Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

NDËRRIMI I NIJETIT GJATË NAMAZIT

 

PYETJE: A lejohet ndërrimi i nijetit pasi të kemi filluar namazin?

 

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Shejhu i nderuar, Ibën Uthejmini, u pyet në lidhje me ndërrimin e nijetit gjatë namazit, e ai u përgjigj kështu:

“Ndërrimi i nijetit mund të jetë nga namazi i veçantë për namaz të veçantë, nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë, dhe këto të dyja nuk vlejnë, ose mund të jetë nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm, e kjo mund të bëhet dhe nuk prish punë.”

Shembuj konkretë:

Nga namazi i veçantë për namaz të veçantë: Nëse një njeri fillon të falë namazin e Duhasë, dhe gjatë namazit i kujtohet se nuk e ka falur sunnetin e Sabahut, dhe e ndërron nijetin për sunnetin e Sabahut. Kjo formë e ndërrimit të nijetit nuk është e vlefshme, ngase sunneti i Sabahut përmban dy rekate, nijeti i të cilave duhet bërë para se të fillojë namazin.

Shembull tjetër: Nëse një njeri fillon të falë farzin e Ikindisë, e gjatë namazit i kujtohet se nuk e ka falur farzin e Drekës, atëherë e ndërron nijetin nga Ikindia për Drekë. Kjo po ashtu nuk është e vlefshme, ngase nijeti për namazin e veçantë patjetër duhet bërë që nga fillimi.

Nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë: Nëse një njeri është duke falur namaz të përgjithshëm (nafile, namaz vullnetar), dhe brenda namazit i kujtohet se nuk e ka falur farzin e Sabahut, apo sunnetin e Sabahut, dhe e ndërron nijetin për farzin apo sunnetin e Sabahut. Kjo formë e ndërrimit të nijetit, po ashtu nuk është e vlefshme.

Nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm: Nëse një njeri fillon të falë sunnetin e Sabahut, dhe gjatë namazit i kujtohet se më herët e ka falur atë namaz, atëherë në këtë rast e ndërron nijetin për namaz të përgjithshëm (nafile).

Shembull tjetër: Një njeri e fillon namazin farz, e ndërkohë vijnë ca njerëz të tjerë për të falur namazin. Me këtë rast ai e ndërron nijetin nga farzi për nafile duke e shndërruar në dy rekate, në mënyrë që kur të përfundojë nafilen, të falë farzin (me xhemat) bashkë me njerëzit që kanë prezentuar. Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit është e lejuar, ngase e ka ndërruar nijetin nga namazi i veçantë në namaz të përgjithshëm.

Pra, kjo është rregulla: Nga namazi i veçantë për namaz të veçantë nuk vlen, nga namazi i përgjithshëm në namaz të veçantë nuk vlen, dhe nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm vlen.

(Shkëputur nga libri Mexhmu’ Fetava Esh-Shejh Ibën Uthejmin, 12/pyetja nr. 347.)

Po ashtu, shejhu është pyetur: “A lejohet ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të veçantë?”, e ai u përgjigj: “Ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të veçantë dhe nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë nuk lejohet. Ajo që lejohet është ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm.

Shembull për rastin e parë, nga namazi i veçantë për namaz të veçantë: Ndërrimi i nijetit nga farzi i Drekës për farzin e Ikindisë. Në këtë rast namazi i Drekës prishet ngase ai e ka braktisur atë duke e shndërruar në namaz tjetër. Po ashtu namazi i Ikindisë nuk i pranohet, ngase nuk e ka bërë nijetin për të që nga fillimi, dhe kështu ai duhet përsëritur të dy namazet.

Shembull për rastin e dytë, nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë: P.sh. nëse njeriu fillon të falë namaz të përgjithshëm (nafile), dhe gjatë namazit e ndërron nijetin për të falur namaz të veçantë, si p.sh. sunnetin e Drekës. Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit nuk vlen, ngase nuk e ka bërë nijetin për sunnetin e Drekës që nga fillimi.

Shembull për rastin e tretë, nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm: P.sh. një njeri ka filluar të falë farzin e Akshamit, por vendos të ndërrojë nijetin gjatë namazit duke e shndërruar në namaz të përgjithshëm (nafile). Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit është e lejuar, ngase nijeti për namaz të veçantë e përfshin edhe nijetin e namazit të përgjithshëm, kështu që kur nijeti i veçantë anulohet, atëherë mbetet nijeti i përgjithshëm për namaz, por kjo nuk e zëvendëson namazin e veçantë, sepse ai ka hequr dorë prej tij.

(Shkëputur nga libri Mexhmu’ Fetava Esh-Shejh Ibën Uthejmin, 12/pyetja nr. 348.)

All-llahu e di më së miri.

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.