Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Begatia e gjymtyrëve

Falënderimi i takon All-llahut, ndërsa bekimet dhe përshëndetjet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen e tij, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Vërtet argumentet që tregojnë për madhërinë dhe njëshmërinë e All-llahut nuk numërohen a përkufizohet dot.

Këto argumente ndahen sipas mënyrës dhe sasisë, dhe sipas ngjyrës, kohës dhe vendit. All-llahu i Madhërishëm thotë: Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit.” (Edh-Dharijat 20). Ibën Kethiri, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “D.m.th. në tokë ka argumente që tregojnë për madhështinë e Krijuesit dhe fuqinë e Tij brilante, të cilat përfshijnë llojet e ndryshme të bimëve dhe kafshëve, fushat dhe malet, shkretëtirat, lumenjtë dhe detet, gjuhët dhe ngjyrat e ndryshme të njerëzve, dallimet mes tyre në vullnete dhe fuqi, në aftësi mendore dhe konceptuale, në lëvizje, si dhe në aspektin e lumturisë apo pafatësisë. Po ashtu në çështjen e urtësisë që kanë për sa i përket përdorimit të çdo pjese të trupit në vendin ku ka nevojë…”, e kështu me radhë.

Duke e pasur parasysh se krijimi i njeriut është mrekulli në vete për sa i përket përbërjes dhe krijimit të tij, kjo gjë është përsëritur shumë herë në kur’an, që njerëzit të meditojnë rreth kësaj dhe të kthejnë shikimet e tyre për të parë krijimin madhështor të All-llahut, i Cili thotë: O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!” (El-Infitar 6-8). “Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur.” (Et-Tin 4). “A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij? Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij!” (El-Kijameh 3-4). Ndërsa në disa ajete të tjera thotë: “Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë – baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!” (El-Mu’minun 12-14). Ndërsa në një hadith na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Fytyra ime i bën sexhde Atij që e ka krijuar dhe e ka zbukuruar atë, që ia ka krijuar veshët dhe sytë me shndërrimin dhe fuqinë e Tij. I Madhëruar qoftë All-llahu, Krijuesi më i Mirë.”, e kështu me radhë edhe tekste të tjera kur’anore dhe hadithore të cilat përshkruajnë krijimin dhe formësimin e njeriut, e që janë prej argumenteve që tregojnë madhërinë dhe njëshmërinë e All-llahut të Madhërishëm.

Imam Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, në lidhje me krijimin e njeriut, mes tjerash thotë: “Në krijimin e njeriut ka gjëra të çuditshme të cilat tregojnë për madhërinë e All-llahut, dhe nëse do të ndaleshim vetëm në disa prej tyre, do të na harxhohej jeta, ndërsa njeriu është i shkujdesur nga ato dhe refuzon të meditojë rreth tyre. E sikur të mendonte rreth vetes së tij, gjërat e çuditshme në të cilat do të haste do ta bënin që ai të braktiste mosbesimin e tij. All-llahu i Madhërishëm thotë; Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai! Po prej çkafi e krijoi Ai atë? Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti. Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varroset). Pastaj kur të dojë Ai e ringjallë atë.” (Abese 17-22). All-llahu i Madhërishëm nuk e ka përsëritur për veshët dhe mendjen tonë spermën, copën e gjakut, copën e mishit dhe baltën vetëm sa ne të flasim për to apo thjesht vetëm sa për informatë, por ajo e cila synohet të arrihet është e gjithë ajo që fshihet pas këtyre.” Më pas vazhdon duke përshkruar detalisht fazat e transformimit të spermës në mitër derisa shndërrohet në copë gjaku e më pas në copë mishi, duke thënë: “Njeriun e formësoi duke i dhënë formën më të mirë, i krijoi atij veshë, sy, gojë, hundë, i dha duar e këmbë të gjata të cilat në fund i sheshoi, ndërsa majet e tyre i ndau me gishta, e më pas gishtat i ndau me nyje. Po ashtu i krijoi organe të brendshme si zemra, lukthi, mëlçia, shpretka, mushkëritë, mitra, si dhe fshikëzën dhe zorrët dhe çdonjëri prej këtyre organeve e ka shkakun dhe dobinë përse është krijuar. Dhe pastaj shikoje urtësinë kulmore të All-llahut në instalimin e eshtrave të trupit për ta mbajtur trupin drejt, dhe si Krijuesi i krijoi ato për funksione të ndryshme dhe në madhësi dhe forma të ndryshme, kështu që ka prej tyre të vogla dhe të mëdha, të gjata dhe të shkurtra, të lakuara dhe të rrumbullakëta, të ngushta dhe të gjera, të mbushura dhe të zbrazëta, dhe shiko si All-llahu i ngjiti njëra për tjetrën, kështu që disa prej tyre hynë në brendësi të tjerave eshtra, e disa prej tyre vetëm ngjiten njëri për tjetrin, dhe se si forma e tyre ndryshon në varësi të dobisë për të cilën janë krijuar…”

