Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

DALLIMI MES IDHUJTARËVE DHE MOSBESIMTARËVE

 

PYETJE: Ç’është dallimi mes idhujtarëve dhe mosbesimtarëve? A janë hebrenjtë dhe të krishterët mushrikë apo janë mosbesimtarë?

 

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Mosbesim do të thotë mohim dhe fshehje e të vërtetës. Në kuptimin gjuhësor, fjala mosbesim (kufër) do të thotë mbulim, ndërsa fjala idhujtari (shirk) do të thotë adhurim (ibadet) ndaj diçkaje përveç All-llahut të Madhërishëm.

Kështu, mosbesimi mund të jetë me anë të mohimit dhe përgënjeshtrimit, ndërsa idhujtari (mushriku) i beson All-llahut të Madhërishëm, por duke adhuruar bashkë me të edhe diçka tjetër. Ky është dallimi mes idhujtarit dhe mosbesimtarit.

Ka raste kur këto dy fjalë janë sinonim i njëri-tjetrit, kështu që me fjalën kufër është për qëllim shirku dhe anasjelltas.

Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Shirku dhe kufri mund të kenë të njëjtin kuptim, e që është kufri (mohimi) i All-llahut të Madhërishëm. Nga ana tjetër, mund të bëhet dallim mes tyre, kështu që shirku të veçohet me adhurim ndaj idhujve dhe gjërave të tjera prej krijesave duke e pranuar All-llahun e Madhërishëm si Zot, siç është rasti me mosbesimtarët kurejshitë. Nga kjo që thamë del se kufri është më i përgjithshëm se shirku.” (Sherh Sahih Muslim 2/71).

Shejh Abdul-Aziz ibën Bazi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Kufër do të thotë mohim dhe fshehje e të vërtetës, si p.sh njeriu i cili e mohon obligueshmërinë e namazit, zeqatit, agjërimit, haxhit, mirësjelljes ndaj prindërve, etj, apo si ai i cili e mohon ndalimin e imoralitetit, ndalimin e pijeve dehëse apo ndalimin e mosrespektimit të prindërve, e kështu me radhë. Ndërsa shirk do të thotë: Transferim të një pjese të adhurimit në diçka tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm, si ai që kërkon ndihmë nga të vdekurit, nga të papranishmit, nga xhinnët, nga idhujt, nga yjet, ose ther kurbanë për ta, e kështu me radhë. Po ashtu, kafirit i thuhet mushrik dhe mushrikut kafir, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: E kush adhuron me All-llahun edhe ndonjë zot tjetër, ai nuk ka kurrfarë fakti. Përgjegjësia e tij është para Zotit të vet, e mohuesit nuk do të shpëtojnë.” (El-Mu’minun 117). “Ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhennetin dhe vendi i tij është zjarri.” (El-Maide 72). “Ai është që zgjat natën në pjesë të ditës dhe e zgjat ditën në pjesë të natës, i nënshtroi diellin dhe hënën që secili lëviz (udhëton) deri në afatin e caktuar. Ky është All-llahu, Zoti juaj, i tërë sundimi është i Tij, e ata që i lutni në vend të Tij, nuk posedojnë as sa një cipë (e hurmave, fije). Nëse ata i thërritni, ata nuk dëgjojnë thirrjen tuaj, po të zëmë se dëgjojnë, nuk mund t’ju përgjigjen juve, e në ditën e kijametit ata do ta mohojnë adhurimin (shirkun) tuaj ndaj tyre. E askush nuk të informon ty si i Dijshmi (All-llahu).” (Fatir 13-14).

Pra, në ajetin e kaptinës Fatir, lutjen e tyre ndaj dikujt tjetër veç All-llahut e ka quajtur shirk, ndërsa në ajetin e kaptinës El-Mu’minun e ka quajtur kufër (mohim).

Po ashtu, All-llahu i Madhërishëm në kaptinën Et-Tevbe thotë: “Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë. Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë këtë gjë.” (Et-Tevbe 32-33). Kështu, në ajetin e parë i ka quajtur mosbesimtarë, ndërsa në ajetin e dytë ai ka quajtur mushrikë. Ky është argument se mosbesimtari mund të quhet mushrik dhe mushriku mund të quhet mosbesimtar. Ajetet dhe hadithet në lidhje me këtë gjë janë të shumta. Prej haditheve që vjen në këtë kuptim është fjala e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Mes njeriut dhe shirkut e kufrit është lënia e namazit.” (Shënon Muslimi). Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dallimi mes nesh dhe atyre (mushrikëve) është namazi. Kush e le atë (namazin), ka bërë kufër.” (Shënojnë Ebu Davudi, Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe).

