarëve myslimanë, të cilin nuk e njihnin, të vërejë një pikë të dobët në murin e kalasë, kështu që gropoi një gropë nën mur dhe arriti të dalë në anën tjetër të murit, i befasoi armiqtë dhe u ndesh me ta derisa arriti të apë derën e kalasë nga brenda. Kështu myslimanët hynë brenda dhe e fituan betejën, por nga kallaballëku nuk arritën të identifikojnë njeriun që e hapi vrimën.

Pas luftës, Mesleme ibën Abdul-Meliku pati dëshirë të madhe të njohë njeriun që e hapi vrimën. Thirrte me zë të lartë duke lutur që personi të paraqitet dhe pyeste për të, por askush nuk paraqitej. Mesleme thoshte: Po të lus për hirin e All-llahut dhe po të lus duke të të përkujtuar se urdhri i komandantit duhet respektuar nga ushtarët, sepse pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e respekton komandantin, më ka respektuar mua.” (Buhariu 54852), prandaj paraqitmu.

Në çastet e fundit të natës, në errësirë, një njeri vjen te roja dhe i thotë: Te dera është njeriu që gropoi vrimën e kalasë. Të kushtëzoj të mos më pyesësh për emrin tim, as nga jam, dhe asgjë në lidhje me mua, as nuk dua shpërblim, as lavdërim, dua të më lirosh të largohem në qetësi, pa mos më penguar. Pastaj i tha: Hyr te Muslimi dhe kushtëzoje me këto kushte. Pastaj hyri tek ai dhe i tha: Kije frikë All-llahun, o Mesleme, më vure në siklet dhe nuk gjeta dot rrugëdalje pa u paraqitur te ti. Pastaj u largua.

Mesleme shpesh e bënte këtë lutje: O All-llah, më ringjall me njeriun e vrimës.

 

Ata nuk e refuzonin hakun

 

Prej cilësive të të sinqertëve është edhe ajo se ata nuk ka mundësi ta refuzojnë hakun. Kur ndonjëri prej tyre përmendej për hakun, merrej si pikë referimi. Dijetari i madh i hadithit, Hafidh Abdul-Ganiu shkroi një libër në lidhje me gabimet e Ebu Muhammed El-Ezdij El-Hakim në shkencën e hadithit. Por interesant ishte reagimi i Hakimit, i cili e morri librin e Hafidh Abdul-Ganiut që e kishte shkruar për gabimet e vetë Hakimit, filloi ta lexojë para njerëzve dhe u lut për të.

Një herë dijetari i njohur El-Xhevheriu po ligjëronte në xhami. Gjatë ligjëratës, mes tjerash, tha: “Ka ndodhur që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë jetës së tij të përdorë talakun,[1] dhiharin[2] dhe Ila’in.[3]

Talaku ka ndodhur për shkak se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka parë atë gjë më të udhës, si rasti kur një grua i tha: “Kërkoj nga All-llahu të më mbrojë prej teje.” Me këtë rast pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Kërkove mbrojtje nga Një i Madh (All-llahu). Kthehu te familja jote.” (Buhariu 5254)

Ila’i ka ndodhur kur pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u betua se për një muaj rresht nuk do të kishte kontakt me gratë e tij, dhe kështu u veçua prej tyre në një dhomë të ngritur në një lartësi saqë në të duhej të ngjiteshe me shkallë. Pastaj u shpall fjala e All-llahut: Ata që betohen se do të largohen prej grave të tyre (të mos bëjnë kontakt me to), afati i pritjes është katër muaj.” (El-Bekare 226) Pra, kush betohet se nuk do t’i afrohet gruas së tij për kontakt intim, afatizohet me katër muaj. E pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u largua prej tyre një muaj dhe këtë e bëri për t’i disiplinuar ato. Në literaturën islame kjo ngjarje njihet si “ngjarja e mjaltit” ose “ngjarja e Marijes”. Për më hollësisht shihni komentin e ajeteve të para të kaptinës El-Muxhadele.