Duke e pasur parasysh që begatia e gjymtyrëve është prej begative më madhështore, atëherë duhet të ndalemi të meditojmë rreth disa pikave:

Pika e parë:

Mrekullia e krijimit të këtyre gjymtyrëve është argument për madhërinë e Krijuesit të tyre dhe tregon për planifikimin, caktimin dhe urtësinë e Tij perfekte, gjë për të cilën folëm pak më parë. Mirëpo, ajo që duam të themi me këtë rast është se njeriu duhet shikuar këtë gjë me shikim meditimi dhe me konsideratë, e jo me shikim sipërfaqësor duke mos marrur parasysh urtësinë dhe qëllimin e lartë të krijimit të tyre. Imam Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Ekziston dallim mes shikimit të mjekut dhe shikimit të besimtarit në këto çështje, ngase shikimi i mjekut është i kufizuar vetëm në mirëmbajtjen e shëndetit dhe evitimin e sëmundjes, ndërsa shikimi i besimtarit ka të bëjë me meditimin rreth Krijuesit të tyre, urtësive madhështore dhe begative të larta në këtë krijim, për të cilat robërit duhet falënderuar atë Krijues.”

Pika e dytë:

Vërtet, këto organe janë prej begative më të mëdha të All-llahut për njeriun duke e pasur parasysh se me këto organe ai sheh, dëgjon, ndjen, flet, jep e ecën, e kështu me radhë. All-llahu i Madhërishëm thotë: Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.” (En-Nahl 18). Dihet se gjëja e kërkuar kundrejt begative është që të falënderohen e jo të mohohen, të kujtohen e jo të harrohen. Një fjalë e urtë thotë: “Begatitë me falënderim mbeten, ndërsa me mohim ikin.” E një fjalë e urtë tjetër thotë: “Falënderimi i mban begatitë.” E diçka që është akoma më i mirë se këto fjalë të urta është fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim 7). Madje falënderimi për begatitë mund të jetë më i madh se vetë begatia, sado e madhe që të jetë ajo, ngase felënderimi ngërthen nënshtrimin dhe mirënjohjen e plotë të robit ndaj mirësisë së All-llahut. Ibën Maxhe dhe disa të tjerë shënojnë nga Enesi radijAll-llahu anhu i cili thotë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Sa herë që All-llahu i jep robit ndonjë begati, e ai e falënderon All-llahun për të, ajo që ai e ka dhënë (d.m.th. falënderimi) është më e vlefshme se ajo që ka marrë (d.m.th. begatia).” Ndërsa në transmetimin e Taberaniut, nga Ebu Umame radijAll-llahu anhu, qëndron: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Sa herë që All-llahu i jep robit ndonjë begati, e ai e falënderon All-llahun për të, ky falënderim është më i vlefshëm se sa vetë begatia e dhënë.”

Pika e tretë:

Kur njeriu sheh ose dëgjon që dikush e ka humbur një gjymtyrë të caktuar, atëherë ai duhet të jetë më tepër mirënjohës dhe t’ua dijë vlerën gjymtyrëve që All-llahu ia ka lënë në dispozicion. Kjo, ngase njeriu, në përgjithësi, i përkujton begatitë në dy raste: Kur i humbë ato apo kur sheh dikë që nuk i ka ato. Prandaj disa selefë kanë thënë: “Nëse dëshiron ta kuptosh vlerën e begative të All-llahut, mbylli sytë.” Kjo është një fjalë shumë domethënëse. Pastaj krahasoji me këtë shembull gjymtyrët e tjera. Me sa e sa vështirësi përballet i verbri për të arritur në vendin ku dëshiron. Memeci nuk ka mundësi të shprehë atë që dëshiron ta thotë përveçse me mimika apo shkrim. Njeriu që nuk ka këmbë ecën zvarras dhe me vështirësi të mëdha arrin deri ne vendin e dëshiruar. E, shumica e njerëzve ecin pa pengesa, çohen e ulen pa pengesa, shikojnë, dëgjojnë e flasin pa pengesa, ndërsa falënderimi i takon All-llahut.