(Shkëputur nga Mexhmu’ Fetava Ibën Baz 9/174-175)

Po ashtu thotë: “Shirk gjithashtu do të thotë të adhurojë dikë tjetër pos All-llahut me adhurim të plotë. Kjo quhet shirk por quhet edhe kufër. Kush e refuzon adhurimin ndaj All-llahut tërësisht dhe adhurimin ia përkushton dikujt tjetër përveç All-llahut, si adhurimin ndaj gurëve, idhujve, xhinnëve apo disa të vdekurve të cilët ata i quajnë evlija, pra i adhuron, u lutet atyre, agjëron për ta, e kështu me radhë, dhe e harron All-llahun tërësisht, kjo është kufër më i madh dhe shirk më i rëndë, e lusim All-llahun të na mbrojë nga kjo gjë. E njëjta vlen edhe për atë që e mohon ekzistencën e All-llahut dhe thotë se nuk ka zot dhe jeta është materie, si komunistët dhe ateistët, të cilët e mohojnë ekzistencën e All-llahut. Këta janë mosbesimtarët më të mëdhenj dhe mushrikët më të devijuar. Ajo që dua të them është se njerëzit që kanë këto bindje dhe të ngjashme me to, që të gjitha quhen shirk dhe quhen edhe kufër ndaj All-llahut të Madhërishëm.”

(Shkëputur nga Mexhmu’ Fetava Ibën Baz 4/32-33)

Ndërsa për sa i përket pyetjes rreth asaj se hebrenjtë dhe të krishterët a janë mushrikë apo janë mosbesimtarë, themi se ata janë mosbesimtarë dhe mushrikë. Mosbesimtarë janë ngase e kanë mohuar të vërtetën, ndërsa mushrikë janë se adhurojnë dikë tjetër veç All-llahut të Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E jehuditë thanë: Uzejri është djali i All-llahut, e të krishterët thanë: Mesihu është djalë i All-llahut. Ato ishin thënie të tyre me gojët e tyre (fraza të thata), që imitojnë thëniet e jobesimtarëve të mëhershëm. All-llahu i vraftë, si largohen (nga e vërteta)! Ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.” (Et-Tevbe 30-31). Pra në këtë ajet i ka përshkruar me shirk, ndërsa në ajetin e kaptinës El-Bejjine i ka përshkruar me kufër. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata nga ithtarët e librit dhe idhujtarët, të cilët nuk besuan, nuk iu ndanë (besimit të tyre) derisa atyre u erdhi argumenti i qartë.” (El-Bejjineh 1).

Shejh Abdul-Aziz ibën Bazi, All-llahu e mëshiroftë, në lidhje me ata që thonë se fjala mushrik nuk i përfshinë hebrenjtë dhe të krishterët, thotë:

“Mendimi më i saktë është se hebrenjtë dhe të krishterët hynë në kategorinë e mushrikëve, ngase ata, pa mëdyshje, janë mosbesimtarë dhe mushrikë. Prandaj edhe atyre u ndalohet hyrja në Mesxhidul-Haram (xhaminë e shenjtë), bazuar në fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “O ju që besuat, vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë.” (Et-Tevbe 28). Sikur hebrenjtë dhe të krishterët të mos bënin pjesë në kategorinë e mushrikëve, atëherë ky ajet nuk do t’i përfshinte. Në një ajet tjetër, All-llahu i Madhërishëm e përmendë akiden (besimin) e hebrenjve dhe të krishterëve, dhe thotë: “Ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.” (Et-Tevbe 31). Pra, All-llahu i Madhërishëm që të gjithë i ka përfshirë nën ombrellën e shirkut, ngase hebrenjtë kanë thënë se Uzejri është i djali i All-llahut dhe të krishterët kanë thënë se Isai është djali i All-llahut, si dhe që të gjithë ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) dhe “ruhbanët” (murgjit e krishterë), për zota pos All-llahut. Të gjitha këto gjëra janë më të këqija se shirku, dhe ajetet në këtë kuptim janë të shumta.”

(Shkëputur nga Mexhmu’ Fetava Ibën Baz 4/274).

All-llahu e di më së miri.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.