Një djalë i ri, që nuk ishte prej banorëve të atij vendi, kishte ardhur në xhami për të dëgjuar ligjëratën. Pasi përfundoi ligjërata, nxënësit u larguan dhe imami mbeti vetëm, djaloshi i tha: O Imam, ti the që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka bërë talakun, dhiharin dhe ila’in. Pajtohem se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka bërë talak dhe ila’, mirëpo nuk është e vërtetë se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka bërë dhihar. Si ka mundësi që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të bëjë dhihar kur All-llahu i Madhërishëm në ajetin që bën fjalë për njerëzit që bëjnë dhihar thotë: Ndërsa ata janë duke thënë fjalë të irituara dhe gënjeshtra.” (El-Muxhadele 2). Me këtë rast imami tha: Pendohem tek All-llahu dhe kërkoj falje prej Tij. I kthehem hakut me nënshtrim. Pastaj e falënderoi djaloshin, u lut për të dhe morri premtimin prej djaloshit se do të jetë i pranishëm në ligjeratën tjetër.

Të nesërmen, në xhami kishin ardhur një numër i madh njerëzish për të dëgjuar ligjëratën e radhës. Kur djaloshi i ri hyri në xhami, Xhevheriu tha: Mirë se vjen, o mësuesi im. Në këtë moment, që të gjithë kthyen kokat mbrapa për të parë se kujt po i drejtohej imami. Pastaj tha: Në ligjëratën e kaluar kam thënë kështu e kështu. Askush prej jush nuk e kishte kuptuar atë që unë kisha thënë dhe nuk më kishte përmirësuar në gabimin tim. Pastaj tha: Ky djalosh ma përmirësoi gabimin tim dhe e sakta është kështu e kështu, siç më tha djaloshi, dhe u lut për të në praninë e njerëzve.

Kështu duhet të jetë pranimi i gabimit dhe kthimi drejt së vërtetës. A ka kush mund të veprojë në këtë mënyrë?

O All-llah, na bëj prej atyre që kemi devotshmëri dhe frikë prej Teje, o Zoti i botëve!

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve.

[1] Talak: Shkurorëzim.

[2] Dhihar: Dhihar do të thotë kur burri e përngjason gruan e vet me nënën, motrën apo ndonjë grua me të cilën e ka haram të martohet, ose e përngjason me një pjesë të trupit të tyre që e ka haram ta shohë, si p.sh. nëse një njeri i thotë gruas së tij: “Ti për mua je si nëna ime” “Ti për mua je si shpina e nënës sime” “Ti për mua je si barku i motrës sime” etj. Nëse një person flet në këtë mënyrë atëherë atij i ndalohet jeta seksuale me gruan e tij, derisa të plotësojë keffaretin. Kefareti është lirimi i një robit. Nëse nuk gjen rob, atëherë në këtë rast është agjërimi i dy muajve rresht. E nëse nuk ka mundësi të agjërojë dy muaj, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.

[3] Ila’: Ila’ do të thotë kur burri betohet në All-llahun se nuk do të ketë kontakt me gruan e tij një periudhë të caktuar, duke dashur me këtë ta disiplinojë gruan e tij nëse ajo sillet keq me burrin e saj. Ndalesa për kontakt intim vlen derisa të kalojë periudha e caktuar për të cilën burri është betuar. Por nëse burri pendohet nga ky betim dhe dëshiron të ketë kontakt me gruan e tij para se të mbarojë periudha për të cilën është betuar, atëherë duhet të bëjë keffaretin, i cili është si vijon: Të ushqejë dhjetë të varfër, ose t’i veshë dhjetë të varfër me tesha të cilat mjaftojnë për të falur namaz, ose të lirojë një rob. E nëse nuk ka mundësi të bëjë asnjërën prej këtyre, atëherë të agjërojë tri ditë rresht.

 

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Muhammed Salih EL-MUNEXHXHID

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.