Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

A I KAPLON XHENNETLINJTË MËRZIA APO MONOTONIA?

PYETJE: Xhennetlinjtë pasi të hynë në xhennet dhe t’i shijojnë të gjitha kënaqësitë në të, a i kaplon ndonjëherë monotonia, mërzia apo pesimizmi?

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut. Ndërsa përshëndetjet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen e tij dhe shokët e tij.

Për sa i përket pyetjes rreth asaj se xhennetlinjtë pasi të hynë në xhennet dhe pas shijimit dhe përjetimit të të gjitha kënaqësive, a do të mërziten apo kënaqësitë t’u bëhen monotone, këtë gjë e thotë ai që nuk e ka kuptuar realitetin e jetës në Vendin e Kënaqshëm pranë Zotit Bujar dhe Sunduesit të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, një vend të cilin All-llahu i Madhërishëm e ka përgatitur si vendbanim për të dashurit e Tij, ku do t’i nderojë dhe do t’i shpërblejë.

All-llahu i Madhërishëm thotë: S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhennetet e Firdevsit. Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).” (El-Kehf 107-108)

Ibën Kethiri, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Pjesa e ajetit: “nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).”, jep të kuptohet se ata e duan dhe e dëshirojnë xhennetin, edhepse ka mundësi që dikush të mendojë se ai që qëndron gjithnjë në vendin e njëjtë, pas një kohe mërzitet dhe pesimizohet. Pra, All-llahu i Madhërishëm na ka informuar se edhe përkundër kësaj vazhdimësie dhe përjetshmërie, ata nuk kërkojnë ndërrimin, transferimin, largimin, udhëtimin apo ndryshimin e atij vendi.”

Prandaj, kur xhennetlinjtë hynë në xhennet dhe shohin se ç’ka në të, do ta emërtojnë ‘Darul-Mukameh’ (Vend i Përjetshëm), siç na tregon All-llahu i Madhërishëm në lidhje me këtë duke thënë: “E ata thonë: “Falënderuar qoftë All-llahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që falë shumë dhe është bamirës”. I cili nga mirësia e Tij na vendosi në vendin e përjetshëm, ku nuk do të na prekë ndonjë mundim fizik dhe ku nuk na prekë ndonjë molisje.” (Fatir 34-35)

Krahas kësaj, begatitë e xhennetit janë të ripërtëritshme dhe gjithnjë janë në shtim e sipër. E si ka mundësi në rrethana të këtilla dikush të mërzitet?! Argument për këtë e kemi edhe hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: Në xhennet ka një treg, tek i cili xhennetlinjtë shkojnë çdo të premte. Aty ka kodrina me parfum, të cilën e frynë një erë e veriut e ua përplas fytyrës dhe rrobave të tyre, dhe kështu u shtohet bukuria e hijeshia. E kur kthehen te familja e tyre, më të bukur dhe më të hijshëm, familja e tyre u thotë: Pasha All-llahun, qenkeni bërë më të bukur dhe më të hijshëm. Edhe këta do t’ua kthejnë: Edhe ju qenkeni bërë më të bukur dhe më të hijshëm.” (Shënon Muslimi)

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.