Pika e katërt:

Njeriu në mënyrë konstante përpiqet t’i mbrojë gjymtyrët dhe organet e tij nga sëmundja dhe dhimbja dhe nuk nguron që të shpenzojë fshehurazi e haptazi për sigurinë dhe mirëqenien e tyre, dhe ky është një akt i natyrshëm. Por kontradiktore është kur sheh njerëz që bëjnë shpenzime të panevojshme dhe të tepërta për sigurinë e gjymtyrëve të tyre edhe në rastet kur ndiejnë dhembjen më të vogël, kështu që sheh shumë njerëz që nxitojnë për në klinika dhe pranim të terapive. Ndërsa kur bëhet fjalë për sëmundjet shpirtërore (mëkatet), pothuajse nuk i zënë asgjë, e të mos flasim për ndalimin e gjymtyrëve të tyre nga ato veprime të ndaluara dhe llogaritjen e vetes para se të bien në ato mëkate. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu nuk e shikon pamjen dhe pasurinë tuaj, por i shikon zemrat dhe veprimet e juaja.” (Muslimi). Pra, ajo që duhet bërë është mbrojtja e gjymtyrëve nga mëkatet ashtu siç i mbron ato nga sëmundjet, madje edhe më shumë se kjo.

Pika e pestë:

Kjo pikë lidhet me pikën e përparme. Kjo, duke e pasur parasysh se gjymtyrët mund të jenë shkak për shkatërrimin apo poshtërimin e njeriut, ngase ai ka qenë i shkujdesur ndaj mbrojtjes së tyre. Prandaj, kujdesi për gjymtyrët për sa i përket anës shëndetësore pa mos përfshirë këtu edhe kujdesin për sa i përket anës shpirtërore, gjegjësisht kujdesin për largimin e tyre nga mëkatet dhe gjërat e poshtra është dëshmi për zemrën e prishur të njeriut. Pra, gjendja e mirë shëndetësore e gjymtyrëve nuk i sjellë dobi robit nëse zemrën e ka të prishur. Madje, zemra e prishur është argument se edhe gjymtyrët praktikisht janë të prishura. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dijeni se në trup është një copë mishi; nëse ajo është në rregull, atëherë është në rregull i tërë trupi. E nëse ajo prishet, atëherë prishet i tërë trupi. Ajo është zemra.” (Buhariu). Prej gjërave që vërtetojnë se gjymtyrët mund të jenë shkak për shkatërrimin e njeriut janë edhe fjalët e All-llahut kur tregon se ato do të dëshmojnë kundër njeriut i cili i ka keqpërdorur ato. All-llahu i Madhërishëm thotë: Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin 65). “E ditën kur armiqtë e All-llahut tubohen për në zjarr dhe ata janë të rrethuar. E derisa i afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “All-llahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na e dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai ktheheni”. Ju nuk fshiheshit (kur bënit mëkate) se do të dëshmojnë kundër jush të dëgjuarit tuaj, të pamurit tuaj dhe lëkurat tuaja, bile ju menduat se All-llahu nuk di për shumë gjëra që ju i bënit.” (Fussilet 19-22).

Pika e gjashtë dhe njëherit, e fundit:

Sheriati e ka rregulluar çështjen e gjymtyrëve dhe detalisht i ka dhënë udhëzimet e tij në lidhje me rrugën të cilën ato duhet ndjekur që robi të mos mund të ketë asnjë lloj argumenti kundër Zotit të tij. Sa për ilustrim po përmendim udhëzimin ndaj gjuhës. All-llahu i Madhërishëm thotë: Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm tek All-llahu. Ata e dinë se çka punoni.” (El-Infitar 10-12). “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf 17-18) “Mos i thuani asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj All-llahut rrenën.” (En-Nahl 116)

Ndërsa sa i përket udhëzimit ndaj syrit, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit).” (En-Nur 30) “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre.” (En-Nur 31)

Ndërsa sa i përket udhëzimit ndaj gjymtyrës së dëgjimit, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshit larg nesh, ne nuk na duhen injorantët!” (El-Kasas 55). “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” (El-Furkan 72), e kështu me radhë.

Pra, sheriati i ka udhëzuar gjymtyrët në mënyrën më të mirë dhe i ka kuruar me ilaçin më të plotë. Këtë e shohim qartë në tekstet e kur’anit dhe hadithit, ku shohim se sheriati është nxitës për punë të mira dhe ndalues nga punët e këqija. E, kush shkujdeset ndaj këtyre udhëzimeve, përgjegjësinë dhe pasojat do t’i bartë vetë.

O Zot, na mundëso që dëgjimin, shikimin dhe të gjitha gjymtyrët tona t’i përdorim në hair derisa të kemi jetë në tokë, dhe bëje që gjymtyrët tona të jenë dëshmues për ne, e jo kundër nesh.

Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve.

 

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Dr. Abdulaziz Muhammed Es-Sed’han

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.